
2. PËR RAUF FICON DHE FAIK KONICËN
Në të kthyer nga Shkodra, një ditë e kalova në Tiranë. Këtë herë kisha vendosur të pi nga një kafe me z. Bardhyl Ficon dhe eventualisht me z. Ali M. Bashën, që e kam shok haxhillëku, por nuk ndihet mirë me shëndet. U dëgjova vetëm në telefon,sa për t'i uruar shëndet e jetë. Me z. Bardhylin ndejtëm deri në orët e vona. Bëmë muhabet, qajtëm derte, i kujtuam edhe ditët kur u njohëm për herë të parë. Në ndarje më dhuroi një monografi që posa kishte dalë nga shtypi dhe i kushtohej z. Rauf Ficos,të atit të B. Ficos.Monografia është shkruar nga dr. Shyqyri Hysi dhe mban titullin RAUF FICO SHTETAR DHE DIPLOMAT I SHQUAR. Botuar në Tiranë më 2007. Menjëherë sa e mora në dorë m'u kujtua thënia e Faik Konicës për Rauf Ficon që e kisha dëgjuar që në vizitën e parë në Shqipëri. Thënia e Konicës është marrë si moto e kësaj vepre: "RAUF FICO ISHTE SHQIPTAR EDHE ATËHERË KUR NUK KISHTE SHQIPËRI". Për vlerat shkencore të kësaj vepre,fjalën e vet do ta thonë historianët dhe do të ishte mirë t'i bëhej promovimi i këtij botimi edhe në Kosovë. Sidomos tash pas aktit të shpalljes së Pavarësisë, pasi u jetësua ëndrra jetike e të gjithë shqiptarëve kudo që janë, u jetësua ëndrra e atdhetarëve më të mëdhenj që njeh historia shqiptare që nga kapërcyelli i shekullit nëntëmbëdhjetë e deri më sot. E shoh të udhës të paraqes vetëm tri sentencat me theks kombëtar të R. Ficos për çështjen e Kosovës dhe Çamërisë,amanet brezave të të gjitha kohërave:
-EDHE NË VARR DO TË NA GJEJNË ME GISHTIN E DREJTUAR NGA KOSOVA.
-ANEKSIMI I SHËN NAUMIT ËSHTË PLAGËNË ZEMËR DHE TRUTË TONA.
-DO T'I DREJTOJMË NIPAT E STËRNIPAT TONË DHE DIKU KËMBA DORAZI, DUARAZI, BARKAZI DO TË VENË NË KOSOVË NËN HIJEN E SHKABËS DYKRENARE.
Ja këto janë postulatet që burojnë nga ndjenjat atdhetare të R. Ficos që e shtyn doajenin e publicistikës shqiptare të shprehet me aq pietet, dhe kaq fjalë miradije nuk ka shprehur për askënd tjetër. F. Konica nuk ka thënë asnjë fjalë më tepër nga ajo që e ka merituar shtetari R. Fico. Them kështu sepse është e njohur deviza e Konicës e shprehur në mënyrë koncize përmes çdo epistolari drejtuar Zotit me "Lutjen e shkrimtarit" : "Zoti ynë që je në qiell, na jep fuqi të mbyllim gojën kur s'kemi gjë për të thënë".
Është e vërtetë se njeriu duhet të jetë i matur në çdo aspekt, të dijë t'i peshojë fjalët, të dijë t'i përdorë ato për të shëruar plagë, për të ëmbëlsuar shpirtin e atij që e ka pllakosur ndonjë e keqe. Nisur nga ky parim, njeriu ndien nevojë për të nxjerrë në letër do gjëra që e shqetësojnë dhe që duhet dikush t'i dëgjojë, që mos i mbulojë velloja e harresës. Këto pak rreshta janë vetëm skeleti i asaj që mund të thuhet për monografinë në fjalë, dhe sikur mos e bëja këtë prezantim të shkurtër do të më mbetet gand dhe do të ndieja një boshllëk në shpirt. I vetëdijshëm se nuk kam thënë as dy përqind nga ajo që mund të thuhet për këtë monografi, madje edhe në vetë monografinë mungojnë edhe shumë të dhëna për kontributin e R. Ficos në përhapjen e abetareve të para dhe botimeve tjera në gjuhën shqipe në Maqedoni dhe gjetiu, gjatë kohës kur ai ishte ambasador në Beograd.
3. PARA DHJETË VJETËSH
Motoja e monografisë më rikujtoi një ndodhi të vitit 1998, kur isha në Prishtinë me një delegacion, si përfaqësues i Shoqatës Humanitare që atëherë vepronte në kuadër të Bashkësisë Islame. Arsyet e kësaj vizite ishin të shumta. Në të vërtetë deshëm të njoftojmë faktorët relevantë për një ndihmë humanitare që patëm dërguar në rrethin e Durrësit,në disa fshatra ku ishin strehuar shumë familje kosovare,që është një histori shumë e idhët. Dhe ishte koha për të intensifikuar aktivitetet tona në drejtim të Kosovës. Patëm takime me përfaqësues të Bashkësisë Islame, të Këshillit të Emergjencës dhe së fundi duhej të takoheshim me kryetarin I. Rugova. Para nesh kryetari kishte pranuar një delegacion të huaj dhe ne u deshtë të presim dhe gjatë gjithë kohës na shoqëruan E. Kryeziu,N. Jerliu, E. Tahiri dhe pas pak erdh edhe prof. Fehmi Agani, të cilin e kam pas profesor në studime dhe i dhashë të drejt vetes ta pyes për atë që ishte më e ndijshme për atë moment. I thash se popullata e anës sonë nuk janë të kënaqur vetëm me kthimin e Institutit Albanologjik dhe të disa fakulteteve. Më tha: E dimë se nuk mjafton, por kryesorja është se arritëm t'ia prishim strofullin Papoviqit. Ishte optimist se të gjitha punët do të shkojnë mbarë. Biseduam edhe për disa gjëra tjera, por gjithnjë ishim të shtrënguar që mos i marrim shumë kohë, sepse kishte angazhime shumë të rënda.
Ne vazhduam të presim,edhe pas largimit të profesor Fehmiut. Në dhomën e pritjes çka të shohësh: në të katër anët e mureve qëndronin varët portretet e figurave të shquara të traditës sonë kombëtare por me veladone kishtare. Fishta, Noli, Nëna Tereze, Papa Gjon Pali. Këtë ornamentikë e keni edhe sot e kësaj dite. Asnjë figurë të proveniencës islame. Nuk durova pa u thënë zotërinjve që na shoqëronin se këtu munguakan ata që kanë qenë shqiptarë kur nuk ka pas Shqipëri. Mbetën të shushatur. As që kishin dëgjuar ndonjëherë këtë thënie. U thash se e kam të dëgjuar dhe nuk janë fjalë të mia. Por, shihja se nuk më kishin kuptuar fare. Ç'ishin këto fjalë? M'u desh që këtë enigmë ta zgjidhja vetë. U thash zotërinjve se nuk isha kundër portreteve të varrur në muret e asaj dhomëpritjeje, por ka qenë e udhës të jetë edhe ndonjë i proveniencës islame. U përmenda emrat e Hafiz Ali Korçës, Hafiz Ibrahim Dalliut, Imam Vehbi Dibrës, Haxhi Zekës, Sami Frashërit. S'kishte nevojë të përmendja edhe sa e sa emra tjerë, që ruhen në kujtesën popullore dhe gjithnjë përkujtohen me respekt të thellë. Pasi e kuptuan meselen, na thanë: Ne bëjmë politikë, ashtu e lyp koha. Po edhe nuk pritja përgjigje më të mirë, por jam i sigurt se profesori im nuk do të më jepte këso përgjigje. Ata u munduan të na bindin se bota na njeh ashtu si fiqirojnë ata, por nuk u shkonte ndërmend se bota na njeh më mirë se ne vetveten. Bile u thamë se bota do të na ndihmojë e përkrahë vetëm atëherë kur ne do të dëshmojmë se jemi të gatshëm të respektojmë të gjithë njerëzit, pa i prekur në ndjenjat e tyre fetare. Sinqerisht ne e ndiem veten ngushtë nga ajo ornamentikë që na ra në sy. Për ne ani, por siç ua bëri me dije Naim Tërnava, në cilësi të kryetarit të Shoqatës Humanitare Bereqeti, se brenda një kohe të shkurtër do të pritni edhe delegacione të botës arabe, të cilët edhe do të investojnë për mëkëmbjen e ekonomisë së Kosovës dhe infrastrukturës në përgjithësi dhe se me këso pamje nuk u bëhet nderë atyre.
Pas gjithë asaj që biseduam, kujtova se ato sugjerime do t'i kenë përcjellë në instancat e duhura, por për fat të keq, jo. Ja edhe pas dhjetë vjetësh, pata rastin të shoh të njëjtën ornamentikë. Thash zemërplasur: nuk paska më keq kur njeriu e nënçmuaka vetveten, dhe si nuk paska pas një bir nëne të çojë zërin kundër kësaj anomalie që është tepër nënçmuese. Kanë kohë ende të mendohen për këtë. Mjafton t'ua bëjmë me dije publikisht, pastaj në qafë të atyre që duhet t'i hapin sytë edhe pa u thënë. Por, nëse kanë marrë model nga Kuvendi i RM, atëherë është mesele tjetër.
4. PAVARËSIA : AKTLINDJA E SHTETIT TË KOSOVËS
Si për çudi, sa herë që shtyhej akti i Shpalljes së Pavarësisë,as nga individë e as nga ndonjë asociacion relevant nuk shprehej ndonjë revoltë, ndonjë nervozë. Edhe pse në vetvete zienim, por nuk e nxjerrnim për mejdani. A s'duhet kuptuar këtë shenjë pjekurie? Pa dyshim se është pjekuri e rrallë. Korrigjim i shkeljes së pragut para kohe. Është e ditur se gjatë historisë ,në momentet vendimtare kur vendosej për fatin e shqiptarëve, jemi penguar me këmbët tona në pragun e fundit. Por, kësaj here punët u matën me dërhem: as para kohe, as kohe-në ditën, orën e minutën e caktuar. S'ka gjë më të mirë. Por, vallë, a ndodhi kështu më 1912-tën? A ishte momenti më i volitshëm? A ishin pjekur kushtet për një akt aq sublim? A thua u veprua krye në veti , apo iu imponua Ismail Qemal Vlorës? Se a u desh të shpallej Pavarësia apo më mirë do të ishte të shtyhej ky akt historik që e festojmë gati 96 vjet, përsëri do t'i referohemi monografisë së përmendur, ku janë sqaruar këto dilema edhe atë shumë qartë: "Vepra e Ismail Qemalit është guri i parë i themelimit të ndërtesës së Kombit Shqiptar. Shpallja e Pavarësisë që u bë në Vlorë më 28 nëntor 1912, është aktlindja e shtetit shqiptar dhe qysh atëherë fillojnë shtetet e ndryshme të Evropës të na njohin zyrtarisht". Madje, në të njëjtën faqe (230) thuhet: "Kancelaria Austriake pat këshillue Ismail Beun që mos nxitoheshe për një vepër të tillë, mbasi kishim impresionin se mos dështonte, siç kishte ngjarë edhe në një tentativë të mëparshme të njëllojtë". Sipas R. Ficos "akti i Pavarësisë ishte drejt për drejt një iniciativë e Tija personale dhe kjo shton edhe më shumë vleftën e tij" sepse "diti të zgjedhë vendin dhe kohën". Mirëpo tashmë konfirmohet që diplomacia austriake ka qenë faktori vendimtar në rrugën e pavarësisë shqiptare. Ashtu ndodhi me Pavarësinë e Vlorës....
5. E ARDHMJA E NJË POPULLI E LYP QË MOS HARROHET E KALUARA E TIJ
Erdhi koha që mos lektisemi më me katrahurat që ka përjetuar populli ynë. Të shikojmë drejt ardhmërisë. Të hapim shtigje te reja bashkëpunimi me të gjithë ata që na duan të mirën.Por asnjëherë mos harrojmë se "E ardhmja e një populli e lyp që mos harrohet e kaluara e tij" që e kam hasur në hyrjen e një muzeu të një metropole të Lindjes.
Kësaj here kalimthi do të ndalem edhe te një çështje që besoj se do të aktualizohet doemos,bile sa të jetë gjallë Abdi Baleta.
E lexova me vëmendje "gajretin" që na jep Faik Miftari në lidhje me Shqipërinë Etnike, Bashkimin e Trojeve Etnike Shqiptare. Për këtë çështje në shumë raste kam thënë, me të drejtë a pa të drejtë, se që nga viti 1991 unë dhe shumë të tjerë si unë jetojnë në një Atdhe të Përbashkët. Po qe se ndiqet logjika e qindvjeçarëve për t'i realizuar të drejtat tona legjitime sipas elaborateve të faktorit të jashtëm,ashtu si u veprua edhe në Shpalljen e Pavarësisë së 1912, edhe Pavarësia e Kosovës ndoqi të njëjtën rrugë. Edhe çështja e Bashkimit nuk ka alternativë tjetër,por nëse s'e kem i kuptuar me kohë është faj yni. Sepse edhe për këtë faktori i jashtëm ka sinjalizuar,por nuk di sa kemi pas sens për ta kuptuar. Mos është dashur me trumbeta e me tellallë. A nuk kanë mjaftuar haberet se Federata Jugosllave do të zhbëhet. Këtë e kanë ditë më mirë edhe gastarbajterët tanë. Madje ata shumë herët, që në fillim të tetëdhjetave, kishin dëgjuar se Murri i Berlinit do të rrëzohet dhe u rrëzua. Por, çka i parapriu rënies së Murit të Berlinit? Mu politika globale e vënies së kufijve etnikë. Politika gjermane mbetet e pandryshueshme në korrigjimin e gabimeve të së kaluarës, sepse ndarjen e mushkërive nga trupi e ka përjetuar si një zezonë që s'durohej, por duhej pritur momentin më të përshtatshëm.
Viti 1989 ishte vit i trazirave të përmasave të gjëra. E dimë se ç'ndodhte në Kosovë. Më keq e më kuq nuk bëhej. M'u këtë vit kam qenë për herë të parë në haxhxh. Nuk di për më herët, por prej 89-ës kur nuk janë ndalë duatë e besimtarëve (jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të popujve tjerë) për një Kosovë të lirë dhe zonjë të vetvetes. E tash besoj se afrohet koha për të menduar edhe për atë DITË E MADHE, atë ditë të bekuar për të cilën besimtarët tanë do të luten që të vijë një ditë e më parë, sepse është ëndërr që e mban në zemër çdo shqiptar i vërtetë, "që ka mendje, zemër e shpirt shqiptari", siç do të thoshte Sami bej Frashëri.
TETOVË
17.03.2008