
Për pozitën e femrës në Islam është shkruar, folur e përfolur mjaft. Pa marrë parasysh çka është folur deri tash, sërish duhet të flitet për rolin dhe rëndësinë e saj në shoqëri dhe familje në kohën e ngatërrimit të vlerave dhe pavlerave. Mendimet tendencioze dhe abuzive për pozitën e femrës në Islam shpesh herë gjejnë hapësirë si në botë ashtu edhe te ne. Jemi dëshmitarë të abuzimeve ndaj femrës muslimane në shumë vende të botës, por edhe në Shqipëri, Kosovë e vende të tjera. Fanatikë shekullaristë, antimuslimanë, në vazhdimësi provokojnë ndjenjat muslimane, duke atakuar vlerën më të madhe, femrën, e cila me veshjen e saj ngjason në perlën e cila strehohet në guacën e saj.
Intelektuali i njohur musliman, Zijauddin Serdari, duke e komentuar aferën e shamisë në Francë, me gjysmë ironi thotë: Thus, a French woman with a scarf is chic, but a Muslim woman with a scarf is a threat to civilization! “Ndaj, francezja me shami është shik (simpatike), kurse femra muslimane me shami është kërcënim për qytetërimin.”
Pse ky panik?, pse ky alarm?, për shkak të femrës muslimane me shami në kokë? Përse gjithë kjo rrëmujë për femrën muslimane me shami?
Ata thonë: Dëshirojnë që femrën muslimane ta çlirojnë nga mesjeta? Por, përse, nga kush në mesjetë? Ata thonë: Ta çlirojnë nga feja dhe nga bindja ndaj Zotit!
Mirë, ta çlirojmë nga feja dhe nga bindja fesë islame, por çka ofroni si zëvendësim në vend të fesë islame dhe të shamisë?
Ata thonë: Lumturinë!
Ohoho! Ç’është lumturia?, kujt i thoni “lumturi”, zotëri? Heqjes së shamisë dhe zhveshurisë? Absurd!
Është i njohur rasti i një artisteje franceze, e cila para kamerave televizive ka prezantuar një skenë plotësisht e zhveshur. Në një moment u bë histerike, bërtiti në drejtim të artistëve dhe regjisorit: “O qenë, ju nuk jeni njerëz, ju nuk dëshironi me ne femrat tjetër gjë pos trupit tonë, në mënyrë që të bëheni milionerë në kurrizin tonë!” Pastaj u kthye duke qajtur.
Tërë kjo fletë për vuajtje të mëdha, të cilat me perfiditet fshehen, por këto vuajtje megjithatë janë të qarta.
Për femrat e zhveshura shekullaristët thonë se janë më moderne, më të qytetëruara dhe më të kulturuara se femrat muslimane, por mallkuar qoftë ai modernizëm, ai qytetërim dhe ajo kulturë që për vlerë e quan zhveshurinë dhe kënaqësinë e krevatit.
Me apo pa dëshirë, duhet të pranojmë se femra sot është bërë mjet i mirë për sendërtimin e interesave të meshkujve dhe kompanive mafioze. Me të drejtë Evro-perëndimi e atakon femrën muslimane sepse në të sheh pengesën e fundit dhe të vetme, barrikadën e fuqishme kundrejt egoizmit dhe pangopësisë së tyre.
Bota moderne pretendon se ka arritur ta barazojë femrën me mashkullin, por harrojmë se bota moderne e barazoi femrën në atë që nuk është femërore. Modernja e bëri femrën objekt publik admirimi dhe shpërdorimi, ia mori personalitetin, vlerën femërore dhe vetëmohimin e saj. Nga pozita e nënës, e zonjës dhe e menagjerit familjar, femra u stransformue në manekene, fotomodele, në objekt bordelesh, në një “kafshë të mirë” për të plotësuar afinitetet dhe obskurantizmin mashkullor.
Deri sa në Islam femra ishte lule në mes shumë luleve në kopsht, femra në qytetërimin modern u bë lule që hedhet në rrugë, që nëpërkëmbet dhe përçmohet.
Por, për këtë arsye, ne muslimanët nuk i urrejmë të tjerët por e urrejmë të keqen që serviret si vlerë dhe është rrënjosur në kokat dhe qenien e modernistëve.
Është e qartë se shamia nuk është sulm mbi vlerat demokratike, sepse sulm mbi këto vlera është zhveshuria dhe çoroditja morale e motivuar me interesa politike dhe ekonomike.
Vallë, do të kthjellen kokat e qeveritarëve dhe intelektualëve tanë dhe angazhimin e tyre do ta orientojnë drejt të keqes e jo drejt shkeljes së të drejtave më elementare individuale dhe fetare në shoqërinë tonë në Kosovë dhe në trojet shqiptare.