Influenca e Aristotelit dhe pasuesve të tij në filozofinë islame ishte veçanërisht e fuqishme gjatë periudhës prej shekujve nëntë dhe trembëdhjetë. Kjo periudhë ndikimi mendohet të ketë nisur me El-Kindiun dhe përfundoi, ose së paku nisi të bie, me Ibn Rushdin. Ndikimet aristoteliane janë veçanërisht të fuqishme në diskutimet e formës dhe materies, ndonëse elemente të filozofisë së tij politike përfshihen po ashtu. Komentuesit muslimanë ishin kritik ndaj Aristotelit, dhe kishin tendencën që të nxjerrin nga veprat e tij ide që të mbështesnin teoritë e tyre në vend që të pranonin idetë e tij në tërësi, por influenca e tij megjithatë ishte e thellë. I njohur në arabisht si Aristu, atij zakonisht i referohen si Mësuesi i Parë dhe njihet si një dijetar i urtë dhe mendimtar i thellë.
Përkthimi i së paku disa prej veprave të Aristotelit në arabisht ishin në dispozicion deri në shekullin e nëntë, dhe këto u përdorën nga El-Kindi. Vepra e tij Fi kemmijeti kutubi Aristutalis ve ma jahtaxhu ilejhi fi tahsil'il-felasifa (Sasia e librave të Aristotelit dhe çka kërkohet për përvetësimin e filozofisë) përmbledh një numër të veprave, duke i kushtuar rëndësi të veçantë Kategorive. El-Kindi qartazi ka një respekt të thellë për Aristotelin, dhe bëri shumë për të popullarizuar veprat e tij brenda mjedisit islamik. Përkundër kësaj, El-Kindi nuk mund të konsiderohet aristotelian. Gjersa ai ndjek Aristotelin në fusha si dija dhe forma, ai në mënyrë të prerë kundërshton kozmologjinë aristoteliane, duke preferuar më shumë teoritë ortodokse islame të krijimit dhe vullnetit. Disa vrojtues kanë komentuar që në veprat e El-Kindiut ka po aq Platon sa ka Aristotel; në shkrimet e tij rreth intelektit dhe shpirtit, El-Kindi provon një lloj fuzionimi të ideve platonike dhe aristoteliane. Për më tepër, një prej burimeve të tij më të rëndësishme, e quajtur Theologia Aristotelis, nuk është vepër aristoteliane fare, por vjen nga tradita neoplatonike, e bazuar në sasi të madhe tek Enneada e Plotinusit. El-Kindi ishte po ashtu familjar me autorë të tjerë neoplatonikë si Philoponusi. Zotësia e El-Kindiut për të huazuar nga të gjitha traditat greke siç i përshtatej nevojave të tij do të ndiqej nga dijetarët islamë të mëvonshëm.
Ky huazim është në veçanti i dukshëm në veprat e El-Farabiut, i cili zakonisht konsiderohet aristoteliani kryesor i periudhës, deri në pikën ku atij i referohen si Mësuesi i Dytë (i pari është vetë Aristoteli). Ai shkroi një numër komentimesh mbi Aristotelin, veçanërisht Kitab'ul-huruf (Libri i Shkronjave), një komentim mbi Metafiziken dhe Risala fi'l-Akl (Trajtesa mbi intelektin). Në këto, si dhe në disa prej veprave të tij më pak të njohura, El-Farabi është, në mos një ndjekës i nënshtruar i Aristotelit, atëherë së paku fuqishëm i ndikuar nga ai në konsiderimin e tij të shpirtit dhe intelektit, dhe po ashtu gjuhë dhe logjikë. El-Farabi po ashtu prodhoi një komentim të rëndësishëm mbi etikën e Aristotelit. Por influencat platonike janë të fuqishme po ashtu. Dhe në të famshëm e tij El-Medinet'ul-Fadile (Qyteti i Virtytshëm), ndonëse ka ndikime të dukshme nga Politika e Aristotelit, ndikimet dominuese janë platonike. Sikurse El-Kindi, El-Farabi synon të përdorë filozofët klasikë për të justifikuar qëndrimet që ai parashtron, në vend që të brengoset që t'i interpretojë ato saktësisht ose të zbulojë synimet e tyre origjinale. Kjo është edhe më e vërtetë për dijetarët e tjerë si Ibn Sinai, referencat e të cilit ndaj Aristotelit janë të rastësishme në rastin më të mirë. Disa prej pasazheve të cilave Ibn Sinai i referohet Aristotelit në fakt nuk gjenden në veprat e këtij të fundit.
Kjo është e rëndësishme për shkak të influencës që El-Farabi dhe Ibn Sinai kishin mbi gjeneratat pasuese të dijetarëve, jo vetëm në botën islame por po ashtu, nën emrat Alfarabius dhe Avicenna, në Evropën e krishterë. Por tradita aristoteliane që dijetarë të mëvonshëm do ta ndjekin - dhe që të tjerë si El-Gazali do ta kritikojnë - nuk janë idetë e vet Aristotelit, por idetë e interpretuesve të tij, në të cilat mendimi aristotelian në mënyrë të pandashme përzihet me platonizmin, neoplatonizmin, kelamin, dhe, në rastin e Ibn Sinait, koncepteve më të vjetra persiane e induse. Koha e El-Farabiut dhe Ibn Sinait ishte një kazan shkrirje e ideve, dhe filozofia greke ishte vetëm një nga disa përbërësit në atë kazan.
El-Gazaliu duket se e ka parë këtë. Në veprën e tij të famshme Tehafut'ul-felasife (Inkoherenca e filozofëve), që është një sulm ndaj sojit të Ibn Sinait, i cili mbante konceptet aristoteliane të intelektit, shpirtit dhe materies, ai nuk dënon vetë Aristotelin - apo Platonin, apo neoplatonistët - por përdorimet në të cilat është vënë filozofia e tyre. Kjo mund të ketë qenë një ndër forcat lëvizëse që e çoi Ibn Rushdin të ri-vizitoje veprat e Aristotelit, dhe të prodhojë një seri të komentimeve të detajuara mbi elementet e ndryshme të Organonit, në veçanti Mbi Qiejt (De Caelo), Metafizika dhe Mbi Shpirtin (De Anima). Ndonjëherë i quajtur Aristoteli i fundit në botën Islame, Ibn Rushdi mund të ketë qenë më i vërteti. Kur ai nis të kundërshtojë El-Gazaliun në Tehafut'ut-Tehafut (Inkoherenca e inkoherencës), ai përdor mjete aristoteliane për të ndërtuar argumentet e tij; por duke bërë këtë, ai po ashtu nganjëherë duhet të kundërshtojë Ibn Sinain. Dhe për shkak se vetë El-Gazali ishte familjar me konceptet aristoteliane, Ibn Rushdi e gjen veten e tij në pajtim me dijetarin që është nisur ta përgënjeshtrojë.
Nga kjo pikë e tutje studimi i Aristotelit shkoi në rënie, veprat dhe idetë e tij u ringjallën vetëm nga ata që dëshironin t'i sulmonin ato, sikurse Ibn Kammuna ose Es-Suhraverdi. Sidoqoftë, komentuesit islamikë mbi Arisototelin lanë një trashëgimi të qëndrueshme në ndikimin e tyre në Evropën e Krishterë, ku veprat e tyre u studiuan nga dijetarë si Albertus Magnus dhe Thomas Aquinas.
Përktheu:
Fatih Ibrahimi
Literatura:
Abed, S., Aristotelian Logic and the Arabic Language in Alfarabi, Albany: State University of New York Press, 1991.
Atyiyeh, G., Al-Kindi: the Philosopher of the Arabs, Karachi: al-Karimi, 1996.
Al-Farabi, Abu Nasr, Kitab al-Huruf (The Book of Letters), ed. M. Mahdi, Beirut: Dar al-Mashriq, 1969.
Gutas, D., Avicenna and the Aristotelian Tradition, Leiden: E.J. Brill, 1988.
Leaman, O., Averroes and His Philosophy, Oxford: Clarendon, 1988.
Peters, F., Aristoteles Arabus, Leiden: E.J. Brill, 1968.
