HISTORIA E MUSAIT A.S. NË KUR’AN

Në mesin e pejgamberëve të nderuar reciprokisht nga Islami dhe Judaizmi është figura e shquar e Moisiut ose Musait a.s. Një pasardhës i Jozefit, i njohur gjithashtu si Jusufi a.s., Musai luajti një rol përfundimtar në rivendosjen e lirisë së izraelitëve. Përderisa ka ndeshur shumë fitore, ka përjetuar edhe vështirësi në jetë.

 

MUSLIMANËT E KONSIDEROJNË TEVRATIN SI NJË LIBËR HYJNOR

 

Së bashku me respektimin e lartë të Pejgamberit Musa, muslimanët gjithashtu e konsiderojnë Tevratin si një libër hyjnor:

Ne e kemi shpallur Tevratin në të cilin ka udhëzime dhe dritë. Me këtë kanë marrë vendime profetët, që ishin të përulurit e All-llahut, ndaj atyre, që ishin ebrej. Po edhe njerëz të urtë e të dijshëm, prej të cilëve është kërkuar të ruajnë librin e All-llahut, dhe ata e patën dëshmuar këtë. Prandaj (kur të gjykoni) mos u frikësoni prej njerëzve, por të më frikësoheni mua dhe mos bleni me argumentet e mia diçka që vlen fare pak!” (Kur’ani, El-Maide,  5:44)

Sipas traditës hebraike, Tevrati iu shpall Musait nga Zoti. Ndërsa Tevrati origjinal nuk ekziston më, është treguar shumë kujdes në ruajtjen e dorëshkrimeve të mbetura të Tevratit nga populli hebre. Këto datojnë me shekuj në një kohë mjaft të afërt me kohën e Musait. Edhe pse studiuesit hebrenj i konsiderojnë këto dorëshkrime si në thelb teksti që iu shpall Musait, muslimanët nuk besojnë se ky Tevrat është ai që i është dhënë fillimisht Musait. Për më tepër, muslimanët besojnë se Kur’ani i shkruar gjithashtu "Kur’an" e zëvendëson Tevratin, pasi Kur’ani është shpallja përfundimtare e Zotit; si i tillë, ai është Udhëzuesi dhe Ligji përfundimtar.[1]

Kur’ani, i shpallur nga Zoti më shumë se 1400 vjet më parë Pejgamberit Muhamed a.s. dhe i ruajtur i paprekur që atëherë, i kthehet historisë së Musait vazhdimisht, duke shtuar detajet e përvojave dhe takimeve të tij çdo herë. Në këtë proces, Kur’ani konfirmon shumë nga aspektet e pranishme në Tevrat, por gjithashtu korrigjon të tjera, si shfajësimi i Harunit dhe Musait, ndër pika të tjera të vogla.

 

 

FËMIJËRIA

 

Në përputhje me pikëpamjen judaike, ne zbulojmë nga Kur’ani se kur Pejgamberi Musai a.s lindi në Egjipt, jeta e tij ishte në rrezik të madh pasi faraoni po persekutonte izraelitët.

Faraoni ishte ngritur shumë lart në tokë dhe banorët e saj i përçau në grupe, njëri nga ata e shtypte, ua therte fëmijët (meshkuj), kurse femrat i linte të jetojnë. Ai njëmend ishte shkatërrues.” (El-Kasas, 28:4)

Prandaj, nëna e Musait ishte shumë e shqetësuar për fatin e djalit të saj; më pas, Kur’ani specifikon se Zoti e frymëzoi atë për të ndërmarrë një veprim të pamundur:

Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji, por kur të frikësohesh për të, hedhe në lum dhe mos ki frikë as mos u pikëllo! Ne, me siguri, do ta kthejmë dhe atë do ta bëjmë të dërguar”. (El-Kasas, 28:7)

Motra e Musait u fsheh dhe vëzhgoi përparimin e vëllait të saj përtej lumit. Ndërsa Tevrati pohon se vajza e Faraonit adoptoi Musain, Kur’ani ndryshon. Në fakt, gruaja e Faraonit këmbënguli që ta birësonin.

Gruaja e Faraonit tha: “Ai do të jetë gëzim edhe për ty edhe për mua! Mos e mbytni, ndoshta na bëhet i dobishëm, e madje mund ta bëjmë edhe si djalë”, sepse ata nuk kuptuan asgjë.” (El-Kasas, 28:9)

Kur Musai a.s ishte i uritur, ai refuzoi të ushqehej me gji nga ndonjë nga nënat kujdestare që i kishin dhënë. Në këtë pikë, motra e Musait, duke u paraqitur si kalimtare, sugjeroi se mund të sillte dikë që mund të ketë sukses në ushqimin e tij; pa e ditur nga shpëtuesit e tij, ajo solli nënën e tij, një pikë e përmendur edhe në Eksodin e Tevratit. Natyrisht, Musai e ushqeu me gatishmëri dhe kështu të dy u bashkuan.

Dhe ia kthyem nënës së vet që ta bëjmë të lumtur dhe të mos vuajë, si edhe të bindet se premtimi i Allahut është i vërtetë. Mirëpo shumica sish nuk e dinë.” (El-Kasas, 28:13)[2]

 

 

MOSHA MADHORE

 

Musai u rrit në shtëpinë e Faraonit dhe i njihte mirë punët e shtetit. Kur arriti moshën madhore, një herë ndërhyri në një përleshje mes një izraeliti dhe një egjiptiani, duke e vrarë këtë të fundit pa dashje. Kur’ani përmend se faji e përpiu dhe ai i kërkoi Zotit ta falte; nga frika për jetën e tij, ai iku dhe emigroi në Medjen, ku gjeti një strehë në një familje duke u martuar me një nga vajzat dhe duke i shërbyer babait të saj. (Shih suren El-Kasas, 28:14-28).

Pas ca kohësh, Musai u kthye në Egjipt me familjen e tij. Rrugës, pranë malit Tur, pa një zjarr dhe u nis drejt tij. E kur erdhi te zjarri, dikush i thirri nga ana e djathtë e luginës së bekuar me lisa: “O Musa, Unë jam Allahu, Zot i botëve.” (El-Kasas, 28:30)

Ky ishte fillimi i misionit pejgamberik të Musait, siç shkruhet edhe në Tevrat. Sipas Kur’anit, i ndihmuar nga vëllai i tij, Haruni. Musai kishte një detyrë të dyfishtë: t'i çlironte izraelitët nga mizoria e Faraonit dhe t'i këshillonte egjiptianët të braktisnin rrugët e tyre të pafe duke përqafuar adhurimin e Zotit të Vetëm. Edhe pse Musai kishte sjellë shenja të qarta nga Zoti (El-Kasas, 28:31-32), Faraoni e akuzoi atë për magji dhe e persekutoi atë dhe bijtë e Izraelit.

Musai tregoi besimin e tij të palëkundur në Zot kur i udhëhoqi ndjekësit e tij në Detin e Kuq - ushtria e Faraonit ishte prapa tyre, dhe deti i hapur përpara:

A është njëlloj ai të cilit i kemi premtuar shpërblim të mirë dhe që do ta marrë, dhe ai, të cilit i kemi mundësuar të kënaqet në këtë jetë, kurse në Ditën e gjykimit, do të hedhet në zjarr. Dhe atë ditë kur i thërret dhe thotë: “Ku janë ata që i konsideronit shokë të mi?” Ata, tek të cilët do të vërtetohet fjala (zbatohet dënimi) do të thonë: “Zoti ynë, këta janë që i shpiem në rrugë të shtrembër; i kemi shpjerë në rrugë të shtrembër se edhe vetë kemi qenë në rrugë të shtrembër. Ne para teje e heqim atë barrë. Ata nuk na kanë adhuruar vetëm neve”. Do t’u thuhet: “Thirrni hyjnitë tuaja!” Ata do t’i thërrasin, por ato nuk do tu përgjigjen dhe do të përjetojnë vuajtjen. Sikur t’ishin në rrugë të drejtë! (64) dhe atë ditë kur i thërret dhe u thotë: “Ç’ju keni përgjigjur profetëve?” Atëherë ata nuk do të dinë çka të përgjigjen, andaj as që do ta pyesin njëri-tjetrin. Ndërkaq, kush pendohet dhe beson e bën vepra të mira, ai ndoshta është nga të shpëtuarit. Zoti yt krijon çka të dojë deh Ai zgjedh. Ata nuk kanë të drejtë të zgjedhin. Qoftë lavdëruar All-llahu dhe qoftë shumë lartë prej atyre që i bëhen shok! (El-Kasas, 26:61-68)

Kur erdhi koha e ndëshkimit, Zoti jo vetëm që bëri që Faraoni dhe ushtria e tij të mbyten, por gjithashtu ngriti statusin e izraelitëve.

Kurse popullin e shtypur e bëmë trashëgimtar të anëve lindore dhe perëndimore, të tokës që e kemi bekuar, dhe u plotësua fjala e mirë e Zotit tënd ndaj izraelitëve, për shkak se patën durim, dhe e bëmë rrafsh me tokë atë çka e kishte ndërtuar dhe ishte kujdesur Faraoni dhe populli i tij.” (El-A’raf, 7:137)

Në Kur’an, Zoti thotë se Ai i foli drejtpërdrejt Musait, por kur ai kërkoi ta shihte Atë, Zoti hodhi lavdinë e Tij të pasqyruar mbi një mal dhe ai u shndërrua në pluhur, duke i shkaktuar Musait alivanosje (El-A’raf, 7:143). Gjatë një periudhe prej dyzet netësh, Zoti i zbuloi njohuritë fetare Musait dhe e zgjodhi atë që të vazhdonte të drejtonte popullin e tij.

Dhe ne atij ia shkruam këshillën për çdo send në pllaka edhe sqarime për çdo send. Pranoi ato bindshëm dhe urdhëroje popullin tënd të marrin atë që është më e mirë!” Do t’ua tregoj vendin e prapështarëve.” (El-A’raf, 7:145)

 

 

MUSAI DHE IZRAELITËT

 

Megjithatë, kur Musai u kthye te populli i tij, ata kishin filluar të adhuronin një viç. Tevrati në këtë pikë e inkriminon Harunin si një nga ata që adhuronin viçin. Megjithatë, kur Musai e akuzon atë për këtë, Kur’ani e shfajëson Harunin a.s. në ajetin vijues:

Haruni tha: “O biri i nënës sime! Me të vërtetë njerëzit më konsideruan si asgjë dhe u afruan për të më vrarë! Mos bëj që armiqtë të gëzohen për fatkeqësinë time dhe mos më numëro mua ndër njerëzit e mëkatit.” (El-A’raf, 7:150)

Pastaj Musai i kërkoi Zotit që ta falte atë dhe vëllain e tij. Kështu filloi një seri ngjarjesh në të cilat Musai a.s i udhëzoi vazhdimisht Beni Israilët drejt adhurimit të Zotit të Vetëm, edhe pse ai duroi ankesat dhe talljet e tyre.

Kur i tha Musai popullit të vet: “O populli im, përse më mundoni kur e dini mirë se unë jam i Dërguari i Allahut te ju!” (Es-Saff, 61:5)

Zoti vazhdoi t'i bekonte izraelitët duke u dhënë shumë favore, si dhe duke i ndëshkuar për mosbindjen e tyre. Të dyja këto janë detajuar shumë në kapitullin e dytë të Kur’anit, Lopa.

Kur erdhi koha që ata të hynin në Kan’an, bijtë e Izraelit u rebeluan kundër Musait dhe urdhrit të Zotit. Duke treguar këtë histori, Kur’ani tregon pafuqinë e Musait ndaj popullit të tij:

O Zoti im”, tha ai (Musai), “Unë nuk kam askënd përveç vetes time dhe vëllait tim, prandaj Ti gjyko në mes nesh dhe popullit të mbrapshtë”. (El-Maide, 5:25)

Përkundër sprovave dhe mundimeve të shumta që u erdhën, Musai dhe Haruni, paqja qoftë mbi ta, vazhduan t'i nënshtroheshin plotësisht vullnetit të Zotit. Në të vërtetë, Zoti i shfajëson Musain dhe Harunin nga çdo keqbërje në Kur’an dhe i përshkruan ata si robërit e Tij mirënjohës.

Në fund, ngjashmëritë e shumta midis tregimeve të Musait në Tevrat dhe Kur’an nënkuptojnë lidhjet e përbashkëta stërgjyshore të të dy besimeve. Ashtu si Muhamedi a.s. që i ftoi arabët paganë të adhuronin Zotin e Vetëm, Musai gjithashtu vazhdoi ta drejtonte popullin e tij të padrejtë drejt monoteizmit. Kur’ani, për të cilin muslimanët besojnë se është ruajtur gjatë shekujve, bie ndesh me Tevratin, duke korrigjuar keqkuptimet që janë zhvilluar historikisht rreth Musait. Si i tillë, Zoti e ngrit Musain në një pozitë nderi në Kur’an (El-Ahzab, 33:69), duke e çliruar atë nga çdo faj për veprimet e popullit të tij.

Musai, i njohur si Moisiu në Dhiatën e Vjetër, është një pejgamber, i dërguar, ligjvënës dhe udhëheqës në Islam. Në traditën islame, në vend që të prezantojë një fe të re, Musai konsiderohet nga muslimanët si mësimdhënës dhe praktikues i fesë së paraardhësve të tij dhe duke konfirmuar shkrimet e shenjta dhe pejgamberët para tij. Kur’ani thotë se Musai u dërgua nga Allahu një Zot te faraoni i Egjiptit dhe izraelitët për udhëzim dhe paralajmërim. Musai përmendet në Kur’an më shumë se çdo individ tjetër, dhe jeta e tij tregohet më shumë se jeta e çdo Pejgamberi tjetër. Sipas Islamit, të gjithë muslimanët duhet të kenë besim në çdo Pejgamber që përfshin Musain dhe vëllain e tij Harunin.

 

 

 

Përktheu[3]:

N. Ibrahimi

 

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme