
Këto janë virtyte dhe mbesin edhe sot të tilla, pavarësisht se fqinjët tanë agresorë, për të cilët do të falsim më poshtë, jo rrallë kanë përfituar nga ky " naivitet" i yni. Dhe diçka të fundit mbi Levenderinë. Më së miri atë e shohim në vlerësimin e fqinjëve nga shqiptarët. P.sh. kur shqiptarët luftonin me Malin e Zi thuhej "dragoi po lufton me kuçedrën" që tregon se shqiptarët i kanë mbajtur (malazeztë në këtë rast) për trima. Pra, shqiptarët nuk kanë ditur të vlerësojnë vetëm veten por edhe kundërshtarin dhe kjo është një traditë dhe virtyt i trashëguar nga ilirët dhe historia mund të na sjellë mjaft shembuj. Shprehjen e mësipërme e përdor edhe Gjergj Fishta në "Lahuta e Malcisë'. Kurse fqinjët tanë agresorë (serbët, grekët, italianët, etj.) thonë fjalë të tilla si "mos u hiq si shqiptar" apo "Zoti nuk është shqiptar" etj. fakt ky që tregon se këta popuj nuk na kanë vlerësuar kurrë për atë çka realisht jemi.
3)"Gruaja është e paprekshme". Ky është një parim i lashtë i shqiptarëve dhe vazhdon edhe ditët e sotme, ndonëse jo si më parë. Në Shqipëri femra është respektuar. Këtë e dëshmojnë fakte si prania e mbretëreshës Teuta më fronin ilir apo dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili është cilësuar barbar, porse femrën e cilëson të paprekshme. Rolin e gruas në shoqërinë e mëhershme shqiptare e trajton më gjerë Edit Durhami në librin e saj "Brenga e Ballkanit" në kapitujt ku flet për doket martesore dhe vizitat e saj në shtëpitë e fiseve malësore në Shqipërinë e Veriut.
Mjaft interesant është citati i Xhorxh Finlej. Ai paraqet disa karakteristika të shqiptarëve, por interesante është prania e shqiptarëve në Hidra, një ishull ndër më të mëdhenjtë në Egje, i cili është cilësuar puro grek. Sigurisht ky është një fakt plotësues në tezat e pranisë së shqiptarëve në atë që sot quhet Greqi. Ndër citatet e tjera mjaft të rëndësishëm dhe realë janë ato që flasin për besnikërinë dhe dashurinë për të vërtetën. Më pak interesant më duket Eduard Piërz, sidomos kur flet për përzierje gjaku në trevat tona. Ky është një pohim që duhet një kompetencë e madhe për ta thënë, duke marrë parasysh këtu edhe lakminë serbe.
Mjaft të ndërlikuara janë marrëdhëniet e shqiptarëve me fqinjët e tyre. Me italianët kemi pasur kontakte në kohë të lashta (Perandoria Romake), prandaj sot ata janë më pak ndikues ndër fqinjët. Në plan të parë janë serbët e grekët. Me serbët kemi "gjaqe" që nga dyndjet e tyre në Ballkan në shek. VI-VII. Në njëfarë mënyre ata janë miq të paftuar, okupues të dhomave të shtëpisë sonë, pasi ato troje kanë qenë të banuara nga ilirët të cilët u masakruan dhe u zhdukën për të mos u shfaqur kurrë më në ato troje. Shekuj luftërash të egra vijuan dhe raca iliro-shqiptare u tkurr në këtë strehë të fundit të saj në të cilën mbahet fort. Dhe këta fqinjë gjithmonë janë kujdesur, që me veprimet e synimet e tyre të na e kujtojnë vazhdimisht të kaluarën e hidhur. Kujtimi i 1999 është ende i freskët pa marrë parasysh incidentet e ndodhura më pas. Luftërat e egra pasqyrohen më së miri
në Eposin e Kreshnikëve dhe legjendat e heronjtë mesjetarë si Gjegj Elez Alia, Muji dhe Halili,etj. Serbët, gjatë Mesjetës dhe ende sot, ashtu si grekët janë ortodoksë fanatikë. Ata nuk pranojnë si bashkatdhetarë vëllezërit e tyre të feve të tjera. Metodat çnjerëzore të trajtimit të këtyre grupeve kanë qenë dhe janë të pranishme edhe sot. Shembull për këtë kemi djegiet e xhamive gjatë luftës në Kosovë apo trajtimin mizor dhe çnjerëzor të shqiptarëve në Kosovë dhe kjo kishte një arsye të fortë, atë të dallimit fetar dhe jo kombëtar. E kush ka thënë se luftërat fetare kanë mbaruar! E njëjta gjë edhe në Greqi, me çamët muslimanë. Ndryshe nga serbët, me grekët kemi pasur marrëdhënie që në Antikitet. Kontributi i racës iliro-shqiptare në Greqinë e lashtë nuk është aspak i sqaruar. Por sot fqinjët tanë jugorë nuk nisen nga parimet athinjane të demokracisë, por nga dallimi fetar. Në mënyrë të ngjashme si serbët, ashtu dhe grekët kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë pretendime mbi tokat shqiptare që arrijnë deri aty sa nuk do të kishte Shqipëri.
Sot janë të njohura për ne Naçertanja dhe Megaliidea, Pashiqi dhe Venizellosi. Ndërsa marrëdhëniet shqiptare më turqit janë disi më të ndërlikuara. Fillimisht këto marrëdhënie ishin pushtues-i pushtuar. Në vitet e para të pushtimit osman vërehet një heshtje e gjallërisë në trevat shqiptare. Por shpejt shqiptarët u integruan në Perandorinë Osmane dhe u kthyen nga të pushtuar në drejtues të Perandorisë. Gjatë historisë së saj Perandoria Osmane pati dy kulme që nuk u arritën më kurrë. Mjafton ti hedhim një sy këtyre dy kulmeve që të krijojmë një ide të vogël të elementit shqiptar dhe ndikimit të tij në Perandori. Kulmi i parë është në kohën e veziratit të Ibrahim Pashës (1522-1536) gjatë sundimit të sulltan Sulejmanit të Madhërishëm (1520-1566). Ai ishte me origjinë nga Praga e Epirit. Në të vërtetë si kulm i Perandorisë cilësohet sundimi i Sulejmanit, por nga sundimi i tij, periudha më kulminante është ajo e veziratit të sipërpërmendur. Perandoria u zgjerua mjaft dhe ishte fuqia më e madhe politike, ekonomike e ushtarake e kohës. Shtetit Osman i paguante haraç Perandoria Ruse dhe ajo Austro-Hungareze, kurse Francën e kishte aleate. Një delegat polak i pat thënë Ibrahim Pashës " Ti i drejton supet e sulltanit". Kulmi i dytë është gjatë veziratit të Qyprylinjve (1656-1683), të cilët arritën me zotësinë e tyre të trashëgonin postin e Vezirit të Madh, pra të krijonin një dinasti në veziratin e madh, rast ky unik historinë e Perandorisë Osmane. Qyprylinjtë ishin familje me origjinë nga Rushniku i Beratit, që kanë emigruar në Turqi (qytetin e vogël Kopru, nga ku morën dhe emrin) në vitet 20' të shekullit XVII. Qyprylinjtë arritën të rikthejnë Perandorinë e Sulejmanit, pasi në periudhën afro 100 vjeçare që i ndan, ajo ishte tronditur nga trazirat e brendshme. Qyprylinjtë arritën madje edhe të fitonin territore të reja. Pasardhësit e tyre gjenden sot në Rushnik të Beratit, në vendin e tyre të origjinës, pasi kanë emigruar përsëri nga Turqia dhe sot mbajnë mbiemrin Beqiri. Qyprylinjtë i dhanë 5 vezirë të mëdhenj Perandorisë.
Shqipëria i dha Perandorisë Osmane jo vetëm vezirë të mëdhenj (më shumë se gjithë popujt tjerë), por mjaft nëpunës, vezirë, pashallarë, oborrtarë, administratorë, gjeneralë, etj. Këtë e thotë edhe Eqrem bej Vlora në "Kujtime"-t e tij : "...kudo ku shkoja shikoja shqiptarë të jepnin urdhra e të drejtonin...". Këtu bëhet fjalë për vitet 1902-1905 dhe Eqrem bej Vlora po kalonte nga Stambolli për në Medine si pjesë e delegacionit qeveritar. Pra, marrëdhëniet turq-shqiptarë ndryshuan nga pushtues- i pushtuar në bashkësundues. Këtë e konkretizon biseda e Eqrem bej Vlorës me Talat Pashën (në kohën pa u bërë ende ministër i xhonturqve) dhe kur bie biseda për pavarësinë e shqiptarëve, ndër të tjera Talat Pasha thotë:"Unë e di si qëndron puna e shqiptarëve. I njoh më mirë nga ç'kujton ti. Shqiptarët kanë përfituar nga Perandoria madje më shumë se turqit dhe janë mësuar të administrojnë në tokat tona të pamata dhe tani që anija po mbytet ata duan ta lëshojnë, në vend që të na japin një dorë në shpëtimin e saj...". Turqit i kanë parë shqiptarët në shumë role e sigurisht edhe në atë të kryengritësve. Kryengritjet qenë të shumta jo vetëm në tokat shqiptare, por ka pasur mjaft kryengritje të tjera, që kanë ndodhur në vetë Stambollin sulltanor, të udhëhequra nga shqiptarë. Mjafton të përmendim kryengritjet e shumta të jeniçerëve, të agallarëve, etj. Shpesh këto rebelime kanë kërcënuar edhe jetën e sulltanit e indirekt të Perandorisë, por ka pasur raste kur grupe të caktuara të udhëhequra nga shqiptarë kanë qenë mbështetja e vetme e sulltanit dhe ekzistencës se tij. Shpesh shqiptarët kanë ngritur krye kundër osmanëve dhe osmanët përgjigjeshin me ushtrinë e tyre të madhe e të pajisur mirë. Kur shqiptarëve u kërkohej të dorëzonin armët, këta të fundit iu përgjigjeshin me shprehje të tillë si "Hajdeni ti merrni' apo "Urdhëroni". Rasti flet vetë për një kryeneçësi stoike, për një damar , ndoshta të pashoq, që turqit e kujtojnë ende sot. Pra, nuk është për tu habitur prania e këtyre shprehjeve te turqit, përkundrazi ato janë mjaft reale edhe sot. E parë në rrafshin e mësipërm del se turqit i janë borxhli shqiptarëve për shkëlqimin, madhështinë dhe jetëgjatësinë e Perandorisë së tyre, por e parë nga një rrafsh tjetër shqiptarët i janë disa herë më shumë borxhli turqve. Pse? Pasi po të mos ishin fitoret e famshme osmane në Fushë-Kosovë, Varnë e më tej shqiptarët do të mbeteshin nën sundimin dhe aq më keq, nën ndikimin fetar të serbëve e grekëve, dhe sot me plot gojë mund të thuhet se nuk do të ekzistonte një komb shqiptar. Feja e re e pranuar nga shqiptarët u bë një tipar dallues që thelloi konfliktet racore e fetare me fqinjët tanë, por e ruajti më së miri identitetin tonë kombëtar.. Se si u shndërrua konflikti racor në konflikt fetar kemi rastin e djegies së xhamisë së vetme të mbetur në Beograd (monument kulture) si kundërpërgjigje e djegies së kishës në Kosovë. Shqiptarët kanë pasur dhe kanë diçka më shumë se fqinjët serbo-grekë: Ne na bashkon kombi dhe mbizotëron toleranca fetare, kurse fqinjët tanë nuk e njohin kombin përtej kufijve fetarë. Me turqit sot na karakterizojnë marrëdhënie të ngrohta e miqësore dhe sa për kuriozitet 7'000'000 shtetas turq janë me origjinë shqiptare, kurse me serbo-grekët jemi në një gjendje "lufte", e cila s'dihet se kur dhe si do të përfundojë.
Literatura:
1. "Çelësat për të kuptuar shqiptarët', pjesë e "Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore", Faik Konica
2. "Enigma", Robert d'Angely, Tiranë 1998, Botimet Toena
3. "Brenga e Ballkanit", Edith Durham, Tiranë 1990, "8 nëntori"
4. "Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve", Aristidh Kola, Tiranë 2002, " 55 "
5. "Kujtime", Eqrem bej Vlora, Tiranë 2001, Shtëpia e Librit dhe Komunikimit
6. "Historia e Perandorisë Osmane", grup pedagogësh historianë francezë të drejtuar nga Robert Mantran
7. "Historia Botërore dhe Qytetërimi 6", Karl Grimberg, Tiranë 2004, "Uegen"
8. "Lahuta e Malcisë", Gjergj Fishta, Tiranë 2003, "Uegen"
(ky material është përgatitur në bazë të aktivitetit "Ora e Faik Konicës", zhvilluar në Medresenë "Haxhi Sheh Shamia" nga prof. Xhahid Bushati dhe klasa XII)