RRAPI, KJO BUKURI E ZOTIT

Rrapi (lat. Platanus) është një dru i lartë me trung të trashë, me degë të gjera, me gjethe të mëdha në trajtë pëllëmbe, që bën lëndë të vogla me gjemba të imët përsipër. Rrapi paraqet një familje të pavarur të grupit Platanaceae. Atdheu i kësaj gjinie, sipas disave, është Amerika e Veriut: në jug dhe jugperëndim të Shteteve të Bashkuara, Meksika, Guatemala, dhe në Evropë, Gadishulli Ballkanik duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Greqinë, Bullgarinë dhe Kroacinë. Rrapi mund të rritet deri në 50 metra në lartësi. Këto pemë mund të jetojnë për një kohë të gjatë, janë rezistente ndaj ndotjes, kështu që shpesh mbjellën në qytete përgjatë rrugëve si dhe në parqe.

Është thuajse karakteristikë e përbashkët që rrapi është mbjellë pranë ndonjë xhamie, kurse nën degët e tij besimtarët, të moshuarit dhe udhëtarët, kanë pushuar por edhe kanë kryer detyrat e tyre fetare, abdest, namaz e iftar në disa raste.

 

Rrapi i Marashit, Prizren

Rrapi Marashit mban emrin sipas lagjes ku qëndron tashmë disa shekuj. Rrapi i Marashit (Platanus orientalis) është një monument i mbrojtur i natyrës me karakter botanik, i cili ndodhet në kuadër të Kompleksit të Mëhallës së Marashit, pranë xhamisë “Maksud Pasha” në qytetin historik të Prizrenit, në dalje të qytetit drejt Prevallës, Sharrit.

Rrapi i Marashit ndodhet në lagjen e Marashit në Prizren, në bregun e majtë të Lumëbardhit të Prizrenit. Si i tillë ai është pjesë përbërëse e Kompleksit të Mëhallës së Marashit. Në lagjen "Marash" jo larg vendit ku sot gjendet rrapi dikur ishte një teqe (e Axhize babës, e rrënuar nga komunistët). Tani aty vazhdon të jetojë trungu i rrapit që shfrytëzohet si një lloj vendpushimi dhe freskimi për njerëzit. Lidhur me këtë rrap ekzistojnë shumë gojëdhëna e të cilat flasin si për origjinën e tij ashtu edhe për ngjarjet historike që kanë ndodhur aty pranë. Gojëdhëna e cila vazhdon të qëndrojë edhe sot është se atë e mbolli i pari i teqesë së dikurshme. Kjo nuk qëndron meqë rrapi është më i lashtë se teqeja dhe xhamia në afërsi.

Rrapi është vënë nën mbrojtje ligjore në vitin 1959. Supozohet se trungu ka një vjetërsi mbi 400 vjeçare (sipas gojëdhënave mbi 500 vjeçare). Rrapi i Marashit ka lartësinë 20,90 m, me një diametër të kurorës që shkon në 12 m. Rrethi i trungut të tij në bazë është rreth 3 m. Fletët i ka të gjata 13 - 14 cm. Lartësia mbidetare e këtij vendi ku gjendet rrapi është 417 m.[5] Me këto dimensione që ka ai paraqet një raritet të rrallë natyror. Duke marrë parasysh ndjeshmërinë ndaj ndryshimeve të temperaturës, posaçërisht atyre të ulëta, ky lloj tek ne, gjendet vetëm si i kultivuar dhe është mjaftë i rrallë. Njihet po ashtu si njëri prej trungjeve më të vjetra, më dekorative dhe më karakteristike në Kosovë dhe ka rëndësi shkencore (botanike), kulturore, edukative e arsimore, historike, peizazhore, rekreative dhe ekonomike.

 

Rrapi i Mashkullores, Gjirokastër 

Rrapi i Mashkullores, monument natyre dhe monument historik. Rrapi, i njohur si Rrapi ku ka folur Çerçiz Topulli , është i vendosur në qendër të fshatit të Mashkullores të Gjirokastrës dhe është kthyer në një simbol që nga koha kur Çerçiz Topulli luftonte kundër turqve në vitin 1908, në luftën e njohur në histori si lufta e Mashullores. Madje në një vizitë që Enver Hoxha ka zhvilluar në fshatin Mashkullorë, i ulur nën hijen e rëndë të rrapit ka kënduar këngën që i kushtohet kësaj lufte dhe Çerçiz Topullit.

 

Rrapi i Kaçinarit, afër Shkodrës

Çinari, përndryshe Rrapi i Kaçinarit, është një dru natyror monumental, me një moshë të papërcaktuar, por natyrisht mjaft i hershëm, aq sa besohet se dhe emri i vendit rrjedh prej tij. Për të shkuar në Shkodër kanë qenë dy rrugë, dhe njëra rrugë i binte pikërisht nga çinari. Kur dikush nisej për ne Shkodër e pyesnin: "Nga do i biesh", ky përgjigjej: "Ka çinari (nga çinari)", prandaj i mbeti dhe emri fshatit Kaçinari. Kaçinari është i dëshmuar si emër që në shekullin XV.

Në afërsi të çinarit është kisha, dhe ajo e vjetër. Në hijen e rrapit janë zhvilluar kuvende historike të zonës, si ato të periudhës së pavarësisë, ku mes krerëve të Mirditës është fiksuar në fotografi dhe Bajram Curri.

Rrapi është një dru gjigand, i vetmi i atij lloji jo vetëm në Kaçinar. Si i tillë ai është një monument natyre i rrallë.

 

Rrapi i Tabakëve, Tiranë 

Rrapi i Tabakëve është një monument nayror i cili ndodhet pranë Urës së Tabakëve në Lulishten 1 Maji në Tiranë. Rrapi është një pemë e shenjtë për Tiranën. Rrapi i tabakeve ndodhej pranë Urës se Tabakeve. Nen hijen e tij mblidhej pleqësia e qytetit. Ky rrap madheshtor shenjetronte vendimet qe merreshin aty.

 

Rrapi i Marqethit, Mat 

Rrapi i Marqethit ështe një monument natyror në rrethin e Matit. Është një zonë që ndodhet në afërsi të fshatit Lis, komuna me të njëjtin emër e rrethit të Matit. Ai ndodhet në lartësinë 800 m mbi nivelin e detit. Kjo zonë përbën një dru rrapi të veçuar, me trung dhe kurorë të veçantë (ombrellë) me lartësi 20 m dhe diametër të trungut 120 – 130 cm dhe moshë mbi 180 vjeçare. Ka vlera shkencore (biologjike dhe ekologjike), kulturore, didaktike dhe turistike. Vizitohet sipas rrugës Burrel – Shoshaj – Lis. Rrapi i Marqethit vizitohet nga shumë turistë të vendit tonë dhe të shteteve të tjera.

 

Rrapi i Taslloit, Krujë 

Rrapi i Taslloit është një trung i drurit të rrapit i cili ndodhet fare pranë murit të pjesës veriore të Kalasë së Krujës. Afër tij ka shtëpi banimi dhe një burim, që nuk shterron as në verë. Disa shkallë të gurta nisin nga sheshi i vogël e ngjiten në brendësi të Kalasë. Në stinën e verës vizitorët pushojnë nën hijen e rrapit, freskohen në ujin e ftohtë e ngjiten në Kalanë e famshme të Krujës, tepër e njohur dhe me emer në historinë e Shqipërisë. Prej aty mund të soditet me kënaqësi pjesa më e madhe e qytetit të Krujës dhe shpati perendimor i Sarisalltikut. Rrapi i Taslloit ka vlera natyrore, estetike, biologjike e arsimore. Gjërësia e trungut është rreth 1,5 m, por i zgavëruar nga zjarri.

 

Rrapi i Bezistanit, Elbasan 

Rrapi i Bezistanit ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit. Emërtimi i tij lidhet me tregun e mbyllur, i quajtur bezistan, bërthamë e rëndësishme tregtare, ndërtuar në shekullin XVII, që përfshinte një numër të konsiderueshëm dyqanesh. Historikisht ka shërbyer si pikë referimi për ngjarjet historike, arsimore e kulturore të Elbasanit.

 

Rrapi i Leskovikut 

Rrapi i Leskovikut gjëndet pranë qëndrës së bashkisë së Leskovikut në rrethin e Kolonjës, 900 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson një dru të veçuar rrapi me kurorë në trajtën e një kupole, lartësi 18 m, diametër të trungut 140 cm, perimetër 440 cm, ndërsa mosha 300 vjeçare. Ka vlera shkencore, biologjike, arsimore, estetike e turistike. Vizitohet sipas intinerareve qyteti i Ersekës – Leskovik ose qyteti i Përmetit – Leskovik.

 

Rrapi i Libohovës 

Rrapi i Libohovës është një trung (dru) rrapi i cili gjendet në qendër të qytetit të Libohovës të rrethit të Gjirokastrës. Dru i veçuar i rrapit (Platanus orientalis), me lartësi 32 m, diametër trungu 220cm, perimetër trungu 692 cm, perimetri i kurorës është 80 m, moshë 220 vjeçare. Ky monument ka vlera shkencore, arsimore, estetike, historike dhe turistike. Ai ruhet ende në gjendje shumë të mirë. Vihen re bashkim natyror i disa degëve. Burimi i ujit nën kurorën e rrapit e bënë edhe më tërheqës dhe çlodhës mjedisin për çdo vizitor. Vizitohet sipas itinerarit të degëzimit të superstradës Gjirokastër – Kakavijë deri në qytetin e Libohovës. Aty mund të vizitohet edhe Kalaja e Libohovës.

 

Rrapi i Palasës, Himarë 

Rrapi i Palasës është një trung (dru) rrapi i cili ndodhet në fshatin e Palasës, komuna Himarë e rrethit të Vlorës. Përfaqëson një dru të veçuar rrapi me lartësi rreth 18 m, diametër të trungut rreth 3 m dhe perimetri i tij rreth 10 m dhe moshë mbi 300 vjeçare. Ruhet në gjëndje të mirë. Ka shërbyer si vend takimi për kuvendet e fshatit. Ka vlera shkencore biologjike, arsimore, estetike, kulturore dhe turistike. Vizitohet duke ndjekur intinerarin Vlorë – Palasë.

 

Rrapi i Xhamisë, Vlorë 

Rrapi pranë xhamisë Muradije në Vlorë. Gjendet brenda oborrit të Xhamisë së Muradijes të qytetit, e cila është shpallur herët monument kulture, pranë qendrës së qytetit të Vlorës, aty ku nis rruga drejt portit të Vlorës ose Skelës. Përfaqëson një dru rrapi të veçuar me kurorë rreth 15 m, diametër të trungut rreth 1 m e perimetri të tij rreth 2,5 m dhe moshë mbi 100 vjeçare. Me tri degë kryesore dhe ruhet në gjendje shumë të mirë. Ka vlera shkencore (biologjike), didaktike, estetike, kulturore, fetare e turistike. Vizitohet me lehtësi, mjafton të shkoni në “Sheshin e Flamurit” në qytetin e Vlorës.

 

Rrapi i Çerçizit, Gjirokastër 

 

Kemi disa vargje për këtë rrap:

Te rrapi more në Mashkullorë
e foli Çerçizi more me gojë
e foli Çerçizi more me gojë
o lëri djemtë e mi more të shkojnë

o lëri djemtë e mi more të shkojnë
o se ju skuq ju bej more me bojë
o se ju skuq ju bej more me bojë
o Çerçiz Topulli more më thonë

 

Rrapi i Shkupit 

Pranë xhamisë së Isa beut në Shkup gjendet rrapi i lashtë. Nuk dihet mosha e lisit por është e qartë se kalon disa shekuj.

 

Rrapi i Manastirit 

Rrapi i Manastirit (Bitolskiot ?inar) është një trung i drurit të rrapit i cili ndodhet në qytetin e Manastirit. Konsiderohet të jetë pema më e madhe dhe më e vjetër jo vetëm në qytetin e Manastirit por edhe në gjithë territorin e Maqedonisë. Më konkretisht rrapi ndodhet në Rrugën Dimitar Vlahov në Lagjen Bairi, jo shumë larg nga Hamami i Qerim Beut dhe Shkollës fillore "Gjorgji Sugarev". Besohet të jetë mbjellë rreth 560 vjet më parë nga ana e një gruaje të burgosur në Burgun e Grave në Manastir, Perandoria Osmane.

 

Rrapi i Ohrit 

Rrapi i Ohrit (maq. Ohridski ?inar) është një trung i drurit të rrapit, i cili ndodhet në qytetin e Ohrit, në Republikën e Maqedonisë. Rrapi i Ohrit ka një gjatësi prej rreth 18 metrash gjerësi të bazës 3 metra me një diametër të kurorës prej rreth 19 metrash. Konsiderohet se është i vjetër disa shekuj. Që nga viti 1967 është një monument i mbrojtur i natyrës.

 

Rrapi në Gjerman, Zgatar të Opojës

Rrapi në Gjerman, në periferi të fshatit Zgatar ishte gjigand, sa mund të pushonin në drekë tri kope dhen. Kujtesa popullore thotë se rrapet ishin qindra vjeçar. Rrapet në Zgatar shërbenin për pushimin e bagëtisë në vapën e Diellit, por shërbenin edhe për kalimtarët dhe vizitorët e Vorrit të Madh, varr sigurisht para kohës osmane, i emisarëve të Islamit. Kishte edhe 2-3 rrap më të vegjël pranë të madhit, por dëmtues të (pa)njohur i dëmtuan ata.

Lit.:

Pasho Baku, ed. "Rrapi". Enciklopedia universale e ilustruar, Tiranë, 2011, fq. 813. 

Helmut Naumann, "Die Platane von Gortyna", përmbledhur nga Thomas Richard Kämmerer, (ed.), Studien zu Ritual und Sozialgeschichte im Alten [Orient / Studies on Ritual and Society in the Ancient Near East. Tartuer Symposien 1998–2004], Berlin, de Gruyter, 2007, fq. 207–226.

Sunset Western Garden Book  1995, fq. 606–607

Catalogue of Life: 20th December 2017.

?. ????????: „?????? ????????? ? ?????? XXX“, ??????? ??????? ??????? ???????, ??. 7-8, ??. 3-4, ??????, 1930, fq. 167-168.

?. ???????????: ???????? ???? ?? ??? ? ?????????? ????????: ??????? ?? ???????? ????????????. ???????, 8.05.2011.

Rrapi i Palasës (AKZM-AL)". Arkivuar nga origjinali origjinali më 18 qershor 2018.

"Rrapi i Leskovikut (AKZM-AL)". Arkivuar nga origjinali më 3 janar 2019.  

"Rrapi i Taslloit në Krujë (AKZM=AL)". Arkivuar nga origjinali më 19 janar 2019.

 

 

 

 

 

 

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme