
2. Shteti islam
Islami për muslimanin, mendon Muhammed Ikballi, është më tepër se feja: Islami është bashkësia e tij, populli i tij, vendi ku do ta arrijë egon e tij të mirëfilltë.
Bashkësia Muslimane (Ummeti) është shoqëri e themeluar në besimin e përbashkët, por për dallim nga tradita judeo-kristiane, ajo përfshin edhe nocionin e shtetit. Nuk ekziston ndarja në shpirtërore dhe botërore. Edhe njëra, edhe tjetra e përbëjnë tërësinë e Islamit.
Shtyllat motra të shtetit dhe të shoqërisë muslimane janë:
1. Pejgamberia e Muhammedit a.s.
Muhammedi a.s. nuk ishte vetëm i dërguar i Allahut, por edhe shembull për bashkësinë muslimane. Ai refuzoi shtresën e privilegjuar, respektin priftëror e mbretëror dhe e themeloi shoqërinë që bazohet në liri, barazi dhe vëllazëri.
2. Mësimi mbi tewhidin (monoteizmin)
Njësia e Allahut konfirmon monoteizmin e mirëfilltë të Islamit. Parimi i tewhidit bashkësinë e mban të tubuar, është burim i barazisë, pajtueshmërisë dhe lirisë (tewhidi është shpirti dhe trupi i bashkësisë sonë). Fuqia e tij është që shoqëria e besimtarëve të bëhet vëllazëri e të barabartëve: “Merr pjesë në një të folur, në një shpirt dhe në një zemër.”
Konstituimi i shtetit islam, si manifestim i mësimit të tewhidit, zë fill në:
- Dominimin e ligjit të Allahut (sheriatit) dhe
- Barazinë absolute ndërmjet pjesëtarëve të saj.
Ligji i Allahut, Sheriati përfshin të gjitha sferat e jetës:
- Obligimet ndaj Allahut (namazi, zekati, mirësia, respekti);
- Obligimet ndaj shoqërisë (ligjet civile, penale, martesore).
Sa i përket sektashizimit religjioz dhe kaosit shoqëror të popujve muslimanë, Muhammed Ikballi zgjidhjen e sheh në
- Kthimin e besimtarëve në burimet islame dhe
-.Kthimin te njeriu ideal, i përkyer (insan’ul-kamil).
3. Islami fe e paqes dhe jo fe luftarake
Muhammed Ikballi, i përballur me paragjykimet perëndmore mbi Islamin si fe luftarake, iu referua Kur’anit dhe Sunnetit dhe thoshte se lufta ofanzive sipas Kur’anit është e ndaluar, kurse të gjitha luftërat e zhvilluara gjatë kohës së Muhammedit a.s. kanë qenë defanzive. Luftrat në Islam janë të lejuara vetëm nëse kanë për qëllim madhërimin e Allahut, e kurrsesi luftrat që kanë për qëllim territoret e huaja e të ngjashme:
Lufta është e mirë nëse synimi i saj është Allahu.
Nëse shpatat tona nuk e madhërojnë Allahun,
Lufta i turpëron njerëzit...
Kushdo që merr shpatën për diç tjetër, pos Allahut,
Shpata do të futet në krahërorin e tij.”
(Fshehtësia e egos)
4. Pavarësia si kusht për shtetin modern islam
Shteti modern islam, i mbështetur në besimin e përbashkët religjioz, synon të sendërtojë në histori lirinë, barazinë dhe vëllazërimin, pa marrë parasysh racat dhe kombet. Lidhja e brendshme e kësaj bashkësie rrjedh nga uniteti politik dhe religjioz, e jo nga uniteti gjeografik apo etnik.
Që të arrihet uniteti musliman, sipas Muhammed Ikballit, të gjitha vendet islame duhet të pavarësohen, të vëhen nën udhëheqjen e halifit. Nëse sot nuk është e mundur kjo të aplikohet, atëherë duhet pritur momentin e volitshëm.
5. Islami dhe ideologjia perëndimore
Duke u mbështetur në trashëgiminë islame, Muhammed Ikballi është përpjekur t’i vlerësojë dy ideologjitë dominuese të shekullit XX, atë të kapitalizmit dhe socializmit.
Ai konsideron se kapitalizmi ka asfiksuar individin dhe zhvillimin e tij:
Sistemi demokratik i Perëndimit është instrument i njëjtë i vjetër
Telat e të cilit nuk përmbajnë kurrfarë note përveç zërit të mbretit ....
Edhe për kapitalizmin dhe për socializmin thotë:
Të dytë kanë lëshuar rastin ta njohin Allahun,
Ta mashtrojnë njerëzimin,
Njëri është i etshëm për revolucion, tjetri për tatim,
Ata janë dy gurë mulliri,
Që bluajnë gjininë njerëzore.
(Xhavid-nameja)
Për materializmin ekstrem dhe për ateizmin e të dyja sistemeve, Muhammed Ikballi thotë:
Shpirti i të dyja sistemeve është i padurueshëm dhe jotolerant,
Të dytë nuk e njohin Zotin dhe e mashtrojnë njerëzimin,
Njëri jeton duke prodhuar, tjetri duke paguar tatimet,
E njeriu është qelq i zënë ndërmjet këtyre dy gurëve.
(Xhavid-nameja)
Përfundim
Preokupimi kryesor i Muhammed Ikballit ka qenë rilindja e muslimanëve. Ai vetveten e ka parë si njërin nga rilindasit e famshëm para tij (Shah Veliullahun, Xhemaluddin Afganiun, Muhammed Abduhunë etj.). Kjo e ka shtyrë edhe ta shkruaj veprën më të njohur të tij Ripërtëritja e mendimit fetar në Islam, me theksin kryesor në ixhtihadin, parimin lëvizës në strukturën islame.
Muhammed Ikballi i ka artikuluar ato parime islame për të cilat ka besuar se janë fundamentale për përtëritjen e bashkësisë muslimane, duke ualënë aplikimin praktik politikanëve, ekonomistëve, sociologëve dhe ekspertëve të fushave të tjera.
Së këndejmi, vepra e Muhammed Ikballit është interesante, jo si doktrinë dhe udhëzim deri te e vërteta përfundimtare, sepse ajo këtë nuk ështçë, por si dpëshmitar i perceptimit të Islamit në një kohë që ende nuk ka kaluar! (Shkrimi është shkruar në vitin 1991).
Literatura:
1. Muhammed Ikballi, Poezi të zgjedhuira, prizren, 1410/1990, fq. 35.
2. Muhammed Ikball, Obnova vjerske misli u islamu, Sarajevo, 1979, fq. 143.
Muhammed Ikball, Ripërtëritja e mendimit fetar në Islam, Shkup, 2006.
3. M. M. Sharif (ed.), Historija islamske filozofije, II, Zagreb, 1988, fq. 546-556.
4. Enes Karic, Savremena dieologijska tumacenja Kur’ana i Islama, Zagreb, 1990, fq. 111-126.
5. Glasnik IZ BiH, 4/1988, Sarajevë, fq. 394-395 dhe 396-405.
6. Glasnik IZ BiH, 5/1988, Sarajevë, fq. 561-567 dhe 568-574.
7. Islamska Misao, 115/1988, Sarajevo, fq. 16-22.
8. Zbornik Radova Islamskog teoloskog fakulteta u Sarajevu, Sarajevo, 2/1987, fq. 205-223.
9. Cedomil Veljacic – Rada Ivenkovic, Indijska i iranska etika, Sarajevo, 1980, fq. 443-450.
10. A. Hassun, Felsefetu Ikbal, Damask, 1986, fq. 240.
11. N. Kejlani, Ikbal – Esh-Shair’uth-thair, Bejrut, 1980, fq. 150.