KARIKATURAT DANEZE, FJALA E LIRË DHE PËRGJEGJËSIA QYTETARE

TARIK RAMADAN[1]

 

KARIKATURAT DANEZE, FJALA E LIRË DHE PËRGJEGJËSIA QYTETARE

 

Gjenevë — Ka tre gjëra që duhet të kemi parasysh.

Së pari, është kundër parimeve islame të prezantosh në imazh jo vetëm Muhammedin, por të gjithë pejgamberët e Islamit. Ky është një ndalim i qartë.

Së dyti, në botën muslimane, ne nuk jemi mësuar ta përqeshim fenë, të zotin tonë apo dikë tjetër. Kjo është larg nga të kuptuarit tonë. Për këtë arsye, këto karikatura shihen, nga muslimanët e zakonshëm dhe jo vetëm nga radikalët, si një shkelje ndaj diçkaje të shenjtë, një provokim kundër Islamit.

Së treti, muslimanët duhet të kuptojnë se të qeshurit me fenë është një pjesë e kulturës më të gjerë në të cilën ata jetojnë në Evropë, duke u kthyer te Volteri. Cinizmi, ironia dhe në të vërtetë blasfemia janë pjesë e kulturës.

Kur jetoni në një mjedis të tillë si musliman, është me të vërtetë e rëndësishme të jeni në gjendje të merrni një distancë kritike dhe të mos reagoni kaq emocionalisht. Ju duhet t'u përmbaheni parimeve tuaja islame, por jini mjaft të mençur që të mos reagoni tepër ndaj provokimeve.

Për vendet me shumicë muslimane të reagojnë emocionalisht ndaj këtyre karikaturave (me bojkot) do të thotë të ushqehen ekstremistët në anën tjetër, duke e bërë atë një test vullneti. Nga njëra anë, ekstremistët argumentojnë se: "Shiko, ne ju thamë, Perëndimi është kundër Islamit", dhe nga ana tjetër ata thonë: "Shih, muslimanët nuk mund të integrohen në Evropë, dhe ata po shkatërrojnë vlerat tona duke mos pranuar atë që ne mbështesim.” Kjo mënyrë e hapjes së debatit mbi baza emocionale është, në fakt, një mënyrë për të mbyllur derën e diskursit racional.

Ajo që na duhet tani nga të dyja palët është të kuptojmë se kjo nuk është një çështje legale apo çështje e të drejtave. Fjala e lirë është një e drejtë në Evropë dhe e mbrojtur ligjërisht. Askush nuk duhet ta kundërshtojë këtë. Në të njëjtën kohë, duhet kuptuar se pasqyra e shoqërisë evropiane ka ndryshuar me emigrantët nga kultura të ndryshme. Për shkak të kësaj, duhet të ketë ndjeshmëri ndaj muslimanëve dhe të tjerëve që jetojnë në Evropë.

Nuk ka kufizime ligjore për lirinë e fjalës, por ka kufij qytetarë. Në çdo shoqëri, ekziston një perceptim qytetar se liria e fjalës duhet të përdoret me mençuri në mënyrë që të mos provokojë ndjeshmëri, veçanërisht në shoqëritë hibride, multikulturore që shohim sot në botë. Është çështje përgjegjësie dhe mençurie qytetare, jo çështje ligjshmërie apo të drejtash. Në këtë kontekst, mendoj se nuk ishte e mençur të publikoheshin këto karikatura. Është mënyra e gabuar për të nisur një debat për integrimin, sepse ai ndez emocione, jo arsye gjyqësore. Është një provokim i kotë.

Si mund të imagjinohet që një musliman i zakonshëm në Evropë, që kundërshton terrorizmin, do të reagojë duke parë Pejgamberin Muhammed të përshkruar me një bombë në çallmën e tij? Publikimi i këtyre karikaturave është një mënyrë shumë marrëzore për të trajtuar çështjen e lirisë së fjalës.

Tani është një luftë për pushtet. Kush do ta thotë fjalën e fundit? Kush ka të drejtë? Kush do të ketë dorën e sipërme? Nëse në fillim ishte marrëzi të publikosh këto karikatura në Danimarkë, është edhe më marrëzore emocionalisht ta bësh këtë tani. Çfarë duam ne, të polarizojmë botën tonë apo të ndërtojmë ura?

Shikoni, le të kemi një debat të vërtetë për të ardhmen e shoqërisë sonë. Muslimanët e kuptojnë se ekziston liria e fjalës në Evropë, dhe kjo është kaq. Nga ana tjetër, duhet kuptuar se çështjet e ndjeshme duhet të trajtohen me mençuri dhe maturi, jo me provokim. Vetëm për shkak se ju keni të drejtën ligjore për të bërë diçka nuk do të thotë që ju duhet ta bëni atë. Ju duhet të kuptoni njerëzit përreth jush. A të shkoj duke fyer njerëzit vetëm sepse jam i lirë ta bëj? Jo. Kjo quhet përgjegjësi qytetare.

Një editorial në të përditshmen gjermane Die Welt tha: "Protestat nga muslimanët do të merreshin më seriozisht nëse do të ishin më pak hipokrite. Kur televizioni sirian shfaqte dokumentarë dramatikë në kohën kryesore që përshkruanin rabinët si kanibalë, imamët ishin të qetë".

Die Welt nuk e ka gabim ta thotë këtë. Ne muslimanët duhet të jemi autokritikë. Në të njëjtën kohë, hipokrizia në botën arabe nuk e justifikon fyerjen e muslimanëve në këmbim. Mësuesi juaj nuk duhet të jetë të këqijat e të tjerëve, por parimet tuaja.[2]

 

Përktheu:

N. Ibrahimi

 

 

 



[1] Tarik Ramadan, nipi i Hasan Benës, themeluesit të Vëllazërisë Muslimane, është një filozof dhe zëdhënës kryesor i muslimanëve në Evropë, i famshëm, SHBA-të i kanë refuzuar vizën për të ardhur në Amerikë për të dhënë mësim në Universitetin e Notre Dame. Libri i tij më i fundit është Western Muslims and the Future of Islam (Muslimanët perëndimor dhe e ardhmja e Islamit) (Oxford University Press, 2003).

[2] Burimi: Tariq Ramadan, The Danish cartoons, free speech and civic responsibility, New Perspectives Quarterly, Wiley Online Library, 2006.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme