
Dhe, sado që gojëkëqijtë janë munduar vitin që po e lëmë pas të hedhin gurë e dru mbi Skënderbeun vetë dhe mbi ata që po e sjellin atë në Shkup, kjo aspak nuk ia ka zbehur imazhin kësaj feste. Tash Shkupi po e krijon një trekëndësh me Tiranën e Prishtinën, në një mënyrë elementi shqiptar në Shkup viteve të fundit i harruar e i lënë pas dore edhe me fajin tonë, me këtë akt arrin të fuqizohet. Është ky një moment që shqiptarëve të Maqedonisë, veçmas atyre të Shkupit, u injekton një energji se megjithatë po vijnë erëra më të mira dhe njëri cep i shqiptarisë, njëri kënd i trekëndëshit barabrinjës e prek edhe Shkupin. Nëse me këtë rast do të isha pak subjektiv, do të thosha se aq më tepër më gëzon fakti që realizuesi i këtij projekti është një shok, koleg e mik i imi, kryetar i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, që i përket asaj gjenerate që e kanë vrarë tutën qëmoti. Ndonëse kjo mund t’i përshkruhet atij edhe si akordim i pikave politike, kujtoj se në këtë moment gjithçka e ka të falur, sepse po e bën një vepër që dikush pak më herët vetëm ka mundur ta ëndërrojë.
Krejt kjo që e thamë më sipër është vetëm njëra anë e medaljes, ajo politike, të cilën asnjë shqiptar nuk mund ta kontestojë dhe për të cilën secili duhet të jetë krenar.
Megjithatë, në gjithë këtë ekziston edhe një anë tjetër të cilën pakkush e kthen ta shohë, pakkush mendon për të, e aq më pak kemi njerëz që marrin guxim të shkruajnë e të flasin hapur për të. Fjalën e kam në krijimin e miteve e idhujve që ne shqiptarët i përdorim sa herë të na e dojë nevoja politike dhe i përmbysim atëherë kur nuk na duhen më. Kështu derisa në kohën e komunizmit askush nuk e zinte në gojë Nënë Terezën, sot po ata të njëjtit vrapojnë të bëjnë karrierë më emrin e saj, duke i ngritur buste, përmendore e duke emërtuar gjithçka me emrin e saj. Kam përshtypjen se edhe vetë Nëna do të neveritej prej gjithë asaj që sot ia bëjnë emrit të saj. Diçka e këtillë mendoj se po bëhet edhe me figurën e Skënderbeut. Në kohën e komunizmit në Shqipëri Skënderbeu trajtohej si luftëtar për barazinë e klasave (paramendoni feudali që barazon klasat) dhe Shqipëria e ndërtoi imazhin e tij si “i barabarti në mesin e barabartëve” (një parullë kjo e nxjerrë nga konteksti), ndërsa në demokraci po ai Skënderbe trajtohet si pararendës dhe mbrojtës i qytetërimit evropian, themelues i shtetit shqiptar, mbret i shqiptarëve e të tjera të cilat askush nuk ka guxim as t’i vë në peshoren e shkencës, sepse shpallet tradhtar. Mbase për nevoja të këtilla Skënderbeun e sollën edhe në Prishtinë, edhe pse ai në gjallje të tij, nuk kishte mundur të dalë edhe shpesh në Kosovë. Kujtoj se kemi të bëjmë me një nacional-romantizëm të vonuar për disa dhjetëvjeçarë këndej kufirit dhe më e keqja se kjo është se te ne akoma as që ka shenja se mund të hapen dyert e polemikës për figurat historike të popullit shqiptar. Te ne nuk ka kurrfarë hapësire të trajtohet Skënderbeu edhe në prizmin e kritikës, në fokusin objektiv të luftës së tij, të sukseseve të tij, të lidhjes së tij me ne, të raporteve të tij me latinët e sllavët e kështu me radhe. Krejt kjo ngase qëllimi ynë mbetet që Skënderbeu të jetë hero i yni kombëtar, simbol i qëndresës shqiptare ndaj Perandorisë Osmane, mbrojtës i qytetërimit evropian e kështu me radhë, ndërsa secili që merr guxim t’i kontestojë këto, shpallet heretik. Diçka subjektive dhe emotive.
Në anën tjetër Shqipëria që Skënderbeun e ka pasur në qendër të Tiranës, në oborrin e Etem Beut, për disa dekada me radhë dhe si duket është ngopur me figurën e tij, tash ka filluar t’i emërtojë më esëll edhe gjërat mbi Skënderbeun, duke e kundruar edhe atë si figurë historike, me të mirat dhe të ligat e tij, pra duke ia hequr elementet mitike që ia kanë mveshur të tjerët. Në këtë pikëpamje në Shqipëri janë botuar tekste që flasin për Skënderbeun edhe në këtë aspekt, por kjo aspak nuk ia ka zbehur atij imazhin e heroit kombëtar, por veçse e ka fuqizuar ndjenjën tonë për të, na ka njoftuar më për së afërmi me figurën e tij, ashtu që ne që i arrijmë këto shkrime, e kemi më të qartë pozicionin e tij në mesjetë dhe dimë më mirë ta kundrojmë figurën e tij edhe nga këto rrethana. Prandaj jo rrallë na dalin qesharake komentet letrare si ato të ca myftinjve vitin e kaluar të cilët për Skënderbeun tha shumëçka, por në fakt asgjë, sepse gjithçka ishte në stilin “ai ka qenë i madh, hero...”.
Prandaj, edhe tash kur ne shqiptarët e Maqedonisë, po e sjellim Skënderbeun në Shkup, thënë ndryshme po e kalojmë përvojën romantike të Shqipërisë e të Kosovës, ka nevojë që ngadalë të biem për toke, t’i shikojmë gjërat në prizmin e fakteve të të gjitha palëve, t’i krahasojmë gjërat dhe të mos flasim me atë që na vjen nga barku, por të mendojmë me tru që ka shumë pak adrenalin.
Megjithatë, mirë se erdhe Skënderbe në Shkup! Në kalldrëmin osman të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.