
A ka ndonjë arsye logjike që të bën të analizosh se OKI mundet me të vërtetë të ketë një interes politik për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës? Po, ka! Jugosllavia dhe Serbia si trashëgimtare e institucioneve të saj është kujdesur për marrëdhënie të mira diplomatike me vendet arabe dhe myslimane, anëtarë të Lëvizjes së Shteteve të Pavarura (Non-Aligned Movement). Gjithashtu, disa prej këtyre vendeve, parimisht skeptike ndaj politikave të jashtme të SHBA-ve në rajonet e tyre, e kanë parë me një dozë dyshimi ndërhyrjen e SHBA-ve në Kosovë, nga njëra anë, sepse kjo ndërhyrje në dallim nga ajo në Bosnjë dhe Hercegovinë ishte më e vendosur. Dhe në anën tjetër, edhe për faktin se krijoi precedentin e ndërhyrjes ushtarake për arsye humanitare në territorin e një shteti sovran. Logjika e thotë se pas Serbisë mund të ishte në radhë për t’u sulmuar çdo shtet i cili ishte ushtarakisht i dobët, kishte konflikte të brendshme ndëretnike dhe ndodhej në një prej udhëkryqeve të interesave strategjike të SHBA-ve: tre faktorë përcaktues për shumicën e vendeve myslimane. Por edhe vetë një vend si Turqia, njëkohësisht anëtare e NATO-s, e OKI-t dhe kandidate për anëtarësi në BE, do të kishte një arsye të fortë, që rasti i Kosovës të mos bëhej precedent përbrenda territorit të saj. Kjo arsye quhet “çështja kurde”, aq e përndezur ditët e fundit. Megjithatë Konferenca Islamike duket se ka marrë një pozicion të favorshëm ndaj pavarësisë së Kosovës. Për këtë flasin dokumentet zyrtare të sesionit të fundit të saj (http://www.oic-oci.org/34icfm/english/documents.htm). Në komunikatën përfundimtare (Final Communiqué, f. 7.) të Ministrave të Punëve të Jashtme të OKI-t, të datës 15-17 maj 2007, mbi Kosovën thuhet:
“Konferenca merr parasysh se çështja e Kosovës ka hyrë në një fazë të re dhe vendimtare të negociatave në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ajo gjithashtu mori parasysh (recognized) përpjekjet e z.Ahtisari, si dhe kontributet e tjera, dhe doli në përfundim se një rezultat i tillë do të kontribuojë në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë. Konferenca shprehu shpresën e saj se komuniteti ndërkombëtar do të punojë së bashku në mënyrë konstruktive për çështjen e Kosovës, dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së t’i adresojë në mënyrë të barabartë të tëra çështjet që kanë të bëjnë me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.” (f. 7, § 52)
Direkt mbi këtë paragraf konferenca u bën thirrje të tëra shteteve anëtare dhe vëzhguese që t’i mbështesin rezolutat dhe vendimet zyrtare të marra nga OKI në forumet ndërkombëtare, dhe sidomos në Kombet e Bashkuara. Në “Rezolutat mbi Çështjet Politike”(Resolution No. 36/34-P on the Situation in Kosovo) të miratuar nga konferenca e ministrave të jashtëm të organizatës, pasi përsëriten tre pikat e sipërpërmendura (hyrja në fazën vendimtare, marrja parasysh e planit Ahtisari dhe thirrja ndaj komunitetit ndërkombëtar për trajtim të barabartë të çështjeve të paqes dhe sigurisë), thuhet: Konferenca “konfirmon se rezultati i negociatave mbi zgjidhjen e paqshme të statusit të Kosovës nuk do të përbëjë asnjë precedent për zgjidhjen e konflikteve të tjera rajonale” (f. 68, § 7). Kurse në “Rezolutën mbi Çështjet Ekonomike” përmendet shprehimisht termi “pavarësi” në lidhje me Kosovën: Konferenca “u bën thirrje shteteve anëtare t’i kushtojnë vëmendje situatës së rënduar ekonomike në Kosovë, ndërkohë që kjo bashkësi e munduar është në momentin delikat të pavarësisë” (f. 33, § 68).
Nga këto pozicione zyrtare të OKI-t nuk rezulton aspak një bashkërenditje e kësaj organizate me pozicionin serb apo rus mbi Kosovën. Aty njihet plani Ahtisari për pavarësi të kushtëzuar për Kosovën. Thuhet po ashtu se negociatat kanë hyrë në fazën e fundit dhe vendimtare, duke sinjalizuar kështu një gatishmëri të OKI-t për të njohur pavarësinë e Kosovës bashkë me BE-në dhe SHBA-të, nëse procesi i negociatave ndërmjet trojkës BE-USA-Rusi nuk tregon rezultat deri në mesin e këtij dhjetori. Më tej shtohet se Kosova nuk përbën precedent për konflikte të ngjashme në vende të tjera, formulim që aludon po ashtu drejt pavarësisë së Kosovës, nga e cila nuk mund të tregojnë me gisht kombe dhe etni në rajone të tjera të botës. Thirrja për trajtim të barabartë të çështjeve të paqes dhe sigurisë mund të kuptohet si apel ndaj bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Palestinës, por aspak si mbështetje për serbët e Bosnjës. Dhe së fundmi thuhet se Kosova gjendet në prag të pavarësisë.
Rezoluta dhe deklaratat e OKI-t në lidhje me Kosovën nuk duhen marrë si të vetvetishme, dhe aq më pak si të parëndësishme. Për më shumë kur merret parasysh se brenda OKI-t ka shumë vende të cilat mendojnë se interesat e tyre preken drejtpërdrejtë nga pavarësia e Kosovës, duke filluar nga Indonezia, Pakistani, Irani, Turqia e deri tek Maroku. OKI nuk ka ndonjë përfitim diplomatik, e aq më pak financiar nga Shqipëria. Përkundrazi, arroganca provinciale e diplomatëve shqiptarë, që sigurisht reflektohet në marrëdhëniet institucionale të Shqipërisë me Konferencën Islamike, do t’i bënte shumë vende të lehtësoheshin prej largimit të Shqipërisë nga kjo organizatë. Për më tepër nuk mund të pohohet *siç bëhet shpesh për oponencë politike brenda Shqipërisë se përpjekjet shqiptare në OKI bien ndesh me kërkesat e BE-së dhe SHBA-ve, përkundrazi. Vendet perëndimore kanë kërkuar edhe më parë ndërmjetësimin e Shqipërisë mes tyre dhe vendeve myslimane; (kujtoj këtu kërkesën e kryediplomatit spanjoll, Miguel Angel Moratinos, që Shqipëria të ndërhynte për ftohjen e gjakrave në “sherrin e karikaturave”). Në rastin e të ardhmes së Kosovës vendet perëndimore, të interesuara që procesi i njohjes së pavarësisë së saj të ecë sa më shpejt, duket se janë pikërisht duke e kërkuar një bashkëpunim me OKI-n, me qëllim që mos t’u lënë shteg iniciativat ruse. Mbështetja e të paktën 85 shteteve (EU-27 + OKI-57 + USA) që ditën e parë të njohjes së pavarësisë së Kosovës do t’i vinte Serbinë dhe Rusinë përpara fakteve të kryera dhe do të krijonte bazën për të fituar mbështetjen e dy të tretave në OKB, që i duhen Kosovës për pranimin si anëtare. Aleanca e synuar nga vendet perëndimore me vendet myslimane – aq e kundërshtuar nga politikanët shqiptarë – synon në fakt pikërisht nxjerrjen nga loja të Rusisë si faktor destabilizimi në rajon. Dhe politikanët shqiptarë të jenë të sigurt, se Serbia nëse nuk do e kishte harxhuar gjithë kredinë e saj tek vendet arabe dhe myslimane nëpërmjet luftërave dhe dhunës ndaj myslimanëve të Ballkanit, s’do të kish pasur aspak skrupuj për të kërkuar mbështetjen diplomatike të këtyre vendeve për çështjen e Kosovës. Ajo do të kishte qenë joideologjike dhe me siguri shumë më e suksesshme në lobimin e saj në OKI sesa Shqipëria.
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Doktorant i Shkencave Politike, Vjenë