Elita shterpe

Kështu, femrat përdorin shminkën, take të zhurmshme dhe zbukurime të shumta ekspresive; çunat (e rrugëve) përdorin guralecë për t’ua hedhur kalimtarëve, për t’ua tërhequr vërejtjen atyre apo përdorin kapela e rroba ekstravagante, frizura çoroditëse dhe ngjyrime të pakuptueshme si shenjë identifikuese dhe rrebeluese ndaj ofertës së shoqërisë që nuk gjen kohë për ta dhe nuk kujdeset për ta. Për këtë dhe arsye të ngjashme ata shprehin “cilësitë” e tyre para auditoriumit: në familje, shkollë, rrugë e kudo tjetër. Me të njëjtin qëllim, por me mjete të tjera, për fat të keq, imponohen dhe zhurmojnë edhe politikanët. Ata në mungesë vlerash e cilësish, në mungesë programesh konkrete prej lideri dhe qeveritari, përdorin sllogane, epitete, rekuizite e çka jo, për të fituar simpatinë dhe besimin e auditoriumit, të elektoratit dhe të qytetarëve në përgjithësi. Për fat edhe më të keq, ngjashëm veprojnë edhe shumë njerëz “akademikë”, shkencëtarë e pedagogë, të cilët duke shfrytëzuar pozitën në mënyrë “mafioze” në shoqëri, sigurojnë (blejnë) tituj shkencorë, për të treguar dhe dëshmuar në shoqëri peshën dhe cilësinë e tyre (që në fakt mungon). Kjo modë dhe ky trend në shoqërinë tonë nuk është krejt e re, së paku jo në këtë mënyrë. Zakonisht, manifestimet e tilla janë të pranishme në kombet, shoqëritë dhe bashkësitë e vogla, të cilat dobësitë, mosdinjitetin, ngurtësinë, injorancën dhe pasigurinë e tyre e kamuflojnë me rekuizite, tituj dhe sllogane të ndryshme.[1]

Për fat të keq, ky trend, ritëm ka filluar të manifestohet me të madhe edhe brenda bashkësisë islame. Duke stërtheksuar përdorimin e titujve, të slloganeve dhe të rekuzitave, ata janë aktivë “me qëllim të legjitimimit të fuqisë së tyre brenda grupit konkret shoqëror”. Imitojnë partitë politike dhe veprojnë sipas lojës së tyre prej lideri.[2] Për këtë qëllim, përdoret shprehja e plotë efendi, apo e shkurtuar ef., haxhi apo h., hafiz apo hfz., mulla apo m. (nga mewla), magjistër / master apo mr., doktor apo dr.. Këto shprehje vendosen para emrit apo ndërmjet emrit e mbiemrit, sikur me këtë dëshirohet t’i jepet infuzion personit të caktuar, sikur dëshirohet t’i jepet fuqia dhe shkelqësia e cila natyrisht dhe faktikisht i mungon. Nuk u mjafton stërtheksimi i titujve, por blejnë ahmedije me lidhje dhe çanta të veçanta, blejnë rroba të shtrenjta, kravata speciale, vetura të shtrenjta, për t’u imponuar para auditoriumit me vlera të huaja, sepse u mungon vlera e mirëfilltë brenda e tyre. Nuk është larg edhe koha kur disa besimtarë do të shtojnë epitetet “Agjëroj të hënën dhe të enjten” apo shkurtesën AHE, “Jam në i’tikaf” apo shkurtesën JI, “Fali namaz nate” apo FNN.

Ta imagjinojmë Ebu Bekrin, Omerin, Osmanin , Aliun r.a. para vetes! Ta imagjinojmë Hasan Basriun, Ebu Hanifen, Imam Maturidiun, Ibn Hazmin, Ibn Haldunin, ….. Kurrfarë titujsh pos atyre që ua ka dhënë vetë populli, rrethi, historia, puna dhe virtytet e tyre. Këta emra nuk durojnë dekore të huaja, dekore artificiale, edhe pse posedonin lartësi dhe aftësi njerëzore.

Imagjinojeni sikur Ebu Bekrit etj. t’u thoshim para syve: Hafiz Ebu Bekri, Haxhi Ebu Hanifeh, Mulla Shafiu, haxhi reis efendi, haxhi mufti efendi, dr./mr.haxhi Filan efendi Filani, etj.etj. Vallë nuk i dinin ata këto apo manipulime të ngjashme? Vallë, nuk iu pëlqenin atyre epitetet dhe fjalët e mëdha, edhe pse ata kishin dinjitet t’i bartin ato? E qartë, “shminka” është e nevojshme për personalitetet e “padëshmuara”, “të dështuara” në profesionin e tyre, në jetën e tyre. [3]

Ndoshta do të duket e vrazhdë, ndoshta do të tingëllojë jokëndshëm, por ku qëndron dallimi ndërmjet elites politike, shkencore e fetare dhe elites së shpërfillur (lypsarëve etj.)? Elita politike (jo të gjithë) abuzon me fondet publike dhe me pozitat politike, pasurohen dhe shndërrohen në “bos” të paprekur. Elita akademike (jo të gjithë) abuzon me dijen dhe me ata që e kërkojnë dijen, shesin notat dhe nuk përgatiten për punën e tyre. Elita fetare (jo të gjithë) abuzon me detyrën e imamit, çdo gjë e komercializojnë: leximin e Kur’anit, lutjet e ndryshme, Jasinin, hatmen, duanë e dhëndrrit, dhe më e dhembshmja, shkruajnë hajmali. Në shikim të parë janë gojëmbël, janë mjaft teatral para masës, pak punojnë kurse kanë shumë pasuri.
Kësaj gjendjeje mos i thuani amin.[4]

--------------------------------------------------------------------------------
[1] Përdorimi i titujve, rekuizitave dhe i slloganeve, bashkangjitur veshmbathjen dhe frazat e thata fetare, apo politike e akademike, kanë efekte psikologjike dhe hipnotizuese te masa e gjerë, që do të thotë se ata shfrytëzojnë padijen dhe naivitetin e tyre dhe manipulojnë me ta.
[2] Robertson, Ian. Sociology (2nd ed.); New York, NY: Worth Publishers (1981), Inc, p. 81.
[3] Elita fetare, politike dhe akademike në shoqëritë muslimane është anakrone, e paperspektivë e cila ka mbijetuar duke iu falënderuar formës së njohur nënshtruese, duke krijuar kështu individë indiferentë pa krenari, pa ndjenja dhe pa guxim të nevojshëm për një musliman. Nëse brezi i ri dëshiron ndryshim, duhet t’i shmanget të kaluarës pasive dhe frymëzimin duhet ta gjejë në modelet që kanë dhënë provimin në histori.
[4] Në kritikën drejtuar shtresës fetare fjala është për një shtresë jo fort të vogël, por megjithatë jo të gjithë. Fjala është për ata që lehtë dallohen: hedhni një shikim para 10 vitesh dhe sot; shikoni pasurinë e tyre atëherë dhe sot; shikoni angazhimin intelektual të tyre atëherë dhe sot, dhe të ta gjeni diagnozën aty për aty. Fjala është edhe për ata që detyrën e tyre e kanë shpënë vetëm në hapjen dhe mbylljen e derës së xhamisë, në udhëheqjen anemike të xhematit duke e shdnërruar vetveten në “vorraxhi’ e jo edhe në atë të mësuesit, edukatorit. Alternativa është e qartë dhe e dukshme. Ajo qëndron te njeriu i ri, i arsimuar gjithanshëm, besimtar dhe i sinqertë, duke vjelur nga e kaluara vetëm elemente të vlefshme. (Shkrimi është përshtatur nga:
http://www.edintule.com/index.php?id=63).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme