“Ikre-ja” islame

Të dish apo të mos dish nuk është njësoj. Është njëjtë sikur të jesh apo të mos jesh. Apo sikur njerëzorja dhe animalja. Të mësuarit është një element i pandarë i njeriut dhe ai këtë gjatë jetës së tij duhet vetëm se ta përvetësojë dhe ta rrisë nivelin e dijes së tij. Çështjen e parë që Zoti ia dha njeriut, pas formimit të krijimit, ishin të dhënat për të gjitha sendet, respektivisht “ixhazetnamen” dhe autorizimin për ta ndërtuar jetën në këtë botë në bazë të parimeve të shëndosha intelektuale dhe hyjnore. Këtë e bëri me Ademin, njeriun dhe profetin e parë në rruzullin tokësor. Atij Zoti ia mësoi të gjitha gjërat, nga erdhën, si formohen, si të shfrytëzohen, në ç’kuptim dhe në ç’mënyrë, si të zhvillohen më tutje, etj. Pra, fillimisht ishin besimi dhe mësimi gjërat e para që e karakterizuan njeriun e parë. Pa besim dhe mësim jeton vetëm bota animale.

Njeriu si krijesë e përbërë nga shpirtërorja dhe materialja dhe është qenie intelektuale, instinktive, e cila synon prestigjin, jetën e lumtur, dashurinë, ekzagjerimin e harmonive të tij, përgatitjen profesionale dhe intelektuale, mirëpo edhe prishjen dhe degradimin e tyre. Ai është sa i mirë, aq edhe i keq. Të mirë e bënë gjithmonë qëllimi i krijimit, arsimimi në emër të Zotit, aplikimi i sistemit hyjnor në rrafshin e veprimit të tij, portreti i tij i bukur dhe dhuntitë e bukura që i posedon në qenien e tij, ndërsa të keq e bënë mosbesimi, analfabetizmi dhe dëshirat e shfrenuara. Arsimimi i njeriut është obligimi i radhës, pas besimit, në këtë jetë.

Arsimi është një fenomen që është zhvilluar me njeriun, me ngritje dhe rënie nëpër kohë, pavarësisht ngecjeve dhe errësirave që e kanë karakterizuar atë. Ideja për lexim e mësim ishte e parëndësishme dhe e zbehet gjersa Zoti nuk e shpalli “Ikre-në” në librin e Tij, Kur’anin. Me shpalljen e “ikre-së” filloi një proces i ri dhe një sistem i ri në tokën e mbuluar me injorancë dhe degradim i vlerave hyjnore e njerëzore. Ekzistonin qarqe të vogla, sekrete, klasore ku zhvillohej i përgjysmuar rrezatimi i mendimit dhe mësimit, por ato nuk jepnin rezultate të volitshme për ndriçimin e mendjes dhe zemrës njerëzore.

Një revolucion iluminist filloi në një shpellë të Arabisë, me urdhër të Zotit dhe me shprehjen “Ikre – Lexo”, ose më saktësisht “Ikre’bismi rab-bike ... – Lexo në emrin e Zotit tënd”. Kjo është formula e cila ndryshoi zhvillimin e mendimit dhe rendin botëror të asaj kohe, e cila vazhdon edhe gjatë kësaj kohe të luaj rol, por me më pak reflektim. Shkaku nuk është në atë se kjo formulë më nuk është e nevojshme për përdorim, përkundrazi, por në qasjen dhe raportin që njerëzit kanë ndaj saj. Kjo formulë, në kohën kur shoqëria jetonte në injorancën më të thellë, amoralitetin më të paparë, organizmin më të regresuar, obstruksionizmin fisnor e vëllazëror, prostitucionin më të neveritshëm, korrupsionin dhe kamatën më të çoroditur dhe besimin më të pavlerë, bëri shërimin e të gjitha këtyre anomalive dhe reflektimin e një shprese të re në nënqiellin e asaj kohë në Arabi dhe më gjerë. Me një fjalë, bëri kthesën vendimtare për shoqërinë e re njerëzore e udhëhequr nga besimi i shëndosh në një Zot dhe arsimi në emrin e këtij Zoti. Kjo rreze e lëshuar nga qielli në tokë ishte aq e nevojshme sa njerëzimit për një kohë shumë të shkurtër ia ndryshoi qëllimin e ekzistimit dhe domethënien e tij. Horizontet që i hapi kjo formulë hyjnore ishin të shkëlqyera dhe shpëtuese. Shoqëria arabe nga një shoqëri e regresit u cilësua si një shoqëri e progresit, nga një shoqëri analfabete u cilësua si një shoqëri ambasadore e arsimit dhe kultivimit të tij, nga një shoqëri e degradimit të vlerave në një shoqëri e ruajtjes dhe ndërtimit të tyre, nga një shoqëri vjedhësish në një shoqëri që i dënonin vjedhësit, nga një shoqëri që vrisnin femrën në një shoqëri që promovoi të drejtat e saj dhe nga një shoqëri nomadësh në një shoqëri qytetëruese. Pra, të gjitha këto erdhën si rezultat i “ikre-së” islame.

“Ikre-ja” islame është një lexim-mësim që bazohet në Zot, i cili është boshti dhe fuqia kryesore e arsimit dhe mendimit islam. Kjo “ikre” sistemoi idenë madhështore të Kur’anit: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë”, (Kur’an, 39:9), duke prezantuar simbolikën dalluese me dritën dhe errësirën. Sistemoi rrugën e majës së qytetërimit më të bujshëm dhe shpëtimit njerëzor.

“Ikre-ja” islame lindi dhe zhvilloi shkenca, risi e gjëra të dobishme për njerëzimin. Integroi, zhvilloi dhe riprodhoi filozofinë antike, logjikën, matematikën, astronominë, medicinën, pastaj shkencat e veta fetare: Tefsirin, Hadithin, Kelamin, Filozofinë islame, Sociologjinë, Fikhun, Usuli-fikhun, etj., etj. Nxori dijetarë eminentë, të cilët akoma vazhdojnë t’i shërbejnë njerëzimit me idetë dhe veprat e tyre kolosale. Kjo “ikre” botës i dha një plejadë emrash sikurse Abdullah Ibn Abbasin, Ibn Mesudin, Hasan el-Basriun, Ata’in, Ebu Hanifen, Esh’ariun, Maturidiun, Bak-kilaniun, Ibn Sinanë, Ibn Haldunin, Suhravardin, Gazaliun, Raziun, Rumiun, Afganin, Keutheriun, Sibaiun, Ebu Zehren, Mehmed Hanxhiqin, Gjozon, Vëllezërit Frashëri, Ali Korçën, Ymer Prizrenin, Sabri Koçin, Nasurudin Albanin, Hasan Masuricën, etj., etj... Këto të arrira dhe emra nuk janë ndryshe, pos rezultat i fuqisë së “ikre-së” islame.

Ishte kjo “ikre” e cila i lëshoi rezet e para në Perëndimin e errësuar dhe në mendjen e prapambetur perëndimore. Falë kësaj “ikre” Perëndimi theu mitin sakral të kishës dhe zhvillimin e vrullshëm të revolucionit iluminist.

Pra, një “ikre” në emër të Zotit ndryshoi një rritëm dhe një rend shoqëror.

Fakti që me lexim zbulojmë Zotin, veten tonë, botën dhe historinë tonë është shumë i arsyeshëm. Moton e Gustav Flauberit “Lexo për të jetuar”, unë do ta kisha shndërruar në “Lexo në emër të Zotit për t’u çliruar”. Me të vërtetë “ikre-ja” islame e çliroi njeriun nga prangat e së keqes dhe mendimit shkatërrues. “Ikre-ja” islame edhe sot e kësaj dite vazhdon ta ruajë atë rol që ka pasur gjatë shekujve, por se sot njerëzimi ka pushuar të frymëzohet prej mesazhit të saj, ndërsa muslimanët sikur e kanë lënë pas dore.

08 mars, 2008

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme