
Në një shoqëri demokratike, që mëton të jetë edhe shoqëria jonë kosovare, nuk ka asgjë të keqe që të ketë mendime të ndryshme rreth shumë çështjeve më të cilat ballafaqohet shoqëria e jonë. Por, janë të pavend dhe jo bindëse konstatimet, se "kjo (lexo shamia) e dëmton kërkesën tonë për pavarësi, dëmton tërë konceptin tonë", qoftë ai edhe kryetari i Akademisë së Shkencave edhe Arteve të Kosovës, Rexhep Ismaili.
Për një qytezë të vogël dhe të pazhvilluar siç është Skenderaj, preokupim i përgjegjësve të arsimit atje duhet të jenë problemet esenciale të arsimit, siç është infrastruktura shkollore e jo shamitë e tri nxënësve. Ajo që dëmton çështjen e Kosovës në sy të ndërkombëtarëve, por edhe të vendorëve, nuk janë shamitë mbi kokat e tri vajzave në Skenderaj, por është mos zbatimi i ligjit, dhe padrejtësia që po u bëhet atyre nxënëseve, duke i suspenduar nga shkolla. Këtë më së miri e vërteton shkresa që ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit i ka dërguar kryeministrit të Kosovë s dhe Ministrit të Arsimit, për kthimin e tri nxënëseve në procesin arsimor, duke gjykuar veprimin e instancave arsimore të Skenderajt si të paligjshëm.
Ajo që të habit edhe më tepër është se në momentin kur strukturat politike më të larta të Kosovës, në vend se ato ta ngrinin zërin kundër këtyre padrejtësive, të cilat në kontuinutet po u bëhen vajzave tona, atu shohim se z. Ylber Hysa, historian dhe politikan kosovar, e ne do të shtonim edhe kandidat e ORA-së për kryetar të Prishtinës, " i ka duartrokitur vendimit të bordit shkollor, duke thënë që edukimi jofetar është themeluar fuqishëm në Kosovë". Për të shtuar se "heqja e ferexheve, para një shekulli e gjysmë ishte mundim emancipues për shqiptarët. Ndërsa (heqja e ferexheve) sot ka fituar karakter social dhe kulturor".
Nëse z. Hysa, si historian është cituar saktë nga autori i shkrimit, nuk ma merre mendja se kjo ka ndodhur para një shekulli e gjysmë, por nëse ai e ka fjalën për aksionin kundër shamive të grave myslimane të regjimit sllavokomunist pas Luftës së Dytë Botërore gjatë okupimit jugosllav të Kosovës, e ai ka nostalgji për atë regjim kjo është çështje private dhe le të mbetet në ndërgjegjen e tij. Ajo çka më intereson mua si qytetar i thjeshtë është se derisa na kemi politikan dhe deputet të tillë, të cilët nuk çajnë kokën për interesin e popullit të tyre dhe zbatimin e ligjit, nuk ka shpresë që ne të dalim nga kjo gjendje në të cilën gjendemi sot. Këtë më së miri e ilustron Kur'ani, libri i shenjtë i myslimanëve , i cili thotë; "Zoti nuk do ta ndryshojë gjendjen e një populli derisa ai të mos e ndryshoj vetveten".
Andaj leksioni që do të mësojnë ndërkombëtarët nga rasti i tri nxënëseve të Skenderajt është se ku përfaqësuesit e këtij populli janë në gjendje të shkelin të drejtat e popullit të vet, në prezencën tonë në Kosovë, si do të sillen ata me pakicat tjera pas pavarësimit të Kosovës?!
Gazeta Express, fq. 5, e premte, 28 shtator, 2007