
Shtatëmbëdhjetë shkurti ishte me plot të drejtë ditë gëzimi dhe festimi për popullin e Kosovës, sikur që ishte i tillë për të gjithë shqiptarët anë e mbanë Globit. Pritja mbi 100 vjeçare e kësaj dite të madhe, lidhja e gjakut dhe gjuhës, sakrifica e përbashkët drejt këtij qëllimi, bënë që njësoj sikur shqiptarët e Kosovës, të gëzohen edhe ata në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë e diasporë. Dhe, nëse me shumë të drejtë thonë se dhembja pakësohet kur të ndahet me të tjerët, atëherë sigurisht ia vlen konstatimi se gëzimi edhe më tepër shtohet kur ndahet me të tjerët.
Shtatëmbëdhjetë shkurti, kjo ditë e bekuar nga Zoti në të cilën ëndrra e kamotshme u bë realitet, kur ankthi shekullor u shndërrua në gëzim, kur frika dhe guximi bashkë u kthyen në krenari e lavdi. Prej kësaj dite Kosova do të frymojë ndryshe dhe lirshëm, larg ndyrësirës kontaminuese serbe dhe gjithçkaje të fëlliqur që vinte nga veriu i saj; si shtet më vete, i pavarur dhe sovran, i lirë për të ecur përpara dhe për të zhvilluar proceset në kahen e duhur, për të vendosur për fatin e vet.
Tani, pas shpalljes së pavarësisë dhe sovranitetit, Kosovën e pret një rrugë e gjatë dhe e mundimshme në drejtim të konsolidimit të mirëfilltë, ngritjes dhe zhvillimit, për më tepër kur të kihet parasysh gjendja të cilën ajo e trashëgoi nga e kaluara kolonialiste, si dhe kjo që u krijua nga periudha tetëvjeçare e tranzicionit unmikinian.
Interesant, sa e lehtë dhe “normale” mund të duket një gjë kur veç më ndodhë, arrihet, realizohet. Sikur menjëherë dhe vetëm për një çast minimizohen, për të mos thënë harrohen, gjithë pengesat dhe vuajtjet për arritjen e saj. Dhe kjo është ashtu për shkak sepse e tillë është natyra njerëzore, për mos u marrë shumë me të kaluarën, sa për të shikuar kah e ardhmja. Dhe kjo gjithsesi ka përparësinë e vet, sepse e shkuara nuk kthehet dot, ndërsa e sotmja duhet jetuar për të nesërmen. Në këtë drejtim ndoshta edhe duhet kuptuar thirrjet dhe vlerësimet e njerëzve të ndryshëm se “puna më e madhe dhe më e rëndë mbetet për t’u kryer tani pas pavarësisë”. Megjithatë, asnjëherë nuk duhet harruar e historia e shkuar, rruga e kaluar. Kujtimi për vuajtjet, sakrificat, arritjet, të kaluarën e dhembshme dhe të lavdishme tonën njëkohësisht, duhet të shërbejë si kandil ndriçues në rrugën drejt së ardhmes.
Gjithsesi, para shtetit të ri të Kosovës do të paraqiten shumë sfida në kohën që vjen, të natyrave dhe preokupimeve të ndryshme, por nuk besoj se ato do të jenë më të mëdha, më të vështira, më të paarritshme dhe të largëta në kohë se sa kjo që kaloi deri te Pavarësia. Sigurisht, edhe “vuajtjet” dhe “sakrificat” do të jenë më të “buta” se ato që përcollën këtë rrugëtim të gjatë shumëdekadësh deri te dita e sotme - pa kryengritje, djegie, shkatërrime; pa internime, burgosje, dëbime; pa demonstrata, helmime, vrasje, valë refugjatësh; pa trishtim fëmijësh, maltretim pleqsh, përdhunim grash, ekzekutim burrash. Pa shumë e shumë “sfida” të tmerrshme dhe të papërshkrueshme që solli me vete periudha më shumë se qindvjeçare nën zgjedhën dhe çizmen sllave, një periudhë madje e veshur për një kohë të gjatë edhe me petkun e “bashkim-vëllazërimit” të rrejshëm, kësaj ombrelle të çuditshme të shtypjes dhe dhunimit të së drejtës sonë.
Dhe, sado që njeriu të mundohet të thotë diçka më shumë përmes këngës, vargut, shkronjës a fjalës, ai asnjëherë nuk do të arrijë të përfshijë gjithë historinë, për më tepër një histori aq të bujshme sikur që ka Kosova. Sepse, nuk ka këngë që ngrit në vendin e duhur guximin dhe elanin e udhëheqësve të Lidhjes së Prizrenit, angazhimin në kontinuitet për çlirim dhe bashkim kombëtar, heroizmin dhe luftën e brezave të personifikuar në figurën e Haxhi Zekës e Bajram Currit, Shaban Polluzhës e Mulla Idriz Gjilanit, Adem Jasharit e Zahir Pajazitit. Sepse, nuk ka varg që u reciton në mënyrë të përkryer demonstratave të 68-shes, 81-shit, 89-tës, organizimeve politike të ilegalitetit, qëndrimit stoik të studentëve. Sepse, nuk ka shkronjë që duron dot ta përshkruajë zullumin e Pashiçit, Rankoviçit, Millosheviçit dhe shumë “viçave” tjerë. Sepse, nuk ka fjalë që arrin të artikulojë drejtë të vërtetën e plotë mbi dhembjet tona shekullore, mbi eksodin e muhaxhirëve të Toplicës, mbi masakrën e Tivarit, për dhembjen e minatorëve të Stan Tërgut, për helmimin e fëmijëve, ankthin e viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, Bllacën, Stenkovecin dhe dhjetëra kampet e ngritura për refugjatët kosovarë...
Dhe, kur të kihet parasysh kjo që u përmend, si dhe shumë gjëra tjera që mbetën pa thënë, atëherë nuk ka si mos të të kaplojë një siklet, ndoshta krejt i panevojshëm, kur dëgjon dikë të thotë se tani e në të ardhmen do ta kemi “më rëndë e më vështirë”. Në njëfarë mënyre edhe mund të jetë ashtu, rrugëtim i gjatë për ngritjen dhe zhvillimin e një shteti “të porsalindur”, por mendoj se e gjithë kjo do të jetë shumë më lehtë sesa deri tani nën thundrën dhe sundimin e shkaut. Besoj që Kosova ka kapacitet politik, intelektual, e pse jo edhe ekonomik e shpirtëror, për t’u ballafaquar me shumë dinjitet me të gjitha sfidat të cilat do të gjenden para saj në misionin e ngritjes si shtet sovran e demokratik, duke respektuar vlerat pozitive të shoqërive të avancuara, por asnjëherë duke mos nëpërkëmbur atë që është traditë dhe identitet i saj.
Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare
Gjithsesi, shtetet e mëdha të Evropës, me qasjen pozitive që patën ndaj çështjes së Kosovës në këtë fillim shekull, korrigjuan deri diku gabimin dhe mëkatin që ato bënë ndaj popullit shqiptar gjatë dy shekujve të kaluar. Bashkësia e sotme evropiane, apo së paku pjesa më e madhe e shteteve që gravitojnë aty, rehabilitoi deri në një masë Evropën e vjetër plakë dhe udhëheqësit e saj, të cilët për më shumë se një shekull të tërë lejuan dhe mundësuan kolonizimin sllav të Kosovës. Brukseli i sotëm korrigjoi deri në një masë gabimet historike të Traktatit të Shën Stefanit, Kongresit të Berlinit, Konferencave të Londrës e Versajës, edhe pse, dorën në zemër, me arsye ekziston një skepticizëm se sa do të ishte e gatshme ta bëjë edhe kjo bashkësi e sotme e shteteve evropiane këtë hap vendimtar sikur mos të ishte nxitja dhe presioni i SHBA-ve!
Sidoqoftë, njohja e menjëhershme e pavarësisë së Kosovës nga këto shtete, si edhe prej SHBA-ve dhe shumë të tjerave nga mbarë bota, jep shpresë për një këndellje të vërtetë ndërkombëtare dhe angazhim shumë më serioz për të ndihmuar Kosovën drejt ngritjes dhe zhvillimit të saj. Gjithsesi, në këtë grup të vendeve nuk mund të hyjnë Rusia, Serbia e ndonjë satelit tjetër rus këtu afër e pak më larg, por kjo aspak nuk do të pengojë proceset tanimë të filluara në Kosovë me shpalljen e pavarësisë. Për më tepër, zhurma e Serbisë duhet të jetë “plotësisht e kuptueshme” kur të kihet parasysh mentaliteti i çoroditur serb, miti i rrejshëm që ata kanë ngritur mbi Kosovën si “djep i tyre i shenjtë” dhe beneficionet kolonizuese që ata kanë shijuar gjatë gjithë dekadave të sundimit të tyre me Kosovën. Aspak nuk duhet të jetë habitëse egërsia me të cilën ata po manifestojnë zemërimin për “ikjen” e Kosovës nga kthetrat e tyre, përmes shkatërrimit dhe djegieve të ambasadave të huaja, përmes demolimit të shitoreve dhe vjedhjes së pasurisë së huaj, përmes sulmeve të vendkalimeve kufitare me Kosovën... kur të kihet parasysh se historia e tyre njeh ngjarje dhe veprime edhe më të shëmtuara. Çështja mbetet, deri kur faktori ndërkombëtar do të jetë tolerues ndaj zullumit që serbët po bëjnë ndaj një shteti tjetër sovran e të pavarur çfarë është Kosova? Sidoqoftë, edhe këtij depresioni dhe pikëllimi serb për Kosovën do t’i vijë fundi, sikur që u ka ardhur deri tani edhe shumë sjelljeve dhe veprimeve të tyre devijuese. Një ditë Serbia do ta kuptojë se ka marrë fund kolonizimi i saj në Kosovë dhe se ka ikur përgjithmonë mundësia e administrimit me këtë vend. Sa më parë që të ndodhë kjo, aq më mirë do të jetë për vetë serbët dhe të ardhmen e tyre.
Si qëndrojnë punët e Maqedonisë në raport me shtetin e ri të Kosovës?
Përderisa shqiptarët, nga njëra anë, e pritën me gëzimin më të madh të mundshëm shtetin e ri të Kosovës dhe festuan në mënyrë dinjitoze nëpër të gjitha qytetet ku ata janë, ç’është e vërteta shumë prej tyre nëpër vende publike e disa tjerë nëpër shtëpia, pushteti maqedonas, nga ana tjetër, akoma duket i hutuar për hapat që duhet marrë. Vërtetë, vetëm naivët e politikës kanë mundur të presin se Maqedonia do të jetë “ndër vendet e para që do ta njohë shtetin më të ri në botë”. Rrethanat aktuale me të cilat po ballafaqohet Maqedonia, e në rend të parë presioni gjithnjë e më i madh ndërkombëtar për ndërrimin e emrit dhe përmbylljen e bisedimeve maratonike me Greqinë rreth kësaj çështje, prej çka edhe varet perspektiva euro-atlantike e vendit, ua kanë marrë mendtë udhëheqësve të shtetit dhe i kanë sjellë në gjendje paniku. Kur kësaj t’i shtohen edhe krizat sociale, ekonomike e politike, atëherë gjërat komplikohen edhe më tepër. Pastaj, për asnjë çast nuk duhet harruar miqësia (vëllazëria) e vjetër që Maqedonia ka pasur me Serbinë në shumë çështje dhe projekte dhe lidhjet akoma të forta mes këtyre dy vendeve. Ajo që jep shpresë se njohja e Maqedonisë për shtetin e Kosovës megjithatë nuk do të vonohet deri në pakufi është orientimi euro-atlantik i Maqedonisë dhe, detyrimisht, ecja në të njëjtën vijë politike me shtetet e BE-së dhe SHBA-të. Duhet kuptuar si shumë të vërteta deklaratat që disa herë janë dëgjuar nga udhëheqësit shtetëror maqedonas, se politika maqedonase ndaj Kosovës do të udhëhiqet kryesisht nga “interesat kombëtare e shtetërore të Maqedonisë”. Faktori i vetëm shtytës për të përshpejtuat gjërat në këtë drejtim do të jetë presioni ndërkombëtar që do t’i bëhet Maqedonisë nga strukturat euro-atlantike, e jo dëshira apo vullneti i ndonjë politikani shqiptarë apo partie politike shqiptare, sado që dikush të rrahë gjoks në këtë drejtim.