Medreseja dhe Startgazetarët!

Në Kosovë, pas përfundimit të luftës, ajo u gjet para një hendeku tejet të thellë mediatik. Ishte një rast i volitshëm për spekulantët, diletantët, amatorët dhe matrapazët që të merren me mediat. Një gjë të tillë e arritën, kryesisht me ndihmën dhe maskimin nën tutelën e OSBE–së, e cila ishte pronare absolute e frekuencave të nën qiellit të Kosovës dhe dhënies së licencave për gazetarinë e shkruar. Ata na çliruan, kishte ardhur koha, që edhe ne të mësoheshim pak me demokracinë, por fatkeqësisht ishte një demokraci alla 'unmikistan'. Fatkeqësisht, ata të cilët filluan të punonin në mediat kosovare, në mënyrë të vazhdueshme, ishin në shërbim të partive politike dhe grupeve të caktuara të interesit. Por që nga fillimi i pluralizmit medial në Kosovë, mediat tona në mënyrë të vazhdueshme prezantojnë myslimanët dhe institucionet të cilat i përfaqësojnë ata, përmes stereotipave dhe imazhe negative. Kulminacioni i kësaj u arrit pas ngjarjeve të 11 shtatorit, me çrast deshëm që me çdo kusht ti tregonim botës, se edhe ne ishim me ta në luftë kundër terrorizmit global.

Këto ditë jemi dëshmitarë të një numri të publikuar shkrimesh, ndaj shkollës më prestigjioze në Kosovë, gjegjësisht medresesë Alaudin në Prishtinë. Vërtet, ti lexoja të gjitha ato shkrime tendencioze (duke mos përjashtuar se mund të ketë edhe të vërteta në to), në cilësinë e një ish-nxënësi të kësaj shkolle, nuk mund të ndihesha aspak indiferent, në kontekstin e ngritjes së zërit ndaj të pavërtetës. Zotërinj gazetarë, me shkolla të natës nuk mund të njollosni medresenë, përmes dy tri shkrimeve joprofesionale. Çështja e medresesë është shumë më e madhe se sa mendoni ju, keni marrë një barrë të madhe, në momentin kur keni shkruar për të. Më mirë do ishte për ju, të shkruani për rolin e kësaj shkolle ndaj rezistencës së komunizmit, kur ju i keni pasur librezat e partisë dhe keni qenë të ulur nëpër kolltukë luksoz, në medrese na kanë mësuar se komunizmi ishte e keqja më e madhe që e kishte kapluar njerëzimin, po ashtu na kanë mësuar se Allahu është Një dhe vetëm Atij ti nënshtrohemi. Në vend se ju të shkruani për rezistencën dhe kontributin e medresesë gjatë periudhës së viteve të nëntëdhjeta, ju tentoni të njollosni autoritetin e kësaj shkolle duke u bazuar në dëshminë e një nxënësi të vetëm, rast ky, që mund të jetë edhe i vërtet, por si u bë që harruat të intervistoni të paktën, vetëm edhe një nxënës të kësaj shkolle nga mbi dymijë të tjerë, të cilët kanë diplomuar dhe sot i gjejmë në instancat më të larta politike, po ashtu si intelektualë, politikanë, gjykatës, gazetarë, pedagog etj. Arsyeja e vetme, që ju nuk bëni një gjë të tillë, është prezenca e jo profesionalizmit tuaj. Keni harruar me dashje apo pa dashje se medreseja Alaudin që nga viti 1990 e deri në fillimin e luftës sonë, ishte Parlamenti i Kosovës, madje presidencë dhe seli e partive politike, ishte teatër, ishte kinema, ishte stadium futbolli, basketbolli e hendbolli, ishte universitet, ishte konvikt i studentëve, ishte strehimore për skamnorët, ishte spital, ishte bunker për luftëtarët, ishte bastion i patriotizmit, ishte frikë për armikun por ishte edhe një mbështetëse e fuqishme e luftës çlirimtare.

Për hir të Zotit, keni mundur të shkruani edhe për dëshmorët që kjo medrese i fali këtij kombi në kohët më të vështira, në krye me Mustafë Veselin, por edhe të afro dyzetë medresantëve tjerë, të cilët ranë dëshmorë për lirinë time dhe tuajën. Kurse ju, pa asnjë lloj përgjegjësie dhe profesionalizmi, shkruani dhe mund të fyeni kurdo dhe këdo pa bazë argumentuese të mjaftueshme. Po ashtu potenconi edhe stafin profesional jo adekuat të medresesë për lëndë përkatëse, por nëse shohim faktin tjetër se nëpër disa shkolla tona të Kosovës, gjysma e stafit janë me shkollë të mesme dhe fillore por edhe në shumë fakultete kemi mësimdhënës të cilët nuk kanë kurrfarë lidhje me lëndët përkatëse për të cilët janë të autorizuar, kjo nuk u pengon juve si gazetarë ngase edhe ju jeni të një profili të njëjtë, me shkolla të veterinarisë dhe bujqësisë luani rolin e gazetarit. Si një ish nxënës i kësaj shkolle, arrijë t'i shkoqis kujtimet më të bukura të jetës sime, pikërisht nga medreseja, sikurse janë disiplina, rendi shkollor, shoqëria, objekti, ushqimi dhe studimi pas orarit të mësimit. Të gjitha këto, e bëjnë këtë shkollë, të jetë një ndër shkollat më të mira të Kosovës, por duke mos përjashtuar edhe mangësitë eventuale që mund ti ketë ajo. Shpresoj që edhe në të ardhmen gazetarët tanë të shkruajnë, pasi që kanë rastisur të punojnë dhe të jenë pjesë e atyre redaksive gazetareske. Por edhe nëse nuk bëjnë një gjë të tillë, madhështinë e medresesë e tregon puna dhe të arriturat e saja.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme