Ebu Bekr Abdurrrahman ibn Kisan, i njohur si El-Esamm, i shurdhi, ishte një gjykatës i mirënjohur dhe teolog. Data e tij e lindjes është e panjohur por ai ndërroi jetë në vitin 200-201 h./816-817. Ndonëse ai zakonisht konsiderohet si mu'tezilit, biografët e kësaj shkolle thuajse fare nuk e përmendin atë dhe ai nuk gjendet në asnjë prej tabekat-eve të mutezilëve - leksikoneve të mendimtarëve. Duket se ata e konsideronin atë si të jashtëm mbase për shkak të shoqërimit të tij me grupin e Ibadijve, një sekt harixhit. Mirëpo, as Ibadijtë nuk e përmendin atë në mesin e teologëve të tyre. Van Ess (1991) ofron disa arsye të mundshme për këtë përjashtim nga mu'tezilët. Pak detaje janë në dispozicion nga jeta e tij. Me sa duket asnjë burim nuk ka shënuar ndonjë gjë për jetën e tij personale, përtej faktit që ka jetuar shumicën e jetës së tij në Basra. Disa burime përmendin udhëtimet e tij në Meda'in, Vasit, madje edhe në Indi.
Megjithatë, El-Esamm duket të ketë qenë një jurist dhe teolog i rëndësishëm në kohën e tij. Ibn'ul-Nedim përmend rreth njëzetegjashtë libra të cilat i ka shkruar, ndërsa të tjerë e konsiderojnë atë si teologu i parë në Basra, i cili ka shkruar gjerësisht. Fatkeqësisht, asnjë prej librave të tij nuk kanë mbijetuar, përveç fragmenteve të cilat janë gjetur në veprat tjera. Disa burime paraqesin një teori kozmologjike, e cila me gjasë i ka shkaktuar konflikt me mu'tezilet, të cilët besonin se origjina e çdo gjëje është e analizueshme përmes një teorie të atomeve dhe aksidencave; për dallim, ai besonte në natyrën e unifikuar të gjërave. Të gjitha gjërat materiale përbëhen prej trupave të ngurtë të cilat nuk i nënshtrohen ndryshimit ose lëvizjes nga aksidencat e jashtme që hyjnë në to dhe shkaktojnë që ato të jenë aktive. Në vend të kësaj ato përmbajnë brenda vetvetes ndryshimin dhe lëvizjen e tyre; asgjë nuk i ndikon ato prej së jashtmi. Ebu'l-Hudhejl kritikoi rreptësisht këtë teori dhe e konsideroi absurde, duke thënë që trupat qartazi ndikohen nga rrethanat përreth tyre: një trup ndjen më shume dhimbje kur merr 100 fshikullima kamxhiku se sa 80 dhe prandaj është i ndikuar nga ndryshimet e jashtme. Mirëpo, në lidhje me këtë pikë, El-Essam konsiderojnë që njerëzit posedojnë vullnet të lirë si pjesë e natyrës së tyre që kanë marrë prej Zotit para veprimit dhe jo si aksidencë. Për më tepër, El-Xhubba'i thotë për interpretimin e tij të Kur'anit që El-Essam do duhej ta kishte kufizuar vetëm në interpretime juristike dhe gjuhësore dhe të mos jepte analiza të gabuara teologjike.
Mirëpo, kontributi më i madh i El-Esammit duket të ketë qenë aplikimi i tij i konceptit të konsensusit në mendimin e tij politik dhe juristik. Konsensusi në kohën e El-Essamit nuk kishte ende domethënien juristike të ulemave apo dijetarëve; por, nënkuptonte konsensusin e komunitetit musliman. Në teorinë e tij të imamatit mendon halifi mund të jetë legjitim vetëm nëse zgjidhet nga komuniteti dhe komuniteti duhet ta zgjedh dikë që e ka të mundur dhe që dëshiron të përballet me përgjegjësinë që rrjedh nga kjo. Ai po ashtu refuzon konceptin e mbretërisë që dukej të ishte baza e dinastisë abaside dhe asaj paraardhëse. Më vonë ai e ndryshoi këtë teori duke vënë theksin në formën e qeverisjes në vend të koncentrimit e autoritetit në personin e halifit. Harunur Reshhidit u influencua nga kjo teori kur ndau perandorinë e tij ndërmjet djemve të tij. Sa për qëndrimin e tij në çështjen e halifit të parë, El-Essam konsideron që Aliu nuk kishte të drejtë të çonte komunitetin në luftë pa një konsensus. Ky qëndrim padyshim e bëri atë të padëshirueshëm në mesin e mu'tezilëve, të cilët priren të mbajnë qëndrimin shi'it në këtë çështje.
Si gjykatës, El-Essam kishte një qëndrim të dalluar; ai kishte një mbështetje të fortë për kijas (analogji) dhe duket të ketë bërë një kontribut të dukshëm ndaj këtij parimi. Mirëpo, qëndrimi i tij kryesor juristik, është vendosja e bazës së gjykimit në opinionin racional të gjykatësit. E vërteta, për të, ka dëshmitë e saj në vetvete dhe është e qartë ndaj çdokujt, në vend që të ketë nevojë për mbështetje të shkrimeve hyjnore. Një gjykatës i cili prezanton një gjykim të pavërtetë është ai i cili nuk është i aftë të perceptojë të vërtetën ose të mendojë i pavarur (të jetë muxhtehid), prandaj nuk duhet të ishte kualifikuar si gjykatës fare. Përveç racionalitetit të gjykatësit, El-Esamm e bën kusht që gjykimi i tij duhet të pranohet përmes konsensusit të personave të tjerë të kualifikuar.
Teoritë e El-Esamm duket që të gjitha janë të bazuara në teorinë e tij kozmologjike e cila pohon që ka një unitet në natyrën e gjërave. Kjo teori mbështet konceptin e tij juristik dhe politik të konsensusit i cili e konsideron të vërtetën të kuptueshme nga secili, pasi që nënkupton që shumica nuk do të pajtohen në një gjykim të gabuar pasi që natyra e tyre është racionale, me tiparin e vullnetit të lirë. Një qenie njerëzore e di përmes natyrës së tij çka është e mirë dhe çka është e ligë dhe komuniteti nuk do t'i jap konsensusin një gjykimi të ligë. Ndonëse shumë prej këtyre koncepteve janë afër racionalizmit mu'tezilit, El-Esamm duket që nuk brengoset për konceptet tjera mu'tezilite dhe përpiloi teoritë e tij sipas besimeve të tij. Si pasojë, kjo e solli atë jashtë shkollës mu'tezilite.
Përktheu:
Fatih Ibrahimi
Literatura
'Abd al-Jabbar, Fadl al-i'tizal wa tabaqat al-mu'tazila, Tunis: al-Dar al-tunisiyya li-nashr, 1974.
Van Ess, J., Theologie und Gesellschaft im 2. und 3. Jahrhundert Hidschra, Berlin and New York: Walter de Gruyter, 1991, vol. 2, pp. 398-422.
