Religjioni dhe viktimat e sugjestibilitetit psikik te shqiptarët

Gjithandej kur flitet për fenë Islame në përgjithësi dhe për myslimanët në veçanti, thuren intriga e trillime diku të bazuara në “fakte”, diku të pabaza, por diku edhe të shtrembëruara skajshmërisht. Jo larg nga kjo, lajmet e ditëve të fundit në disa media, thuajse ne myslimanëve na vetëdijësojnë për një studim më serioz rreth identiteti tone fetar.
Gazeta “Express” nganjëherë më duket arenë e atyre që shprehin pakënaqësitë ose edhe pozitën që duhet të ketë besimi në jetën e njeriut. Nganjëherë është gazeta më e shitur edhe për shkak të disa shkrimeve “skandaloze” që boton lidhje me anën besimore të njeriut. Më kujtohet se kohë më parë në këtë gazet përshkruhej Xhehenemi dhe Xhenneti në Medrese, tani jo shumë larg nga ajo kohë, në këtë qendër mediale bëhen publike edhe “viktimat e para religjioze të sugjestibilitetit psikik” të disa “myslimanëve” nga Drenica të cilët tashmë i janë bashkangjitur Atit të shenjtë - Papa Benediktit XVI, dhe presin që ai të shlyej mëkatet e tyre në të ardhmen.
Siç kam thënë historia për disa është e errët, jo për hir të fakteve që kanë para vetes, por për shkak të miopsisë që kanë. Romani i Ben Blushit është bërë ndër romanet më të përfolura kohëve të fundit nga të gjithë. Nganjëherë më kujton edhe “Kodin e Da Vincit të Dan Brown-it, roman i cili ishte qendër e komenteve dhe analizave për shkak të nxjerrjes në pah të një realiteti pak më ndryshe ose pro at contra. Në këto kohë të turbullta në të cilat është duke kaluar bota në përgjithësi, edhe ky na ishte mangut. Kristo Frashëri; historian i kohës, nuk le hamendësim te lexuesi se duhet të jetë kujtuar sado pak kur i ka vënë titullin analizës së këtij romani “Romani i Ben Blushit dhe vlerësimet e “analistëve” që nuk e kanë lexuar”. Nuk është çudi aspak kjo nga ai, se vërtet kur nuk mendon siç mendojnë të gjithë, atëherë edhe rezultatet nuk janë të njëjta. Dikush ka mundur të analizojë ashtu siç ka analizuar, por dikush si Kristo ka analizuar kështu siç ka analizuar ky, nuk ka koment për këtë person më tutje.
Komentet e bëra nga z. Kristo më kujtojnë edhe një herë anën sugjestive të propagandës kamufluese të punës që bëjnë të huajt për humbjen e identitetit fetar mysliman të shqiptarëve. Më çudit shumë paraqitja e tij kur thotë: se “pothuajse të gjithë u hallakatën në faktorët që përcaktuan përhapjen e Islamit ndër shqiptar...ata harrojnë se kemi të bëjmë me një vepër letrare dhe se autori i një vepre letrare ka liri të plotë të vendosë ngjarjet ku të dojë dhe personazhet si të dëshirojë”. Në fjalët e tija se romani në fjalë i Blushit është keqkuptuar dhe keqinterpretuar nga disa, (ngase ajo është e drejtë e tij që të shkruaj çka të dojë), krahasohet edhe me disa vepra të tregimtarit frëng Jules Verne, ku përshkruan disa udhëtime imagjinare. Si shembull në tregimet e tija “Nga toka në hënë” ose “Rreth botës në 80 ditë”, dhe sipas Kristos askush nuk e ka kritikuar autorin frëng në lidhje me atë që ka shkruar edhe pse të gjitha janë utopi e imagjinatës së tij. Në fjalën e tij z Kristo akoma thotë se është historian dhe se nuk ka për qëllim as ta mbroj e as ta kritikoj brendinë e romanit të Blushit, mbasi ai është një vepër letrare, por që sërish merë të drejtën dhe e analizon nga pikëpamja historike, ngase këtu është edhe poenta e studimit të tij, se romani përpos letërsisë, trajton më shumë aspektet historike dhe identitetin e shqiptarëve.
Në anën tjetër për ne që jemi të njohur me rrethanat ndikuese në shoqëri rreth përpjekjeve të vazhdueshme të historianëve, letrarëve, e shumë figurave tjera për të shtrembëruar gjurmët e asaj që ka qenë dhe është Islame, ne do të mjaftoheshim sikur të sillnim edhe disa shembuj të asaj që mësohet si letërsi tek nxënësit shqiptarë.
Dr. Milazim Krasniqi, në librin e tij “E vërteta e islamit ndër shqiptarë” anën sugjestive nëpërmjet kësaj metode diktuese e sheh edhe në disa spektre tjera. Në librin e lartcekur ai nuk le pa përmendur edhe përpjekjet e disa intelektualëve tanë për të shtrembëruar historinë, dhe në veçanti zhdukjen e fesë islame si pjesë të identitetit shqiptarë. Sipas Dr. Krasniqit, si specialistë i letërsisë dhe si filolog që është, ai edhe më tutje garanton për atë që pohon dhe qëndron prapa saj para çdo njërit që mendon se është pjellë e imagjinatës së tij. P.sh. ndër ato që disa do ta quajnë letërsi të mirëfilltë, e që në njohurit e Dr. Krasniqit nuk është, janë edhe disa vepra letrare që fëmijët mësojnë në shkollat tona, si “Meshari” i Gjon Buzukut, “Çeta e profetëve” e Pjetër Bogdanit ose edhe “Gjella e Shën Marisë së Virgjër” e Jul Varibovës, e që nxënësit tanë e mësojnë në klasën e nëntë ose ne vitin e dytë të shkollës së mesme, nuk janë aspak letërsi e mirëfilltë, por kryekëput vepra me karakter fetar. Por, kjo e gjitha ka edhe “vlerën” e saj, pra mësohen në një kohë kur formimi i identitetit është më lehtë të shtrembërohet ose të formësohet. Pra është një moshë kur nxënësi nuk mund të dallojë vlerën estetike, prej vlerës religjioze në letërsi. Ndërsa të gjithë ata që kanë shkruar letërsi të mirëfilltë shqiptare siç janë, Nezim Frakulla, Hasan Zyka Kamberi, Sylejman Neimi, Muhamet Kycyku, Shahin Kolonja, si dhe shumë të tjerë nuk janë fare në programet shkollore vetëm e vetëm se kanë shkruar me alfabet arab, ata nuk janë të mirëseardhur ne letërsinë “burimore” si Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani e të tjerë. Edhe ky roman i tanishëm aspak nuk është larg këtij realiteti, ne besojmë që qëllimi është i kësaj natyre. Pra është një deformim që ka për qëllim të rrënoj identitetin tonë Islam.
Në anën tjetër Kristo nuk mjaftohet sikur mos të përmendte edhe Nexhat Ibrahimin, studiuesin më objektiv të historisë shqiptare në Ballkan. Sipas z. Kristos historia e Shqipërisë nuk është zbardhur me ndonjë punim shkencor, gjithnjë sipas tij; “tjetër është ta trajtosh historinë fetare të Shqipërisë në bazë të kritereve shkencore, dhe tjetër është të kesh opinione mbi historinë e feve...për përhapjen e fesë Islame në Shqipëri ende nuk ka një traktat shkencor shterues të mbështetur mbi burimet dokumentare historike...” sipas tij studiuesit si Tomas Arnold, e Noel Malcolm, (që për fatin tonë të mbarë në këtë drejtim, se ata as nuk kanë qenë shqiptarë e as myslimanë), nuk janë asgjë.
Ndër të tjera nga fundi i tekstit, ai prek edhe çështjen e pranimit të Islamit ndër Shqiptar në periudhat e hershme. Gjithnjë sipas Kristos: “nuk mungojnë shkrime me pikëpamje mbi kohën kur filloi Islamizimi i shqiptarëve dhe arsyet e apostazisë së tyre nga krishterimi në Islam, por autorët e këtyre shkrimeve janë kufizuar vetëm me shfaqjen e pikëpamjeve, të gjykimeve apo të vlerësimeve pa u mbështetur në burime dokumentare dhe pa u shoqëruar me argumente objektive, për këtë arsye ato mbeten pikëpamje dhe nuk hyjnë në fushën e historiografisë shkencore” më poshtë në analizën e tij, ai përmend edhe “paragjykimet islamike”.
Interesant për mua, si një historian i llojit të Kristos të mos mund të bëjë dallim mes paragjykimeve myslimane dhe atyre Islame, madje siç thotë edhe z. Nexhat Ibrahimi, ai mund të kishte thënë për fjalën paragjykimet e iks historianit, por jo edhe paragjykimet Islamike. Por, ç’të bëjmë ne ende kemi kllapën e komunizmit, atë që ka nxjerr breza të llojit të Kristos ai që nuk shikon argumentet shkencore, por mbështet të imagjinatën e Ben Blushit.
Ky lloj sugjestibiliteti psikik tek shqiptarët zaten ka qenë edhe ndër mënyrat më të “qëlluara” për shtrembërimin e çdo ideologjie, jo vetëm në Ballkan me depërtimin e kulturave dhe ideologjive të ndryshme, por edhe më gjerë. Edhe sot e kësaj dite është duke u vepruar kësisoj, madje rasti i fundit i publikuar nga gazeta “Express” rreth konvertimit të disa “myslimanëve” në fenë e të “parëve” sikur akoma më shton bindjen se shkurtpamësia dhe neglizhenca e disa “myslimanëve” tanë ndaj fesë së tyre është rasti më i mirë që të “huajt” të gjejnë vendin e përshtatshëm për të shtrirë aktivitetin e tyre.
Në e-mailin që pranova nga z. Nexhati lidhje me rastin e Kristo Frashërit, ai përfundonte kështu: “ Në tërë këtë të keqe, një gjë është pozitive: të tillët deri vonë na kanë injoruar. Reagimi i tyre publik tregon se pozicionet e tyre janë rrezikuar dhe ka ardhur koha që kjo faqe e historisë së rrejshme të hidhet në shporta”.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme