
Big Brother, është një format televiziv dhe është tejet i veçantë. Brenda një shtëpie do të futen 14 konkurrent që nuk njohin njëri tjetrin dhe që do të jetojnë aty brenda tre muajsh të izoluar nga bota e jashtme dhe nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të kamerave televizive. Çdo javë nga shtëpia e “Big Brother”-it do të eliminohet nga një konkurrent. Konkurrentët nga “Big Brother” janë të izoluar dhe nuk mund të lexojnë shtypin, të shohin televizor, të surfojnë në internet apo të shkruajnë letra. Në këtë garë ai i cili fiton simpatinë e teleshikuesve do të jetë edhe fitues i çmimit të madh prej 50.000 euro.
Por çfarë kultivon e gjithë kjo te shikuesi: paranë, famën personale, degjenerimin, rritjen e shikueshmërisë së emisioneve televizive apo edhe pasqyron zhvillimin ekonomik të një vendi?
Paraja:
Paraja është bërë ndër prioritetet më parësore në jetë, para parasë njeriu sakrifikon besimin, jetën, moralin, dinjitetin e tij dhe çdo gjë tjetër të shenjtë. Edhe ky program televiziv i paraqitur me karakter më modern nxjerrë në pah një realitet se çfarë realisht paraja pasqyron në jetën e njeriut. Në ekranet televizive çdo njëri prej nesh mund të shohim një realitet të hidhur se çfarë dominimi ka paraja karshi moralit, shoqërisë dhe asaj që quhet njerëzore. Nuk është spekulim të thuhet, se paraqitja e disa skenave të paturpësisë nga kandidatët që gjenden të gozhduar brenda atyre mureve të asaj shtëpie, janë vetëm një pasqyrim i realitetit se çfarë të shtyn të bësh paraja. Në shumicën e rasteve paraja është ajo që shtyn individin që karshi interesit personal të njollos anën besimore, të injoroj shoqërinë, të zhvlerësoj moralin e dikujt si dhe të bëjë skena nga më të paturpshmet, vetëm e vetëm për një premtim që nuk është fiks për asnjërin në atë shtëpi.
Shkëlqimi, që është personi i sapo dalë nga shtëpia e “Big Brother” në pyetjen e TCH se: a ka qenë paraja ndër gjërat më të rëndësishme aty në B-B, ai thotë se: “Unë kuptova se kur bëhej fjalë për para, doli shprehja “unë jam pa sedër”, që do të thotë, mund të bësh çdo gjë për të fituar.
Fama personale:
Më kujtohet një “poete” mysafire e ftuar në emisionin e Ariani Canit “Zonë e lirë”. Emrin e saj nuk e mbaj mend, nuk e kam harruar mendimin e saj skandaloz se çfarë do të bënte ajo vetëm e vetëm të bëhej e famshme. Pyetjes së Canit për të se: a do të ushtroje edhe prostitucionin dhe gjitha rrugët e shëmtuara që një ditë të bëhej e famshëm, “poetja” hamendësimin më të vogël, iu përgjigj në mënyrë pohuese, duke theksuar se fama për te do të thotë çdo gjë. Aspak nuk më habisin edhe skenat e tanishme në këtë emision që transmeton Top Chanel, ngase edhe pjesëmarrësit në këtë garë, shfrytëzojnë të gjitha mundësit vetëm e vetëm për tu bërë të famshëm, madje vet paraqitja e disa prej tyre, e që në fakt janë të martuar dhe kanë familjen në shtëpi është një rast i mirë të kuptohet se çfarë do të thotë të sakrifikosh veten dhe familjen për një të ashtuquajturën FAMË. Andaj nëse dikur punët kanë mundur ta bëjnë të famshëm dikë, sot më lehtë mund ta bëjnë horrllëqet dhe mediat që servojnë në mënyrë publike pamjen tënde reale.
Degjenerimin:
Të mësosh dikë në punë të mira është vështirë, të degjenerosh dikë sot është shumë lehtë. Nga paraqitja e kandidatëve në ekranet televizive shikuesi mund të vlerësoj një pamje degjeneruese tek secili nga kandidatët. Veshja e tyre, fjalori i përdorur, dhuna, ofendimet e pakursyera në mes tyre, paraqitja e fotografive në site të ndryshe në internet, ankandi i hapur për fotografitë e tyre, janë edhe një mundësi shtesë që të rinjtë të formojnë identitetin e tyre në model të asaj që ata shohin tek ata që paraqiten njëzet e katër orë në ekranet televizive të secilit prej nesh. Çfarë presim nga kjo? Degjenerimin dhe sfidën që duhet kaluar populli shqiptar.
Zhvillimin ekonomik të një vendi:
Nëse pasqyrimi i zhvillimit ekonomik të një vendi ka ngel që të paraqitet përmes këtyre emisioneve, mjerë shteti nga kush pasqyrohet. Nikola Nikolov në librin e tij “Komploti Botëror” sjellë një shembull se cili mund të konsiderohet një shtet i kompletuar: “Një shtet mund të lëvdohet më rrugët e tij të mira; tjetri me ligjet e tij të mira, i treti mund të krenohet me njerëzit e mirë, një shtet i mirë i ka të tria”. Hm, çudi, si asnjëherë nuk përmendet që zhvillimin e një shteti e pasqyrojnë degjenerimet televizive që paraqesin mediat tona.
“Kosovarja” në “Big Brother”
Vajza nga Gjilani është viktima e parë e identitetit “kosovar”. Ajo aspak nuk është e ngjashme me homologët e saja shqiptare në këtë shtëpi të mbyllur tash e sa kohë. Kosovarja e shkretë aspak nuk përputhet me ata që e shoqërojnë njëzetekatër orë brenda një shtëpie të izoluar. Diversiteti që përshkon “kosovaren” e shkretë në atë shtëpizë fillon që nga diversiteti mendor, gjuhësor e kulturor. Pse gjilanasja është ashtu si është? E mbyllur në një mentalitet “alla” kosovare. Ajo e ka shumë vështirë të flasë e të veproj sikurse familjarët e tjerë brenda shtëpisë. Sjelljet e saja të kushtëzuara para publikut dhe “Vëllait të madh-Big Brother” vazhdon të mbajë të mbyllur edhe më pjesën tjetër të identiteti kosovar. Vajza nga Kosova me përjashtim të fallit që e qet për merak, ende nuk ka mundur të sjelle ndonjë njohuri të saj që ajo e ka mësuar në shkollë apo në studimet të cilat thotë se i vazhdon. Përveç muzikës dhe gjuhës angleze që di, ajo aspak nuk është e njohur me botën e shkencës dhe teknologjisë bashkëkohore.
Morali në krizë:
Duhet thënë se morali është në krizë. Për këtë dikush do të fajësonte politikanët, dikush do të fajësonte mësuesin, dikush do të fajësonte babain si përgjegjës të familjes, të tjerët do të mund të thonin se nëna pasi ajo është edukatorja e parë. Si duket asnjëri nga këta nuk e pranon fajin, se jo vetëm që faji tani është jetim, por në këtë rast të gjithë janë fajtorë, duke filluar nga familja, shoqëria, madje edhe gjithë ata që përkrahin këtë realitet. Në këtë rast faji nuk është jetim, por të gjithë jemi pjesëmarrës, pasi që ne jemi ata që bëjmë tifo duke i kontribuar me votat tona atyre në lidhje me atë se cilët nuk duhet të mbesin e cilët duhet të vazhdojnë garën.
Me një JO të fuqishme të gjitha këto emisione ne do të mund t’i parandalonim, por ne nuk e bëjmë këtë sepse fuqia jonë nuk është dorë e forcës, por fjalë e gojës.