A nuk kuptojnë SHBA, se pas vizitës së Putinit në Malin Athos me Janullatosin, Kisha Ortodokse është pjesë e boshtit ruso-greko-serb?

Nga këto rreshta duket sikur qeveria shqiptare ftohet që ta pranojë kërkesën e grekut Janullatos dhe t’i japë atij shtetësinë shqiptare. Kjo kuptohet dhe nga fakti që reporterët e Departamentit të Shtetit janë treguar të njëanshëm, duke paraqitur vetëm problemin e Janullatosit me kërkesën që ka bërë për shtetësinë dhe jo protestat kundër pranisë së Janullatosit në Shqipëri, deri edhe nga një shoqatë për mbrojtjen e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, e cila është e drejtuar nga një qytetar shqiptar i fesë ortodokse. E pra, prania e grekut Janullatos në krye të Kishës Autoqefale (të pavarur) Ortodokse Shqiptare, dhunon pavarësinë e kësaj kishe dhe është një rast pa precedent në botë. Duke konsideruar parimin mbi të cilat janë ngritur kishat ortodokse, mund të thuhet se prania e Janullatosit dhunon të drejtat e besimtarëve ortodoksë shqiptarë. Merret vesh, raporti është i njëanshëm. Edhe më parë grekët kanë gjetur mbështetje për Janullatos në Uashington, me anë të lobit greko-amerikan, kur qeveria shqiptare ka vepruar kundër tij, siç ndodhi në vitin 1994. Por atëherë gjërat kanë qenë ndryshe. Në SHBA duket se nuk shikonin që të vinte një rrezik gjeopolitik nga qenia e Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pas pas Janullatosit shikonin vetëm Kishën Ortodokse Greke dhe Greqinë, për të cilën duket se mendonin se në një situatë tjetër do t’ia dilnin t’ua eliminonin këto koncesione religjioze në Shqipëri dhe pasojat që kishin sjellë ato, edhe në rrafsh politik. Por tashmë, me rifuqizimin e Rusisë gjërat kanë ndryshuar. Rusia, tashmë përsëri në ekspansion, e shikon fenë ortodokse si një ekspedient gjeopolitik në rrafsh ndërkombëtar. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës që bëri në Greqi, në 9 shtator 2005 vizitoi dhe Malin Athos, kompleksin e manastireve ortodokse, ku është dhe një manastir rus. Duke folur pas një seance lutjesh, Presidenti Putin e përcaktoi fenë ortodokse si një lidhje shpirtërore speciale mes Rusisë dhe Greqisë. Derisa Rusia është vendi më i madh ortodoks, Greqia dhe Athosi janë burimet e Ortodoksisë, u shpreh Putin. Gjatë vizitës në një nga manastiret, Arkimandriti Vasilieos (Gondikakis) i përmendi Presidentit Putin shkrimtarin panortodoks Fjodor Dostojevski, duke e quajtur si shembull elokuent të fuqisë shpirtërore që i jep feja ortodokse popullit rus dhe Presidenti Putin u shpreh dakord. Ndërsa kryeministri grek, Karamanlis, që e shoqëronte, e quajti Malin Athos një lidhje midis dy vendeve. Kuptohet se ç’lidhje është ajo nën shenjën e ideve të Dostojevskit që profetizonte se Rusia në krye të popujve ortodoksë do të shpëtojë botën, pra do ta sundojë atë. Kjo ishte dhe ideja e të ashtuquajturit Shën Kozmai, që një shekull para Dostojevskit predikonte ndër ortodoksët e Shqipërisë se shpëtimi i tyre do të vinte nga populli flokëverdhë dhe ortodoks i veriut (rusët), të cilët do të zbrisnin në Ballkan dhe do të rikrijonin perandorinë bizantine, nën sundimin e grekëve. Presidenti rus Putin ishte i pari kryetar shteti në historinë e Rusisë, që vizitoi Malin Athos, që është në bregdetin e Egjeut. Kështu Presidenti rus ndoqi ëndrrën e carëve për të dalë në Mesdhe si mbrojtës të fesë ortodokse. Presidenti rus Putin doli në Mesdhe me kryqin ortodoks në njërën dorë dhe me rubinetin e naftës dhe gazit në dorën tjetër, kur nënshkroi në Athinë, një vit pas vizitës në Malin Athos marrëveshjen për ndërtimin e naftësjellësit Burgas-Alexandroupullos, që do të sjellë naftën ruse në Mesdhe dhe për të cilin Presidenti grek Papulias është shprehur se është në radhë të parë një lidhje gjeopolitike mes dy vendeve, Rusisë dhe Greqisë. Shkurt, heleno-ortodoksia dhe sllavo-ortodoksia ruse kanë ripërtërirë aleancën historike, që tashmë është zyrtarizuar dhe nga shtetarët më të lartë të dy vendeve, si themeli i lidhjes së dy vendeve, sipas një skeme politiko-fetare. Në këtë kontekst, qenia e grekut Janullatos në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare është bërë tashmë më e rrezikshme se kurrë, pasi me Janullatosin Kisha e helenizuar Órtodokse Shqiptare, është pjesë e skemës politiko-fetare greko-ruse. Duke konsideruar ato që po bën Rusia kundër kombit shqiptar, duke vënë “vija të kuqe” gjeopolitike në Kosovë, tashmë prania e Janullatosit në Shqipëri është më tepër se kurrherë e papranueshme. Janullatos erdhi në Shqipëri në 1991, si një eksark (drejtues i përkohshëm) i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe në 1998, kur u krijua sinodi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Janullatos në mënyrë antikanonike u bë kryepeshkop i kësaj kishe. Nëse deri në vitin 1998 prania e Janullatos ishte e diskutueshme, pas vitit 1998 është e kundraligjshme, sipas ligjeve të kishës dhe të shtetit shqiptar. Kjo edhe për faktin se Janullatos është shtetas i një shteti si Greqia ku feja ortodokse ka praktikisht atributet e fesë zyrtare. Kështu, prania e Janullatos në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhunon parimin kushtetues shqiptar të ndarjes së fesë nga shteti, ç’është më e keqja, në dobi të një shteti tjetër. Se Janullatos, edhe sikur të marrë shtetësinë shqiptare, ai përsëri do ta ruajë shtetësinë greke. Kombinimi i shtetësisë greke të Janullatos, me qenien e tij në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare ka çuar në konsumimin e një vepre penale nga Janullatos, të parashikuar shprehimisht nga Kodo Penal Shqiptar, të shkeljes së parimeve bazike kushtetuese të Shqipërisë. Për këtë arsye ai duhet shpallur së paku person non grata. Largimi i Janullatosit nga drejtimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, nuk shkel asnjë të drejtë të ortodoksëve shqiptarë, pasi në librat e shenjtë nuk thuhet se drejtuesit e kishës duhet të jenë grekë që Zoti të dëgjojë më mirë zërin e besimtarëve të tij të krishterë. Largimi i Janullatosit nga Shqipëria shkel vetëm “të drejtat” e atyre që kërkojnë ta helenizojnë Kishën Ortodokse Autoqefale dhe ta përdorin atë si një instrument të Helenizmit. Në Departamentin e Shtetit duhet ta kenë të qartë se grekët e duan Janullatosin në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare se me këtë duan të tregojnë simbolikisht se ortodoksët e Shqipërisë janë grekë, dhe këtë duan ta përdorin si argument për të mbështetur aspiratën greke për ta marrë atë që grekët e quajnë Vorio-Epir (Shqipërinë e Jugut minimalisht), në kuadrin e ndryshimit të pritshëm të kufijve në Ballkan. Në raportin e Departamentit të Shtetit thuhet: “Kisha Ortodokse vazhdon ndërtimin e një katedraleje të re në Tiranë në një parcelë toke që ajo mori si kompensim për tokat e kondfiskuara nga qeveria komuniste, por ajo pretendon një mungesë veprimi për pretendimet e tjera pronësore në vend, si dhe vështirësi në rimarrjen e ikonave dhe dorëshkrimeve të çmuara”. Departamenti i Shtetit do të bënte mirë të paraqiste në raport dhe kritikat sipas të cilave Janullatos po e mbush Shqipërinë me kisha ortodokse (edhe atje ku ka fare pak besimtarë ortodoksë), dhe se këto kisha ndërtohen sipas arkitekturës greke dhe jo sipas traditës shqiptare, çka tekefundit dhunon autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare. Ky raport i Departamentit të Shtetit, sa i përket Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, fare mirë mund të qe shkruar edhe nga homologia e Departamentit të Shtetit, Ministria e Jashtme e Rusisë. Ky qëndrim koherent i qeverisë amerikane, gjatë këtyre 16 viteve, ka shkurajuar ortodoksët shqiptarë për të reaguar kundër Janullatos dhe u ka dhënë zemër mbështetësve të Janullatos.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme