
Duke i lexuar librat hyjnorë, por edhe zbulimet arkeologjike, speleologjike, historike e të ngjashme, hasim në përpjekjet e njeriut për të siguruar mbrojtje dhe simpati hyjnore. Në këtë lëvizje dhe kërkim të vazhdueshëm të tij, njeriu ka ndërtuar sistem grandioz të raporteve me Zotin, nëpërmjet manifestimeve në formë lutjesh dhe ritualesh.
Ndër format më të lashta të komunikimit të njeriut me Zotin është edhe institucioni i agjërimit, si pjesë përbërëse e trashëgimisë religjioze të grupeve dhe të komuniteteve të ndryshme njerëzore.
Agjërimi nëpër histori
Studimi historiko-analitik i librave hyjnorë dhe i librave religjiozë dhe doktrinorë të religjioneve të ndryshme ofron të dhëna se agjërimin, si formë të komunikimit ndërmjet njeriut dhe Zotit, në forma të ndryshme, e gjejmë thuajse në të gjitha religjionet: ato popullore, filozofike dhe të shpallura.
Autori i njësisë enciklopedike ‘Fasting’ (Agjërimi) në ‘Encyclopaedia Britannica’ pohon se “vështirë se mund të gjendet ndonjë sistem religjioz e që në atë agjërimi i ramazanit nuk ka zënë së paku edhe vend sporadik.” [4]
Kinezët
Kinezët[5] e vjetër e kanë njohur agjërimin që nga lashtësitë e hershme. Ata agjëronin nga disa ditë, kurse agjërimi i tyre zgjaste 24 orë pa ndërprerje. Gjatë agjërimit ata nuk përdornin kurrfarë ushqimi, as lëngjesh, madje as nuk kanë të drejtë të përgatisin kurrfarë ushqimi gjatë kohëzgjatjes së agjërimit.[6]
Brahmanët
Brahmanët e njihnin instuticionin e agjërimit. Në librat e tyre të shenjta qëndron se gjatë gjatë zënnies së Diellit është e obligueshme që shtresat e ulta të popullsisë të abstenojnë nga ushqimi, pijet dhe nga akti seksual. Sipas ligjit të tyre, klerikët brahmanë janë të obligueshëm me agjërim në ditët e ekuinoksit (barasnatës). Brahmanët, sipas të dhënave që posedojmë, edhe sot e agjërojnë ditën e njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhgjetë të çdo muaji indus. Nëse i llogarisim këto të gjitha rezulton se gjithsej Brahmanët agjërojnë 24 ditë gjatë vitit.[7]
Budistët
Institucionin e agjërimit e kemi të pranishëm edhe te Budistët. Sipas doktrinës së tyre, agjërimi fillon nga lindja e Diellit e deri në perëndimin e tij. Për çdo muaj lunar, i cili tek ata quhet uposatha agjërohej nga katër ditë. Gjatë ditëve të agjërimit ndalohet çdo punë, madje ndalohet edhe përgatitja e darkës, prandaj ushqimi për darkë duhet përgatitur para lindjes së Diellit, respektivisht para fillimit të agjërimit.
Edhe Ligji i Budistëve, sikur edhe ai i Brahmanëve, i obligon klerikët e vet me agjërim gjatë ditëve të ekuinoksit.[8]
Egjiptianët e Vjetë r, Grekët dhe Romakët
Edhe Egjipti i Vjetër e ka njohur agjërimin, ndonëse ishin të përshkruar me idhujtari të thellë. Egjiptianët e Vjetër agjëronin me qëllim të ushtrimit dhe të pastrimit të shpirtit dhe këtë sidomos e bënin gjatë festave të tyre religjioze.
Sipas disa të dhënave, ritualet rreth agjërimit dhe riteve të tjera nga Egjiptianët i huazuan edhe Grekët në Antikë.[9] Nën ndikimin e Egjiptianëve, jo vetëm Grekët, por edhe Romakët filluan të agjërojnë dhe të huazojnë edhe rite tjetra religjioze.[10]
Sabejët
Sabejët radhiten ndër ithtarët e feve qiellore, mirëpo, për shkak të rrethanave të ndryshme, ata kanë devijuar nga e vërteta. Edhe përkundër devijimit, institucioni i agjërimit ka qenë gjallërisht i pranishëm në jetën e tyre.
Ibn Nedim në veprën e tij të njohur El-Fihrist na ofron ca shpjegime rreth agjërimit të Sabejëve. Ai pohon se Ligji i Sabejëve ua obligonte ithtarëve të vet agjërimin në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Ky agjërim ka qenë i obligueshëm në muajin mars, kurse është kryer në shenjë respekti ndaj zotit të Hënës.
Përveç këtij agjërimi, ata kanë agjëruar edhe nëntë ditë në muajin dhjetor dhe atë në shenjë respekti ndaj zotit të fatit – Jupiterit dhe gjithashtu, kanë agjëruar shtatë ditë në muajin shkurt në shenjë respekti ndaj zotit të Diellit, respektivisht ndaj zotit të të mirës, hyjit suprem të Sabejëve.
Sipas Ibn Nedim dhe të mendimtarëve të tjerë, agjërimi i rregullt i Sabejëve prej 30 ditësh përbëhej nga abstenimi nga ushqimi dhe pijet prej lindjes së diellit deri në perëndimin e tij. Kurse agjërimi prej shtatë ditësh përbëhej nga abstenimi nga vera, mishi dhe prodhimet e mishit.[11]
Manikeistët
Manikeistët, sikur edhe Sabejët, njihnin dhe praktikonin disa lloje agjërimesh, të cilat agjëroheshin në periudha të ndryshme kohore. Në doktrinën e tyre është karakteristike se agjërimi nuk vlen në të njëjtën kohë për të gjithë, por dita e diel zinte vend të posaçëm te shtresa e ulët e popullit, kurse dita e hënë tek shtresa e lartë e popullit.[12]
Arabët
Agjërimin në forma të ndryshme e kanë njohur edhe Arabët e periudhës së injorancës monoteiste (asr’ul-xhahilijjeh). Edhe pse format dhe motivet e agjërimit ishin të llojllojshme, Arabët në praktikimin e agjërimit shihnin një lloj penfimi, zbutje të egos së zotërave të tyre për mëshirë e të ngjashme, që ishte veçori tipike thuajse e të gjitha komuniteteve religjioze në Lindje.[13]
Ilirët
Për popujt ballkanikë, veçanërisht për Ilirët, është me rëndësi të theksohet se nuk janë bërë hulumtime të këtij lloji. Mirëpo, nëse analizohen zbulimet arkeologjike, enët e ndryshme, vizatimet nëpër shpella dhe zbulime të tjera, por edhe nëse lexohen shkrimet e vjetra të autorëve antikë, mund të përfundohet se edhe ilirët, parashqiptarët e kanë njohur agjërimin në forma primitive, duke abstenuar nga ushqimi e pijet në raste të ndryshme. Të gjitha këto janë argumente se besimi i mirëfilltë ka ekzistuar që nga fillimi, që në rrethana të ndryshme historike, janë kapërcyer si të tilla, apo janë shtrembëruar dhe deri te ne kanë arritur si të tilla.[14]
Popujt tjerë
Këtyre doktrinave religjioze dhe popujve do të duhej shtuar edhe qytetërimin e vjetër të Inkëve, të Kaldejëve, Babilonasëve, Fenikasëve, Hetitëve e të tjerë, mirëpo, synimi i këtij shkrimi nuk pretendon të shtrihet edhe më gjerë.
Agjërimi në fetë e shpallura
Agjërimi, sikur edhe te popujt dhe komunitetet e ndryshme popullore, filozofike dhe religjioze, edhe te religjionet e shpallura, qiellore, zë vend të rëndësishëm në tërësinë e tyre doktrinare dhe jetësore dhe paraqet shtyllën thelbësore te të gjithë pejgamberët e Zotit, në forma të ndryshme dhe gjithnjë e më të përkryera. Për shembull, lexojmë te Imam Buhariu se Nuhi a. s. (Noe) ka agjëruar tërë vitin përveç dy ditëve të para të Ramazanit dhe të Kurbanit.[15]
Një kohë të gjatë pas Nuhit a. s., kemi rastin e Davudit a. s., për të cilin Muhammedi alejhi's-selam pohon: “Davudi a. s. (Davidi) një ditë ka agjëruar, kurse një ditë jo. Por, kur ballafaqohej (me armiqtë) nuk zbrapsej.” [16]
Thënia që do të pasojë e Muhammedit a. s. lidhur me agjërimin e Davudit a. s., me të cilën ai iu përgjigj pyetjes së disa shokëve, të cilët dëshironin të agjërojnë tërë vitin pa ndërprerë, edhe më qartë dëfton për agjërimin si institucion individual e kolektiv gjatë historisë: “Nuk ka agjërim mbi agjërimin e Davudit a. s., kurse ky është gjysma e kohës. Agjëro një ditë dhe ha një ditë.”[17]
Agjërimi në mësimin hebraik
Studimi sistematik e analitik i teksteve të shenjta hebraiko-judaist konfirmon se insitucioni i agjërimit bën pjesë në segmentët thelbësore të mësimit të tyre. Agjërimi në Tevrat (Torë) kryesisht ka karakter profano-historik, sepse me vetë aktin e agjërimit evokohen disa data me rëndësi nga historia e tyre e shenjtë dhe e dhembshme.[18]
Dijetari i madh musliman, Muhammed Abduhu (vdiq 1905), në Tefsir’ul-menar thotë: “Është dëshmuar se Musai a. s. ka agjëruar dyzet ditë, dhe kjo periudhë ishte e njohur dhe e radhitur në ibadet. Hebraikët agjërojnë një javë gjatë këtyre dyzet ditëve si kujtim nga rënia e Jerusalemit dhe nga marrja e tij.”[19]
Në librat e shenjta hebraike për agjërimin lexojmë në disa vende: Levitik: 16, 2-34; pastaj në 23, 26-32; në Numra: 29, 7.[20]
Në librin e Zakarias mund të lexojmë se hebraikët pas ardhjes së Babilon kanë agjëruar shumë ditë në shenjë kujtimi nga ndodhitë e dhembshme të hisotirsë hebraike.[21]
Kemi edhe agjërimin, i cili urdhërohet me rastin e sëmundjeve vdekjesjellëse. Për këtë kemi argumente në Libri i dytë i Samuellit (12: 16); Libri i parë i Samuellit (21: 27); Libri mbi Gjyqtarët (20:26); Libri i parë i samuelit (14:1,14); Zakarie (7, 3. 5. 8, 19); Ezdra (8, 12); pastaj Levitiku (18, 29, 29:27); Numrat (29:7).
Me rastin e vdekjes agjërimi urdhërohet në Librin e parë të Samuelit (31:13).[22]
Format tjera të agjërimit kryesisht përshkohen me ton historik:
- Në muajin Tomuz agjërohen 17 ditë në shenjë kujtimi mbi ditën e pushtimit të Jerusalemit nga ana e Babilonasëve në vitin 586 para e. r.;
- Në muajin Aba agjërohen nëntë ditë në shenjë të kalljes së tempullit;
- Në muajin Tishrij agjërohen tri ditë;
- Në muajin Tavet agjërohen 10 ditë në shenjë të ditës së rrethimit të Jerusalemit nga Asirianët e të tjerë.[23]
Të agjëruarit është i ndaluar gjatë festave dhe ditëve të shtuna, për artsye se gjatë këtyre ditëve festohet e kaluara e tyre, repsektivisht festohet dita e Shabatit, si ditë pushimi, të cilën e zgjodhi Jahve në shenjë të vetëkënaqësisë me veprën e tij të krijuar.
Në pajtim me urdhëresën biblike Mundoni shpirtrat tuaj, për besimtarët hebraikë është e ndaluar të hanë, të pinë, të bartin lëkurë, ose të kenë marrëdhënie intime, si miratim të fajësisë nga besimtarët për mëkatet e ndryshme. [24]
Kohëzgjatja e agjërimit te hebraikët është e ndryshueshme. Në shumicën e llojeve të agfjërimit agjërimi fillon me lindjen e diellit, kurse poërfundon me shfaqjen e yllit të parë në qiell. Nga kjo ndryshon agjërimi Jom Kipur dhe agjërimi i ditës së nëntë Aba (gusht), të cilët zgjasin prej mbrëmjes deri në mbrëmje.[25]
Sipas bindjes së tyre, disa nga këto agjërimet e përmendura më sipër konsiderohen dytësore, prandaj edhe agjërohen pjesërisht, që do të thotë, besimtarët përmbahen vetëm nga përdorimi i mishit dhe i verës.[26]
Agjërimi në mësimin kristian
Në shkrimet e shenjta kristiane – ungjijë, agjërimi nuk përmendet askund në mënyrë eksplicite si urdhëresë e domosdoshme, por përmendet në kontekste të tjera si atë historik, moral: ai përmendet, lavdërohet dhe konsiderohet si vepër e mirë – adhurim.
Në Besëlidhjen e Re thuthet:
“Dhe, pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet netë, në fund u uritë.” (Mateu, 4, 2).[27]
Në Ungjillin e Mateut, gjithashtu, lexojmë:
“Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtincakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po them: u ndanë veç me atë shpërblim.”
Agjërimi më i vjetër dhe më i njohur në kristianizëm është Agjërimi i Madh, i cili bie para Pashkëve. Këtë agjërim e kanë agjëruar Musai a. s., Isai a. s. dhe apostujt.
Më vonë, Kisha vaktoi edhe lloje të tjera të agjërimit. Këto lloje dallojnë nga sekti në sekt, nga doktrina në doktrinë brendapërbrenda kristianizmit. Dallimet janë të karakterit fizik: abstenimi nga përdorimi i mishit, peshkut, vezëve, qumështit etj.[28]
Sipas porosisë së Kishës, kristianët agjërojnë sipas shembullit të Krishtit dhe të apostujve.Qëllimi parësor i të agjëruarit të tyre është abstenimi i pjesërishëm nga përdorimi i ushqimit, në mënyrë që të ngritet shpirti. Agjëruesit u shmangen gjerave të lejuara me qëllim të bashkimit me sakrificën e Krishtit dhe njëherit të pendohen për mëkatet e bëra. Sipas doktrinës kristiane agjërimi simbolizon bashkëpjesëmarrjen mistike në vuajtjet e Jezu Krishtit, kurse abstenimi nga ushqimet e yndyrshme simbolizon kujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit.
Ndonëse jo si synim parësor, agjërimi në kristianizëm ka për qëllim përsosurinë morale të njeriut. Lidhur me këtë Kisha në kreshmë pohon:
“Ti me agjërimin tënd trupor i abstenon ligësitë, e ngre shpirtin, jep fisnikëri dhe shpërblim.”
Gjatë kohëzgjatjes së agjërimit, besimtari kristian vetëm njëherë mund të ngopet, kurse në mëngjes dhe mbrëmje mund të marrë vetëm pak gjallërim.[29]
Dispozitat kristiane nga agjërimi lirojnë:
- Të sëmurët, të paaftit, ata që janë në shërim e sipër, ata që kanë punë të rënda, apo ata të cilët nëse agjërojnë nuk mund t’i kryejnë punë të tjera.
- Sipas katolikëve, por edhe të shumë sekteve të tjera kristiane, kristiani obligohet me agjërim nga mosha 21 vjeçare e deri në moshën 59 vjeçare[30], d.m.th. moshat tjera lirohen nga agjërimi.
Mund të përfundohet se agjërimi në judaizëm dhe kristianizëm por edhe në disa religjione tjera nuk ka ndonjë karakter të veçantë metafizik, por pikërisht mbetet në sferat e kësaj jete dhe paraqet një ndër format shterpe të kristocentrizmit ekzoterik kristian.[31] Dimensioni më i lartë, ai shpirtëror, gjatë historisë ka mbetur nën hijen e thellë të dimensionit profan. Fjalët e Jezu Krishtit, të natyrës së dimensionit shpirtëror, të përcjella në Ungjillin e Mateut se “Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit”[32], janë tretur e atrofizuar përball laicizimit dhe vullgarizimit të ritualeve brendapërbrenda kristianizmit gjatë historisë.
Agjërimi në mësimin islam
Agjërimi në islam bën pjesë ndër shtyllat kryesore të islamit. Muhammedi alejhi's-selam thotë: “Islami mbështetet mbi pesë shtylla: Deklarimi se nuk ka Zot tjetër pos Allahut dhe se Muhammedi është i njeri dhe i dërguar i Zotit, aplikimi i namazit, dhënia e zekatit, pelegrinimi në Meke dhe agjërimi i ramazanit”.[33] Në Kur’an agjërimi zë vend me rëndësi dhe përmendet në 14 vende: në kaptinën El-Bekareh, En-Nisa, El-Maideh, El-Ahzab dhe në El-Muxhadeleh.
Në anën tjetër, çdo përmbledhje hadithesh, si Sahihu i Buhariut, i Muslimit, por edhe përmbledhja e Nesaiut, e Ebu Davudit, Tirmidhiut, Ibn Maxhes e të tjera, përfshin librin e veçantë për agjërimin.
Agjërimi në formën përfundimtare me Kur’anin dhe Muhammedin a. s. iu bë detyrim (fard) muslimanëve para Betejes së Bedrit, në muajin Sha’ban, në vitin e dytë hixhrij, me ç’rast u abrogua agjërimi i Ashures, kurse u konstitua agjërimi i ramazanit.[34] Allahu në Kur’an thotë:
“O besimtarë! Agjërimin e keni obligim të detyrueshëm, siç e kishin detyrë edhe ata që qenë para jush …” (Kaptina El-Bekareh, 183).
Vetëm shkurtazi do t’i theksojmë disa dispozita lidhur me agjërimin, sa për krahasim me agjërimin në fetë tjera:
1. Kohëzgjatja e agjërimit në islam është një muaj lunar (29 deri 30 ditë).
2. Agjërimi në islam përbëhet nga abstenimi i përdorimit të çdo lloj ushqimi, pije, pimja e duhanit, marrëdhëniet intime dhe gjera të tjera që mund ta prishin agjërimin prej lindjes së diellit e deri në perëndimin e tij. [35]
Veçori e agjërimit islam kundrejt agjërimit në fetë tjera është disiplinimi i shpirtit dhe intensifikimi i religjiozitetit tek besimtari, intensifikimi i unit njerëzor për një vetëdije dhe një jetë të mirëfilltë, me qëllim të përpjekjes së vazhdueshme për takim me Absolutin. Ai nuk është, siç interpretohet shpesh nga të pafetë, rrënim i barrierave të llojllojshme ekzistenciale, por është heshtje, që ripëtritë dhe liron fuqinë fascinante të kontemplacionit. Duke agjëruar, njeriu nuk e shkatërron as shtangon qenien e tij me fuqitë e shumta nepsarake dhe epsharake, por vetëm e qetëson me fuqinë e heshtjes fatlume të agjërimit.[36]
Agjërimi në islam, edhe pse në thelbin e tij dëfton dhe manifeston heshtjen, qetësinë, ai megjithatë nuk është gjurmë misterioze e vetmisë dhe nemitjes asketike, as simbol i vdekshmërisë shkretinore dhe të izolimit shpirtëror, por është dhuratë e madhe shpirtërore, burim i çdo virtyti të lartë.[37]
Ndonëse Kinezët, Brahmanët, Budistët, judaistët e kristianët synojnë që me agjërim t’i arrijnë lartësitë shpirtërore, agjërimi i tyre thelbësisht dallon nga ai islam. Agjërimet e tyre pa përjashtim janë agjërime të pjesërishme dhe të bazuara në përpjekjet njerëzore të të përsiaturit, përplotë bestytni, mistifikime dhe politeizëm.
Veçori vijuese e agjërimit islam është se ai botën e brendshme të besimtarit e nxjerr në shkelqësinë e dritës, kurse askeza kristiane, budiste, xhainiste e të tjera dhe profaniteti i tepruar i agjërimit tek judaistët, botën e brendshme të besimntarit nga shkelqësia e dritës e shpie në errësirë të vetmisë misterioze, repektivisht në errësirë të rrafshit të pastër profan.[38]
Përmbyllje
Aktualiteti ynë tmerrësisht i shekullarizuar dhe vullgarisht i materializuar kanos t’i pengojë porositë polisemike dhe domethënëse të agjërimit, namazit dhe adhurimeve tjera fetare islame që ta arrijnë cakun e tyre – njeriun dhe mirëqenien e tij shpirtërore, morale, kulturore e fizike. Si pasojë e mosdëgjimit të këtyre porosive, njeriu rrezikon ta humb orientimin në të ecurit e tij.
Është obligim para dijetarëve muslimanë, por edhe para të tjerëve, që agjërimin dhe adhurimet tjera t’i studiojnë dhe hulumtojnë gjithanshëm dhe intelektualisht dhe këto arritje t’i prezantojnë para të gjitha rrafsheve intelektuale dhe në të gjitha segmentet e tij.
Literatura
1.
Besëlidhja e Re, Zagreb – Ferizaj, 1980.
2.
Gjerësisht: Mejdi Elezi, Histori i Antikës, Prizren, 2003.
3.
El-Karadavi, Jusuf, El-Ibadetu fi’l-islami, pa vend dhe vit botimi.
4.
El-Karadavi, Jusuf, Propisi o postu, Tuzla, 2001.
5.
Enciklopedija zivih religija, Beograd, 1990.
6.
Encyclopaedia Britannica,
7.
Glasnik VIS-a u Sarajevu, Sarajevë, nr. 2/1985.
8.
Islamska Misao – revistë për fe dhe informim, nr. 20, Sarajevë, 1980.
9.
El-Kur’an ose një nga përkthimet e tij në gjuhën shqipe të Feti Mehdiut, Hasan Nahit dhe Sherif Ahmetit.
10.
Latic, Džemaludin, Islam i svjetske religije, II, Sarajevë, 2000.
11.
Seb’a, Tewfik Muhammed, Hakedha nesumu, Kairo, 1971.
12.
Smailagic, Nerkez, Leksikon islama, Sarajevë, 1990.
13.
Studime Ilire, I-II, Prishtinë, 1979.
Fusnotat
[1] El-Kur’an, El-Bekareh, ajeti 30 e pas.
[2] Njeriu posedon shpalljen e drejtpërdrejtë sikur edhe të gjitha krijesat tjera dhe shpalljen e tërthortë (librat hyjnorë), dhuratë e veçantë për botën njerëzore.
[3] Shih gjerësisht: Jusuf El-Karadavi, El-Ibadetu fi’l-islami, pa vend dhe vit botimi.
[4] Encyclopaedia Britannica, Fasting.
[5]
[6] Tewfik Muhammed Seb’a, Hakedha nesumu, Kairo, 1971, fq. 59.
[7] J. Ramic, Ramazan – mjesec islamskog posta, Islamska Misao – casopis, nr. 20, 1980, fq. 6.
[8] Shih: J. Ramic, op. cit., fq. 6.
[9] Tewfik Muhammed Seb’a, op. cit., fq. 58-59.
[10] J. Ramic, op. cit., fq. 6.Gjerësisht: Mejdi Elezi, Histori i Antikës, Prizren, 2003.
[11] J. Ramic, op. cit., fq. 6.
[12] J. Ramic, op. cit., fq. 6.
[13] Sahih’ul-Muslim bi sherh’in-Nevevij, Kitab’us-sijam, vëllimi VII, fq. 186-229 dhe vëllimi VIII, fq. 1-65, Kairo, 1981; Krahaso: Walter Beltz, Biblijska mitologija, Zagreb, 1984; Mircea Eliade, Okultizam, magija i pomodne kulture, Zagreb, 1981.
[14] Grup autorësh. Studime Ilire, I-II, Prishtinë, 1979.
[15] Sahih’ul-Buharij, përktheu dhe komentoi në boshnjakishte Hasan Shkapur, vëllimi III, Prijedor, 1976, fq. 152, shënimi 54.
[16] Sahih’ul-Buharij, op. cit., fq. 152-153.
[17] Op. cit., fq. 153-154.
Përndryshe, edhe pse Davudi a. s. historikisht konsiderohet pejgamber i Zotit me prejardhje hebraike,.ai nuk do të trajtohet në kreun mbi agjërimin te hebraikët, për arsye se burimi nga e shfrytëzuam këtë fakt është hadithi i Muhammedit a. s., i transmetuar në Sahih’ul-Buharij, e jo burimet hebraike.
[18] Sipas: R. Hafizovic, op. cit., fq. 123.
Krahaso: D. J. Schnall, Jom Kipur, në: Enciklopedija zivih religija, (më tej: EŽR), Beograd, 1980, fq. 341.
[19] J. Ramic, op. cit., fq. 6.
[20] D. J. Schnall, Jom Kipur, në: EŽR, op. cit., fq. 341.
[21] Tewfik Muhammed Seb’a, op. cit., fq. 59.
[22] Shih: D. J. Schnall, Jom Kipur, në: EŽR op. cit., fq. 341; R. Hafizovic, op. cit., fq. 123.
[23] R. Hafizovic, op. cit., fq. 123.
[24] D. J. Schnall, Jom Kipur, në: EŽR, op. cit., fq. 341.
[25] Tewfik Muhammed Seb’a, op. cit., fq. 59.
[26] J. Ramic, op. cit., fq. 6.
Për karakteristikat e judaizmit shih: Dzemaludin Latic, Islam i svjetske religije, II, Sarajevë, 2000, fq.153-162.
[27] T. J. Talley, Veliki post, në: EŽR, op. cit., fq. 776.
Për llojet tjera të agjërimit kristian dhe karakteristikat tjera shih njësitë enciklopedike: Isus, Uskrs, Strasna sedmica, Kalendar, Hriscanski, Pepeljeva sreda, veliki Petak.
[28] Shih: T. J. Talley, Veliki post, në: EŽR, op. cit.fq. 776.
Krhs.: Tewfik Muhammed Seb’a, op. cit., fq. 59-60. Krhs.: J. Ramic, op. cit., fq. 7.
[29] R. Hafizovic, op. cit., fq. 124.
[30] Ibid., fq. 124.
[31] Ibid., fq. 124.
[32] Ky citat dhe disa citate të tjera në këtë shkrim janë cituar sipas: Besëlidhja e Re, përkthyer nga Don Simon Filipaj, Zagreb – Ferizaj, 1980.
Për karakteristikat e përgjithshme të kristianizmit shih: Dzemaludin Latic, op. cit., fq.162-185.
[33] Sipas: Sahih’ul-Buharij, op. cit., fq. 33-34.
[34] Sipas: Nerkez Smailagic, Leksikon islama, Sarajevë, 1990, fq. 491.
[35] Për dispozitat e agjërimit shih: Jusuf El-Karadavi, Propisi o postu, Tuzla, 2001.
[36] R. Hafizovic, op. cit., fq. 117.
[37] Ibid., fq. 118.
Shih shkrimin tejet frymëzues për agjërimin nga autori egjiptian: Muhammed Abdullah Draz, Agjërimi i Ramazanit, në disa botime në gjuhën shqipe në Prishtinë, Shkup etj.
[38] R. Hafizovic, op. cit., fq. 121. Në këtë aspekt vlen të lexohet Imam El-Gazaliu dhe Ihjau ulum’id-din-i i tij.