MOHAMED MAHMOUD HABIB
Fetvaja në epokën e AI
Inteligjenca Artificiale dhe feja: Fetvaja dhe sfidat e mijëvjeçarit të tretë
Dekada e kaluar ka dëshmuar zhvillime mahnitëse në fushën e inteligjencës artificiale dhe aplikimet e saj të përhapura në fusha të ndryshme të jetës, duke përfshirë edhe fushën fetare. Megjithatë, kjo ka ngritur disa shqetësime në mesin e disa individëve për mundësinë që teknologjia të marrë kontrollin e anës shpirtërore ose t'i reduktojë ritualet fetare në rutina të thjeshta mekanike.
Roli i institucioneve të jurisprudencës fetare mbetet i përqendruar në formësimin e diskursit fetar të moderuar, duke promovuar rëndësinë e aspektit shpirtëror dhe duke theksuar se teknologjia është një mjet, jo një qëllim, i përdorur për të mirën e njerëzimit dhe jo anasjelltas.
Për më tepër, organet e jurisprudencës fetare në mbarë botën, shumica e të cilave bien nën ombrellën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Çështjeve dhe Organeve Fetare, që përfshin mbi 80 institucione dhe figura fetare, vazhdojnë të edukojnë dhe sigurojnë shoqërinë se përparimi teknologjik nuk duhet të jetë burim shqetësimi për aspekti fetar. Në vend të kësaj, ajo paraqet një mundësi për të përmirësuar kryerjen e ritualeve dhe adhurimit, duke forcuar kështu besimin dhe qetësinë në zemrat e besimtarëve. Ky përkushtim është i dukshëm në të gjitha konferencat e tyre, përfshirë atë të 18-19 tetorit 2023 të titulluar "Fetvaja dhe sfidat e mijëvjeçarit të tretë".
Duke pasur parasysh situatën aktuale, këto shqetësime janë të ekzagjeruara dhe nuk ka pse të frikësohet dominimi i inteligjencës artificiale mbi fenë për disa arsye bazuar në qasjen dhe fetvatë e nxjerra nga institucionet e jurisprudencës fetare nën ombrellën e Sekretariatit të Përgjithshëm.
Këto arsye përfshijnë:
1. Teknologjia, sado e avancuar, mbetet një mjet i përdorur nga njerëzit sipas vizionit dhe qëllimeve të tyre. Ajo nuk mund të kapërcejë vullnetin njerëzor ose të imponohet.
2. Aspekti shpirtëror i fesë është i lidhur me besimin dhe qëllimin, pa asnjë lidhje me teknologjinë. Besimtarët e kuptojnë qëllimin e ritualeve fetare dhe nuk i kryejnë ato në mënyrë mekanike ose nuk mbështeten në teknologji.
3. Institucionet zyrtare të jurisprudencës fetare në botën islame janë vigjilente dhe të kujdesshme. Ata kanë aftësinë për të udhëhequr përdorimin e teknologjisë në përputhje me parimet fetare përmes nxjerrjes së fetvave dhe udhëzimeve të nevojshme.
4. Ekzistojnë qendra dhe institucione të specializuara që fokusohen në etikën e inteligjencës artificiale, duke studiuar aspektet morale dhe sociale të saj dhe duke ofruar zgjidhje për problemet e mundshme.
5. Institucionet fetare janë të prira të përdorin teknologjinë për të promovuar ndërgjegjësimin fetar mes njerëzve dhe jo thjesht të automatizojnë ritualet.
6. Komunitetet muslimane ende i përmbahen vlerave dhe identitetit të tyre fetar dhe janë rezistente ndaj ndryshimeve radikale ose minimit të parimeve të tyre fetare.
Për sa kohë që institucionet zyrtare të jurisprudencës fetare dhe konferencat e fetvasë mbeten vigjilente dhe mbajnë hapin me zhvillimet teknologjike në mënyrë të mençur dhe të moderuar, nuk ka vërtet asnjë arsye për t'u frikësuar nga dominimi i inteligjencës artificiale ose teknologjisë në përgjithësi mbi aspektin fetar. Në vend të kësaj, teknologjia mund të përdoret për t'i shërbyer fesë kur përdoret siç duhet.
Përktheu[1]:
N. Ibrahimi
[1] Burimi për përkthim: https://www.islamicity.org/89635/ai-and-religion-fatwa-and-the-challenges-of-the-third-millennium/?referer=ecast.
Mohamed Mahmoud Habib është një studiues në Qendrën Mediale të Shtëpisë Egjiptiane të Fatvasë Dar’ul-Ifta. Artikujt e tij janë publikuar edhe në websajtin arab dhe egjiptian, Al-Jevm ‘us-Sabea.
