MUHAMMED KUTUBI - JETA DHE VEPRA ME DY FJALË

Megjithëse edhe Sejjid Kutub dhe Muhammed Kutub janë mendimtarë islamë me peshë shkencore, shoqërore e intelektuale, shumica e lexuesve por edhe e intelektualëve kanë njohje relative për rëndësinë e Muhammed Kutubit si veprimtar e intelektual musliman. Mbase arsyeja kryesore është sepse Sejjidi ishte aktivist politik e Muhammedi ishte pas perdes, sepse Sejjidi u bë viktimë e shtetit për fjalën e lirë të gojës, e Muhammedi mbeti gjallë vetëm me dënim burgu, sepse Sejjidi “u varë” publikisht nga shteti, dhe kjo i dha atij namin e një “ikone”, namin e shehidit bashkëkohor, e bëri simbol të rezistencës, jo vetëm brenda popullit egjiptian por edhe të mbarë popullit arabë e muslimanë.

Për sa i përket lidhjeve të Sejjidit dhe Muhammedit me ihvanët e vehabizmin, është e qartë që si vëlla më i vjetër Sejjidi kishte ndikuar te vëllai më i ri, Muhammedi. Fillimisht Muhammedi ndiente simpati për ta, por pastaj edhe do të bëhet pjesëtar e ideator i Ihvanëve. Është gjithashtu e qartë që pas ekzekutimit të Sejjidit më 1966, pak nga bindja e pak nga mllefi, edhe Muhammedi do të ndikojë në lëvizjet që do të pasojnë në të ardhmen e Egjiptit, Arabisë e vendet e rajonit.

Të dhënat historike në rrafshin politik e intelektual provojnë se Sejjidi dhe Muhammedi kishin ndikuar tërthorazi për daljen në skenë të disa lëvizjeve radikale në botën arabe-islame, si revoltë dhe përgjigje ndaj shtypjes nga evro-perëndimi, si ajo e Al-Kaidës, ISIS-it dhe rrymave të ngjashme në Arabi, Egjipt, Siri etj. Kjo para së gjithash ndodhi për arsye se rrethanat e rënduara Islam-Perëndim nga e kaluara nuk kishin avancuar për të mirë, madje në forma tjera po përkeqësoheshin. Nëse disa vende muslimane atëherë edhe nuk ishin të ndikuara dhe nënshtruara politikisht e ushtarakisht nga Perëndimi, ato ishin në shënjestër të vendeve perëndimore në të gjitha format, në diplomaci, ekonomi, tregti, turizëm etj. Kjo ngjalli shpirtin rezistues por çlirimtar të vendeve muslimane, e sidomos shpirtin për liri të mirëfilltë, të bazuar në traditën e tyre fetare, historike e qytetëruese.

Muhammed Kutubi është njëri prej dijetarëve më të njohur të shekullit XX në botën arabe-muslimane, edhe si aktivist shoqëroro-politik, por edhe si autor i dhjetëra veprave në fusha të ndryshme. Ai jetoi gjatë, por jetën e mbushi me përmbajtje të shumta: besimore, vepruese dhe intelektuale.

Muhammed Kutubi lindi më 26. Prill 1919 në fshatin Musha, afër Asjutit, në Egjiptin e Epërm. Muhammedi ishte fëmija i dytë nga pesë fëmijët e familjes Kutub. Sejjid Kutubi, më i njohur për ne, është fëmija i parë, disa vjet më i vjetër se Muhammedi. Bashkë me nënën, vëllezërit dhe motrat jetuan në lagjen Hilvan të Kajros, aty nga viti 1926. Babai i tij Ibrahimi, ishte bujk e i pashkollë, por e donte dijen dhe i përkiste rendit shazili, dhe nëna Fatimja, vinte nga një familje dijetarësh. Të dytë ishin dashamirë të arsimit dhe mësuesit e parë të fëmijëve të tyre dhe trasues të rrugës së dijes dhe përkushtimit në rrugën e Allahut. Muhammedi më vonë do të thotë se Sejjidi kishte ndikuar tek ai më shumë se çdo kush tjetër.[1] Në Kajro, bashkë me Sejjidin kryen shkollën fillore dhe të mesme. Në Universitetion e Kajros, Departamenti i Filologjisë Angleze, më 1940 mori diplomën e fakultetit. Në vitin 1941 ai mori edhe një diplomë në psikologji dhe arsim nga Shkolla e Lartë e Mësuesve.

Deri sa ishte student, nëpërmjet vëllait, Muhammedi ishte njoftuar me shumë shkrimtarë e mendimtarë, sikurse me Abbas M. Akkadin, kurse nga të huajt e lexoi më së shumti Freudin, Marksin, Durkheimin dhe Darvinin. Gjatë periudhës pas fakultetit, ai studioi në hollësi idetë materialiste dhe më vonë do të bëhet kritikues i rreptë. Teoritë e tilla ofrojnë një interpretim materialist të origjinës njerëzore, të substancës njerëzore dhe jetës njerëzore si individë ose si bashkësi dhe janë në kundërshtim rigoroz me fenë islame.[2] Pasi mbaroi arsimimin e nevojshëm, Muhammed Kutb mësoi anglisht për katër vjet. Pastaj punoi në Shtëpinë Botuese “Dâr’ul-kutub el-Misrijje” për një kohë, e më vonë do të punojë si përkthyes në Ministrinë e Arsimit.[3]

Në fund të viteve 1940, ai u takua me lëvizjen e Ihvân’ul-Muslimînëve, por nuk hyri si aktivist në organizatë, ndryshe nga Sejjid Kutubi, i cili u bë pjesë udhëheqëse e tyre. Pas kthimit të Sejjid Kutubit nga SHBA-të më 1950, ku Sejjidi ishte trasformuar nga një properëndimor në një fanatik të vetjakes dhe vendores, filloi periudha e vuajtjeve dhe persekutimeve nga regjimi, të cilin paraprakisht Ihvanët e ndihmuan ta rrëzojnë mbretërinë dhe ta marrë pushtetin. Vuajtja e familjes Kutub manifestohej në dy anë kryesore: 1) Problemet me regjimin prokomunist të Xhemal Abdunaserit, i cili mbylli rrugët për zhvillimin e fesë islame, duke imponuar mënyra socialiste të politikës, ekonomisë, kulturës etj. 2) Problemet sociale në familje, meqë Sejjidi si kryefamiljar ishte në thumb të shtetit.

Zhvillimet që ndodhën para dhe pas grusht shtetit ushtarak në Egjipt në vitin 1952 ishin një pikë kthese për vëllezërit Kutub, ashtu si edhe për shumicën egjiptiane. Muhammed Kutub është njëri nga dëshmitarët më të rëndësishëm të kësaj periudhe. Edhe pse kryetari egjiptian Xhemal Abdunaseri dhe Sejjid Kutubi fillimisht flisnin mes veti dhe ndonjëherë shkëmbenin ide në stilin e bisedave, shumë shpejt Xhemal Abdunaseri dhe lëvizja Oficerët e Lirë dhe Vëllezërit Muslimanë do ta ashpërsojnë retorikën, duke u ndarë nga njëri tjetri,[4] kurse Oficerët e Lirë duke e ditur forcën e Vëllezërve Muslimanë ndërmorën masa publike e jopublike për t’i demaskuar, madje edhe torturuar, burgosur e edhe vrarë.[5]

Në vitin 1954, pas një atentati (?) të dështuar ndaj kryetarit Xhemal Abdunaserit, Muhammed Kutubi u arrestua së bashku me vëllanë Sejjidin dhe shumë anëtarë të Ihvân’ul-muslimanëve. Pas disa muajve Muhammedi u la i lirë, sepse ai ishte arrestuar më shumë për t’i ngritur kurthë Sejjid Kutubit dhe për ta vënë në sprovë atë, sesa për ndonjë veprim konkret të Muhammedit. Vëllai Sejjidi mbeti në burg. Këto ngjarje çuan në ndryshime të rëndësishme në jetën e tij ideore. Sipas fjalëve të tij, derisa letërsia dhe poezia deri atëherë zinin një vend të rëndësishëm në jetën e tij, nga tash vendosi t’i bashkohet drejtpërdrejt Lëvizjes së Ihvanëve në luftimin e veprimtarive antislame të reggjimit në shoqërinë egjiptiane.

 

M. Kutubi rrëfen se torturimi i tij dhe vëllait në burgjet ushtarake egjiptiane ishte i paparë. Ai pohon se torturat fizike dhe psikike kishin lënë pasoja të dukshme në shëndetin e tij. Por, nga ana tjetër, ditët e burgut e kishin mësuar Muhammedin se ecja rrugës së Allahut kërkon sakrifica të plota, pa llogari matematikore.

Gjatë dekadës vijuese Muhammedi shkroi dhjetëra libra, shumica e të cilave u bënë manual për anëtarët e Ihvanëve. Sejjid Kutubi, i cili ishte në burg i dënuar me 15 vjet, filloi rishikimin dhe rishkruajen e dorëshkrimit të Tefsirit të Kur’anit, me titull Fî dhilâl’il-?ur?ân. Vetëm në vitin 1964 Sejjid Kutubi u lirua nga vuajtja e dënimit, dhe atë me iniciativën e Presidentit irakian Abdusselam Ârif.

Por, një vit më pas, më 1965, Muhammed Kutubi u arrestua me akuzën e krijimit të një organizate të fshehtë të quajtur “Tendhim”. Bashkë me të u arrestuan edhe Sejjid Kutubi, motrat dhe nipërit e tij. Si rezultat i gjykimit të gjatë, Sejjid Kutb u dënua me vdekje me tre miq të tij dhe ai u ekzekutua më 29 gusht 1966.[6] Muhammed Kutubi më vonë deklaroi se arsyeja kryesore për arrestimin e tij dhe të vëllait ishte kritika radikale në veprën e tij Xhahilijjet’ul-?arn’il-?ishrîn dhe veprës së vëllait Sejjidit Me?âlimu fi'?-?arik.[7]

Muhammed Kutubi mbeti në burg deri në vitin 1971, kur kryetari vijues i Egjiptit, Enver Sadat i liroi. Muhammedi pas vrasjes së vëllait u josh nga qeveria me post në ministri e tjera, por ai refuzoi të gjitha dhe tregoi se beteja vazhdon.[8] Menjëherë Muhammedi dhe familja ikën për Arabi, ku ai gjeti strehim dhe filloi mësimdhënien si profesor në Fakultetin e Universitetit “Mbreti Abdulaziz” në Mekë. Vetëm në vitin 1973 Muhammedi u martua.[9]

Gjatë qëndrimit në Arabi dhe punës në Universitetet “Mbreti Abdulaziz” dhe “Umm’ul-Kurra”, ai i redaktoi veprat e Sejjid Kutubit dhe i dha për botim. Është mendim i shumicës, por edhe i orientalistëve, si John Calvert, që Muhammed Kutubi pas transferimit në Arabinë Saudite, konceptin “Sejjid Kutub” e bëri më të moderuar dhe më apolitik.[10]

Gjithashtu, gjatë qëndrimit atje, Muhammedi i dha mësim Osama ibn Ladenit dhe Ejmen Zavahirit, të cilët do të bëhen të njohur më vonë. Thuhet se Osama e pëlqente Muhammedin. Lawreence Wright pohon se Bin Ladeni zakonisht kishte ndjek ligjëratat javore publike të Muhammed Kutubit në Universitetin Mbreti Abdulaziz.[11]

Por, fakti që Muhammed Kutubi kishte qenë profesor i Bin Ladenit dhe Sefer Havalit në Universitet nuk do të thotë vetvetiu etiketim dhe fajësim për Muhammed Kutubin dhe për zhvillimet në fund të shekullit XX dhe fillim të shekullit XXI, por kjo tregon në frymëzimin që ky pati mbi ata dhe të tjerë.[12] Për më tepër që evro-amerikanizmi, pas rënies së komunizmit si sistem rival, u tregua tejet i rreptë ndaj botës muslimane, kurse muslimanët kërkonin frymëzim dhe platformë për mbrojtje të suksesshme kundër këtij invazioni laiko-cionisto-kristian. Çdo ndërlidhje e drejtpërdrejtë e vëllezërve Kutub me Al-Kaidën është absurd logjik e politik, sepse Sejjidi kishte vdekur shumë herët, kurse Muhammedi ishte në moshë të shtyrë, rreth 90 vjeçar. Po ashtu, Sejjidi dhe Muhammedi në kulmin e fuqisë së tyre ishin kundërshtarë para së gjithash të socializmit egjiptian dhe të botës muslimane dhe ishin aleat në distancë me Perëndimin. Kjo nuk lejon që çdo mospajtim aktual të muslimanëve ndaj Perëndimit t’i atribuohet “kutubëve”, por mbi të gjitha politikës së njëanshme evro-perëndimore. Ndryshe do të thoshim, mësimet “kutbiane” vazhduan të jetojnë dhe morën forma rebeluese falë politikës agresive, nënshtruese dhe diskriminuese evro-perëndimore. Ajo i dha ringjallje, ajo i dha motiv, ajo i dha forcë e mobilizim, përndryshe, qysh moti “kutbizmi” do të kishte qenë vetëm një histori.[13]

Kritikët thonë se Muhammed Kutubi konsiderohet njëri prej themeluesve kryesorë të mendësisë që do të dominojë në Arabi, një prej ideatorëve të shkollës së re ideologjike brenda universiteteve të Arabisë Saudite, gjë të cilën e ka arritur përmes shumë tezave të mbikëqyrura nga vetë ai. Kjo shkollë më vonë do t’i radikalizojë qëndrimet ndaj shkollave/medhhebeve tjera dhe do të vijë deri te një ekstremizëm, e që po zgjat deri në ditët tona nëpërmjet rrymave të ndryshme.[14]

Periudhën tjetër të jetës së tij Muhammedi e kaloi duke mësuar e studiuar. Ai mori çmimin “Ndërkombëtar i Studimeve Islame të Mbretit Fejsal” në vitin 1988 për veprën e tij të Menhexh’ut-terbijjet’il-islamijjeh, në dy pjesë, të cilën e shkroi në fillim të viteve 1960.[15]

Ai mori pjesë në shumë takime shkencore në Lindje dhe Perëndim, veçanërisht në vendet arabe, dhe ligjëroi si pedagog vizitues në universitete të ndryshme. Pavarësisht se ishte larg politikës aktuale në Arabinë Saudite, ajo u citua nga disa shkrimtarë perëndimorë si arkitekt ideologjik i lëvizjes Sahwî që u shfaq si rezultat i shkrirjes së ideologjisë së vehâbîzmit dhe ihvânizmit në vitet 1970 dhe u quajt "Sahve Shejh“.[16] Pas pensionimit dhe largimit nga universiteti më 1996, ai e kaloi pjesën tjetër të jetës së tij duke shkruar artikuj e libra.

Muhammed Kutubi ndërroi jetë më 2014, në Xhide, në spitalin ku mjekohej. U varros në prani të një numri të madh besimtarësh.

Muhammed Kutub ishte një autor, studiues dhe mësues islamist, i njohur si vëllai më i ri i mendimtarit islam Sejjid Kutub.

Muhammed Kutub shquhet po ashtu edhe për aftësitë e tij letrare dhe njohuritë e tij të gjëra në fushën e edukimit dhe të psikologjisë. Po ashtu, ai një përkushtim të veçantë ia ka dhënë edhe ballafaqimit me ideologjitë perëndimore duke u munduar që t’ua bëjë njerëzve sa më të qartë se Islami është alternativa e vetme për mbarë njerëzimin.

Për ta sendërtuar këtë botëkuptim, ai pa pushim shkroi dhe ligjëroi. Ai është autor i 36 veprave, ndërsa vepra që e kemi në duar, “Dirasat kur’anijjeh - Studime kur’anore”[17] është ndër veprat studioze, themeltare të tij, bazë për studimet tjera. Lexuesin do ta kursejmë nga interpretimet e veçanta, me qëllim që vetë ai të gjejë atë që i nevojitet karshi nevojave intelektuale dhe besimore.[18] Ky shkrim njoftues mbase dhe kjo vepër e përkthyer mbase do t’i jap vlerën këtij autori musliman dhe do t’i udhëzojë të interesuarit për veprat tjera të tij.[19]

Muhammed Kutubi vazhdoi ideologjinë e Ebu’l-Ala Mewdudit, Abu’l-Hasan Nedewiut dhe Sejjid Kutubit. Muhammedi ndërtoi idetë e tij kryesisht si përgjigje karshi kolonializmit perëndimor dhe ndikimit të këtij sistemi kolonial në gjeografinë islame në mënyrat moderne. Pothuajse në të gjitha veprat e tij, është e pranishme edhe një kritikë karshi muslimanëve, për të cilët ai mendon se kanë një simpati të verbër ndaj ideve perëndimore dhe strukturat e tyre politike i ndërtojnë sipas sistemeve të jashtme. Përveç kësaj, ai ka shkruar vepra në shumë fusha të tilla si Interpretimi i parimeve të besimit islam, Kuptimi i Kur’anit, Metodologjia e historisë, artit, psikologjisë dhe edukimit.[20]

Muhammed Kutub e trajton Islamin si një "rend dhe program hyjnor të jetës”. Sipas tij, injoranca nuk ka të bëjë vetëm me njerëzit e Arabisë para Islamit, sepse shoqëritë injorante shfaqen në çdo kohë dhe në çdo hapësirë. Tipari i përbashkët i këtij xhahilijeti është largimi nga Allahu, ku  ndryshojnë vetëm imazhet dhe koloriti i jashtëm.

Muhammed Kutubi punoi edhe në relaksimin e ideve të tij të shkruara në kohë tendosjeje, në relaksimin e ideve të Sejjidit dhe Ihvanëve në përgjithësi dhe u mor për pajtimin e vehabizmit saudit dhe Ihvanëve. Ka edhe lëvizje në këtë plan. Në vitin 1986, Sefer Havali mbrojti doktoraturën nën mbikëqyrjen e Muhammed Kutubit (i cili bëri një miks të ideve vehabiste dhe të S. Kutubit).

M. Kutub pohoi se historia nuk është vetëm përcjellje e formale e ngjarjeve, por edhe interpretimi dhe vlerësimi i tyre. Historia duhet të jetë dinamike dhe këshilluese për muslimanët dhe të tjerët. Më këtë rrugë ai qorton sufizmin se në vend të përballjes dhe luftimit të të keqes, ai largohet nga problemet e botës, për të ngadhënjyer e keqja.

Angazhimi kritik i M. Kutubit në prezantimin e Islamit para intelektualëve të arsimuar si karshi prezantimit konservativ të mësimeve islame ashtu edhe karshi ideologjive moderne, si kapitalizmi e socializmi, duke ofruar Islamin, ndikoi te një pjesë e arabëve jashtë truallit vendorë, në Perëndim. Përse? Sepse “globalizmi që muslimanët ankohen, i ka vënë në shënjestër të parët muslimanët, të cilët ndryshe quhen ‘bota e tretë’, ‘shtetet e pazhvilluara’, ‘shtetet e varfra’ etj”.[21]

Muhamed Kutubi vdiq në një spital në Mekë më 2014, në moshën 95 vjeç, por vepra e tij vazhdon të jetojë.

 

 

 Prizren,

20.11.2019

Nexhat Ibrahimi

 



[1] Shiko: Hilal Görgün,  Muhammed Kutub, Islam Ansiklopedisi, EK-2. fq. 307-310, 2016, Stamboll.

[2] Muhamed Kutub, Bota në fokusin Islam, Tiranë, 2006 etj.

[3] https://ar.wikipedia.org/wiki/%D8%B3%D9%8A%D8%AF_%D9%82%D8%B7%D8%A8.

[5] Sipas: Hilal Görgün,  po aty.

[6] Shiko: Xhabir Rizk, fq. 140 etj.

[7]  Sipas: Hilal Görgün,  po aty.

[8] Sipas: Hilal Görgün,  po aty.

[10] Masami Nishino, Muhammad Qutb’s Islamist Thought: A Missing Link between Sayyid Qutb and al-Qaeda?, në: http://www.nids.mod.go.jp/english/publication/kiyo/pdf/2015/bulletin_e2015_6.pdf.

[11] Elmer Swenson, Muhammad Qutb's Islam: the Misunderstood Religion, në: http://gemsofislamism.tripod.com/muhammad_qutb_islam.html#dic.

[12] Masami Nishino, Muhammad Qutb’s Islamist Thought: A Missing Link between Sayyid Qutb and al-Qaeda?, në: http://www.nids.mod.go.jp/english/publication/kiyo/pdf/2015/bulletin_e2015_6.pdf.

[13] Elmer Swenson, po aty.

[14] Mansoor Jassem Alshamsi, Islam and Political Reform in Saudi Arabia: The Quest for Political Change and reform, Nju Jork – Londër, 2007, fq. 59 e tutje.

[15] Sipas: Hilal Görgün,  po aty.

[16] Lacroix, Awakening Islam, fq. 52, 53.

[17] Muhammed Kutub, Dirasat Kur’anijjeh, Dar’ush-Shuruk, Bejrut, (-).

[19] Muhammed Kutub, A jemi muslimanë, Shkup,1420/ 1999; Muhamed Kutub, Bota në fokusin Islam, Tiranë, 2006 etj.

[20] Elmer Swenson, po aty.

[21] Muhamed Kutub, Muslimanët dhe globalizmi, (-), 2019.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme