Sprova e Boshtit Perëndimor

Duke parë situatën në të cilën ndodhej Kosova, sa më shumë që largohej nga lufta, aq më shumë pavarësia tërhiqte pas vetes kushte politike. Sigurisht që pavarësia e kushtëzuar e Kosovës u arrit si pasojë e një sinkronizimi me faktorin ndërkombëtar perëndimor. Mirëpo përse duhej që parulla “Bacë u Kry” të shpalosej pikërisht më 17 Shkurt 2008 dhe jo të themi me 17 Shkurt 2000, kur dihej se Beogradi ishte i shkatërruar materialisht nga bombardimet dhe politikisht nga turpi i genocidit duke e bërë të gatshëm të pranonte kompromiset, kur pozita politiko-ekonomike e Rusisë ishte shumë e dobët, kur plagët e luftës ishin të freskëta dhe kur pavarësia e plotë kishte gjithë kuptimin moral dhe politik të shpallej ? Kujt duhej t’i trembej boshti dominues politiko-ekonomik perëndimor që të tregohej kaq i kujdesshëm sa të linte për një dekadë pezull një popull të tërë ? Përse u zgjodh shkurti i vitit 2008 që të pranohej shpallja e pavarësisë së Kosovës kur dihej sa çfarë kalvari pengesash do të shkaktonte boshti i rilindur politiko-ekonomik lindor sllavo-ortodoks? Kur Millosheviçi ishte gjallë ekzistonte i gjithe justifikimi për t’iu përgjigjur me pavarësi të plotë masakrave të tija. Përse u shty pavarësia e Kosovës deri sa të demokratizohej Serbia dhe të shkonte deri aty sa me forcë të pretendonte mos copëtimin e shtetit të vet si një shtet demokratik evropian aspirant për në BE ? Përtej këtij gëzimi mahnitës mbarëkombëtar, ne, duhet të shikojmë përtej perdes politike dhe të kuptojmë shkaqet përse ndodhi kështu dhe përse tani. Kush ishste i interesuar për forcimin e faktorit shqiptar-musliman në Ballkan, pikërisht tani ? Kush sakrifikoi pavarësine e pas luftës për ta lejuar atë tani në prag të rifillimit të luftës së ftohtë ? E ndodhur në zonën ku historikisht është shënuar si kufiri ndarës apo edhe përplasës në mes boshteve qytetëruese të Lindjes dhe Perëndimit, Kosova apo pjesa veri-lindore e Shqipërisë, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në përcaktimin e këtij kufiri. Si pasojë kjo ka prodhuar destabilitet e luftra sa herë që boshtet qytetëruese përgjatë historisë janë zhvendosur apo edhe përplasur. Në një përshkrim te thjeshtuar mund të themi se kjo i ngjan pllakave tektonike të një zone sizmike të një shkalle të lartë. Prandaj sa herë që “pllakat tektonike” të boshteve kryesore politiko-ushtarake dhe ekonomike, jane zhvendosur, kanë prodhuar tërmete sociale me magnitudë të lartë që si efekte kanë pasur destabilitet, luftra, shkatërrime, rindërtime e me radhë. Ndaj duke iu kthyer situatës së sotme në Kosovë, duhet që nga kjo panoramë të mund të kuptojmë shumë gjëra përtej atij optimizmi mëse legjitim për çlirim, të fillojmë me gjakftohtësi të mendojmë për periudhën post-pavarësi. Praktikisht historia e ndërrimit të influencave dominuese të boshteve civilizuese është pothuaj e njëjta, kanë ndërruar krahët, aktorët dhe sidomos mënyrat. Në situatën e të ndodhurit si një rajon ndarës midis Lindjes dhe Perëndimit, shtet e vogla Ballkanike mund të kenë pavarësi de jure por nuk mund të gëzonë pavarësi të plotë në kuptimin gjeopolitik dhe gjeostrategjik për sa kohë nuk kanë burimet, kapacitetet për t’iu imponuar interesave të të mëdhenjve. Si pasojë shtete të tilla si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja, Kroacia në kuptimin praktik gëzojnë një pavarësi të kushtëzuar. Të kushtëzuar nga boshti politiko-ekonomik dhe ushtarak perëndimor në aksin euro-atlantik, si bosht dominues në botë. Kur shtete të tilla kushtëzohen çfarë mund të themi për Kosovën ? Në fakt festa e pavarësisë në Kosovë, në kuptimin e plotë të fjalës ishte festë e largimit nga boshti Lindor sllav dhe futjen nën varësinë apo në pavarësi të varur (lexo të kushtëzuar) të boshtit perëndimor. Sigurisht që është më mirë. Por kur flasim për pavarësi në kuptimin e formulimit juridik shtet-formues, rezulton që kjo e fundit të jetë e emancipuar nga të pasurit kushte. Terminologjitë e reja të shpikura të tipit “pavarësi e kushtëzuar” janë aq sa të çuditshme por edhe shqetësuese. Kushte për çfarë ? Ose është pavarësi, që nënkupton liri në vendimarrje dhe drejtim politik me të gjitha derivatet e veta, ose është një shtet nën protektorat ku kushtëzimi është i bazuar. Fakti që Kosova është shtet i ri dhe nuk ka eksperiencën e duhur, mund t’i bashkëngjitet asistenca evropiane, siç edhe ka ndoshur me Shqipërinë, por jo kushtëzim në themelet e shtetit siç është pavarësia. Mirëpo çfarë përfaqësojnë kushtet, për boshtin perëndimor që luftoi që Kosova të zhvendosej nga boshti Lindor sllav në gjirin e vet ? A janë ato garanci për mos rrëshqitje “tektonike” le të themi “të pllakave “ shqiptare drejt krijimi të një miniboshti dominues shqiptar në Ballkan ? Apo janë frerë që mbajnë për kapistre një popull i gatshëm të shpërthejë në politikë, ekonomi dhe kulturë, pas një paralizimi të gjatë ? Ashtu siç boshti euro-atlantik ishte konsensual në pjesën më të madhe të tij për të shtyrë “gardhin” e Rusisë përtej Ballkanit, duke aprovuar me shpejtësi të mahnitshme deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, po brënda këtij boshti ka qëndrime të ndryshme përsa i përket periudhës së post-pavarësisë. Krahu evropian i këtij boshti me shumë vështirësi dhe naze, duke iu trembur erës së luftës së ftohtë që frynte nga stepat ruse, gëlltiti idenë e pavarësisë kosovare, përkundrejt krahut amerikan të këtij boshti i cili kishte pasur një qëndrim shumë të qartë dhe të vendosur. Ajo që mbetet për t’u parë është se çfarë do të prodhojë në të ardhmen qëndrimi për Kosovën, brënda dy krahëve të boshtit perëndimor. A do të jetë Kosova në të ardhmen burim përçarës i këtij boshti ? Për sa kohë që kërcënimet ruse vazhdojnë të jenë me zë më të trashë, boshti perëndimor do qëndrojë unik përsa i përket qëndrimit mbi Kosovën duke përshpejtuar proçedurat për anëtarësm në NATO dhe në strukturat e Bashkimit Evropian. Nga kjo klimë para-luftë e ftohtë mund të përfitojë edhe Shqipëria në proçedurat e integrimit euro-atlantik, e cila tashme qartësisht është përvijuar si aleatja më besnike e boshtit perëndimor. Megjithatë Kosova është edhe sprova më e qartë për këtë bosht kur pas një periudhe relativisht jo të gjatë të shtrohet ideja dhe të bëhet domosdoshmëri bashkimi i saj me Shqipërinë si pro­çes i natyrshëm në vetëdijen kombëtare të shqiptarëve. Atëherë do shihet qartë nëse boshti perëndimor do të jetë unik për të aprovuar një lëvizje të tillë apo do të çojë drejt një të krisure në planin tashmë konsensual perëndimor për Ballkanin.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme