AKADEMIKU QË MERRET ME PUNË TË VOGLA E KRITICIZËM (Lidhur me reagimin e M. Mufakut “Veprat komplete e profesorit të letërsisë arabe” në gazetën “Koha Ditore”, 30.4.2023, fq. 13)

Shënim

Meqë Koha Ditore nuk e publikoi reagimin tim brenda dy jave, vendosa që këtë ta bëj në Academia.edu dhe www.zeriislam.com.

Gazeta Koha është demokratike kur përdhoset dinjiteti i muslimanëve dhe vetë Islamit, por nuk pranon kritika për vete dhe (bashkë)punëtorët e vet.

 

Me vonesë më rastisi ta lexoj një reagim (inatçor e denigrues) të profesor Muhamed Mufakut me titull “Veprat komplete e profesorit të letërsisë arabe”, të publikuar në Koha Ditore, shtojca e kulturës më 30 prill 2023. Ta them të vërtetën, kur pashë emrin “Muhamed Mufaku”, u gëzova dhe së pari mendova që ka sjell ndonjë informacion të vyeshëm, por duke hyrë në lexim të tekstit, u zhgënjeva. Në vend të një prezantimi konstruktiv (duke analizuar pikëpamjet pozitive dhe negative) të veprës – kompletit në fjalë, unë lexova vetëm nëpërskëmbëza, inat, mllef, diskreditim dhe asgjë të mirë. Madje, pashë edhe disa kërcënime (apo shantazhe) në adresë të profesor Ismail Ahmedit, dhe gjithashtu një lloj ironie dhe hipokrizie, ku në një anë lavdëron botuesin “Logos-A” e në anën tjetër, një bibliotekë të SHB Logos-A e quan “Bibliotekë për hatër”. Për më tepër që Muhamed Mufaku edhe vetë në Logos-A ka të botuara disa vepra dhe shtrohet pyetja a mos vallë edhe veprat e tij janë bibliotekë “për hatër”.

Unë nuk do ta mbroj Profesor Ismail Ahmedin, sepse ai këtë mund ta bëjë vetë më mirë, nëse e sheh të arsyeshme të merret me gjera të vogla. Nuk do ta mbroj as SHB “Logos-A”, sepse Logos-A me punën e vet qysh moti radhitet ndër botuesit kryesor në trojet shqiptare e rajon, sidomos është shembull i llojllojshmërisë së tematikës, të autorëve, gjuhëve etj. Është një “akademi” në vete, është një fabrikë, që bënë punën e akademive, instituteve, organizatave ku paguhen qindra njerëz me tituj e paga të larta, për të fjetur, për të shëtitur, për të bërë reklama në media, por nuk sheh një punë pozitive për shqiptarët dhe historinë e tyre, për kulturën e tyre.

Por, unë do të mbroj të vërtetën dhe do të qortoj qasjen tendencioze të manifestuar në shkrim. Jam në anën e të drejtit, sepse i njoh të gjitha palët, e sidomos SHB “Logos-A”, nga themelimi e deri sot.

Logos-A afirmon autorët e rinj, por nuk lë pas dore as pleqtë. Publikon autorët meshkuj por edhe femra. Publikon tematikë fetare, teologjike, historike, kulturore, filozofike, sociologjike, psikologjike, politike, letrare, kritikë letrare e tjera e tjera. Aty kemi emrat më të njohur të të kaluarës por edhe të tashmes, vendorë e të huaj. Kush nuk e ka parë këtë fakt deri tash është faji te miopia e tij e jo te Logos-A. Jo çdoherë publikohen emra akademikë, sepse lexuesit tonë nuk janë të gjithë akademikë. Jo çdoherë publikohen vepra për fëmijë, sepse as fëmijët nuk përbëjnë lexuesin e tërësishëm. Logos-A publikon për të gjithë, duke e ruajtur dhe kultivuar korrektësinë intelektuale, shkencore, kulturore, njerëzore.

Autori i reagimit nuk ka analizuar veprën e shkruar të Ismail Ahmedit, që pa dyshim, ka edhe mangësi (sikurse mospërkthimi i teksteve arabisht ...). Zoteri Mufaku nuk ka shtruar edhe ndonjë anë pozitive, që pa dyshim nuk mungon, por ka katapultuar akuzë pas akuze, drejtuar rrënimit të dinjitetit të autorit, duke arsyetuar këto rrebeshe të tij me faktin se profesori qenka profesor i letërsisë arabe, ndaj nuk është dashur të publikojë edhe shkrime të historiografisë, gjuhës, përkthime etj. I respektuari profesor Mufaku ka harruar se kompleti është tërësia e veprave të tij, e jo shkrime selektive të tij, shkrime letrare në kuptimin e ngushtë, vetëm e vetëm sepse na qenka profesor letërsie. Madje, kjo mënyrë është pozitive, sepse autorin e kompletit e tregon si figurë më të kompletuar, më të gjithanshëm, se sa një letrar të zhveshur.

Autorit i pengon edhe afërsia apo miqësia e Hasan Kaleshit dhe Ismail Ahmedit, sepse qenkan vendas dhe diç tjetër... Çfarë të keqe ka ky fakt në këtë vend të vogël. Edhe ne gëzohemi e kënaqemi kur shohim një Muhamed Mufak ose një Vehbi Gavoç që shfaqet nga Lindja e mesme në trojet shqiptare, ose një Vehbi Ismail që shfaqet nga Amerika.

Reaguesi prekë edhe tema tjera, si plagjiatura, apo mbase jokompetencë të Ismail Ahmedit për t’u marrë me disa tema, që unë mendoj, janë tema për revista të specializuara, e jo për gazetë ditore, që të krijohet amulli te lexuesi, që të bëjmë emër me sharje e zhurma, dhe të ecim drejt tallava-shkrimeve.

Profesor Mufakut i sugjeroj të merret më shumë me vetveten, si pedagog në Universitetin e Prishtinës, sepse studentët i mbajnë mend sjelljet e tij johumane kur hante e pinte në dhomë mësimi para studentëve në ditë ramazani, dhe si autor, që të sjellë risi nga vendet nga vjen ai, sepse ato na mungojnë, e jo të përpëlitet me tema që ka autorë mjaft të zotë edhe te ne. Kam menduar se me kalimin e erës komuniste ka ndryshuar edhe profesori, dhe kam dashur ta respektoj, por si duket ‘teket” e tij kanë mbetur po ato, që i zbulon herë pas here.

Kërkoj falje nga lexuesi për këtë reagim ndaj reagimit pamfletist të M. Mufakut, sepse kemi tema më madhore në këtë kohë “të jesh o të mos jesh”.

 

Nexhat Ibrahimi,

09.05.2023, Prizren

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme