Anëtare e Bandave Muzikore të NATO-s

Kishte kaluar me dhjetra raste kur kishte qënë dëshmitar i paradave në qytet, por, vërtet, kësaj radhe ishte ndryshe, i kishin thënë se duhej t’i përplaste teneqetë prej tunxhi më fort se të gjitha herët e tjera.

Së bashku me shiun që kishte filluar të binte, nga tarracat e ndërtesave të qëndrës, kishin filluar të rrëshqisnin postera gjigantë të mëdhenj që dukshëm afishonin hyrjen e Shqipërisë në NATO.

Ndërkohë që banda muzikore e ushtrisë po palosej nga pritja e gjatë, atij filloi t’i vinte nëpër mendje kur i ati shumë kohë përpara, ndërsa luante me pantallona të shkurtra, e kishte marrë me vete në ndërmarrjen e dekorit sepse atë ditë kishte shumë punë. Atë dite duhej që Tirana e kuqe të mbushej me flamuj e banderola sepse Shqipëria ishte bërë anëtare e Traktatit të Varshavës.

I kujtohej se ashtu i vogël shokët e babit e kishin zhdëpur në akullore dhe se hareja që kishte përfshirë qytetin ishte aq e madhe sa nuk përshkruhej. Pyetjes se përse i gjithë ky gëzim, i ati i qe përgjigjur se më në fund Shqipëria ishte bërë anëtare e një traktati që ishte më i sigurti dhe më i fuqishmi, se Shqipëria ishte futur në familjen e natyrshme të vendeve socialiste.

Por ja, tani që pas shumë vitesh gjithë ajo që kishte mbetur nga i ati ishte një pirg i vogël me fotografi, ai ishte aty si për ironi jo duke vendosur banderola me të birin por duke përplasur dy teneqe tunxhi sa herë që ritmi i ushtrisë shqiptare binte.

Ishte shumë e çuditshme se si koha kishte ndryshuar aq shumë por edhe aq shpejt sa koha mes dy përplasjeve të pjastrave prej tunxhi.

Ishte munduar gjatë gjithë kësaj kohe të kuptonte se e gjithë kjo që po ndodhte kishte të bënte me të vërtetë me atdheun e tij apo kishte qënë e gjitha një ëndërr kujtimet e së cilës po veniteshin në mënyrë të pashmangshme. Nuk kishte mbaruar ndonjë shkollë, dhe për këtë nuk ndjehej krenar, por me instinktin e tij prej muzikanti e kishte kuptuar prej kohësh se pjastrat prej tunxhi njësoj tingëllonin si atëhere dhe si tani që banda e tij po bëhej pjesë e bandave muzikore të NATOS, të vetmet gjëra që kishin ndryshuar ishin dirigjenti dhe veglat muzikore.

Seç ngjante një çikë më trendy se sa dirigjenti i hershëm që nuk i qeshte kurrë buza, pa le pastaj ato veglat muzikore me shkronja cirilike ruse nuk ishin edhe aq te intonuara.

Dirigjenti i vjetër nuk fliste kurrë për biznes, ishte shumë i rreptë dhe kur shkonte të merrte rrogën, asnjëherë nuk i linte ndonjë dyshkë arkëtarit. Ndërsa ky i riu ishte hata fare, i lindur për biznes. Nje kohë ia la të gjitha rrogat arkëtarit gjatë periudhës që kishte shkuar të vendoste paqen në Kabul. Pa le pastaj klarinetisti, trombonisti dhe ca çuna të tjerë që bënin sikur i binin veglave muzikore dhe që i kishte parë rishtazi, kishin parkuar veturat luksoze në cep të trotuarit si trofe nga Mosuli.

Sa shumë kishte ëndërruar të shkonte të vendoste edhe ai paqen nëpër botë, por, nuk ia kishte arritur sepse e gjithë pasuria që kishte nuk përmbushte kriteret e shefit të dirigjentit. I kishin thënë se nuk je një paqeruajtës i mirë. Dhe ja, tani do të duhej të përplaste dy pjata prej tunxhi sa herë që dora e dirigjentit të ngrihej lart.

I shtrëngonte fort ato pjata se ishin e vetmja buçitje e këndshme që transformohej në një rrogë në fund të muajit. Kishte pasur momente të forta depresioni, kur dirigjenti i kishte thënë se ndoshta pjatat e tunxhit do të shiteshin për skrap jashtë, pasi ishin të vetmet elemente tunxhi të mbetura në një ushtri moderne, praktike dhe të standartizuar. Por, një përplasje më e fuqishme se ajo e pjatave të tija, javë më parë, kishin lënë në harresë instrumentat e tija të dashura.

Nuk kishte asgjë në kundërshtim me NATON, përkundrazi shpresonte që rroga t’i rritej, të kishte më dinjitet dhe fundja ky dirigjenti i ri seç ishte më demokratik. Por ajo që e vinte në dyshime të shpeshta, ishin ca shprehje të politikanëve. Nuk merrte fare vesh nga ajo punë, por logjika e tij nuk e kuptonte se përse kur politikanët thonin se jemi kthyer familjes sonë të dashur, nuk përmendnin se kjo familja e dashur na kishte bërë copë e çikë një shekull e kusur më parë. Pastaj seç ishin ca anëtarë të kësaj familjes sonë të dashur që na pushtuan e na shkërrmoqën fare gjatë luftës.

Ai e dinte mirë se kur komshinjtë e pallatit të tij ishin të fortë e të fuqishëm ishte mirë të bëheshe shok e anëtarë me ta, por jo të shkonte deri aty sa ti thoshte komshiut të katit të tretë që e kishte zhdëpur në dru para shumë vitesh, se të kam dashur fort gjithmonë, apo komshiut poshtë tij që kishte dashur gjithmonë t’i mirrte gjysmën e shtëpisë.

Ca murmurima, dhe ja, dirigjenti mori qëndrimin drejt, bëri me shenjë që të gjithë të bëheshin gati. Do t’i përplaste,…do t’i përplaste fort pjatat, aq fort sa buçima e tyre të binte në vete pollitikanët tanë.

E pse jo…. ishte ai që mbante ritmin.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme