Një kohë të gjatë nuk është ditur emri i vërtetë i Suziut. Vetëm në vitin 1930, pas një vizite hulumtuese të orientalistit Aleksej Olesnicki në Prizren, dhe pas zbulimit nga ana e tij të vakufnames së Suziut, u zbulua për herë të parë se ai quhej Muhammed. U vërtetua se kishte të drejtë Franc Babinger kur supozoi se emri Suzi është nofkë e jo emri i poetit, mendimtarit dhe bëmirësit të madh.
A. Olesnicki mendon se Suziu u lind rreth vitit 1455 dhe 1465 dhe vdiq më 931 h./ 1524 apo 1525.
Krahas datëlindjes jo fortë të sigurtë, te historianët problematike është edhe përkatësia kombëtare e tij. Edhe ata që pretendojnë se Suziu ka prejardhje sllave, edhe ata që pretendojnë se Suziu ka prejardhje turke janë tendenciozë dhe me motive politike. Suziu për veten nuk thotë se është turk, serb, sllav apo diçka tjetër por pohon se eshte prizrenas (zerrin). Studimet e shumta e sidomos të S. Pulahës dhe M. Tërnavës tregojnë se struktura e popullsisë së Prizrenit argumenton në dobi të tezës sonë se Suzi zerrini është prizrenas shqiptar dhe asgjë më shumë as më pak. Në fund të fundit, prejardhja etnike e tij nuk luan rol.
Nuk dihet gjë për shkollimin e tij, por mendohet se studimet i ka mbaruar në Stamboll. Qysh në moshë të re dallohet me aftësi të jashtëzakonshme. Ka zotëruar edhe arabishten, osmanishten dhe persishten, që vërehet edhe nga shkrimet e mbetura, të cilat ruhen në qendra botërore si Berlin, Zagreb, Ankara etj.
Suziu si imam, mësues, poet, bëmirës i shekullit XVI
Ndonëse shumë pjesë të jetës së Suziut janë të errëta, mund të thuhet se ishte nxënës/student i mirë. Sidomos dallohet në leximin e poetëve të njohur sufi dhe të teologëve të ehli sunetit. Këtë e dëshmon literatura e lënë pas në bibliotekën e tij. Një pjesë të jetës thuhet se ka punuar si kadi, pastaj ka punuar si imam, mualim dhe hatib i xhamisë.
Fakti se Sulltani i fali Suziut një të dhjetën e tatimit të tokës tregon se ai ka pasur merita të dalluara shoqërore.
Suziu gjatë viteve 1480-1490 ka punuar edhe si sekretar personal te akinxhiu i njohur i asaj kohe, Ali bej Mihaloglu, me ç’rast ka shkruar edhe një vepër të madhe me titull “Gazevat name-i Ali beg Mihaloglu” (Libri i pushtimeve të Ali bej Mihalogut). Kjo vepër, për shkak të vlerave historike, por edhe letrare e ka ngritur Suziun në rangun e letrarëve dhe historianëve më të njohur të kohës së tij. Këtë vlerë Suziut ia pranon shkenca botërore, por po e heshtë ajo shqiptare.
Kur jemi në këtë çështje, duhet përkujtuar se edhe historikisht edhe terminologjikisht është e gabuar nofka “çelebi” lidhur me Suziun. Pra, ai nuk quhet Suzi çelebiu.
Tahir efendiu në Menakibin e tij pohon se Suziu xhaminë e ndërtoi kah viti 900 h./1494. Ndoshta në këtë kohë ka filluar ndërtimi, por fakti se Suziu u kthye në Prizren pak para vitit 1510 dhe sigurisht në këtë kohë i përfundoi ndërtimet në xhami, bibliotekë, shkollë, por edhe urën dhe kronin e xhamisë, kanalin për ujitje të fushës prej disa kilometrash etj.
Suziu vakufnamen e tij e legalizoi në muajin Rebi’ul-ahir të vitit 919 hixhrij, respektivisht në qershor- korrik të vitit 1513 në Prizren.
Shkolla e parë dhe biblioteka e parë në Kosovë
Studimi i vakufnames së Suziut ofron të dhëna me rëndësi të dorës së parë. Aty lexojmë se Suziu ndërtoi mesxhidin (xhaminë) që është ndër të parat në Prizren.
Suziu ndërtoi edhe mualim-hanen (mësonjëtoren), që sipas N. Hafizit dhe të tjerëve paraqet shkollën e parë në Prizren e mbase edhe më gjerë. Pranë xhamisë së tij, Suziu ndërtoi edhe Kutub-hanen (bibliotekën) e cila, sipas H. Kaleshit dhe studiuesve të tjerë, është biblioteka e parë në Kosovë.
Kjo bibliotekë, me vepra në gjuhë arabe, persiane e osmane, nga komenti i Kur’anit, hadithit, sheriatit islam, sufizmit, letërsia, historia e tjera, dëshmon se ishte bibliotekë e rangut të lartë dhe mjaft e pasur.
Nga vakufanemja e tij lexojmë se Suziu pranë xhamisë ndërtoi edhe kronin dhe urën mbi Lumëbardh. Deri sa kroni sot nuk ekziston, ura (me apo pa shije) këtyre ditëve është rindërtuar dhe vazhdon misionin e Suzisë: t’ju ndihmojë njerëzve deri në ditën e amshimit.
Gjendja aktuale e këtyre objekteve është skandaloze
Në pamundësi që të zgjerohemi më tepër rreth kësaj teme, sepse natyra e gazetës është e tillë, mund të themi se gjendja e vakufeve të Suziut sot është e mjerueshme. Nga ky konstatim bën përjashtim vetëm xhamia, e cila, kohë pas kohe është rehabilituar nga Bashkësia Islame dhe besimtarët dhe nuk paraqet rrezik nga zhdukja.
Gjendja e pjesës tjetër të vakufeve të lëna nga Suziu është e mjerueshme: shumë tokë vakufi të lënë nga Suziu është nacionalizuar dhe nuk i shërben destinacionit. Madje, madje, është vështirë të identifikohet sot se çka është e Suziut e çka jo, për shkak se grabitja është bërë në shumë faza pas vitit 1912 e këndej. Shpresa e vetme është që qeveria e Turqisë të ndihmojë me të dhëna kadastrale dhe qeveria e Kosovës të shpreh dëshirë të ndihmojë në këtë rrëmujë.
Gjendja më e rëndë, dhe do ta quaja skandaloze, është se objektin e shkollës dhe bibliotekës së Suziut. Ky objekt sot gjendjet në anën e majtë të xhamisë. Aty para disa dekadave nga ana e shtetit është vendosur familja Pervançe. Kjo familje nga dita në ditë me këtë trashëgimi të rrallë, me atë që në Francë quhet Sorbonë, apo në Angli quhet Kembrixh apo në Egjipt quhen piramida, bën ndryshime, prishje, dhe gjithçka tjetër.
Bashkësia Islame me vite të tëra, para dhe pas lufte, angazhohet ta kthejë objektin në pronësi të plotë, por nuk ka pasur sukses. Gjykata, si më herët ashtu edhe tash, duke mos i gjykuar lëndët, është mbojtësi më i madh i uzurpuesve dhe i zhdukjes së vlerave kulturore. Në këtë urbicid nuk e kanë ngritur zërin as organet komunale, as Instituti për Mbrojtjen e Përmendoreve as askush tjetër. Bashkësia Islame dhe punëtorët e saj për shkak të kërkesave të tyre para organeve dhe institucioneve të shtetit shihen si elemente destruktive që ua prishin qetësinë pushtetmbajtësve dhe pushtetarëve.
Deri kur do të vazhdojë kjo gjendje nuk dihet, por një është e sigurtë: Kjo që po ndodh është diskriminim fetar, kulturor, historik …
Nëse deri dje, komuna, gjykata, enti, hoxha e qytetari janë arsyetuar me pafuqinë përballë dhunës serbe, sot më nuk i kemi ato. Nëse deri dje rruga para Suzisë është quajtur rruga e Leninit, sot askush nuk pengon që kjo rrugë të quhet rruga e Suzisë. Po ashtu, asnjë shkollë, asnjë bibliotekë, teatër apo klub kulturor nuk mbanë emrin e Suzisë, asnjë institucion nuk mbanë emrin e Suzisë. Vetë jemi ata që nuk e respektojmë vetveten. Vetë jemi shkatërrues të vetvetes. Vallë, vetëm se është hoxhë Suziu!