“KËSHILLA DJALLI” ...mikun bëjeni armik

Tani që jemi të rritur e kuptojmë se Djalli në barkun e insanit nuk ka çfarë bën, por nuk mund të themi se në mendjen e njeriut ai nuk gjen vend. Nga shkrimet njerëzore kemi mësuar se ka shkrimtarë, studiues, shkrues me zanate nga më të ndryshmit që zbulojnë e propagandojnë se “mëkati i parë” historik i shqiptarëve është pranimi masiv i fesë myslimane dhe ndëshkimi më i rëndë e fatkeqësia më madhe për ta mbetet përfshirja e tyre disa shekuj në gjirin e Perandorisë mesjetare Osmane. Në librin e vogël por me përmbajtje të ngjeshur të Rexhep Hoxhës “Nuk është ashtu” (Gjakovë 1996) u është bërë një kritikë e rreptë dhe e argumentuar mirë tezave të akademikut Zef Mirdita, të Engjëll Sedajt e të shkrimtarit Ismail Kadare mbi këtë “mëkatin e parë” historik të shqiptarëve dhe hidhen poshtë këshillat e thirrjet e tyre e të disa të tjerëve për një revanshizëm antiosman e antimysliman në kohën tonë, duke braktisur Islamin e përqafuar masivisht katolicizmin. Rreth temës së revanshizmit antiosman e antimysliman për të shpëtuar nga “mëkati fillestar” janë bërë mjaft polemika gjatë 18 viteve të fundit. Më është dashur edhe mua të përfshihem në këto polemika, sidomos në replikat ndaj Kiço Blushit në vitin 1992, ndaj Ismail Kadaresë në vazhdimësi, ndaj një shkrimi të Neshat Tozajt në “ZP” më 10 Janar 1995 nën titullin “Shqipëria një depo municioni islamik?”etj. Ky titull ishte huazuar nga revista franceze “Historia jonë” dhe nga një pankartë me përmasa 40 x 50 centimetra të vendosur nëpër muret e Parisit. Aq përshtypje kishte bërë kjo parullë tek autori i shkrimit të “ZP-së” sa në këtë gazetë propozohej që pa humbur asnjë minutë kohë të bëhej një regjistrim popullsie në Shqipëri që shqiptarët të shkruheshin si të krishterë. Nën efektet e parullës pariziane është kurdisur një propagandë e shfrenuar e pandërprerë në Shqipëri për të fryrë rrezikun e fondamentalizmit e të terrorizmit islamik për shqiptarët e tërë Europën nga territori shqiptar. Në vitin 2001 në këtë frymë doli një libër i tërë i titulluar “Nacional-islamizmi shqiptar....”. Në vitin 2005 vetë ish-kryetari i shtetit shqiptar shkoi e mbajti një ligjëratë në Universitetine Oksfordit (Angli) si pendesë për “mëkatin fillestar” të shqiptarëve dhe si premtin se do të punohet për shlyerjen e këtij mëkati në Shqipëri e për rikthim të shqiptarëve në “kohët e arta skënderbegiane”, pra në gjendjen paraosmane. Ligjërata në Oksford dukej si një dekret presidencial për të zbatuar porosinë që jepte “ZP” në vitin 1995. Kështu në andrrallat e tyre të përditëshme shqiptarët janë ndeshur shpesh me “këshilla e punë Djalli” si thirrjet për revanshizëm antiosman e “rikonkuistë katolike”. Por nuk janë ndjerë të mundur e të humbur se Perëndia ka dhënë mendjen e arsyen, vullnetin e vendosmërinë për të mos rënë pre e qoftëlargut, sepse çon dhe engjëj të drejtojnë njerëzit nga e mbara. Nuk kanë munguar asnjëherë fjalët dhe këshillat e mira të njerëzve të arsyeshëm e të ditur për trajtimin e problemeve të tilla. Shqiptarët krahas përkujdesjes hyjnore vazhdojnë të marrin mesazhe të urtë njerëzorë, si për shembull ata që na ka dhënë historiani zviceran Aleksandër Lamber në intervistën e tij botuar në “Panorama” më 30 Nëntor dhe 1 Dhjetor 2007 nën titujt shumë domethënës “Europa sabotoi historinë tuaj në shekullin XIX kur Ilirinë e quajti Ballkan” dhe “Aleatët ia lanë Lindjes Shqipërinë edhe pse e dinin se s’ishit sllavë”. Lamber shpreh me gjuhën e tij të thjeshtë njerëzore atë që shumica e shqiptarëve e quajnë “mrekulli hyjnore” lidhur me bombardimet e NATO-s mbi Serbi për të shpëtuar Kosovën në vitin 1999: “Pas Luftës së Ftohtë, Europa nuk ka qenë në gjendje të ndalojë gjenocidet dhe spastrimet etnike në kontinentin e vet. Po të mos kishin ndërhyrë më në fund Shtetet e Bashkuara për të ndaluar masakrat në Bosnje e Kosovë, asgjë nuk do ta kishte ndaluar regjimin e Milosheviçit të çonte deri në fund gjenocidin që bënte kundër popullsive myslimane të Ballkanit”. Megjithatë edhe pasi vijnë mesazhe të tillë ndodh që të gjejmë... “Këshilla Djalli” edhe ... në një shkrim të Engjëllit “Turqia i ka borxhe historike Kosovës”, është titulli i këtij shkrimi të botuar në të përditëshmen “Telegraf” më 5 janar 2008, sapo rinisën punën gazetat pas pushimeve festive (ribotuar më pas edhe në “Ndryshe”, e mbase në ndonjë gazetë tjetër). Siç ishte krejt e natyrshme dhe e kuptueshme gazetat gjatë gjithë vitit që sapo u mbyll (2007), sidomos gjatë periudhës së bisedimeve shtesë 120 ditore për përcaktimin e statusit të Kosovës, kanë qenë të përqëndruara në intrigat e komplotet e politikës thellësisht armiqësore serbo-ruse për të zvarritur, penguar e sabotuar procesin diplomatik ndërkombëtar për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nuk pritej që qysh në ditët e para të janarit 2008 në gazetat e Tiranës të shfaqej një shkrim që shtrembëron historinë dhe realitetin e zhvillimeve për çështjen e Kosovës, në të cilin si armiku më i madh paraqitet miku më i mirë dhe më i sinqertë i shqiptarëve, kombi e shteti turk. Por pikërisht kjo ka ndodhur me shkrimin e Engjëll Koliqit “Turqia i ka borxhe historike Kosovës”. Nuk mund të themi me siguri nëse gazetat që e kanë botuar kanë pasur një synim të tillë, apo e kanë hedhur në publik pa e vrarë shumë mendjen për përmbajtjen dhe mesazhet e mbrapshtë të kësaj “kartolinë urim-provokimi”, jo vetëm ndaj kombit e shtetit mik turk, por edhe ndaj gjithë shqiptarëve që çmojnë e përshëndesin miqësinë tradicionale e vëllazërore shqiptaro-turke. Pas një sërë interpretimesh të mbrapshtë për ngjarjet historike, autori me emrin Engjëll ka rreshtuar disa direktiva që tigëllojnë si “këshilla Djalli” për organet udhëheqëse të Kosovës, të cilët pritet të fillojnë së shpejti funksionet e qeverisjes së pavarur të shtetit sovran, të njohur ndërkombëtarisht. Është këshillë e keqe të shkruash: “Duke pasur parasysh të gjitha këto që thamë më lart, e sidomos marrëveshjet famëkëqija që Perandoria Osmane e më vonë Turqia ka bërë me Rusinë dhe me ish-Jugosllavinë në dëm të shqiptarëve, institucionet shtetërore të Kosovës (Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca) duhet të kërkojnë nga qeveria e Turqisë në Ankara, që me akt zyrtar t’i shpallë të pavlefshme respektivisht t’i anullojë këto marrëveshje dhe pëfundimisht të njohë identitetin kombëtar të miliona shqiptarëve që jetojnë në Turqi, duke u dhënë atyre të drejtat që u takojnë me konventa ndërkombëtare”. (“Telegraf” 5 janar 2008). Në fakt këtu kemi të bëjmë me një provokim të hapur të dyfishtë: 1-kundër udhëheqësve dhe opinionit publik shqiptar të Kosovës, të cilëve u kërkohet të mos përqëndrojnë më tej vëmendjen në detyrën e tyre kryesore për përballimin e ofensivës më të egër armiqësore antishqiptare nga politika e diplomacia serbo-ruse, por të hyjnë në sherre me Turqinë mike; 2- kundër udhëheqësve dhe opinionit publik të Turqisë që vazhdimisht kanë dëshmuar ndjenja të simpatisë më të sinqertë për shqiptarët dhe kanë mbështetur fuqimisht çështjen e Kosovës, duke i bezdisur ata sado pak me mesazhe të “mosmirënjohjes shqiptare” (lexo engjëllkoliqase). Është veprim ngatërrestar t’u japësh udhëheqësve kosovarë “direktivën” politike që të hyjnë në “luftë diplomatike “ me Turqinë pikërisht në kohën e përballjes më të madhe dhe më të rreptë me dinakëritë e komplotet e diplomacisë rusoserbe kundër pavarësimit të Kosovës, siç dëshmuan edhe fjalimet e serbit Tadiç e të rusit Çurkin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 16 janar 2008, kur këmbëngulën se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës qenka e pavlefshme dhe Serbia e Rusia kurrë nuk do ta njohin atë. Është jo vetëm paradoks, por dhe minim i luftës së vështirë që po bën Kosova në frontin diplomatik kur10 ditë para këtyre deklaratave serbo-ruse të lëshohet në shtypin e Tiranës, qoftë dhe në formën e një shkrimi të rëndomtë pa vlerë direktiva që udhëheqja kosovare të hapë frontin e ri të luftës diplomatike kundër Turqisë si hakmarrje për “borxhet historike” që i paska kjo qysh nga koha e Perëandorisë Osmane! Çfardo problemesh që të kenë shqiptarët me kombe e shtete të tjerë, të mbetur nga historia apo të krijuar rishtas, fronti kryesor i luftës politike dhe diplomatike ku duhen pëqëndruar të gjitha energjitë është ai përballë diplomacisë serbo-ruse për Kosovën. Këshillat për të hapur fronte te reja lufte diplomatike kundër vendesh e kombesh mike si Turqia që na kanë ndihmuar dhe po na ndihmojnë pa pushim të përballojmë trysnitë e fqinjëve sllavë e grekë, janë djallëzore dhe tradhtare ndaj çështjes kombëtare shqiptare në tërësi. Për ta pasur pamjen të qartë për miqësinë e Turqisë mjafton të kujtojmë suksesin e madh të vizitës së kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topallit, në Ankara në fund të vitit 2007, ku ajo shkoi të kërkonte mbështetjen e Turqisë që edhe Konferenca e Vendeve Islamike të njohë menjëherë pas shpalljes pavarësinë e Kosovës. “Këshillat” e Koliqit tërthorazi janë një reagim negativ i mllefosur kundër rezultateve të kësaj vizite. Ndërsa gazetat që i botuan ato si “kartolinë fyerjeje” ndaj Turqisë mike për vitin e ri 2008 kanë dëshmuar mungesë nuhatjeje politike, nëse nuk kanë pasur arsye tjetër më të papranueshme. Për ata që kanë marrë huqin e keq që punët e shtetit e të kombit shqiptar t’i vështrojnë vetëm nëpërmjet syzeve të fanatizmit fetar antimysliman, antiosman e antiturk duhet të përmendim se edhe Zonja Topalli, që gjeti në Turqi pritjen më të mirë dhe siguroi mbështetjen e fuqishme për shqiptarët, është e besimit katolik, sikurse Engjëll Koliqi. Të njëjtën gjë duhet ta themi edhe lidhur me vizitën e zonjës Topalli në krye të një delegacioni parlamentar në disa vendet myslimane të Gjirit Persik në mesin e muajit Janar 2008. Kjo vizitë duhet t’i ketë pezmatuar shumë ata që gjatë 16 vjetëve me radhë pas pranimit të Shqipërisë në Konferencën e vendeve Islamike si anëtare me të drejta të plota (në vitin1992) nuk kanë lënë fyerjeje pa bërë kundër mbështetësve të këtij anëtarësimi. Po tani a do ta kenë të njëjtën paturpësi që edhe zonjat Jozefina Topalli e Valentina Leskaj t’i etiketojnë si fondamentaliste ekstremiste islamike, meqenëse bënë vizitë zyrtare në vendet arabe?!Vizita e zonjës Topalli në vendet arabe duke pasur në delegacion edhe kryetaren e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Leskaj, është një shuplakë e fortë për politikën pa mend të drejtuesve të kësaj partie që me gojën e ministres së tyre të jashtme, Arta Dade, vetëm pak kohë më parë bënë një zhurmë krejt të pahishme kundër vizitës së kryeministrit Berisha në Egjipt ku kishte shkuar të siguronte mbështetje diplomatike për Kosovën. Politikanët, vëzhguesit e analistët shqiptarë e kanë për detyrë të sqarojnë sa më hollësisht opinionin publik shqiptar se kush është armiku real i tij, se nga vjen rreziku i vërtetë, nga kush duhet të ruhemi, kujt duhet t’i kundërvihemi, jo të krijojnë konfuzion duke paraqitur mikun si armik dhe hasmin si dashamir të mundshëm. Gazetat shumëfaqëshe të Tiranës mund të bëjnë në këtë kohë një punë të mirë duke pasqyruar e shtjelluar më tej faktet e shumta konkrete dhe vlerësimet që përmban libri i ish-ambasadorit shqiptar në Moskë Shaqir Vukajt “Rusia dhe Kosova” (Tiranë 2007) për armiqësitë ruso-serbe ndaj shqiptarëve dhe të mos merren me shtrembërime historike e thirrje patetike për revanshizëm diplomatik antiosman e antiturk. Eshtë absurde dhe provokuese që, edhe pas botimit të librit “Rusia e Kosova”, shkrues e botues shqiptarë të hiqen si të paditur (apo të mbeten të paditur) dhe t’i ofrojnë opinionit publik “vlerësime shejtani” e “këshilla djalli” si në shkrimin “Turqia i ka borxhe historike Kosovës”.

Ky material së bashku me atë të numrit të kaluar dhe në numrat në vazhdim janë botuar tek Gazeta Republika. Besimtari boton me leje të autorit.
Redaksia

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme