Turqia, drejt musliman–demokracisë europiane!

Jo rrallë, mediat kanë abuzuar me termin “islamik” aq më tepër kur parti me statut të qartë, me vija politike të përcaktuara dhe me liderë të konfirmuar (Erdogan ndryshoi tërësisht Stambollin 12 milionësh kur ishte kryetar bashkie), kanë marrë pushtetin në hapsirën e vendeve muslimane. Megjithatë, qeverisja 5 vjeçare e AK Parti, në Turqi tregoi se “islamistët” Erdogan, Gyl e Arinç ishin shumë herë më tepër europianë sesa Ecevit, Yilmaz apo Baykal. Ata çuditën Bashkimin Europian me vendosmërinë e tyre që mund tu kushtonte politikisht në vend dhe i dhanë Turqisë një rrugë të re, e futën në qendër të vëmendjes së europianëve. Ata nuk e varën terroristin kurd Abdullah Ocallan, lëvizja e të cilit ka shkaktuar mëse 30 mijë viktima në Turqi që nga viti 1984.
Pikërisht ai që po ikën nga kolltuku i ministrit të punëve të jashtme, ishte strategjisti i Turqisë përballë kancelarive europiane, duke treguar vendosmëri, qartësi politike dhe maturi diplomatike.
Abdullah Gyl, që thuajse në çdo lajm të agjencive ndërkombëtare citohet si “ish islamist”, ishte për 5 vjet fillimisht kryeministri dhe më pas i dyti në qeveri pas Erdoganit dhe një ndër ideatorët e ndryshimit të një vendi të madh që aspiron Europën. Ai mbetet një ndër politikanët turq, që thonë se Islami mund dhe duhet të jetojë në krah të Krishtërimit dhe njerëzimi do përfitojë nga vlerat e mira të të dyjave.
Megjithatë ajo që ndodhi në Ankara pasditen e të mërkurës, nuk ishte tjetër veçse një përmbushje e vullnetit të shumicës politike por mbi të gjitha shumicës së gjithë popullit turk. Pra ishte pak a shumë e ngjashme me zgjedhjen e presidentit Topi në Tiranë, që rezultonte politikani më i pëlqyer në vend. Abdullah Gyl ishte i mbështetur nga partia e tij dhe po ashtu populli, po nga Ushtria?
Ndoshta në Shqipëri nuk konceptohet më (të paktën që nga 1991 e këndej) por në Turqi, shumë gjëra janë të lidhura me ushtrinë. Qemalizmi, i analizuar edhe nga Huntington apo orientalisti Bernard Leëis u mbështet tërësisht mbi këtë sistem, qoftë edhe për faktin se Mustafa Qemali ishte gjeneral. Dhe gjatë historisë mëse 80 vjeçare të republikës turke, ushtria ka dalë udhëve me kohë e pa kohë, të paktën një herë në 10 vite, ka rrëzuar qeveri, ka internuar liderë në ishujt turq, ka burgosur aktivistë e ka varur kryeministra (Adnan Menderes, 1961)! Pra ka përligjur punën e saj në mbrojtje të shtetit e të sistemit, porse duket qartë nga historia që ka bërë edhe gabime të mëdha. Analistët turq e kanë thënë paksa edhe me ironi se dikur grushtet e shtetit bëheshin me tanke, tashmë bëhen edhe nga faqe interneti.
Por në vitin 2007, një vend tashmë i zhvilluar si Turqia, nuk mund të varet më nga arsyeja e ftohtë ushtarake. Qemalizmi përveçse lirinë laike të shtetit, garanton edhe lirinë fetare të individit. Dhe çdokush në thelb mund t`i përkasë një besimi, ta ushtrojë madje të mbajë edhe simbole të asaj feje (siç mund të jetë shamia e bashkëshortes së zotit Gyl). Turqia e ka arritur prej kohësh shkallën e emancipimit, kujtoni kryeministren Tansu Çiller në vitet 1990. Nga ana tjetër ushtria është mbrojtëse e individit dhe shoqërisë sepse buron prej saj, e jo vendosëse lidhur me drejtimin e vendit dhe kështu duhet të jetë. BE e ka qartësuar qëndrimin e saj në këtë pikë. E fituar është politika, e humbur është ushtria.
Sidoqoftë, Abdullah Gyl, do të jetë për katër vite në krye të republikës turke. Ai synon ta mbartë vendin e tij në gjirin e BE-së. Koha do të tregojë sa sukses do ketë, megjithatë është e sigurtë se Turqia ka bërë edhe një hap europian përpara.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme