
Murteza Karagjozi lindi në Tivar në vitin 1865, aktualisht qytet në Mal të Zi. Ishte i biri i Kamberit, muhtarit të qytetit. Mendohet se të parët e familjes së tij arritën bashkë me ushtarët osmanë në Tivar nga Manisa, qytet në Turqi, në vitin 1571, kur ky mbiemër për herë të parë përmendet në Tivar. Patronimi “karagjoz” (shqip: syziu) nuk ishte patronim familjar i Murtezait, por i nxjerr nga një figurë e popullarizuar e teatrit të kukullave në Shtetin Osman (të ndikuar nga Egjipti). Karagjozi paraqiste prototipin e njeriut nga populli, të kthjellët, të mençur, e largpamës, që gjithnjë luftonte kundër prototipit rival narcisoid Haxhivadit.
Në vitin 1877 Tivari ra nga Osmanët në duart e Knjaz Nikollës, përkundër rezistencës së vendorëve. Sulltani duke parandier dramën, u ofroi transport të gjithë qytetarëve që dëshironin të shpëtonin nga masakrat dhe dhuna malazeze. Në mesin e të ikurve ishte edhe familja Karagjoz, e cila u vendos në Durrës, duke pritur udhëtimin për Stamboll. Por, pasi nuk arritën të udhëtojnë për Turqi, babai i Murtezait, Kamberi u kthye në Shkodër, e pastaj në Zaljev, ku familja Karagjoz kishte çifllëkun e tyre. Më pastaj, me leje të Knjaz Nikollës, në Zaljev u ndërtua edhe xhamia, kurse imami i parë në të ishte Efendi Murtezai.
Murteza Karagjozi mësimet e para fetare i mori nga Efendi Husein Spica, kadiu në Tivar, pas vitit 1878. Përndryshe, Murteza Karagjozi e përfundoi edhe shkollën qytetare fillore, kur edhe mbiemri i tyre nga “Karagjoz” u konvertua në “Karagjuzoviq”. Edhe pse nuk kishte kryer shkolla të mëdha, Muftiu ishte një erudit i vërtetë dhe urtar i pashoq.
Më 1905 në Mal të Zi u shpall Kushtetuta e parë, kurse Murtezaja dhe katër të tjerë u zgjodhën delegatë. Më 1906 Murtezaja u zgjodh për delegatë të Kuvendit të Komunës.
Meqë muftiu paraprak kishte mosmarrëveshje me kreun e shtetit dhe vendi i muftiut ishte i zbrazët qysh nga 1908, në vitin 1912 me dekret mufti u emërua Murteza Karagjozi dhe selia e myftiut u bartë nga Podgorica në Tivar. Ishte myftiu i tretë (pas Salih Efendisë nga Ulqini dhe Mustafë Hilmi Efendisë nga Tikveshi. Koha ishte mjaft dramatike për muslimanët, sepse pasuan luftërat ballkanike e pastaj edhe Lufta I Botërore. Në këtë kohë Mali i Zi e humbi shtetësinë kurse muslimanët humbën muftillëkun. Në Luftën I Botërore Murtezaja ishte komandant i bataljonit muhamedan. Husein Gjozo e përshkruan Murteza Karagjozin se si hyri i pari në Sarajevë me brigadën e tij në luftë kundër Austro-Hungarisë.
Pas Luftës I Botërore më 1918, muftiu Karagjozi u zgjodh delegat në Kuvendin Serb në Podgoricë, ku u bë bashkimi i Malit të Zi dhe Serbisë. Më 1919 Kuvendi u shpërnda, kurse myftiu pushoi që qeni delegat kuvendi.
Të dhënat tregojnë se me bashkimin e Serbisë dhe malit të Zi më 1918, dhe me urdhëresat e Mbretërisë SKS, selia e muftinisë është bartë në Beograd dhe më 1922 muftiu është pensionuar, por pas ankesës së tij, në vitin 1923 sërish u emërua mufti. Por, më 1924 sërish u pensionua, si mbështetës i Knjaz Nikollës.
Muftiu Karagjozi përshkruan dhunën e zbatuar në Plavë e Guci të kryeshefit të Komunës Millutin. Kjo ishte në vitin 1913: “...Ditën vijuese tetë dijetarë (ulema), shtatë haxhi, dy myderrisë të nderuar, tridhjetë luajë me zë dhe pesëdhjetë e tetë trima nga populli, shkurt më shumë se njëqind persona egërsisht u vranë, kurse mbi katërqind persona ikën në mal, dymbëdhjetë mijë e treqind persona të tjerë, meshkuj e femra, në mënyrë të dhunshme dhe tërësisht skandaloze u dërguan në kishë. Familjet u dëbuan dhunshëm në çarshi dhe telallët dhe familjet tona dhunshëm u dërguan në kishë me xhandarmëri...”. Këto të dhëna të muftiut pajtohen me të dhënat e protës ortodoks Gjorgje Shekullarac, i cili kreu kryqëzimin. Muftiu u angazhua te mbreti në Beograd që muslimanët të mbrohen dhe të ndërpritet dhuna e dëbimi i muslimanëve shqiptarë e boshnjakë, por që rezultati ishte i vogël.
Muftiu Murteza ishte autor i Ilmihalit të parë në Mal të Zi në vitin 1910, të shtypur në Stamboll, me 24 faqe, të renditur në dy shtylla: turqisht dhe serbisht me shkronjat arebicë.
Muftiu Murteza Karagjozi vdiq në vitin 1941 në Tivar, pas një jete të gjallë, përplot sfida e probleme, por që arriti me urtësi t’i zgjidh e nga populli i tij të shpëtojë ç’është e mundur. Duke marrë parasysh se shumicën e jetës e kaloi me muslimanë shqiptarë në Mal të Zi dhe Shqipëri, dhe boshnjakë, mund të konstatojmë se meritat e tij janë të përgjithshme dhe në masë të madhe edhe për shqiptarët.
Pasardhësit e tij sot jetojnë në Zaljev, paralagje e Tivarit dhe një pjesë në Sarajevë.
Lit.:
Mahmud Tralji?, Istaknuti Bošnjaci, El-Kalem, Sarajevë, 1998, fq. 142-147.
Šerbo Rastoder, Kara?ozovi?i u Baru i Sarajevu, fq. 382-384, në: The Reconstructive Anthropology Of Bosnian Identities On Waiting for Elijah: Time and Encounter in a Bosnian Landscape, Safet Hadži Muhamedovi?, Oxford: Berghahn Books, 2018.
Fejzullah Hadžibajri?, Putopisi i nekrolozi, ed. Ašk Gaši, Stokhlom, MOS Švedske, 2002, fq. 209.
Husein ?ozo, Adem ef. Kara?ozovi?, Preporod, Sarajevë, nr. 3 (203), 1979.
Gusinje, Parohija ?or?a Šekularca, Politika e dt. 08.06.1931, Beograd, fq. 5.
The Reconstructive Anthropology Of Bosnian Identities On Waiting for Elijah: Time and Encounter in a Bosnian Landscape, Safet Hadži Muhamedovi?, Oxford: Berghahn Books, 2018.
_________________________________
Revista "Shenja", Mars 2021, Shkup, nr. 119, fq. 95.