"Qytetërimi" në duar të hajdutëve

Jemi dëshmitarë për gjendjen lokale, rajonale dhe globale se qytetërimi me hapa të shpejtë po dëmtohet, po ec drejt shpërbërjes, apo me fjalë më të lehta “qytetërimi po devijon” drejt një të panjohure. Edhe pse kultura e qytetërimi janë krijuar për të humanizuar njeriun dhe ambientin rreth e përreth tij, gjithnjë e më shumë, me hapa të shpejtë po ndodh e kundërta.

Vlerat qytetërimore që do të duheshin t’i shërbejnë njeriut shpirtërisht, intelektualisht dhe biologjikisht, në përgjithësi, janë kthyer në rrezikun dhe kërcënimin për të. Demokracia – ajo fjalë magjike për joshjen e masave, është bërë kamxhik fatal për masat. Ato fjalime publike me ëmbëlsi mjalti, po kthehen në pelin të përgjithshëm, në gënjeshtër të dukshme. Shkenca që ka për qëllim lehtësimin e jetës së njeriut, po prodhon vdekje të shpejtë por edhe të ngadalshme, po prodhon një eutanazi të përgjithshme, të cilën po e nënshkruajmë vetë. Armët bërthamore, biologjike, inxhinieringu gjenetik, janë vetëm disa gjera tashmë të njohura botërisht. Kovidi19 mbase është një parathënie e librit që s’ka një fund të dukshëm.

Kultura që dikur mendohej si shkallë e lartë e shpirtit njerëzor, i shërben glorifikimit të ideologjive të regjimit, institucioneve arsimore dhe kulturore të vendit e botës. Milionat që shpenzohen për themelimin e tyre dhe për funksionimin e mëtejshëm janë para nga taksat e njerëzve të përvuajtur e të uritur, që çdo ditë vdesim me shpresë për të mirat e demokracisë. Ata grabiten në vazhdimësi të emër të të ardhmes më të mirë, që e ofron e djathta apo e majta. Është formuar edhe Fakulteti për Shkencat Politike, por duke marrë parasysh që fjala “shkencë – science” domethënë ekzaktësi, saktësi, gjë të saktë, atëherë mendoni çfarë shikoni si të saktë dhe shpresëdhënëse në politikën vendore, rajonale dhe botërore?!

Qytetërim është edhe prodhimi korrekt, edhe tregtia korrekte e prodhimit. Por, sot qytetari i varfër, pavarësisht nëse përballet me mallra apo shërbime, ai përballet me truke të panumërta, që janë përgatitur për ta mashtruar atë dhe klientët tjerë injorantë e shurdhë-memecë. Ata janë sakrificë e viktimë e pafajshme e metodave gjithnjë e më imagjinare të plaçkitjes së masave.

Kjo gjendje është kudo, në lindje e perëndim, në veri e jug. Ballkani ynë nuk bën përjashtim. Trojet shqiptare nuk bëjnë përjashtim. Prandaj, për të dalë nga kjo gjendje kaotike, nga ky vorbull i krijuar nga “lart”, është e domosdoshme të kemi një masë të arsimuar, të vetëdijesuar, e cila është kritike ndaj të dhënave që shtrohen, e të cilat do t’i paraqesin në ndonjë debat qoftë apo dialog me të “lartit”, me të “fuqishmit”, të cilët sundojnë e menaxhojnë me jetët tona.

Në vend të dhjetëra shkencave të shpikura nga amerikano-evropianët, dhjetëra departamenteve universitare për hiçgjë, populli ynë dhe ai botëror ka nevojë për shkencën e mirëfilltë, ajo e cila do të përcaktojë saktësisht plaçkitësin dhe shtypësin, sasinë dhe llojin e plaçkitjes, mënyrat dhe teknikat e plaçkitjes dhe propozimin si të eliminohen këto makinacione nga ata “lart” ndaj atyre “poshtë”.

Disa institute të pavarura politike, ekonomike, sociale, kulturore, që tashmë ekzistojnë, është e qartë që duhet të ndërrojnë bashkëlojtarin që quhet politikë dhe mafiozllëk, dhe të veprojnë në dobi të qytetarit dhe të masës së përvuajtur, në dobi të pensionistit pa pension, në dobi të të sëmurit pa ilaçe, në dobi të arsimit pa mësim, në dobi të fëmijës dhe femrës pa perspektivë.

Kur “hoxha” merret me politikë e shkencë, kur “mjeku” merret me politikë e ekonomi, kur “politikani” merret me fe dhe përcakton ritualet fetare, kur qytetari “i zakonshëm” përzgjedh cila politikë është më e mirë, kurse institutet dhe shkencëtarët janë vënë në shërbim të mafiozëve, atëherë kemi një gjendje të pashpresë, të pa perspektivë. Prandaj, edhe kemi protesta në dobi të atyre “lart” por nuk kemi protesta për “qytetarin e pambrojtur”, nuk kemi protesta për mungesën e ujit, të energjisë elektrike, ilaçeve, pensioneve dinjitare, nuk ka protesta kundër të keqes e të ligës, por për të keqen e të ligën.

O Zot, Ti e di më së miri fundin tonë.

 

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme