Roli i sekteve islame në trojet shqiptare

Prania e muslimanëve në Ballkan dhe në tokat iliro-shqiptare daton që nga koha e mbretit bizantin, Teofilit (sundoi më 829-842), kur të ashtuquajturit, turqit vardarianë, të fesë islame, i vendosi në luginën e lumit Vardar , për qëllime politike, strategjike. Turqit vardarianë i kemi të pranishëm deri në kohën e mbretërisë hungareze në shekujt XI e XII dhe në ushtrinë e Car Dushanit në shekullin XIII. (Gjerësisht për turqit vardarianë: Nexhat Ibrahimi, Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar /shekujt IX-XIV/, Shkup, 2003, fq. 79-85.)

Në shekullin IX mbretëria bullgare sundonte nga Selaniku, Ohri e deri në Durrës dhe Tivar, që mbulonte pjesën më të madhe të tokave atëherë iliro-shqiptare. Disa dekada para kristianizimit (ortodoksizimit) të mbretit bullgar Borisit më 864 dhe më pastaj edhe të popullit të tij, kjo mbretëri kishte muslimanë dhe objekte e libra muslimane të cilat, për shkak të vëllimit dhe numrit të tyre, për mbretërinë bullgare paraqisnin problem. (Për muslimanët në këtë perandori: N. Ibrahimi, Islami dhe muslimanët ..., op. cit., fq. 15-38.)

Prania e muslimanëve në mbretërinë hungareze në shekullin X e mbrapa dhe faktin të cilin e shkruan Jakut El-Hameviu se gjatë vizitës së tij në fund të shekullit X në Halep të Sirisë pati takuar një “grup të madh të cilët i quajnë Bashgirdë ... Mësojnë fikhun sipas shkollës së Ebu Hanifes ...”. Mirëpo, emërtimi i muslimanëve hungarezë me emrat si ismailitë, kalisë e tj., imponojnë të mendojmë se aty kishte edhe muslimanë të sekteve shi’ite. (Për muslimanët në perandorinë hungareze: N. Ibrahimi, Islami dhe muslimanët ..., fq. 87-125 dhe sidomos fq. 114.).

Prania shumëshekullore e popullit musliman peçeneg (N. Ibrahimi, Islami dhe muslimanët ..., fq. 57-78.) në Ballkan dhe të lëvizjeve misionariste si ajo e Sari Salltëkut (N. Ibrahimi, Islami dhe muslimanët ..., fq. 39-56.), pastaj migrimi i muslimanëve nga Spanja në Ballkan nga dhunën kristiane e kryqëzatave dhe inkuizicionit në shekujt XIII-XVI, lëvizjet e tregtarëve dhe formimi i kolonive muslimane nëpër vendet iliro-shqiptare, prania e muslimanëve në të dy anët e detit, Jonë dhe Adriatik, gjatë shekullit IX-XI, (N. Ibrahimi, Islami në Ballkan para shekullit XV, b. II, Prizren, 2000, fq. 43-77.) kanë bërë që në tokat shqiptare të depërtojnë ide, vlera dhe kahe të ndryshme, pozitive, por edhe negative.

Pas kësaj pasqyre të shkurtër të muslimanëve në tokat iliro-shqiptare në periudhën paraosmane, osmane, pasosmane dhe aktuale, dhe në mungesë të studimeve shumëdimensionale, si në kohë ashtu edhe në përmbajtje, nuk mund të thuhet shumë, por mund të konstatohet se jeta fetare është organizuar varësisht nga rrethanat fetare, politike, ushtarake dhe ekonomike të kohës. Jeta fetare më e organizuar ka qenë në kohën osmane dhe pasosmane dhe kryesisht është zhvilluar brenda mësimeve të sunizmit, me paraqitje të tarikateve të proveniencës sunite (me elemente sektare), por pa ndikim të caktuar në rrjedhat fetare, politike dhe kulturore.

Depërtimi më i theksuar i lëvizjeve, rrymave, shkollave dhe sekteve të ndryshme islame dhe me kolorit islam në tokat shqiptare vërehet pas rënies së komunizmit, në kohën e tranzicionit, në vitet e 90-ta të shekullit XX në rajon, sidomos pas Luftës në Kosovë më 1999 dhe në fillim të shekullit XXI, me ardhjen e shoqatave e organizatave të ndryshme nga vendet arabo-islame. Me ardhjen e tyre, shumë vlera islame dhe tradicionale islame u asfiksuan, shumë të tjera u nëpërkëmbën dhe shumë të tjera u luftuan tejet rreptë nga protagonistët e këtyre sekteve dhe nga bashkëpunëtorët e tyre vendorë. Ekzistojnë shumë faktorë për këtë gjendje, por disa janë më të spikatur:

- Margjinalizimi i fesë islame për një periudhë të gjatë nga jeta dhe luftimi i saj në forma të ndryshme (politike, ekonomike, kulturore, arsimore, respresive etj.) në Kosovë, Maqedoni e sidomos në Shqipëri;

- Mospërgatitja (e mjaftuar), mosgatishmëria, diletantizmi dhe mosguximi i institucioneve islame në tokat shqiptare (Bashkësia Islame si vertikalisht ashtu edhe horizontalisht) karshi organizatave të shumta me pretendime fetare (humanitare, bamirëse, kulturore, arsimore etj.) dhe organeve shtetërore (ligjdhënëse, protokolare dhe ekzekutive).

Qëndrimi i Bashkësisë Islame dhe i punëtorëve të saj gjatë kësaj kohe karakterizohet me indiferencë, shterpësi, jointelektualizëm dhe me interes material. Problemet, dilemat, paqartësitë që dalin para masës së gjerë muslimane dhe para opinionit përgjithësisht shqyrtohen dhe trajtohen para masës nga njerëzit me qëndrime kontraverze, me synime të dyshimta, apo me qëndrime sektare, varësisht se cili shtet apo cila shoqatë qëndron pas këtij punëtori të Bashkësisë Islame. (F. Mehdiu, Qëndrimi i Bashkësisë Islame të Kosovës ndaj sekteve fetare në Kosovë, në: www.horizonti.com/artikujt/artikulli_2003_11_28_44051.hphp.)

Edhe qëndrimi i organeve shtetërore, arsimore të Kosovës është servil, injorant, i mjerë dhe shpesh antiislam. Të tillët, të edukuar si antimuslimanë (janë kundër mësimit fetar në shkolla shoqërore) dhe pa njohje as elementare të traditës vetjake, servilohen para perëndimorëve, se kinse ata nuk janë muslimanë (i sheh në kishë, por jo edhe në xhami), sepse, atë që perëndimorët tek ata e njohin si islame, ajo është rezultat i asaj se në një të kaluar, të huajtë (osmanët) ua kanë imponuar islamin me dhunë.

Këto dy segmente (pa e lënë anash edhe Bashkësinë Katolike, ndonëse minoritet) kanë përgjegjësi që të ofrojnë shërbimet e veta te masa e gjerë, Bashkësia Islame për të ofruar shpjegime legjitime dhe për t’i mbrojtur besimtarët e vet nga tendencat e ndryshme, kurse organet shtetërore për ta mbrojtur me masa ligjore, jo në emër të pengimit të lirisë së lëvizjes, mendimit dhe të shprehjes së lirë, por për ta bërë dallimin ndërmjet mësimeve islame dhe atyre sektare (të kamufluara me petkë fetarë).

Mendojmë se është koha e fundit që Bashkësia Islame në Kosovë, Komuniteti Musliman në Shqipëri e Rijaseti Maqedoni, intelektualisht dhe shkencërisht, guximshëm dhe bindshëm të mbrojë vlerat e veta mbi njëmijëvjeçare në këto toka. Roli i sekteve destruktive në këto toka do të jetë fatal si për bashkësinë islame të vendit ashtu edhe për perspektivën politike të vendit.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme