Çelësi i krizës së identitetit

Mësimi dhe arsimi është baza dhe jeta e Islamit. Në historinë islame zënë vend qendror, sepse janë shtyllat themelore të kulturës e të qytetërimt islam. Mësimi dhe arsimimi në Islam janë të përcaktuar me fjalën e Zotit në Kur’an dhe me thëniet e Pejgamberit (a.s). Mendja, si baza e themelit të mësimit dhe arsimimit, sipas Islamit, është instrumenti më i fuqishëm për realizimin e aspiratave e idealeve njerëzore. Ajo është dhurata më madhështore e Zotit që e lartësoi njeriun nga të gjitha krijesat e gjalla në tokë. Ajo është drita dhe syri i shpirtit njerëzor.
Që në shpalljen e parë kuranore apelohet në mendjen e njeriut me thënien: “Lexo!”. Thirrja i drejtohet fillimisht Muhamedit (a.s) e pastaj përmes tij tërë gjinisë njerëzore, të gjithë ne njerëzve; besimtarë dhe jobesimtarë; të gjitha moshave e profesioneve. Kërkimi i diturisë këtu i paraprin edhe kultivimit të besimit. Ne e dimë se besimi është shpirt i fesë dhe faktori kryesor i saj, megjithatë, shpallja fillon me “Lexo, mëso!” e jo “Beso!”.
Çfarë do të thotë thirrja për besim drejtuar atyre që tashmë janë nisur drejt rrugës së Zotit, atyre që tashmë kanë besuar? Kjo mbase dikujt do t’i dukej e tepërt, mirëpo nuk është ashtu. Ky apel, gjithsesi, ka arsyet dhe kuptimin e vet më të thellë. Urtësia e Zotit e di më së miri përmes cilës rrugë arrihet në mënyrë më të sigurt te qëllimi kryesor. Fëmijët tanë, nëse janë nxënës dhe mësojnë, vazhdimisht i këshillojmë që të mësojnë gjithnjë e më mirë. I ftojmë të mësohen të mësojnë. Po ashtu, edhe Zoti i fton të gjithë ata që besojnë që të mësohen të besojnë drejt, që të mësojnë një besim të shëndoshë, të pastër dhe të dobishëm. Njeriu është udhëtar në jetë. Rrugën e tij e përcaktojnë faktorët e fatit të tij, siç janë: vullneti i Zotit dhe i vetë njeriut, dituria e tij, mendja dhe aftësi të tjera. Nga kjo kuptohet që feja islame i jep rëndësi të madhe faktorit dije. Cilësdo rrugë të nisemi, më parë duhet të mësojmë, të njohim atë rrugë apo atë udhërrëfyes, përndryshe humbja do të jetë e sigurt. Një nga karakteristikat më të rëndësishme të thirrjes kuranore për besim është pikërisht faktori i theksuar i diturisë, i cili në librin e Zotit krahasohet me dritën dhe shikimin, ndërsa padituria me errësirën dhe verbërinë. Këto krahasime kuranore e magjepsin mendjen njerëzore:
“Nuk është i njëjtë i verbëri me atë që sheh. Dhe as errësira me dritën. E as hija me vapën. Dhe nuk janë të njëjtë të gjallët me të vdekurit. Allahu bën të dëgjojë atë që do, mirëpo ti nuk mund t’i bësh të dëgjojnë ata që janë në varre.” (El-Fatir: l9)
Është detyrë e secilit prej nesh të mësojë besimin e drejtë dhe përmes njohjes së mësimit dhe normave islame vazhdimisht ta verifikojmë besimin tonë. Islami e udhëzon besimtarin në dritën e diturisë, sepse vetë Islami është dritë. Shfaqja e tij në botë shndriti zemrat njerëzore. Në Kuran thuhet: “... që ta njxerrë botën nga errësira në dritë...” (Ibrahim, 10).
Në një ajet tjetër thuhet:
“Prandaj, besoni Allahun dhe të dërguarin e Tij dhe dritës që e kemi zbritur. Allahu është i informuar mirë për veprat tuaja.” (Et-Tegabun: 8)
Vullneti për dije është dhurata më madhështore e Zotit. Dashuria për dije buron nga dëshira për të ditur. Dituria dhe dashuria për diturinë rriten së bashku. Sa më tepër di, aq më tepër e do dijen tënde. Ndërsa urrejtja ndaj diturisë lind nga padituria.
Kurani hapi periudhën e re, ku fjalën kryesore e ka arsyeja, shkenca. Në mënyrë kategorike ndaloi paditurinë dhe prapambetjen. Prandaj, ne vetë ta zhdukim këtë të keqe në mjedisin tonë e në shoqëri, të fillojmë me kërkimin e diturisë, sepse, siç thotë Muhamedi (a.s.) “Kërkimi i diturisë është detyrë për çdo musliman e muslimane.”
Të gjithë ne, besimtarë e besimtare, muslimanë e muslimane, duhet të kërkojmë dituri, të mësojmë, të arsimohemi, madje të aftësohemi edhe profesionalisht, në mënyrë që të jemi në gjendje ta mbrojmë dhe ta argumentojmë mendimin dhe besimin tonë. Besimi ynë duhet të jetë i shoqëruar me dituri e bindje, i dëshmuar me fakte e sinqeritet, e jo me fanatizëm dogmatik e hipokrizi. Besimi i muslimanit duhet të jetë i gjallë e produktiv e jo i ngurtësuar në vete e steril.
Përpjekjet dhe mundi për të fituar dituri është sakrificë që shpërblehet pa masë nga ana e Zotit (xh.sh). Vetëm dijetarët e thelluar mirë në dije e njohin urtësinë e krijimit dhe dëshmojnë për ekzistencën e të Gjithëdishmit. Në Kuran thuhet: “Allahu e dëshmon se nuk ka zot tjetër përveç Atij. Edhe melekët e të diturit e dëshmojnë me veprim të drejtë. Nuk ka zot tjetër përveç Atij, të Fortit dhe të Urtit.” (Ali Imran: l8)
Le të kapemi fort pas diturisë e të luftojmë injorancën dhe të jemi të kujdeshëm, që kjo dituri të jetë e dobishme dhe të ndikojë edhe në përsosmërinë tonë morale, pasi jetojmë në një kohë kur shkenca dhe dituria zhvillohet, por vlerat dhe morali janë në krizë identiteti. Le të jemi prej atyre që mësojmë për të qenë të dobishëm për veten, familjen, shoqërinë e të ardhmen tonë...

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme