KOSOVA KA NEVOJË IMEDIATE TA DËGJOJË ZËRIN E POPULLIT, PRA ZËRIN E ZOTIT!

Se cilët janë ata faktorë politikë vendorë dhe ndërkombëtarë që kanë ndikuar në zgjatjen tetëvjeçare të "ëndrrës shqiptare" për pavarësinë e Kosovës, është vështirë të thuhen me emra, mbase të gjithë së bashku mbajnë nga një pjesë të madhe të fajit për këtë vonesë shekullore. Më së shumti, natyrisht, faji bie mbi faktorët ndërkombëtar, të cilët pranë ndihmave të mëdha materiale
dhe financiare që i kanë ofruar Kosovës, e dalë nga gërmadhat e luftës dyvjeçare, gjatë këtyre 8 viteve, megjithatë kur është fjala për ecurinë dhe zgjidhjen e statusit final të Kosovës, ata janë treguar hiç më pak se të pa përgatitur politikisht për shuarjen njëherë e përgjithmonë të njërës nga krizat më të mëdha politike në Ballkan, siç është rasti i Kosovës.
Pra, dështoi edhe viti i tetë me radhë që të jetë viti i shekullit për shqiptarët, gjegjësisht viti i madh i pavarësisë së Kosovës. Të gjithë besonim se pavarësia e Kosovës do të ndodhë para pushimeve verore, pra se procesi i pavarësisë së Kosovës do të përfundonte kah fundi i muajit qershor 2007, e që nuk doli ashtu mjerisht..!?
Bile, ne mërgimtarët i kishim bërë të gjitha përgatitjet për pjesëmarrje masive në festën e madhe të pavarësisë, por edhe këtë vit si viteve të kaluara u zhgënjyem rëndë. Ngase, siç po shihet më në fund u bë e qartë se çështja e statusit politik të Kosovës është shndërruar në "monedhë për kusuritje" midis disa vendeve perëndimore dhe Rusisë e cila duke qëndruar në anën e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës, dëshiron që edhe njëherë të rikthehet në skenën ndërkombëtare, siç ka vepruar edhe në të kaluarën, në dëm të interesave kombëtare të shqiptarëve. Me këtë ajo po rikonfirmon haptazi faktin se ende nuk ka hequr dorë nga politikat e hegjemonizmit sllavo-ortodoks ndaj Ballkanit, posaçërisht kur bëhet fjalë për shqiptarët si komb dhe popull në rritje të vazhdueshme, por edhe si faktor politiko-ekonomik që po ngrihet në pjesën e Evropës jugperëndimore.
Ndërsa, kur është fjala për faktorin politik shqiptar në Kosovë, ose siç po e quajnë Ekipi i Unitetit, para se t´i hidhet faji për dështim politik kur është në pyetje procesi i pavarësisë së Kosovës, këtë ekip duhet gjykuar gjithësesi për veprime tjera të paligjshme, të cilat e kanë dëmtuar rëndë procesin e pavarësisë, siç është korrupsioni dhe heshtja ndaj veprimeve
antikushtetuese brenda vetë kupolës shtetërore, që në fakt e kanë vënë në pikëpyetje funksionimin ligjor dhe juridik të shtetit në formim të Kosovës para faktorëve ndërkombëtar. Këtë e themi për faktin, ngase ata të cilët me logjikën e grabitjes së parave të buxhetit shtetëror si dhe me sjelljet e pa përgjegjshme individuale dhe grupore, në veçanti kur bëhet fjalë për respektimin e ligjeve në fuqi dhe krijimin e rendit demokratik në një shoqëri bashkëkohore, të njëjtit nuk mund të jenë kurrë garantë për funksionimin e mirëfilltë të shtetit të nesërm demokratik të Kosovës. Pra, ata të cilit që në zanafillë ia gërryejnë themelet nga brenda shtetit të vetë ende të pa konstituuar dhe të pa njohur ndërkombëtarisht, nuk mund të jenë të përshtatshëm politikisht dhe as moralisht që nesër të jenë udhëheqës të popullit. Edhe funksionarë të pasuruar jo ligjërisht dhe marrëzisht në dëm të popullit të vetë, e edhe të thirrën në formimin e shtetit ligjor njëkohësisht, një "formulë" e këtillë magjepse nuk ka shans të kalojë. Prandaj, shtyrjen e zgjidhjes së statusit final të Kosovës edhe për 120 ditë nga ana e faktorëve vendimmarrës ndërkombëtar, ndoshta edhe për më shumë kohë, njëherë duhet kërkuar edhe në sjelljet jo serioze të faktorit politik vendor (EU), i cili që kur e ka marrë "pushtetin" në dorë të vet,
në realitet ka folur shumë, por ka punuar pak në mënyrë që duke i plotësuar standardet evropiane të ndërtimit të shtetit dhe respektimit të ligjit, ta bindin botën se shqiptarët e meritojnë pavarësinë e pa mbikëqyrur. Dhe ky standard universal për krijimin e shtetit ligjor dhe funksional sipas kritereve të demokracive të mirëfillta evropiane, sipas të gjitha gjasave nuk mund të
plotësohet kurrë nga ana e këtij ekipi, prandaj si zgjidhje e vetme dhe e mundshme që shqiptarët dhe Kosova të dalin nga kurthi i negociata(orë ve)ve të pa fund, është padyshim mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë, dhe atë sa më parë që është e mundur.
Sepse Kosova ka nevojë imediate ta dëgjojë zërin e popullit, pra zërin e Zotit..!

2007-08-12

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme