Arti i të bashkëjetuarit në shekullin XXI

Nëse në rastin e parë, ndërvarësia e manifestuar si solidaritet global mund të interpretohej edhe si joshje propagandistike dhe diplomatike ndaj superfuqisë së vetme të botës së sotme, në rastin e Kosovës solidariteti ka të bëjë me një vend të vogël e me shumicë muslimane të popullsisë, madje në vetë kontinentin europian. Prandaj, kjo lloj ndërvarësie globale e këtij fillimshekulli, në të vërtetë është e ndërlidhur me vetëdijësimin se bashkëjetesa në paqe dhe duke respektuar liritë dhe identitetet e të gjithëve, është një aksiomë shpëtimtare. Fakti që edhe superfuqia e vetme e botës është e lëndueshme nga aksioni terrorist, nuk zbulon dobësinë e saj, por kompleksitetin e botës së sotme, ku teknologjia e lartë në duart e gabuara dhe ideologjia terroriste që manipulon me ndjenja fetare, paraqesin armikun e përbashkët të të gjithë njerëzve. Prandaj, shekulli XXI, të cilit ende nuk ia kemi konsumuar një decenie të plotë, përfytyrohet të jetë shekull i sprovave të vështira të paqes e të solidaritetit, sepse mundësia e keqpërdorimit të teknologjisë së lartë dhe të ndjenjave fetare, për të prodhuar dhunë, është shumë e madhe.

E mira e punës është se pothuajse është krijuar një pajtueshmëri për ndërvarësinë e popujve, të feve e të shteteve në botën e sotme. Kjo gjë e ka rritur edhe relevancën e organizatave ndërkombëtare. Por, e keqja e punës është se ende nuk janë gjetur forma efikase, të cilat do ta shndërronin ndërvarësinë në bashkëjetesë harmonike dhe paqësore.

Kjo për arsye se debatet ende zhvillohen në bazë të doktrinave të ndryshme ideologjike e politike fragmentare, të bazuara në interesa parciale. Idetë e mëdha, me mision integrues dhe unifikues, janë në sprova serioze. Në këtë kontekst, mund të thuhet se edhe demokracia ka marrë më shumë ngjyrime lokale dhe nuk po arrin të krijojë standardin e universalizmit, i cili do të ishte i njëjtë për të gjithë. Fjala vjen, zgjedhjet në Shqipëri vlerësohen si demokratike dhe të lira, por me një standard që nuk vlen në shtete e tjera europiane.

Prandaj, duhet të bëhet një rishikim i përvojave të deritashme dhe të arrihet në një model të ri të interpretimit të ndërvarësisë dhe të bashkëjetesës së njerëzve, të popujve, të shteteve e të feve. Më duket se si pikënisje mund të shërbejë propozimi i futurologes Vikoria Fild, e cila duke folur për të ardhmen e kulturës botërore, propozon kombinimin ndërmjet të resë dhe të vjetrës. Ndër të tjera ajo thotë se “megjithëqë ne sot përjetojmë një kohë krize, sidoqoftë, kjo na jep mundësinë të shohim prapa dhe t’i rikuptimësojmë vlerat që na kanë mbetur si trashëgim nga e kaluara, dhe, me këtë, të kërkojmë një tjetër rrugë me një tjetër kahje progresi.” Vërtet, rikuptimësimi i vlerave që i kemi trashëgim nga e kaluara, në kohën e sotme, kur ato nuk janë pjesë e ambicieve pasionante dhe e ideologjive militante, është njëra nga mundësitë që të korrigjohen keqkuptimet dhe të jipet një prspektivë e re e bashkëjetesës në të ardhmen. Pra, kjo është e kundërta e fundit të historisë dhe e njeriut të fundit, sepse përkryerja jo vetëm që nuk ka ndodhur, por ajo është edhe e pamundshme, në rast se nuk eliminohen paragjykimet dhe keqkuptimet e së kaluarës, duke e rikuptimësuar trashëgiminë e saj pozitive në kohën tonë.

E para, rikuptimësimi i njohjes ndërmjet njerëzve, ndërmjet popujve dhe ndërmjet feve duhet të ndjek linjën që dallimet të shihen e të vlerësohen në funksion të njohjes më të mirë, e jo të dominimit e të eliminimit. Planeti ynë sot i përngjet një kuverte të një anije në mes të oqeanit, në të cilën lëvizjet e njerëzve janë më të forta se ato të valëve. Është një lëvizje e përgjithshme, në të katër anët dhe kjo jep shansin e madh të njohjes më të mirë të njerëzve e të traditave të tyre. Nëse shfrytëzohet aksioma kur’anore se dallimet ndërmjet popujve, gjuhëve e racave, janë për t’u njohur më mirë, atëherë rriten shanset që të ketë më shumë bashkëjetesë paqësore, më shumë miqësi e më shumë solidaritet. Madje pavarësisht nga politikat e shteteve, që mund të mos jenë në kohën reale krejt në unison me këtë vetëdije.

E dyta, arritja e pajtueshmërisë për eliminimin e dhunës nga çfarëdo kontesti, fetar ose politik, është i domosdoshëm për të promovuar një bashkëjetesë paqësore. Nga historia e njerëzimit është e njohur se përdorimi i dhunës, veçmas në kontestet ideologjike dhe fetare, vetëm sa i komplikon mosmarrëveshjet dhe i thellon armiqësitë. Prandaj, rritja e rolit të organizatave ndërkombëtare dhe promovimi i bashkëpunimit të asociacioneve të ndryshme fetare, si promovuese dhe kujdestare të paqes në botë, është një perspektivë që duhet të stimulohet më shumë.

E treta, individi duhet të merr përgjegjësi më të madhe për veten e vet,e të mos e delegojë blanko kompetencën te bordet, te partitë, te qeveritë, ose bashkësitë që flasin në emër të tij duke abuzuar “në emër të popullit”, ose “në emër të besimtarëve”. Në këtë kontekst, mendoj se edhe rikthimi te besimi fetar duhet të jetë individual e jo kolektivist, jo i motivuar me propagandë e me ideologji. Secilit person duhet t’i pranohet e drejta e zgjedhjes së përkatësisë së vet fetare, nacionale dhe politike, për të cilën ai është vetë përgjegjës, edhe para Zotit e edhe para njerëzve.

E katërta, afrimimi i vlerave themelore të familjes, të solidaritetit ndaj anëtarëve të saj dhe ndaj farefisnisë, si frenues i ideologjisë militante të identifikimit abstrakt a të verbër me kombin ose me fenë, e rrisin ndjenjën e bashkëjetesës, të solidaritetit dhe të dashurisë ndërmjet njerëzve. Nëse individi nuk e kultivon ndjenjën e përkushtimit ndaj familjes, ai potencialisht mund do të jetë nën ndikimin shfytyrues të vetmisë (në këtë kategori bie edhe televizioni) , i cili duke u familjarizuar me të, ia kërcënon dimensionin emocional dhe shpirtëror.

E pesta, dija mbetet njëra nga shtyllat mbi të cilën mund të ndërtohet bashkëjetesa dhe mirëkuptimi njerëzor. Umberto Eko thotë se “Në zallamahinë e botës së sotme, vendet e qeta e të pabuja janë e vijojnë të mbeten universitetet. Edhe sot e kësaj dite, universitetet janë ndër të paktat vende, në të cilat është i mundur një ballafaqim racional i vizioneve të ndryshme të botës. Ne njerëzit e universiteteve jemi të thirrur të zhvillojmë (të privuar nga armët vdekjeprurëse) një betejë të pafund për progresin e dijes e të dhembshurisë njerëzore.” Prandaj, projekte të mëdha asocimi të universiteteve, mund të jenë në funksion të afirmimit të dijes si nxitëse e bashkëjetesës paqësore dhe e solidaritetit ndërmjet njerëzve. Universitetet e sotme më të shumtën e rasteve e kanë në vete farën e universalizimit. Madje edhe tragjedia e këtij viti në Universitetin e Virgjinias, e zbuloi karakterin universal, sepse edhe viktimat ishin nga vende, nga popuj, nga fe e nga raca të ndryshme.

E gjashta, përtëritja morale mund të bëhet një krahë i fortë i bashkëjetesës paqësore në shekullin XXI. Rënia e bipolaritetit të botës dhe e komunizmit si ideologji e së keqes, ka hapur mundësinë e ripërtëritjes morale në hapësirat që kanë qenë të kontaminuara prej tij. Pra, edhe të hapësirave shqiptare dhe të atyre europianolindore përgjithësisht. Vaclav Haveli kishte të drejtë në vitin 1990 kur thoshte: “Jetojmë në një mjedis të ndotur moralisht. E ndotëm moralin duke thënë diçka të ndryshme nga ajo që mendonim. Mësuam të mos i besonim asgjëje, të shpërfillnim njëri-tjetrin, të kujdeseshim vetëm për veten tonë. Koncepte të tilla si dashuria, miqësia, dhembshuria, përulësia apo falja e humbën thellësinë dhe dimensionin e tyre, dhe për shumë prej nesh ato përfaqësonin vetëm veçanti psikologjike…”

Qëllimisht në këtë tekst nuk janë identifikuar shteti dhe kombi si instanca të rregullimit paqësor të bashkejetesës, sepse deri tash ato vërtet më shumë e kanë shkaktuar armiqësinë se sa bashkëpunimin. Kjo nuk do të thotë aspak se angazhohem për shuarjen e tyre. Jo. Por angazhohem për rivalizimin e tyre nga vlera të tjera, shpirtërore, morale dhe kulturore, me epiqendër individin. Shumësia e vlerave të individëve të lirë e të ndërgjegjësuar për misionin e tyre si krijesa më e lartë në këtë botë, do ta krijonte ambientin e një bashkëjetese vërtet paqësore, ndërmjet të gjithë njerëzve të kombeve, të racave e të feve të ndryshme. Ndërsa në atë mënyrë do të influencohej edhe transformimi i shteteve ekzistuese në entitete më universale.

Shekulli XXI e ka këtë shans si asnjë shekull tjetër deri tash.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme