
Ura e Gurit në Shkup, për historinë e së cilës ka shumë të dhëna, herë-herë edhe kontradiktore, sipas të gjitha fakteve shkencore dhe arkitektonike është ndërtuar në shek. XV nga Sulltan Murati II. Kështu ka qëndruar edhe në pllakën e vënë në vitin 1909 në mihrabin e Urës. Megjithatë ka edhe të tillë që ndërtimin e urës e lidhin me Mehmet Fatihun dhe e quajnë “Ura e Fatihut”. Sidoqoftë viteve 1430-1440 kjo urë ka qenë në Shkup. Me të ka qenë aty edhe mihrabi që faktikisht paraqiste vazhdim të njërës nga shtyllat e Urës. Gjatë historisë kronikat kanë shënuar riparime të saj, zgjerime a dëmtime, por askush nuk vëren se kjo urë është rrënuar. Sepse, sado që dikush mund të mos e ketë dashur osmanliun, e ka pasur patjetër të kalojë mbi këtë urë osmane. Andaj aq më pak pritej që kjo urë ta pësojë në erën demokratike. Por, shenjat e para se edhe ajo mund të lëkundej na erdhën prej Mostari. Atje e rrënuan urën më të bukur të ish-Jugosllavisë. Dhe, kështu ndodhi edhe te ne. Në vitin 1998 në Urën e Gurit kishin filluar të bëhen restaurime për gjoja fuqizimin e themeleve të saj dhe njëherazi studime për historinë e saj. Me fjalë të tjera kërkohej “qime në vezë”. E kur këto punë përfunduan, rezultati ishte ky – ura nuk ishte ajo që ka qenë. Tash ishte një urë me shkallë që asnjëherë nuk është shënuar si e tillë dhe, më e keqja, ura ishte pa mihrab. Më 22 korrik të vitit 2002 gjatë këtyre restaurimeve, gjoja se me gabim, u rrënua si pa të keq mihrabi i Urës së Gurit. Një arkitekt të cilin shkupjanët do ta mbajnë mend vetëm për të keq, quhej Vasil Ilov, këtë e arsyetoi sikur fëmijët në lojë ta kenë plasur një top – në stilin “punë e madhe, e bëjmë një tjetër”. E vitet po kalonin. Punët rreth restaurimit të Urës përfunduan, ndërsa mihrabi nuk po kthehej “kurrë më”. Kjo bëhej me arsyetimin se nuk ka mjete. Ndërkohë në Qeverinë e parë VMRO-PDSH me buxhet shtetëror u ndërtua një kryq i madh në Vodno, çmimin e të cilit përditë do ta paguanin qytetarët e Shkupit, ndërkohë ishte djegur xhamia e Prilepit, ndërkohë ishte nëpërkëmbur xhamia e Manastirit, ndërkohë në themele të xhamisë po me arsyetimet e kërkimit të gjurmëve ortodokse ishte ndërtuar Pllaoshniku në Ohër, ndërkohë me mjete buxhetore do të ndërtohet Universiteti i Shën Klimentit në Ohër, ndërkohë ndahen mjete buxhetore të kthehet Teatri i Jugosllavisë së vjetër, ndërkohë synohet të kthehet Pallati i Oficerëve, ndërkohë...., vetëm për mihrabin nuk ka mjete. Sepse, atë nuk e do asnjë pushtet, asnjë kryebashkiak i Shkupit, asnjë ministër i Kulturës, asnjë kryeministër, asnjë president.
Fundi i këtij homazhi të zymtë do të ishte ky: në të ’25-tën qytetarët e Shkupit e përjetuan rrënimin e Burmalisë nga Jugosllavia e Vjetër ose Serbia si e quanin atëbotë, në ’75-tën e përjetuan rrënimin e Jelen Kapanit nga pushteti komunist, në ’89-tën menduan se Faik Pasha ishte e fundit kur u rrënua minarja e saj, por fatkeqësisht “rrënuesit” akoma ishin midis nesh – në 2002-shin u rrënua mihrabi i Urës së Gurit. Dallimi i vetëm është që tash Maqedonia me këtë bagazh është nisur drejt Evropës. Asgjë më shumë. E nëse Evropa pranon shtete të këtilla, vërtet është për t’u pyetur edhe për vlerat evropiane.
E kënga e kobshme e korbit vazhdonte - “Kurrë më!”. Bëje Zot hajr.