
Branko Cervenkovski vlerësoi se “Ndarja e Kosovës” është një nga zgjidhjet më të këqija si për territorin e Kosovës ashtu edhe për rajonin në përgjithësi. Kjo nënkupton krijimin e kufijve në bazë të parimeve etnike, gjë shumë e rrezikshme edhe për vetë Maqedoninë.
Këtë e kundërshtuan të gjitha institucionet e Kosovës dhe të gjitha shoqatet e dala nga lufta. Një gjë të tillë e kanë të qartë edhe vetë zyrat ndërkombëtare se ndarjet në të kaluarën jo që nuk sollën zgjidhje, por edhe më tepër i thelluan konfliktet dhe ua zgjatën jetën atyre. Ndarja e Palestinës, Gjermanisë dhe ndarja e vetë Ballkanit në pikëpamje ideologjike solli deri te luftërat e dekadave të fundit. Por, nëse do të përqafohet versioni i ndarjes se Kosovës, ky version do të mund të realizohej vetëm në një kontest më të gjërë lëvizjesh kufijsh, në një bashkim të tyre në një shtet kombëtar.
Pas të gjitha këtyre përfaqësuesi i Federatës Ruse Aleksandër Harçenko deklaron se “asgjë nuk është e pamundur”, nuk nisem nga pikëpamja fataliste, unë jam optimist përndryshe biesedimet nuk do të kishin efekt. Kurse Aleksandër Simiq, këshilltar i kryeministrit serb ka vlerësuar se ka ardhur koha që në bazë të rezolutës 1244 të kthehen në Kosovë rreth 1000 trupa policore dhe ushtarake në kufinjtë e Kosovës për t`i mbrojtur kishat dhe manastiret serbe.
Derisa diskutohet për bisedimet e 30 gushtit, diplomati amerikan Wisner për agjencinë austriake APA deklaron: “Nëse bisedimet nuk sjellin ndonjë rezultat deri më 10 dhjetor, SHBA është e gatshme ta njohë pavarësinë e Kosovës”, por se si do të ndodhë kjo mbetet të shihet. Ndërsa ambasadori amerikan në OKB Zalmaj Khalilzad thotë se zgjidhjen për statusin e ardhshëm të Kosovës duhet gjetur edhe pa Rusinë, nëse ajo nuk e pranon në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashakuara. Diplomati amerikan në të përditshmen vjeneze "Prese" ka theksuar se statusi i Kosovës duhet patjetër të zgjidhet në "këtë apo në atë mënyrë". Ndërsa ministrja e punëve të jashtme të Austrisë Ursula Plasnik vlerëson se zgjidhja e çështjes së Kosovës do të jetë test i pjekurisë së përbashkët për BE -në dhe politikën e saj të jashtme.
Nuk është për t`u hudhur deklarata e ambasadorit Ischinger në lidhje me deklaratën e tij për kreativitet, ajo le të shërbejë pozitivisht. Lëvizja “Vetëvendosja” ngjalli një vetëbesim dhe kreativitet në popull dhe seriozitet para botës. Por, kreativitet më të madh do të sillte lirimi i Albin Kurtit dhe shprehja e gjithë asaj që e ka ngulfatur popullin. Kjo sigurisht do t`i interesonte edhe treshes ndërkombëtare. Prandaj, kreativiteti në këtë drejtim do të ishte i një rëndësie parësore. Jo, në dëm të pavarësisë së Kosovës, por kreativitet në lëvizjet politiko-diplomatike.
Prandaj, duke e parë se Rusia po i imponohet brutalisht botës me resurset natyrore, naftën dhe gazin, duke e avancuar vetveten si faktor strategjik në Ballkan dhe duke i penguar të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për shuarjen e vatrës së fundit në Ballkan, SHBA, Anglia dhe BE që ishin edhe aleatët kryesorë të ndaljes së masakrave në Kosovë, duhet edhe përfundimisht të vendosin për finalizimin e kësaj çështje, Pavarësinë e Kosovës.
Shkruan: Naxhi Ibrahimi
Zvicër