Evropa para sfidës muslimane

Evropa deri në vitet e 60-ta të shekullit XX posedonte ‘njëfarë’ multikulturalizmi, por i përcjellur me njëfarë racizmi moralo-kulturor, sepse mendohej se evropianët posedojnë një epërsi politike, kulturore e shkencore, madje të lindur, trashëgimi kjo judeo-kristiane dhe greko-romake. Mirëpo, ky multikultiralizëm manifestohej brenda vetvetes, mes “vlerave” protestante, katolike, liberale dhe socialiste evropiane. Por, me fillimin e depërtimit dhe migrimit të musimanëve nga Afrika veriore, nga Turqia por edhe nga Ballkani (shqiptarët dhe boshnjakët), vlerat e vjetra tradicionale, respektivisht multikuturalizmi tradicional, filloi të zbehet e të pëlcas para rrethanave të reja. Kësaj klime të izolimit, të ndjenjës së epërsisë, i ndihmoi edhe “konvertimi” i shtresës së njerezëve të edukuar në mjedise fetare dhe tradicionale evropiane në majtistë radikalë. Kjo shtresë që më herët e konsideronte veten antikolonialiste dhe antiraciste, kampion të multikulturalizmit, u bë mbrojtës i të a.q. vlerave iluministe kundrejt ortodoksisë muslimane në migrim e sipër në Evropën Perëdimore. Shtresa e tillë sa frikësohej nga kthimi i sërishëm i religjionit në Evropë dhe rrezikimi i vlerave laiciste-shekullariste, për më tepër frikësohej nga depërtimi i religjionit islam. Kjo kthesë në Evropë e sidomos në Holandë, bëri që multikulturalizmi evropian, i mbështetur në shtyllat tradicionale, krahas shtyllave të pranishme, të fitonte edhe një shtyllë të re, atë islame. Për më tepër që shoqëria perëndimore, por as vetë muslimanët nuk dinin se si do të duhej të dukej kjo shtylla e re, islame-muslimane, në mjedis të ri dhe konstelacion të ri ideshë dhe veprimesh.

Mirëpo, me lëvizjet më të reja në botë, me konfliktet e fundit në botë, formimi i kësaj shtylle të re tashmë ka dështuar edhe në rrafshin ideor edhe në rrafshin praktik. Dialogu ndërmjet shumicës që dëshiron të imponojë rregulla të lojës si të vetmet të drejta (globalizmi) dhe pakicës në rolin inferior dhe përbuzës, paraprakisht është e gjykuar të dështojë. Pakica, natyrisht do të izolohet dhe krijojë mekanizma të mbrojtës, sepse, dëshiruam ne apo jo, ata janë pjesë e Evropës dhe nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga vlerat e tyre religjioze dhe kulturore-historike, me të cilat krenohen dhe për të cilat janë në gjendje të luftojnë.

Mbi evropianët është që qëndrimin e tyre përjashtues, bindjen e tyre të gjoja një qytetërimi superior dhe shikimin e tyre nga lartsia ta shndërrojnë në qëndrim partneriteti, mirëkuptimi dhe kooperimi; me fjalë të tjera, evropiani duhet të mësojë të jetojë me muslimanin dhe të respektojë vlerat fundamentale të tij pikërisht sikurse kërkon t’i respektohet e kaluara e tij dhe e drejta në të ardhmen.

Në këtë aspekt, edhe muslimanët mund të ndihmojnë, duke dhënë kontributin e tyre në përshtatjen rrethanave të reja. Edhe ata duhet të respektojnë realitetin e ri, të krahasjetojnë me vlerat e fqinjve. Për këtë kanë bazë fetare si në Kur’an ashtu edhe në Hadith.

Deri sa Evropa nuk i pranon fëmijët muslimanë të lindur në Evropë si fëmijë të saj, edhe pse me vlera religjioze e kulturore tjetërfare, dhe deri sa fëmijët muslimanë nuk posedojnë ndonjë ndjenjë dhe nevojë për vendlindjen e babajve të tyre, këta fëmijë e gjejnë derën e hapur në vlerat fetare islame por me një dozë skepse ndaj evropianit dhe vlerave të tyre. Islami për ta bëhet shtëpi, bëhet vendlindje, bëhet mekanizëm mbrojtës përballë skillave dhe haribdeve të kohës, bëhet rruga e vetme për perspektivën e tyre individuale dhe kolektive, politike, kulturore dhe religjioze.

Qëndrimi i evropianëve, i ligjeve të tyre kinse liberale kurse në praktikë në të shumten e rasteve dogmatike-raciste, do të ndikojë në rrjedhat e ardhshme evropiane. Nëse Evropa zgjedh këtë të fundit, dhunën dhe eksploatimin, përjashtimin e të tjerëve dhe superioritetin mbi të tjerët, nëse Evropa zgjedh mbrojtjen e vlerave iluministe, shekullariste në mënyrë dogmatike dhe të dhunës, pa dyshim se evropianët do ta dënojnë veten me pasoja të paparashikueshme.

Evropa duhet të matë çdo fjalë dhe veprim të vetin kur janë në pyetje muslimanët. Veprimi i një individi apo grupimi politik musliman nuk duhet të bëhet shkas dhe shkak për fushatë të vrazhdë kundër muslimanëve. Jemi dëshmitarë se veprimet e nxituara ishin dhe janë kundërproduktivë. Rasti i ofendimit të muslimanëve nëpër Evropë (Hondandë, Francë etj.) është treguesi më i mirë.

Nacionalizmi dhe fanatizmi i dikurshëm evropian është zëvendësuar me nacionalizmin dhe fanatizmin iluminist. Kur kësaj i shtohet edhe “racizmi kulturor” se vetëm “kultura evropiane” është e mirë, çështja evoluon në shumë pikëpyetje. Harrohet se “kultura” më e mirë nuk matet me vlera territoriale dhe racore por me vlera ideshë dhe vlerash praktike fetare, morale dhe kulturore.

Evropa do të gabojë edhe më shumë dhe me pasoja edhe më të rënda nëse gjatë shekullit XXI e thellon hendekun me muslimanët në Evropë. Stili bushist, sarkozist, putinist i integrimit të muslimanëve në shoqëritë jomuslimane i ngjan stilit integrues millosheviqian të muslimanëve shqiptar apo boshnjak apo të ngjashëm nëpër botë.

Prandaj, Perëndimi si shumicë duhet të ofrojë një bashkëpunim konstruktiv e të sinqertë, kurse muslimanët si pakicë duhet të pranojnë ofertën për bashkëjetesë dhe mirëkuptim, njohje të ndërsjellë, apo së paku muslimanët duhet të tolerojnë mendimet dhe vlerat e ndryshme.

Vetëm me njohje dhe mirëkuptim të ndërsjellë mund të jetojmë në paqe dhe lumturi pa marrë parasysh faktorin gjeografik, religjioz, kulturor e qytetërues. Muslimanët tash 15 shekuj kanë pranuar në parim trashëgiminë judeo-kristiane, në radhë janë judeo-kristianët ta pranojnë Islamin, Muhammedin a.s. dhe Kur’anin e shenjtë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme