Në vigjilje të pavarësisë, era e lirisë

Duke u munduar t’i racionalizoj gjërat deri në fund, si dhe duke qenë kritik ndaj gjithçkaje me mendje për ta nxjerrë në shesh më të mirën, nuk kam mundur asnjëherë deri tash ta ndjejë këtë fllad patriotizmi si këto ditë kur Kosova po shpallet shtet. Këtë ndjenjë mbase e kanë pasur ata që kanë jetuar në Shqipëri në javën e fundit të nëntorit të ’12-tës. Ndjenjë që, si po duket, njerëzve u ndodhë shumë rrallë në histori. Si ndonje satelit a trup qiellor që shfaqet një herë në një shekull, e njerëzit i llogarisin vitet e tyre të jetës se me kohën “kur u mor dielli” e “kur doli një yll i madh në qiell”. Është kjo një ndjenjë që nuk ua përshkruan dot atyre që s’e kanë përjetuar. Po kështu nuk mund ta shpjegoj këtë ekzaltim që më kaplon këto ditë, kur radioja ka filluar të më pushojë, ndërsa kritikës t’i vijë koha e pauzës sado të shkurtër, gjithë kjo që t’ia lërë vendin pak festës. Janë këto ditë që nuk duan më logjikë, radio e kritikë. Janë ditë ndjenjash. Nuk di a i ngjan kjo pak festave të majit dikur në vendet komuniste, kur si fëmijë prisnim rrugëve stafetën e Titos, ata matanë 1 Majin e Enverit ose lojërat rinore më 25 maj në Jugosllavi. Nëse atëherë më shumë aktronim se që gëzoheshim, sot kemi arsye të madhe që njëmend të gëzohemi. Sot nuk ka nevojë për aktrim. Janë këto çaste që historia i shënon shumë rrallë. A mund ta paramendoni se nipat e stërnipat tanë do ta fillojnë mësimin për historinë e re të Kosovës me faktet se: “Në shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Kosovës e shpalli pavarësinë. Aktin e pavarësisë e nënshkroi kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi”?! A mund ta paramendoni se kur ne do të jemi pleq, kur Kosova do të jetë shtet me të gjitha isharetet se si do të ndjehemi ne?! Diçka si kur sot na flet ndonjë plak se “rrija me Agën Sulë në Karadak”, si një tjetër që kishte bërë muhabet me “puçen Xhemë” a me dikë tjetër. Na duket e pabesueshme dhe e pakapshme që një njeri që qëndron para nesh të ketë qenë pjesë e historisë. Ky sentiment më ka bërë për vete: pikërisht ne jemi gjenerata e historisë. Ne jemi ajo gjeneratë që i mbajmë mend ngjarjet e ’81-shit, burgosjet, helmimet, vrasjet e përndjekjet, i mbajmë mend minatorët e Stari Tërgut, i mbajmë mend ngjarjet e ’89-tës, e mbajmë mend atë gorillën që çirrej në Gazimestan në atë vit kur ne nuk kishim shpresë se do bëhej më mirë, i mbajmë mend thirrjet e Azem Vllasit se shkoni në shtëpitë tuaja derisa me duar bënte shenjë “mos lëvizni”, i mbajmë mend demonstratat, rrahjen e rektorit Statovci, fakultetet nëpër bodrume e shtëpi, zhdukjen e dhimbshme të Ukshin Hotit, konferencat për shtyp të së premteve të Rugovës në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, i mbajmë mend mirë e hollë ngjarjet e ’98, dimrin e Jasharajve, vrasjen e tyre dhe pranverën e hershme të Bllacës. Po si mund të harrohet ajo pranverë e akullt në baltën e Bllacës, ku si askund më afër nuk e kam parë jetën e vdekjen?! Hej, nuk harrohet ai ferr. Po ashtu i mbajmë mend bisedimet e Rambujesë, çunin e ri Hashim që e përfaqësonte delegacionin kosovar, komandantit legjendar Ramush e bijtë e popullit të shqipeve që rendën ta shpëtojnë atdheun se “kishte ra kushtrimi n’Kosovë”. Aty kishte qenë i lavdishmi “rrufeja nga Kumanova” – Ismet Jashari dhe vargu i gjatë i trimave e burrave që u bënë mburojë e kësaj lirie. Kur kthehem edhe më pas, më kujtohet të gjitha ato gjenerata që u plakën nëpër Evropë duke punuar punët më të rënda fizike, duke iu shmangur ushtrisë së APJ-së (Armatës Popullore të Jugosllavisë), e duke e mbledhur trepërqindëshin e lirisë. Ishin andej vëllezërit Gërvalla, Kadri Zeka, e veprimtarët e tjerë, si këta tanët, të Maqedonisë, Fazli e Ali, e shumë e shumë të tjerë, që më shumë se gjysmën e jetës e kishin lënë nëpër Zvicër, Gjermani, Skandinavi e gjetiu e asnjëherë nuk kishin hequr mendjes se një ditë patjetër “Kosovën ta çlirojmë”. Ishte kjo një ëndërr që e kishin kultivuar edhe ata qindra të burgosur politikë në Dubravë, Nish e gjithkund nëpër Serbi. Pikërisht një ëndërr që pas më shumë se 30 viteve po bëhet realitet. Kur kthehem edhe më pas, arrij te ata shqiptarë që i ikën dorës së komunizmit në Shqipëri, bile edhe më herët, e që vajtën në Amerikë e vdiqën me mall që ta shohin Shqipërinë e lirë, si vetë Konica, të cilët mbase janë më meritorët e kësaj fitoreje. Aty janë qindra veprimtarë të Vatrës e të shoqatave e klubeve të ndryshme në SHBA, që e përfituan simpatinë e këtij vigani liridashës të botës për shqiptarët. A mund ta parafytyroni për një çast si është ndjerë Ismail Qemali kur endej nëpër Evropë e e tallnin nëpër kancelaritë e Austro-Hungarisë, Italisë, Francës e Anglisë dhe atë ta krahasoni me angazhimin e gjithë botës në ’99 në ndihmë të Kosovës?! Po si u arrit ajo, si ndryshuan kështu gjërat në favorin tonë? Ndonëse secili ka këtu ndonjë hise, megjithatë vendimtar patjetër duhet të jetë lobi shqiptaro-amerikan të cilët më djersën e tyre, me mundin e tyre dhe mallin për Shqipërinë e lirë, bënë edhe të pamundurën që sot shqiptarët pas një shekulli pritjeje të jenë me shtetin më të fuqishëm të botës, mbase edhe të historisë. Te shqiptarët brenda 7-8 viteve kanë ardhur në vizitë dy kryetarë të këtij shteti, sekretarë shtetërorë e figura të tjera, që në diplomacinë botërore janë meritë që pakkush e ka arritur. Atë që e paralajmëroi Bejkeri në fillim të demokracisë, që e përmbushi Klintoni në ’99, e kurorëzoi Bushi në 2007. Kosova, tha ai, do të bëhet e pavarur. Po, më thoni cili komb e ka gëzuar këtë mbështetje kaq të madhe? Prandaj, nëse në Kosovën e pavarur bëhet një muze i pavarësisë, që mendoj se duhet të bëhet, pranë atyre veprimtarëve, politikanëve, diplomatëve e luftëtarëve që i përmendëm, duke filluar që nga Bajram Curri, Baca Isë, Adem Jashari e shumë burra të tjerë, me shkronja të arta duhet të shkruhet edhe emrat e atyre shqiptaro-amerikanëve që për më shumë se gjysmë shekulli investuan gjithçka që sot “Kosovën ta çlirojmë”. Është kjo dëshirë e Zotit, të cilën pak popuj e gëzojnë në botë. Prandaj më vjen kaq mirë, prandaj jam i këndellur me ndjenja, prandaj më vjen ta këndoj gjithë ditën atë këngën “Sërish vjen marsi”, sepse ky mars po na e sjell vërtet lirinë, do të jetë ky marsi që, krahasuar me marsin e ’81-shit, është qindra shkallë ndryshe, ndërsa akoma nuk janë bërë 30 vjet pas tij. Hej, hej. E derisa shprehem kaq çiltër e kaq lirë, kaq emocionalisht e lehtë, nuk kam si mos t’u kërkoj politikanëve të Kosovës e atyre të Shqipërisë, që tashmë është në derë të NATO-s e në adresë të saktë të Evropës, që mos të na harrojnë edhe neve të Maqedonisë. Mbase edhe nekemi dhënë diçka për atë liri. Ju kujtohen përpjekjet e Ali Ahmetit me UÇK-në në Kosovë, të Arbër Xhaferrit me refugjatët e ’99 e të popullit shqiptar të Maqedonisë në ato ngjarje. Ndërsa ne jemi modestë, nuk kërkojmë asgjë më shumë se të na bëni rrugë të mira, që Prishtinën e Tiranën t’i kemi si dy pëllëmbë vend dhe, e dyta, për shqiptarët ekëndej kufirit të bëni të mundur ta kalojmë kufirin si me dalë n’kojshi. Asgjë më shumë. Po, po, vetëm kaq. Atëherë nuk na duhet as bashkim kombëtar e as Shqipëri etnike, ne do të jemi aty tok. Atëherë “një i lindur në Koplik do t’marrë nuse n’Kaçanik”, ndërsa “çuna e çupa shqiptare do t’nxënë vetëm një abetare”. Hej, hej, më në fund po bëhet Shqipëria, më në fund u bë Kosova (ashtu si u bë, se Albini mund të na japë vërejtje), më në fund, pas një shekulli vuajtjeje e përpjekje, agoi dielli i lirisë. Andaj këto ditë, kur jam kaq i emocionuar me këto arritje nuk mund të mos i kujtoj të gjitha këto. Këto ditë e ndjej fuqishëm erën e lirisë. Është e këndshme ajo. Qoftë erë si lëvizje e ajrit, është e lehtë dhe e ëmbël, qoftë erë për periudhë kohe që, sipas meje, është më e lavdishmja për ne, qoftë si aromë, ajo është kundërmimi më i mirë. Është kjo ERA E LIRISË. Prandaj sot e kemi hallall dhe nuk është hiç patetike që për një çast të brohorisim “Oh sa mirë me qenë shqiptar!” Hej, hej...

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme