Feja dhe kohezioni shoqëror

S’këndejmi, njeriu edhe nëse i beson Zotit, edhe nëse është ateist, prapë se prapë ka apo mbështet disa mendime, bindje, ide apo qëndrime të këtilla apo të atilla rreth kozmosit, jetës, shoqërisë dhe njeriut, dhe të gjitha këto në përkufizimet e fesë, kanë ‘elemente me karakter religjioz’ të cilat i ngërthen feja.
Përkufizimi i fesë është në esencë diçka që mban anën shpirtërore të individit, por në të njëjtën kohë, nuk është aspak çudi që feja mund të shkaktoj, si konfliktet sociale, ashtu edhe kohezionin. Gjithashtu disa do të çuditeshin nëse do të parashtrohej pyetja se nëse feja mund të jetë forcë që ‘mund’ të gjenerojë konflikte dhe kohezion?

Feja ‘mund’ të gjenerojë konflikt:

Në reportazhet televizive dhe gazetareske përfitohet përshtypja se lufta në Irlandën e Veriut është pastër fetare, pra përleshje e dy kampeve antagoniste – katolikët dhe protestantët, të vënë përballë njëri tjetrit në një dhunë të pakuptimtë e të tmerrshme. Ndërmjet viteve 1970-1998 lufta sektare mori jetën e 3000 deri 4000 njerëzve (një në 500 banorë), më tepër se gjysma e të cilëve ishin civil të paarmatosur. Rreth 40.000 qytetarë (një në 50), morën lëndime serioze. Lagjet dhe rrethet e afarizmit u bombarduan dhe u ndezën, ndërsa gjenerata të tëra të fëmijëve u rritën duke mos ditur mënyrën tjetër të jetës, pos betejave të vazhdueshme të rrugës. (Meredith B. McGuire, Religion: The Social Context).
Në kontest të kësaj teme edhe studiuesi Samuel Huntigton në librin e tij tashmë të famshëm ‘Përplasja e Qytetërimeve’ ndan mendimin e njëjtë për një konflikt fetare mbase edhe nga ajo që sipas tij feja gjeneron konflikt. Në mënyrë të ngjashme, Huntigtoni e paraqet Islamin si qytetërimin, i cili është përgjegjësi kryesor për përleshjen përgjatë vijave të mëdha të shkëputjes historike, nga njëra anë, dhe si partner të koalicionit sfidues kundër Perëndimit nga ana tjetër.
Teoritë e këtilla, në rastin më të mirë shpjegojnë atë domethënie se; ‘feja mund të gjenerojë konflikte’ madje, në këtë rast duhet përmend se edhe lufta e Serbisë kundër myslimanëve të Bosnjës dhe Kosovës, mbështetej në arsyetimin se me luftën që bëjnë ata; ‘plotësojnë një mision historik, duke e mbrojtur Evropën nga fundamentalizmi Islamik’. Pra, qëllimi i luftës që bënte ishte mbrojtja e Evropës nga Islami.

Kohezioni dhe shoqëria:
Tema e kohezionit është një temë qendrore pasi që ngërthen në vete një mori të dhënash rreth shoqërisë në përgjithësi. Por në anën tjetër, shoqëria nuk është e mbyllur vetëm në një grup njerëzish, shoqëria është më shumë se një grumbull njerëzish që ndajnë së bashku një kohë dhe hapësirë të caktuar, ndonëse ajo mund të jetë e përbërë prej disa individëve, shoqëria s’mund të reduktohet në bindjet, vlerat dhe sjelljet individuale. Tani shtrohet pyetja se ç’është ajo që e përbën fenë, kohezionin dhe shoqërinë?
Feja, përbën një faktor të rëndësishëm të integrimit shoqëror, ajo është çështje personale e individit, por që esencialisht simbolet fetare janë ato që përfaqësojnë unitetin grupit social, kurse ritualet fetare janë ato që miratojnë atë unitet, duke i lejuar individit që simbolikisht të marrë pjesë në unitetin më të gjerë që ato e përfaqësojnë, p.sh, ritualet e besimit Islam me rastin e festës së Bajramit të Kurbanit, jo vetëm që përkujtojnë Pejgamberin e Zotit Ibrahimin a.s, por paraqesim edhe një unifikim dhe solidarizim me shoqërinë në përgjithësi, thënë ndryshe mishi i kurbanit simbolizon solidaritetin me të afërmit, miqtë, fqinjët etj. Me anë të kësaj forme unifikuese dhe shoqërore, rëndësi paraqet fakti, se afërsia e besimtarëve në raste të tilla motivon besimtarët të jenë më të përkushtuar ndaj shoqërisë, feja i nxit besimtarët që krahas interesit personal, të punojnë edhe për interes grupor dhe mirëqenie te gjithëmbarshme. Pra, feja në përgjithësi mban një kohezion të fuqishëm me shoqërinë në tërësi. Si e tillë feja si në raste festash, por edhe në raste gëzimi dhe hidhërimi ajo ndihmon grupin që ta rikapë baraspeshën dhe moralin shoqëror pas vdekjes së një anëtari. Shembuj të tillë ende çmohen edhe në ditët e sotme, kur nga vdekja e një miku apo të afërmi, shoqëria dhe rrethi janë ata që solidarizohen me mikun për ditë të tëra duke i qëndruar afër në ditët e rënda mortore.
Teoria e kohezionit është një mënyrë e vetme e cila do të jetë e qëndrueshme në mbrojtjen e fesë me shoqërinë, sepse përmes mënyrave të ndryshme ajo arrin të ruan fenë nga sfidat më të cilat ajo mund të rrezikohet. Shembujt e fesë të cilët kontribuojnë në kohezion të shoqërisë në përgjithësi përfshijnë edhe ruajtjen e kombit përmes rrugëve të fesë. Tezat; se forma fetare ndikon në unitet të ruajtjes së kombit, është tezë që mbështete nga të gjitha besimet religjioze. Ajo mund të luaj rol të çmuar në zgjidhjen e konflikteve, sensibilizimi i fesë është shumë i dukshëm sidomos atëherë kur mendojnë se kombi po kërcënohet nga armiku. Rast të tillë do të mund të përmendim sintagmën tashmë shumë të përfolur, ‘Feja e shqiptarit është shqiptaria’, ku autori kishte për qëllim sensibilizimin e masës së gjerë kur është në pyetje atdheu. Pra, është e qartë se feja dhe kohezion janë shumë të çmueshëm në një shoqëri të hapur. Feja mund të japë gjithherë një vizion kombëtar, mund të japë kualitete fetare rreth formimit të një identiteti të përkryer në formimin e një kombi.
Përfundimisht mund të përmbledhim se feja është burim edhe i kohezionit edhe i konfliktit social. Feja i kontribuon kohezionit ashtu siç e kam paraqitur ne unifikimin e shoqërisë në ndonjë festë të caktuar, ajo mund të gjenerojë dhunë siç kam përmend rastin e Irlandës së Veriut, si dhe luftën e fundit në Bosnjë dhe Kosovë. Pra kam paraqitur vetëm disa detaje të vogla rreth asaj se kur feja mund të promovoj apo gjeneroj konflikte si dhe kur vendos një kohezion në shoqëri.
_______________________
Botojnë:
Edicioni i shkruar: Revista “Paqja”
Edicioni elektronik: “Brezi i Ri”

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme