Disa nga episodet e përfshira në "Rihla" janë me shum paqartësi dhe momente të dyshimta sikurse udhëtimi për në Konstantinopojë[1].
Të dhënat e Ibn Battutës[2] për udhëtimin e tij nga Astrakhan (Al-Hajj Tarkhan) nëpër stepat e Krimesë dhe Moldavisë dhe prej andej në Rumani, Dobruxhë e Bullgari, është në disa aspekte një përshkrim unik arab i popujve dhe rrugëve brenda Ballkanit verilindor në Mesjetë. As Abu Hamid al-Gharnati (vdiq në vitin 565 / 1169) në "Tuhfat al-Albab" e tij[3] dhe "Kitab al-Mu'rib, as al-Idrisi (548 / 1154) në "Nuzhat al-Mushtaq"[4], nuk japin një përshkrim të dorës së parë të rajoneve perëndimore të Detit të Zi.
Kujtimet e Ibn Battutës për të gjithë udhëtimet në Evropë, që zgjatën rreth gjashtë muaj, janë të një interesi të veçantë, pasi hedhin dritë mbi:
(a.) Vendndodhjen e rrugëve të frekuentuara që çonin nga stepat e Rusisë jugore dhe territoret e "Hordhisë së artë" [Golden Horde] në Dashti-Qipçak në zemër të Bizantit dhe rrugën drejtë Bosforit;
(b.) Marrëdhëniet politike, shoqërore dhe konfederative ndërmjet popullatës turke, kumane (Polovtsi), tatare, bullgare, greke, vllehe dhe popullatës skllave që jetonin ose qëndronin aty në gjysmën e dytë të shekullit XIV-të; dhe
(c.) Lidhjet familjare që iu bashkuan khanëve tatar në rajonet më të ulëta të Volgës dhe Krimesë me gjykatën perandorake në Konstantinopojë. Ishte një "modus vivendi" i rëndësishëm dërfetar në mes të komuniteteve në fjalë.
Natyrisht është vështirë nganjëherë që të shpjegohen lëshimet, datat e pamundëshme dhe rrëshqitjet e kujtesës në të dhënat e Ibn Battutës, por gjithnjë duhet të mbajmë parasysh se, ashtu sikurse shumë udhëtarë dhe pelegrinë të tjerë, në vemendje ishin më shumë njerëzit me të cilët ai udhëtonte sesa panoramat që ai shikonte.
Ndryshe nga vizita në Bulghar të Volgës së Mesme[5], e cila tani përgjithësisht i përshkruhet motiveve letrare dhe imagjinatës, mund të supozojmë se Ibn Battuta në të vërtetë e kaloi Danubin, ose nga porti i lumit ose afër daljes së saj, ose ndoshta në ndonjë rrugë tjetër më të brendshme përmes Rumanisë së sotme dhe Bullgarisë. Traktatet e "shkretëtirës" së thatë janë përmendur në raportet e tij gjetiu, ibn Battuta e quan shkretëtirë apo stepa të gjelbëruar, të rrafshtë dhe të zhveshur. Përmbrënda Rumanisë dhe Bullgarisë, qe të mëdhenj tatar dhe karroca kuajsh[6] që ishin përdorur në stepat u braktisën, dhe në vend të tyre u përdorën mushka dhe kuaj për të përshkuar rrethin malor dhe për të kaluar shtretërit e lumenjve.
Këto qartas janë përmendur në tekstin e Ibn Battutës, përkundër kolektiveve bujqësore të dekadave të fundit dhe ndryshimeve në balancin etnik të popullsive, "Stepave e Siktisë" ose të Kumanisë, me të vërtetë ekzistuan[7]. Sidoqoftë, është interesante që Ibn Battuta nuk përmendë shumë nga qytetet dhe fshatrat që arkeologjia ka zbuluar edhe që kanë ekzistuar në fund të Mesjetës pranë grykës së Danubit - qytete të cilat herë pas here përmenden në raportet e gjeografëve të tjerë arabë.
Diskutimi ynë për udhëtimin Ballkanik të Ibn Battutës do të përqëndrohet në subjektet vijuese:
(a.) Ku ishte "qyteti i Sari Saltukut", parakalimi i fundit i turqve përpara stepës? Sari Saltuku i Buharës ishte një dervish gjysmë mitik heterodoks, një ndjekës i Ahmet Jaseviut[8]. Ai mbetet një figurë e paqartë, pavarësisht legjendave që lidhen me të. Megjithatë ai ishte, ose më vonë u bë, figura themelore e Gagaousëve në Moldavi dhe Dobruxhën Ballkanike. Konsiderohet si figura qëndrore (qutb) në "Saltuq-name", dhe mbetet njëri nga themeluesit e rendit Bektashive sufi, i respektuar edhe nga Kizilbashi[9]. Varret që i atribohen atij janë të vendosur në Ballkan aq larg sa Babadag[10] (e rëndësishme në këtë kontekst) në Rumani, Kruja në Shqipëri, Blagaj në Hercegovinë dhe Baba Eski në Thrakë. Kjo përmendje e tij nga Ibn Battuta është më e hershmja që kemi, me interes të jashtzakonshëm historik.
(b.) Ku e kaloj Ibn Battuta Danubin? Ku janë Mahtuli, Iastafili e al-Fanika dhe çfarë rëndësie kanë kanalet që ai përmend në raportin e tij?
(c.) Si i referohet ai terrenit të Dobruxhës me shumë vendbanime të zbuluara nga gërmimet arkeologjike në Rumani dhe Bullgari?
(d.) Si mund ta shpjegojmë referencën e Ibn Battutës për një kështjellë që i atribuohet heroit luftarak arab Masalma b. Abd al-Malik[11] në Bullgari?
(e.) Si krahasohet udhëtimi i tij në Ballkan me udhëtimin e Patriarkut Macarius përgjatë Dobruxhës së shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe çfarë dëshmishë mund të mblidhen për jetën në këtë rajon të Detit të Zi?
Sipas të dhënave, Ibn Battuta u largua nga Astrakhan'i më 10 Shawwal 734 [5 Qershor 1334] duke mbërrijtë në Baba Saltuk më 15 korrik. Gibb ka pohuar se është e pamundur të përputhësh këtë me kronologjinë e tij të përgjithëshme. Përkundrazi, ai thotë që ibn Battuta u largua nga Astrakhan'i më 10 Shawwal 732 [5 korrik 1332]. Arriti në Baba Saltuk deri më 9 gusht dhe pastaj në Konstantinopojë më 18 shtator. Sidoqoftë, Ivan Hrbek e përcakton udhëtimin e Ibn Battutës në vjeshtën e vitit 1334. Ibn Battuta e la Astrakhanin në shoqërinë e një ish-princeshe bizantine Khatun Bayalun[12], i shoqëruar nga Amir Baydara, me 5000 trupa, edhe pse vetë Khatun zotëronte qindra skllevër, përfshirë grekë, turq dhe grupe të tjera etnike.
Grupi përfshinte 400 qerre, 2000 kuaj, 300 qe dhe 200 deve. Disa nga shërbyesit e saj ishin me origjinë indiane, por me këtë rast ajo la shumë prej tyre pas në mahallën e Sulltanit. Udhëtimi i saj në Konstantinopojë u ndërmuar për arsye familjare, konkretisht për të lindur një fëmijë atje. Rruga siç përshkruhet në kujtimet e udhëtimit, kaloi nëpër Ukak (një vend i paqartë), mbase në qytetin Sudak (ose Sardaq) të Krimesë dhe pastaj në stacionin e rëndësishëm në Baba Saltuk, qyteti i fundit nën posedimin turk. Më pas, vargu i qerreve vazhdoi përgjatë stepës që ishte e pabanuar dhe pothuajse pa ujë, dhe zgjati tetëmbëdhjetë ditë udhëtimi. Rruga e saktë na është e panjohur.
Territori bizantin u arrit në Mahtul. Khatun-i u takua me trupat e udhëhequra nga qeveritari Nicholas [Niqula]. Ishte i nevojshëm edhe një udhëtim prej njëzet e dy ditësh për të mbërrijtë në Konstantinopojë, por toka nëpër të cilën kaluan nuk ishte më stepë, por rrafshnaltat Ballkanike, diga malore, kështu që qerret u lanë pas dhe grupi proçedonte tani mbi kuajt e mushkat. Në një moment përshkruhet kalimi i tre shtretërve lumenjsh baticorë. Kjo mospërputhje ka nxitur mendimin se sistemi i luginës së lumit në Bullgarinë jugore, është ngatërruar pa qëllim nga kalimi i Battutës në dy drejtime mbi ose në afërsi të daljes [delta] së Danubit. Sapo arriti në Mahtuli, Amiri Baydara e braktisi ngarkesën e tij mbretërore, praktika e lutjes së muslimanëve u ndalua, vera u përdorua nga Khatun dhe mish i derri u konsumua. Grupi u prit me shumë madhështi në rrethinat e Konstantinopojës. Ibn Battuta ishte mysafir i nderuar për pak më shumë se një muaj. Ai u kthye vetëm, pasi Khatuni, tashmë në shtëpi vendosi të qëndrojë me njerëzit e saj.
Kolonizimi i Dobruxhës nga Sari Saltuku, 'kapelan' i mbretit Kaykawus të II-të dhe turqit e tij Selxhukë, ka ngjallur interes të veçantë dhe është komentuar nga orientalistët e historianët. Halil Inalcick[13] duke diskutuar për rrolin e "dervishëve heretik të turkomanëve" të njohur si babaitë, pohon se "një prej këtyre shhlerëve babai" ishte Sari Saltuku. Në vitin 1261, ai u detyrua të strehohej në territorin Bizantin bashkë me rreth 40 fise turkomanësh. Ai u vendos në Dobruxhë, ku hyri në shërbim të emirit të fuqishëm musliman - mongolit Nogai, i cili sundonte shtepet në veri të Detit të Zi. Sari Saltuk u bë hero i një epike, si një dervish dhe gazi që përhapte islamin në Evropë. Sipas Frederick de Jong[14]:
"Vendbanimi më i hershëm i turqëve muslimanë në tokat e Dobruxhës, daton fillimisht në ose pak pas vitit 622 [1263-1264], kur një grup prej 10-12.000 turkomanësh erdhën këtu nga Anatolia, të udhëhequr nga Sari Saltiku legjendar. Gjatë shekullit të katërmbëdhjetë, tatarët erdhën në këtë zonë nga Perandoria e shkatërruar e Hordhisë së Artë. Përveç kësaj, Bajaziti i I-rë (1389-1402) i vendosi tatarët në zonën e Babadagut, ndërsa Mehmeti i I-rë (1413-1421), ngjajshëm kolonizoi zonën me Tatarët sikurse edhe me turkomanët nga Azia e Vogël. Gjatë sundimit të Bajazidit të II-të (1481-1512), tatarët e Vollgës u ftuan që të vendoseshin në Besarabinë Jugore (Budjak)[15] dhe në Dobruxhën veriore. Në përpjekje për të rritur numrin e popullatës muslimane në rajonin e Danubit të ulët, shumë kolonistë u sollën në Dobruxhë nga Anadolia dhe i kontribuan rajonit duke u përfunduar në fillim të shekullit të shtatëmbëdhjetë"
Pra, edhe pse historia e Baba Saltukut është një baladë (destan), ajo mbështetet në thelbin e fakteve. Përmendja që Ibn Battuta i bën emrit të tij dhe i qëndrimit të supozuar për disa ditë në qytetin e Babait, është referimi i vetëm arab. Ajo nuk gjendet në asnjë tekst islam të asaj kohe. Ibn Sa'id el-Maghribi përshembull, bën aluzionet më të shkurtëra për këto migrime. Deklaratat e tij janë të zbrazura prej këtyre hollësive dhe të heshtura në lidhje me çdo personalitet.
"Në pjesën veriore të zinxhirit të botës është toka e Qipçakut [Qipchaq]. Al-Bayhaqri ka përmendur se ishin ata që u bënë të njohur si 'Naqjar' (Nogias ose Onoghurs?) dhe qenë prirur drejt vendit të Konstantinopojës. Ata kishin shumë mbretër në perëndim. Tatarët i shkatërruan, por duke parë guximin e tyre, i bënë ngasës si pjesë të ekuipazhit të tyre"[16].
Është prej raporteve të tilla të rralla dhe të pafokusuara, që do të shpjegoheshin në mënyrë të konsiderueshme nga historia e kolonëve turkomanë dhe nga bëmat e mrekullive të Sari Saltukut, që një cikël i vogël i romancave të elaboruara letrare ghazi që duhej të përfundohej më vonë nga urdhri i sufijve Bektashianë. Sari Saltuku dhe Haxhi Bektashi do të bëheshin të lidhur spititërisht, sa një nafes i poetit bektashi - Shiri t'i kushtonte për të dy:
Në këtë botë të Tij shpesh kam ardhur e shkuar,
Kam rënë me shi dhe jam rritur si bari,
Unë kam udhëzime për truallin e Perëndimit,
Isha një Bektash që erdhi nga Horasani[17].
Shënimet e Ibn Battutës për Baba Saltëkun janë të shkurtra dhe kryesisht të pafavorshme.
Ne erdhëm në qytetin e njohur me emrin Baba Saltëk. Babai në gjuhën e tyre ka të njëjtin kuptim si në mesin e berberëve (dmth. 'Babai'), por ata e shprehin "b" në mënyrë më të theksuar. Ata tregojnë se ky Saltuk ishte një besmimtar në ekstazë, ndonëse janë thënë gjërat për të, të cilat janë qortuar nga Ligji Hyjnor. Ky qytet është i fundit i qyteteve të zotëruara nga turqit, dhe midis tij dhe fillimit të territorit të grekëve është [udhëtimi prej] tetëmbëdhjetë ditësh nëpër një vend të shkretë të pabanuar, tetë nga të cilat nuk ka ujë. Furnizimin me ujë gjatë kësaj kohe e rezervuan dhe e bartën në enë të vogla e të mëdha lëkure në qerre. Meqë udhëtimi ynë ishte në mot të ftohtë [sic], ne nuk kishim nevojë për shumë ujë pasi turqit mbanin qumësht në lëkurë të madhe, përziejnë qumështi me "dugi" e gatuar dhe pinin atë, në mënyrë që të mos ndjienin etje. Në këtë qytet kemi bërë përgatitjet tona për kalimin e këti vendi të shkretë. Kur më duheshin më shumë kuaj shkoja te Khatun'i dhe i tregoja asaj se kisha nevojë.
Do të vërehet që nuk përmenden arsyet pse Baba Saltuku lidhet me qytetin që u emrua pas tij. Është kureshtare dhe e çudistshme shënimi i Ibn Battutës për titullin e shenjtorit të dyshimtë dhe shqiptimin e "b" në gjuhën berbere, të cilat janë dëshmi për disa autenticitet në rrëfimin e tij. Por shqyrtimii i këtillë i asaj që thuhet ngreh shumë dyshime.
(a) Ibn Battuta citon një gojdhënë. Ai e kualifikon atë që thotë me 'ata lidhen' (yadhkurun). Ne nuk kemi ndonjë ide nga kush ose nga ku dëgjoi për Baba Saltukun dhe as cilat ishin gjërat që binin ndesh me Sheriatin. A ishin informatorët e tij nga vetë qyteti, apo ishin në jug të Rusisë madje edhe në Konstantinopojë?
(b) 'Qyteti' i Baba Saltukut mund të ishte emëruar pas tij ose mund të tregonte vendin ku e kalonte pjesën më të madhe të kohës së tij në stepë, apo ku më vonë kishte selinë e tij. Ajo mund të ishte - sikurse varrimi i St Edmunds - një vend i shenjtë varrimi, ose ndryshe - sikurse Canterbury, vendvarrimi i Shën Tommas Becket - një vend i shenjtë kombëtar për një kohë (edhe pse emri i Becket nuk ishte inkorporuar në asnjë mënyrë me emrin e qytetit).
(c) Në mënyrë domethënëse, Ibn Battuta nuk përmend aspak varrin e Baba Saltukut. Ai ishte atje pesë ditë në rrugëtimin drejt Konstantinopojës dhe një numër të panjohur ditësh gjatë kthimit. Kishte harruar vallë? I kishte humbur kujtesa? Apo, pavarësisht nga admirimi i tij për Azinë e Vogël, kishte një antipati për heterodoksinë?
(d) Ai e quan atë "qyteti i fundit nën zotërimin e turqëve". A ishte në mënyrë specifike muslimane? Apo a mund të ishte pjesë e Vllahisë, e cila deri tani kishte borxh një besnikëri formale ndaj Hordhisë së Artë? Apo janë 'turqit' thjeshtë sinonim me 'kalorësit e stepave'?
(e) Ibn Battuta nuk e përmendë që lumi i Danubit gjendej gjëkundi afër qytetit, qoftë në veri apo në jug. Ishte një qytet i kufizuar me stepë. Ajo që i interesonte Ibn Battutës ishin kuajt e rinj që mund të merrete në këtë vend.
Ekziston një ndarje e gjërë e mendimit mes dijetarëve se ku ndodhej Baba Saltuku. Mendimin për Babadag-un në Rumani, mbrohet nga J. Deny dhe Bernard Lewis dhe dëshmohet në mënyrë dokumentare nga Machiel Kiel[18]. Të tjerët përkrahin mendimin për një qytet në stepa që gjindet më larg në lindje, në zonën në veri të Krimesë ose në atë që tani është rrethi i Ozu dhe Dnieper në jugun e Ukrainës[19]. Kjo është menduar pjesërisht, për shkak të numrit të ditëve të udhëtimit që ka regjistruar Ibn Battuta. Ka gjithashtu një gojdhënë që Sari Saltuk zhvilloi një luftë dhe emigroi në lindje të stepave ruse. Është përmendur në mënyrë specifike në destan, të cilën Wittek dhe të tjerët e kanë studiuar[20].
Derisa varri i pretenduar i Sari Saltukut në Babadag të Rumanisë është shqyrtuar nga afër dhe është provuar të jetë padyshim në fillim të kohës dhe të jetë pa dyshim varri i vërtetë i shenjtorit dhe lokaliteti, të njohura ose të panjohura, në Rusi, Ukrainë dhe Moldavi kanë treguar se nuk ofrojnë asnjë alternative bindëse, është e pamundur të vërtetohet ndonjëra nga këto pretendiome përfundimtare. Megjithëse i impresionuar nga rëndësia e provave dokumentare në favor të Babadagit të mbledhur nga Machiel Kiel, mbetem skeptik dhe i pabindur që (qyteti) Baba Saltuk nuk ishte fare në Ballkan.
Gjeografët arabë nuk japin asnjë ndihmë në këtë drejtim. Pak qytete që përmend Ibn Sa'ld, Abu'l-Fida dhe të tjerë, duket se janë në pajtim me përshkrimin e Ibn Battutës. Nuk mund të mos mendoni se raporti i Ibn Battutës për kërkimet e tij të reja, ka diçka të përbashkët me tregimet më të fundit të jetës së Tatarëve në skajet e Budjakut, "këndi" i Moldavisë (Bogdan) në verilindje të daljes së Danubit, një qendër e Gagaouzit. Në Mesjetën e vonëshme, sipas të gjitha gjasave, u krijua një zonë kufitare e mbretërisë së Toqtamish-it[21].
Nuk ka detaje nga Ibn Battuta mbi mënyrën se si e kaloj Danubin në Dobruxhë nga Besarabia. Do ta bënte tregimin e tij më të shpjegueshëm sikur grupi e tij ta kishte bërë këtë në brendësi të vendit, në Isaccea, në vend që të kalonte në rajonin e daljes [deltës]. Disa autoritete (përfshirë edhe Gibb) kanë parë në vendkalimin e kanaleve që ai përshkruan pranë al-Fanlka's, tre kanale në tërësi, një kujtesë të paktën për një eksperiencë në daljen e Danubit. Ky mund të ishte rasti; por pasi tre lumenj të mëdhenj konvergojnë në Bullgarinë juglindore, në perëndim të Edirne-s, nuk duhet domosdoshmërisht të jetë kështu, sidomos meqë gurët që përmenden në këto kanale duket se nuk kanë të bëjnë me Danubin. Edhe në qoftë se ne do të pranonim mundësinë e disa gabimeve, Ibn Battuta ishte në një shoqëri të mirë. Një kronist anonim i vitit 1308 tregon se Danubi kishte shtatë degë, dhe në vitin 1318 Pietro Visconti, i cili sipas gjasave ishte anëtar i familjes së dukës të Milanos, udhëtoi në delta dhe deklaroi se Sulina dhe Sfintu Gheorghe ishin vende të përshtatshme për ankorim të anijeve. Disa harta mesjetare treguan se Danubi rrjedh në Detin e Marmara kurse të tjerët në Dardanele. Disa e treguan atë me dy degë, të tjerë me pesë ose gjashtë. Deri në vitin 1856 nuk u nxuar ndonjë hartë më precize.
Dëshmia e ndryshimit në terren, nga rrafshnalta e Dobruxhës deri në male, favorizon identifikimin e Gibit të Mahtull-it me Diampolisin, Jambol-in modern, duke mbrojtur kufirin e atëhershëm Bulgaro-Bizantin. Istafill, ndalesa tjetër e përmendur, sipas mendimit tim, kërkon një udhëtim pak në perëndim dhe afër Nova Zagorës dhe Tirnovës dhe më pas drejt jugut në rajonin e Haskovës në Agatoniki. Mbi këtë supozim, rruga e tij është e shpjegueshme nga harta e Ballkanit.
Në shekullin e katërmbëdhjetë (për të përmendur Abu M-Fida') Saqjl, që do të thotë Isaccea, ishte një qytet mesatar dhe shumica muslimane. Sulina, në lindje të saj, në dalje (të lumit), në lindje të Babadagit në fakt, u bë një port "Genoese" më 1318, ndërsa Enisala, i vendosur vetëm 8 kilometra në lindje të Babadagut, është sot një qytet me gjurmë murinjesh, një kamp ushtarak romak, dhe më shumë fortifikime Genoese. Për një kohë në shekullin e katërmbëdhjetë, qeverisej prej Mircea al-Batin (Mircea e Vjetër), sundimtari i Vllahisë. Deri më 1330 Tatarët ishin në Cetatea Alba.
Dinu C. Gurescu, në kapitullin e tij "The Romanians in the 13th-14th Centuries" [Rumunët në shekujt 13-14-të][22], pohon se zona të mëdha të Danubit ishin në fakt jashtë kontrollit musliman. 'Nenexhikët lokalë ekzistonin në kolonitë e Gjenovës të Detit të Zi, p.sh. Cetatea Alba (Maurocastra / Moncastro), Chilia, Licostomo (të regjistruara në dokumente të shkruara të shekullit të katërmbëdhjetë). Ekzistonin lloje të tjera të zinxhirëve lokalë, në Isaccea (në Dobruxhë), Enisala, Ostrov, Pacuil lui Soare (në fund të shekullit të trembëdhjetë dhe pas vitit 1300). Pak më vonë ai thekson dominimin Wallachian të rajonit të Danubit, ku:
Basarab ishte 'sunduesi i vetëm' i shtetit deri që vdiq në vitin 1352. Ai gjithashtu sundoi mbi territoret e Danubit pranë detit, në rrjedhën e poshtme të Brailës. Udhëtari dhe gjeografi arab Abulfeda shkroi se Isaccea ishte e vendosur në tokë 'Wallachian', që do të thotë se Dobruxha e veriut ishte pjesë e Vllahisë. Shteti i Basarab shtrihej edhe nga dalja e Danubit deri në lindje të Prutit; një kronikë arabe në lidhje me ekspeditën e udhëheqësit Anatolian Umar Beg në gojën e Danubit në 1337/8 regjistron vendndodhjen e Chilia's në kufirin 'Wallachian'. Sundimi i Basarabis mbi rajonet e jugut dhe veriut të Danubit pranë detit mund të ishte konsoliduar si rezultat i një mirëkuptimi me Tatarët (ata i dhanë atij ndihmë gjatë luftës së vitit 1330). Nën sundimin e Mirceës së Vjetër, Wallachia - duke përfshirë Dobruxhën dhe Daljen e Danubit - u shtri mbi 92.119 kilometra katrore.
Kontrolli Bizantin i gojës së Danubit ishte gjithashtu i mbrojtur. Vasilka Tapkova-Zaimova, në "Quelques observations sur la domination byzantine aux bouches du Danube-le sort de Lykostomion et de quelques autres villes cotiĕres" [Disa Vrojtime mbi Rregullën Bizantine në gojën e Danubit - fati i Lykostomion-it dhe disa qyteteve të tjera bregdetare][23] vëren se:
Kjo luftë nuk ishte pa vështirësi, pasi peçengët kërkonin të zinin këto lokalitete. Por, pa kërkuar zgjerimin e politikës së perandorisë përballë këtyre 'barbarëve' të veriut, ne do të mjaftonim me nënvizimin e faktit se në mesin e shekullit të XI-të, flota bizantine jo vetëm që depërtoi në Danub për ekspedita ndëshkuese apo për të ndihmuar forcat e saj tokësore në ekspeditat e zinxhirit verior Ballkanik, por gjithashtu vendosën pika në distanca të caktuara përgjatë vijës së porteve të Danubit, nga të cilat edhe njëherë ishte zot. Ne kemi një shembull në jetën e Shën Ciril Fileotes, teksti i të cilit është botuar kohët e fundit.
Në faqen vijuese, në referencë me Lykostomion, ky kontroll bizantin shpjegohet në mënyrë specifike:
Ky port ishte një lloj posti paraprak për Vicinën në kanalin Kilia (Kilya) dhe për t'u identifikuar me Vilkovin e sotëm. Duhet të ketë zhvilluar dukshëm dhe në mënyrë progresive me bumin që gëzonte ky qytet, i cili do të luante një rol të madh në tregtinë detare të Detit të Zi në shekullin e trembëdhjetë. Pa dyshim, ai ndau të gjitha peripecitë që Vicina përjetoi në shekullin e ardhshëm - momentet e madhështisë dhe dekadencës - duke ndjekur njëri-tjetrin në përputhje me luhatjet e politikës së komplikuar të epokës: bizantinët të kapur midis bullgarëve dhe mongolëve, komplikimet që ishin shkaktuar nga gjenovezët, ndërhyrja e Dobroticës, etj. Sipas një liste të shekullit të katërmbëdhjetë, gjatë kohës kur Vicina ishte selia e një metropoliti, Lykostomion kishte peshkopin e vet i cili ishte subjekt i patriarkatit .
Bazuar në pikëpamjet e tij mbi burimet orientale, të cilat tregojnë për fushatën e Michael të VIII-të në vitin 1261, për të ripushtuar Konstantinopojën dhe dërgimin e nomadëve turq në Dobruxhë, Wittek theksoi për karakterin e këti rajoni të tërë 'të pa njeri':
Ky 'korridor', përmes të cilit Tatarët e Hordhisë së Artë përsëriten inkursionet në thellësi të Ballkanit, ishte fillimisht pjesë e Bullgarisë, por në realitet pak a shumë një tokë e "askujtë" e ndarë në mënyrë efektive. Përveç kësaj, Michael i VIII-të ishte në mardhënie të këqija me bullgarët dhe si "restaurues i perandorisë" nuk do të hezitonte të shkatërronte një territor ish-bizantin, ndonëse nuk ishte në zotrimin të tij. Menjëherë pas ripushtimit të Konstantinopojës ai kishte rivendosur kontrollin bizantin në Deljen e Danubit, ku Vicina ishte një posedim i largët, duke komunikuar me perandorinë vetëm nga deti. Për ta mbështetur këtë parakalim duke mbushur brendësinë e saj, Dobruxha me aleatë luftarakë dhe për të ngritur atje një pengesë kundër inkursioneve tatare ishte një politikë e shkëlqyer[24].
As pëshpërima më e vogël për cilësdo prej këtyre nuk është transmetuar në rrëfimin e Ibn Battutës gjatë udhëtimit në cilindo drejtim. Ne mund të supozojmë, pra, se pjesa e udhëtimit të tij me kalë dhe mushkë e çoj atë nëpër Bullgarinë moderne, diku në perëndim të rrugës që e ka shënuar Gibb në diskutim për hartën e tij. Unë mendoj se grupi i Ibn Battutës e kaloi Danubin në Isaccea [Saqjl (në rrëfimin arab)]. Nga Babadag ai shkoi në jug-perëndim drejtë Bullgarisë qendrore, duke vazhduar pastaj në Istafill drejtë Adrianopojës.
Një kuriozitet në këtë pjesë të "Rihlës" është përshkrimi i Ibn Battutës për një kështjellë, që thuhet se është ndërtuar ose mbrojtur nga Maslama b. Abd al-Malik, i cili ndodhej në lumin Istafill. Gibb i është referuar legjendave që u rritën rreth shfrytëzimit të Maslama-s, në afërsi të Konstantinopojës dhe shënon se "asnjë referencë tjetër nuk dihet për një fortesë të ndërtuar nga Maslama deri më tani në veri të qytetit"[25]. Në fakt, më shpesh në Kaukaz, sidomos Derbend (Bab al-Abwab) në Dagestan, që Maslama (i ngatrruar me Ebu Muslim) është i njohur për aktet heroike të tij dhe për gjurmët që ai la pas monumenteve lokale (interesante është se emri Derbend paraqiet një herë afër Jambol-it në Bullgari). Nëse do të dinim më shumë për marrëdhëniet midis arabëve dhe bullgarëve dhe sa shpesh udhëtarët muslimanë kaluan në këto anë, një sqarim i drejtpërdrejtë mund të ishte i mundur. Misteria do të mund të zgjidhej prej emrit Bullgar për Tstillfunus (Istafill) bizantin, që paraqitet në hartën e al-ldrlsl-it. Kjo është Sliven (siç është shkruar sot), turqit e quajn Islimija. Shkronjat rrënjësore slv / slb ndoshta iu nënshtruan ndryshimit të b në m, në mënyrë që të formohet fjala slm ose Sliman, që i sugjeron Maslama - Ibn Battutës. Nëse është kështu - dhe ky është një shpjegim i dyshuar - këtu kemi një koment personal ose një reagim të vetë autorit.
Epikat 'popullore' e përpjekjeve arabe për të reduktuar Konstantinopojën në vitet 716 - 717 mund ta kishte në mendje kur ky qytet shtrihej përpara tij. Ishte pak i shqetësuar edhe i mërzitur nga braktisja e praktikave të ritualeve të lutjes muslimane që kishin ndodhur midis anëtarëve të grupit së tij mbas hyrjes në territorin bizantin.
Një shpjegim më i mundshëm, megjithatë, është ngatrruar nermjet Maslama b. Abd al-Malikut dhe një heroi tjetër i madh arab i rrethimit të Konstantinopojës, Sejid Abdullah el-Batal GhazI al-Antakl. Ibn Sa'ld el-Maghribl në "Kitab al-Jugbrafiya", në pjesën mbi al-Bashglrd (kap.7, pjesa 3), i referohet qytetit Vllaç të Tërnovo (Tarnabu) në Bullgari[26]. Ai thotë se i ishte ekspozuar një sulmi tatar. Në të vërtetë u bë një protektorat tatar nën Georgi Teter i cili mund të ketë inkurajuar të gjitha llojët e Tatarëve (në mënyrë indirekte) edhe lidhjet muslimane.
Territori lindor ishte definuar si territor bizantin deri në bregdetin ku ishin vendosur "shtigjet bregdetare" [sahil el-durub]. E gjithë kjo ishte territor i krishterë. Pastaj Ibn Sa'ld i referohet Zaghanit / Zaghunit, pa dyshim Zaghun / Zaghurina [Stara Zagora ose Nova Zagora moderne), të cilën Ibn Sa'id e vendos pak tepër pranë Detit të Zi (Nitash). Ai gjithashtu shton se është në 'dalje të lumit të 'al-Batal', pranë fortesës bizantine në lumin Zaghan. Kjo është aq afër Slivenit sa duket sikur i përgjigjet Istafillt në shënimet e Ibn Battutës. Meqenëse el-Batal ishte shefi i rojes së Maslama's, disa lidhje këtu duket se janë të sigurta.
Përshkrimi i Ibn Battutës për udhëtimin e tij në Konstantinopojë është i vetmi raport arab që ne posedojmë, megjithëse i dyshuar dhe imagjinarë ndonjëherë, se çfarë ishte jeta e shoqërisë muslimane në rajonin e Detit të Zi të Ballkanit në messhekullin e XIV-të. Shoqëruesit e tij përfshinin turq, tatarë dhe grekë bizantinë, por akoma me mungesa informacioni rreth lokaliteteve (përveç vetë Konstantinopojës) është një kontrast i dukshëm me disa zona të tjera të botës përmes së cilave ai udhëtoi.
Sidoqoftë, ai na ka lënë referimin më të hershëm për Baba (Sari) Saltukun, më vonë një shenjtor i rëndësishëm i luftëtarëve Bektashi. Ai konfirmoj një prani myslimane të paktën deri në Danub. Shënon për ekzistencën e një vendi të panjohur që i atribuohet një komandanti arab të shekullit të VIII-të, në mbrendësinë e Bullgarisë së sotme. Në të vërtetë, vizita në Kështjellën e Maslamës ose të Batalës mund të ketë lidhje për faktin se mbretëria ballkanike e dinastisë Asen të Tirnovës ishte një nga rajonet e bashkangjitura feudale me Hordhinë e Artë, duke dëshmuar njëherit për lidhjet që bashkuan khanët e Hordhis së Artë me perandorin bizantin.
Është interesante të krahasosh raportin e tij me atë të shkruar në arabisht nga Patriarku Macarius i Antiokisë dhe i birit të tij Palit, Arqipeshkvit të Aleppos, i cili në vitin 1652 filluan udhëtimin e tyre në Rusi, nëpërmjet Dobruxhës dhe Bessarabisë. Ata zbritën në Konstancë (Qustanza) dhe arritën në Danub (el-Tana), i cili i shpuri ato përgjatë një rruge që Ibn Battutës, rrugë që e kishte ndjekur në udhëtimin e tij të kthimit nga Konstantinopoja. Por tani Dobruxha ishte truall osman.
Të gjithë banorët e tij janë tatarë muslimanë, pasi sulltani Muhammedi, pas pushtimit të këtij vendi, i dëboi të krishterët dhe e populloi atë me Tatarët, një popull që urren të krishterët. Shumica e tyre janë nga stepat e Krimesë (barr Qaraman), nga vendi ynë, dhe kjo është për të mbrojtur skajin lumit Danub kundër armiqve të tyre të krishterë, sepse është një vend i fushave ku kopetë janë dërguar në kullota që shtrihen në skajin e Rumelisë përballë Danubit, Moldavisë dhe Wallachisë[27].
Ndalesa e tyre e fundit në Danub ishte Machina (Majjlna), një qytet prej 420 shtëpish të zotëruara prej Bullgarëve të krishterë: "Është lokaliteti i fundit i sundimit musliman nën autoritetin e Pashës së Silistrës". Sa ishte e ndryshme kjo skenë politike. Stepat përtej lumit ishin tani pjesë e Moldavisë, stepat në afërsi të Dnieperit do të arrinin deri në Rusinë e Shenjtë, ndërsa në kohën e Ibn Battutës ata ishin ose territori tatar apo toka e askujt që ndau Bizantin, Bullgarinë dhe Wallachia nga Hordhia e Artë. Duhej të vinte një ditë kur të dyja anët e Danubit do të ishin pjesë e të ashtuquajturit krishterim dhe kur në të gjithë rajonin, tatarët e lashtë ose të vendosur do të bëheshin, siç janë sot në Rumani - një pakicë e vogël! Përshkrimi i Ibn Battutës është unik. Disa prej tyre mund të jenë imagjinare, por unë mendoj se ka fakte të mjaftueshme për të garantuar autenticitetin e përgjithshëm. Asnjë shkrimtar tjetër arab, madje as vetë Patriarku Macari nuk përcjellë hapësirën e rrafshinës lindore ose portretin e karvanit të qerreve në marshim me bashkëveprimin e Borodineasque të lindjes dhe perëndimit, të krishterimit ortodoks dhe musliman, në një kohë kur një respekt i ndërsjellë dhe një tolerancë u duk në Evropën juglindore, të cilat mjerisht tani janë ndarë, me sa duket përgjithmonë[28].
H. T. Norris, "Ibn Baṭṭūṭa's journey in the north-eastern Balkans",
në: Journal of Islamic Studies 5 (1994), 2: 209-220;
Përktheu dhe përshtati Hajrudin S. Muja.
[1] Ivan Hrbek: "The Chronology of Ibn Battuta's Travels" [Kronologjia e udhëtimeve të Ibn Battutës], Archiv Orientalni (1962), f.473
[2] [Abu Abdullah al-Lawati] Ibn Battuta (1304-1377) me prejardhje Marokene ishte gjeografi më i rëndësishëm i shekullit XIV, udhëtari më i famshëm i Andaluzisë, turisti më i madh i kohës së tij. U nis nga Spanja dhe përshkoi të gjitha vendet e sunduesve muslimanë të kohës, tokat e Afrikës së Veriut, Siri, Mekë, Medinë, Irak, Afganistan e Jemen. Lundroi pastaj nëpër Nil, në Detin e Kuq, Detin e Zi, kaloi në Azinë e Vogël, vizitoi Kostandinopojën, Krimenë, Indinë dhe Kinën, prej nga u kthye në Granadë dhe vdiq në moshën 73-vjeçare. [shënim i përkthyesit].
[3] Abu Hamid b. Abdul Rahim al-Andalusi al Gharnati, i lindur në Granada në 473/1081, vdiq në Damask në vitin 565 / 1169-70. "Tuhfat al-Albab" u redaktua gjerësisht nga G.Ferrand, në Journal Asiatique, 207 (1925).
[4] Lidhur me referencën e Al-Idrisit për Rumaninë dhe Bullgarinë (sidomos ajo e fundit), shih diskutimin e hollësishëm në Stojanka Kanderova dhe Bojan Beseliev: "La Peninsule Balkanique representee sur les cartes d'al-Idrisi", premiere partie, botuar nga "Cyril and Methodius Library", Sofia 1990
[5] Bulghar ishte shteti historik që ekzistoj prej shekullit të VII-të deri në shekullin XIII-të, për rreth rrjedhave të lumenjve Volga dhe Kama, në atë që sot mund të quhet Rusia Evropjane [shënim i përkthyesit].
[6] Kjo formë e transportit ("arabat") figuron si një prej modeleve në udhëtimet e Ibn Battutës. Shih H.A.R. Gibb: "The Travels of Ibn Battuta AD 1325-1354", vëll.11, Hakluyt Society, Seria e dytë, Nr.117 (Cambridge 1962) 472-3, 484-6, 491, 496
[7] Po aty, 499, n.308
[8] Koxha Ahmet Jesevi (1093-1166) ishte një poet sufi turk, një mistik i hershëm që kishte vendosur një influence të madhe në zhvillimin e rendit Sufi përgjatë botës turqishtfolëse. Ka një studim me interes Devin Deweese në "The Politics of Sacred Lineages in 19th-cntury Central Asia - Descent groups linked to Khwaja Ahmed Yasavi in Shrine documents and Genealogical Charters", në: "International Journal of Middle East Studies", vëll.31, (1999), f.507-530 [Shënim i përkthyesit]
[9] Kizilbash [Qizilbash] që ka kuptimin "kokë-kuq" e që nganjëherë na paraqitet edhe si Qazilbash (nga persishtja), ishte një gradë që u jepej njësive luftëtarake Shii-te, njësi që lulëzoj në Azarbejxhan, Anadoll e Kurdistan prej fundit të shekullit XV-të, disa prej të cilëve kontribuan në themelimin e Dinastisë Safavide të Iranit [Shënim i përkthyesit].
[10] Babadag është qytet në Tulcea Country - Romania që gjendet në një liqe të vogël që formohet nga lumi Taita, në rrafshnaltën e pyjëzuar të Dobruxhës. Njëri prej shumë "varrezave" të Sari Salltekut gjendet në këtë qytet [shënim i përkthyesit].
[11] Nëse ky nuk ishte emër i një njeriu të mëvonshëm, bëhet fjalë për princin Emevit al-Malik (685-738) dhe njërin prej gjeneralëve më të spikatur arab të dekadave të para të shekullit të VIII-të. Ndërmori disa fushata kundër Perandorisë Bizantine. Kjo është arsyeja që Norris e konsideron të ngatrruar, sidomos për shkak të kohës [Shënim i përkthyesit].
[12] Autori nuk hynë në detaje për shënimet që Ibn Battuta jep në lidhje me Khatun Bayalun. Siç vërehet nga burimet e tjera, Khatun quhej "gruaja" e Sulltanit, ndërsa Bayalun ishte emri i të tretës që kishte Sulltani Mohammed Öz Beg [Uzbeg (1282-1341)] [Shënim i pëkthyesit].
[13] "The Ottoman Empire - the classic age 1300-1600" [Perandoria Osmane - periudha klasike 1300-1600], London 1973
[14] "The Turks and the Tatars in Romania" [Turqit dhe Tatarët në Rumani], në "Turcica", Nr.18 (1981) f.167
[15] Besarabia (Budjak) është një zone historike në Evropën Lindore që kufizohet me lumin Dniester në lindje dhe lumin Prut në prendim, sot rreth 65% të territorit të sotëm të Moldovës me Budjakun e Ukrainës [shenim i perkthyesit].
[16] Khitab el-Jughrafiya, ed. nga Isma'il Al-Arabi, Bejrut 1970, f.208
[17] J.Kingsley Birge: "Some Bektashi Poets" [Disa Poet Bektashi], në "The Moslem World", Nr.22 (1932), 123. Ai e kalon duke iu referuar lëvizjes së Sari Saltukut dhe Ghazit në "The Bektashi Order of Dervishes" [Rendi Bektashi i Dervishëve], London 1937.
[18] J. Deny: "Sari Saltuq dhe le nom de ville de Babadaghi" [Sari Saltuq si qyteti i Babadaghit], në Melanges offerts a Emile Picot (Paris, 1913), 1-15; Bernard Lewis: 'Babadaghi' in the Encyclopedia of Islam ['Babadaghi' në Enciklopedinë e Islamit]; M. Kiel: "The Tiirbe of Sari Saltik at Babadag - Dobrudja, Brief Historical and Architectonical Notes", Guney-Dogu Arrupa (Arajtirmalari Dergisis 6-7, Istanbul, 1978), 205-20
[19] F. W. Hasluck: "Christianity and Islam under the Sultans" [Krishterimi dhe Islami nën sulltanët], Oxford, 1929, ii. 432-3; I. Hrbek: "The Chronology of Ibn Battuta's Travels" [Kronologjia e Udhëtimeve të Ibn Battutës], Archiv Orientalni, 30 (1962), 479
[20] P. Wittek: "Yazijioghlu - All on the Christian Turks of the Dobruja", BSOAS 14:3 (1952), 639-88
[21] Shih M. Kiel, op. cit. f. 215. Në marrëdhëniet midis khanëve të Hordhisë së Artë, stepës dhe tregtisë së Krimesë, shih A. P. Grigorev: "Grants of Privileges in the Edicts of Toqtamis and Timur-Qutlug", në Gyorgy Kara (ed.): "Between the Danube and the Caucasus" [Midis Danubit dhe Kaukazit], Budapest, 1987, f. 85-102
[22] "Illustrated History of the Romanian People" [Historia e ilustruar e popullit rumun], Bukuresht, 1981, f.109-18]
[23] Studia Balcanica, 1 (1970), f. 84
[24] P. Wittek, 'Yazijioghlu 'All on the Christian Turks of the Dobruja', BSOAS 14:3 (1952), f.648-658, në veçanti f.654. Për një pikëpamje të ndryshme të autoritetit Bizantin mbi Dobruxhën, shih V. Laurenti: "La Domination byzantine aux bouches du Danube-sous Michel VIII Paleologue", Revista Histoire Sud-Est Europeen, 22 (1945), f.184-198. Për marrëdhëniet midis turqve, tatarëve, bizantineve, gjenovezëve dhe valakëve në zonën e daljes së Danubit, shih M.Alexandrescu-Drsca: "L'Expredition d'Umar beg d'Aydin aux bouches du Danube (1337-1338)", në Studia et Acta Orientalia, 11 (1959), f.3-23
[25] Op.cit. 501, n.501
[26] Shiko Ibn Sa'ld al-Maghribl, op. cit. f.194, në lidhje me Tërnovën. Nomenklatura e tij gjeografike ilustron gjendjen konfuze të njohurive për Evropën juglindore në mesin e arabëve. Ai nuk bëri dallimin midis Bashqird-it, Hungarisë dhe Bullgarisë. Turqit thuhet se janë konvertuar nga një faqib turkoman në rajonin e Danubit. Nuk mund të përjashtohet që faqib në fjalë, i cili është i pa identifikuar, të rrjedh nga një raport i gabuar në lidhje me aktivitetet fetare të një babai turkoman. Datimet e përjashtojnë këtë si Sari Saltuq. Datat e pengojnë që të ishte ky Dates Sari Saltuku.
[27] Basile Radu: "Voyage du Patriarche Macaire d'Antioch", Vëll. 22, Paris 1933, Pjesa 1, Libri 11, f. 145.
[28] Për një diskutim më të plotë rreth udhëtimeve të Ibn Battutës në Evropën Lindore, shih letrën Z. Norris, e cila u prezantua dhe u diskutua në Tangier në Shkollën e Mbretit Fahd në Tetor 1993. Një studim më i plotë kronologjik i njohurive muslimane të gadishullit të Ballkanit në veprat gjeografike mund të lexohet në Cengiz Orhonlu: "Geographical Knowledge amongst Ottomans and the Balkans in the Eighteenth Century according to Bartinli Ibrahim Hamdi's Atlas", në "An Historical Geography of the Balkans" [Gjeografa Historike e Ballkanit], edituar nga Frank Carter, botuar në Londër më 1977, f.271-292.
