Islami në epokën e globalizmit

Feja Islame është treguar dhe dëshmuar, në rrafshin teorik por edhe në atë jetësor, praktik, si mësim konstruktiv, efikas dhe fleksibil për çdo kohë dhe vend, i aplikueshëm në jetën e individit por dhe të bashkësisë. Nëse nuk do të kuptohej ky segment i Islamit, do të thotë, fleksibiliteti dhe gjallëria e mësimit islam, nuk do të mund të kuptoheshin as fenomenet që do të përmenden në vijim.

Si është e mundur që një njeri i tërhequr nga jeta publike dhe politike, i urtë dhe i butë nga karakteri, i cili për 40 vite nuk u shqua duke u përzier në politikën dhe fenë e vendit të tij, përnjëherë të shndërrohet në reformator fetar, politik, ekonomik dhe shtetëror?

Si është e mundur që ky njeri, deri atëherë me profesion bariu e pastaj tregtari, pa ndihmën e stacioneve radiotelevizive, pa shtyp dhe internet, të arrijë t’i bashkojë banorët e shkapërderdhur dhe militantë të shkretëtirës së Arabisë.

Si arriti po ky njeri, Muhammedi a.s., që një popull me frymë luftarake, pa kulturë të mjaftueshme dhe vazhdimisht i ngatërruar në luftra recirpoke fisnore, ta mbledh nën një flamur, nën një ligj, nën një religjon, një kulturë, një qytetërim dhe nën një mënyrë të administrimit?

Dhe, në fund, si kjo që nën udhëheqjen e Muhammedit a.s. dhe me ndikimin e gjithanshëm të Kur’anit, njerëzit më të shfrenuar, të Arabisë, të bëhen shembull të moralit, të bindjes dhe dëgjueshmërisë ndaj Zotit dhe bindjes ndaj ligjit dhe rendit qytetar?

Është e gjithënjohur, edhe nga muslimanët edhe nga jomuslimanët, se diç të tillë Muhammedi a.s. nuk e arriti me shkopin magjik, me ndihmën e fallxhinjve apo me dhunë e mashtrim. Kur Islami i përvetësoi shpirtrat, zemrat dhe mendimet e njerëzve dhe kur pasardhësit e tij u njohën me epërsitë e Islamit kundrejt xhahilijetit (injorancës), po këta njerëz me vullnet të lirë, në rrugën e Zotit, e sakrifikuan çdo gjë që posedonin. Është interesant me këtë rast të ceket fjalimi mjaft ilustrues i Xhafer Ibn Talibit, të cilin ai e mbajti në pallatin e mbretit etiopian Negusit:

“O mbret! Ne qemë njerëz pa dije, të dhënë pas idhujtarisë. Kemi ngrënë madje mishin e shtazëve të ngordhura dhe kemi bërë edhe shumë gjera të tjera të shëmtuara. Nuk i kemi respektuar obligimet tona ndaj kushërinjve dhe kemi vepruar keq ndaj fqinjve. Të fortit tonë kanë jetuar në llogari të të dobtëve, deri sa Zoti nuk e dërgoi Pejgamberin të na përmirësojë. Ai na ftoi në shërbim të Zotit dhe na ka tërhequr vërejtjen që ta braktisim adhurimin e idhujve dhe gurëve. Ai na ka ndaluar çdo gjë që është irituese: rrenën, shpërdorimin dhe shpifjen. Për këtë arsye atij i kemi besuar dhe kemi filluar ta ndjekim dhe të veprojmë sipas mësimit të tij.”

Krahas domethënies historike, ky fjalim insiprues dhe ilustrues i Xhaferit në atë kohë, për ne ka edhe domethënie vendimtare për kohën në të cilën jetojmë. Mos vallë Islami porosinë e tij reformatore, morale dhe qytetëruese e ka konsumuar në tërësi gjatë të kaluarës? Mos vallë njerëzia në shekullin XXI është në shkallë më të lartë morale dhe shpirtërore nga shkalla e shoqërisë së theksuar injorante (xhahiliste) dhe politeiste (mushrike)? Përgjigjja në të dy pyetjet është mohuese. Jo, shekulli XXI nuk mund të lavdërohet me gjendjen besimore, morale, politike, ekonomike dhe kulturore. Madje, gjendja nga vetë perëndimorët përshkruhet si më e rënda në ekzistencën e vet.

Mirëpo, ne do t’i shtrojmë disa ilustrime të qarta të cilat flasin për natyrën përshtatëse të Islamit, për vitalitetin dhe fleksibilitetin e Islamit për t’iu përgjigjur sfidave aktuale, nga një anë, dhe për barbarizmin tmerrues dhe shkatërrues të njeriut bashkëkohor, modernizmit dhe pasmodernizmit, nga ana tjetër.

Disa milionë muslimanë jetojnë në ShBA, disa milionë në Gjermani, Angli, Francë e Itali etj. Numri i përgjithshëm i muslimanëve në botë, sipas burimeve perëndimore, e tejkalon numrin prej një miliardë e gjysmë. Muslimanët janë populli me rritjen më të shpejtë. Xhamitë dhe mesxhidet për çdo ditë po ndërtohen përgjatë tërë botës, prej Lindjes në Perëndim, prej Veriut në Jug. Në Kordobë, të njohur me vlerat islame të muslimanëve emevit në Spanjë, muslimanët spanjollë para pak kohësh e themeluan Universitetin Ndërkombëtar Islam “Averroes”. Jo larg xhamisë së jashtëzakonshme të vjetër në Kordobë, muezini sërish thërret në namaz. Kjo ndodh pesë shekuj pas faktit të njohur kur edhe muslimani i fundit me mënyrat më turpëruese qe dëbuar nga trolli spanjoll.

Por, ja edhe disa tregues të theqafes, të degjenerimit të qytetërimit modern.

Është bërë dukuri e zakonshme që në kontejnerë apo vende të tjera publike të gjenden bebe të posalindura të braktisura. Është bërë legjitime që edhe shumë foshnje nga marrëdhëniet jashtëmartesore të hedhen. Marrëdhëniet seksuale jashtëmartesore, legalizimi i martesave të një gjinie dhe një varg i prostitucionit të organizuar fëmijëror, pandalshëm po shkretëron qytetet dhe vendet e tëra. Varshmëria e njerëzisë nga drogat e ndryshme por edhe nga risitë teknologjike aktualisht arrijnë nivele alarmante. Kemi edhe trafikimin me njerëz apo me pjesë të trupit të tyre, abuzimin me femra dhe pabarazinë e madhe sociale.

Duke i pasur parasysh të gjitha këto devijime besimore, morale dhe shoqërore, nuk duhet hequr nga mendja se e ardhmja i takon Islamit. Islami mund të ndihmojë që njeriu moralisht i rrëzuar (esfelu’s-safilin) të ngritet dhe të bëhet njeriu më i përkryer (ahsenu’t-takvim). Para muslimanëve qëndron një ndërmarrje e madhe, e urtë dhe intelektuale. Ata nuk do të duhej të përpiqeshin t’ia adaptojnë mësimin islam kërkesave moderne por do të duhej ta gjallërojnë mësimin e Islamit në atë mënyrë çfarë do të mundësojë që Islami të njihet dhe të pranohet mjaftueshmëria e tij për epokën moderne.

Bukuria e këtij angazhimi qëndron në atë që Islami do t’i shpërbejë paqes dhe do të rrisë shansin që ai të bëhet feja numër një në botë në kohën që vjen. Shqiptarët muslimanë kanë edhe një epërsi: në kopshtin me disa fe e besime mund ta prezantojnë mësimin e tyre si më të mirin dhe më origjinalin në mënyrë mjaft të përshtatshme dhe në mënyrë shkencore. Këtë muslimanët e kanë bërë gjatë shekujve VII-XII, këtë mund të bëjnë edhe tash.

“Secili (popull) ka një anë, të cilës ai i kthehet, ju shpejtoni kah punët e mbara, kudo që të jeni All-llahu ka për t’ju tubuar të gjithëve. All-llahu ka fuqi për çdo send.” (El- Bekare, 148.).

Burimet:
- http://www.znaci.com/osnovi_vjerovanja/osnovi/art284_0.html
- Nexhat S. Ibrahimi, Muslimanët në kërkim të Islamit (shih dy shkrimet: Kthimi i muslimanëve në Perëndim dhe Natyra, manifestimet, problemet dhe perspektiva e zgjimit të islamit në Ballkan.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme