Beteja e Kosovës (... duke e lexuar Kadarenë)

Meqenëse nuk jam kompetent për konstatimin e vlerave letrare, nuk do të lëshohem në shqyrtim, por do të theksoj se dhe në vetë vlerat letrare e artistike nuk më duket çdo gjë në rregull. Por, këtë ia lë ndërgjegjes së atyre të cilët i pohojnë ato dhe i konfirmojnë këto vlera. Por, sikur edhe sa herë deri tash, Kadare kur flet për politkën, gjeostrategjinë, historinë dhe traditën, pa dyshim bën gafe (të qëllimshme) sikur edhe shumë pararendës të tij. Ku qëndron problemi, në çfarë konsiston “gafi” i tij?
Sa e sa herë, me dekada të tëra, ai fajin e problemit shqiptar: të prapambetjes, të mosarsimimit, të përkatësisë fetare muslimane ... e sheh te Islami, te muslimanët, te osmanlinjt, te çdo gjë muslimane. Argumentet e tij për ta dëshmuar këtë tezë “të lodhtë” e bajate ai i provon me ‘argumente‘ spekulative, shterpe dhe, do të shtoja, paragjykuese. Meqë ai gëzon përkrahje institucionale dhe idetë e tij shkojnë të degjuesi dhe lexuesi institucionalisht: si lektyrë shkollore e detyrueshme apo e rekomanduar. Për këtë rast do ta analizoj shkurtazi vetëm një aspekt të shkrimit të tij, sepse çdo zgjatje do të çonte larg.
Këtë herë, kadare intervenimin e Perëndimit në Kosovë në vitin 1999 krah shqiptarëve dhe kundër serbëve, e sheh si luftë “për parime morale”, duke thënë se për herë të parë në histori u aplikua ky parim. Nëse ndjekim vijën emocionale, të gjithë do të thoshim kështu, sepse jemi shqiptarë dhe ky konstatim shkon në favorin tonë, por a është e vërteta kështu! Vallë, a qëndron pohimi i Kadaresë se parimi moral nuk është aplikuar më herët? Pajtohem se kjo luftë në Kosovë nuk u bë për naftë dhe për porte detare, por, vallë si mund të pohohet se nuk u bë për ndikim gjeopolitik dhe gjeostrategjik, për minerale dhe xehe? Si mund të reduktohet ky interesim vetëm në slloganin “për parime morale”? Mendoj se Kadare eksagjeron me këto ide “servile” të tij, sepse pikërisht shpirti perëndimor e refuzon një tezë të tillë. Nuk do të thirem në Sartrin, Hajdegerin, Hoffmanin e të tjerë, për të treguar thelbin e frymës së Perëndimit, por shkurt do të theksoj se Kadareja bën gabime fillestare.
Pse? Sepse edhe indiferenti më i madh në fushën e politikës e kupton se interesi gjeopolitik e strategjik dhe “ca” interesa të tjera kanë bërë që NATO dhe të tjerët të ndërhyjnë në Kosovë dhe të shpëtojnë Kosovën nga një gjenocid me përmasa dramatike. Për fat të mirë të Kosovës, si rrallë herë, ky interes i tyre puqej edhe me interesin tonë dhe rezultoi me largimin e okupuesit serb nga Kosova. Sidomos, nuk mund të flitet “për parime morale” te shumica e shteteve evropiane. Për këtë flet e kaluara, për këtë flet e tashmja. Pikërisht ‘elektrizimi’ evropian, që e përmend Kadareja, provon tezën tonë se Kadareja nuk ka të drejtë. Ai thotë se për herë të parë në histori në praktikë u zhvillua luftë në mbrojte të të drejtave të njeriut. Edhe këtë herë Kadareja na del si njohës i dobët i historisë. Kjo do t’i falej sikur Kadare ta kishte nga mosdija. Për fat të keq, këtë Kadareja e bën qëllimisht dhe në mënyrë tendencioze. Këtë e vërteton vetë Kadareja në vazhdim të tekstit të tij, duke vazhduar me tezat e vjetra se Beteja e Kosovës na paskesh qenë aleancë ballkanike kundër osmanëve. Ai edhe pse pohon se përkrah rishkrimin e historisë shqiptare në aspekt të pastrimit të saj prej urrejtjes, mashtrimit dhe miteve të rrejshme, ai vetë megjithatë nuk mundi të lirohet as nga urrejtja, as nga mashtrimi as nga mitet.
Është fakt historik se Beteja e Kosovës ishte një aleancë e disa rebelëve ballkanikë, kryesisht kristianë, kundër osmanlinjve muslimanë, sepse shumica e shqiptarëve në këtë luftë të përgjakshme mbajtën anën e osmanlinjve muslimanë ose një pjesë mbetën neutralë. Vetëm dy princër shqiptarë, apo si i quan A. K. Bogdani, një “grup rebelësh dhe hajdutësh”, pra pakica absolute, e përkrahën alenacën ballkanike kristiane. Ngjashëm ishte edhe me serbët. Ata e kishin në krye car Llazarin. Mirëpo, nëse serbët morën mend dhe pastaj lidhën paqe me osmanlinjtë, lidhen raporte vasaliteti, duke e ruajtur substancën e popullsisë dhe të resurseve ekonomike të tyre, dhe duke u zhvilluar ekonomikisht e të tjera, një pjesë e vogël e shqiptarëve, vazhduan rebelimin kundër fuqisë më të madhe të botës së atëhershme. Nga luftrat e njëpasnjëshme 24-25 vjeçare, për interesa të ngushta fisnore, kryesisht kastriotike ortodokse, vdiq popullsia më vitale shqiptare, disa dhjeta mijëra luftëtarë, madje disa të dhëna theksojnë edhe numrin 250 mijë të vdekur.
Nuk duhet harruar se ajo pakicë shqiptarësh që luftonte kundër osmanlinjve ishte e padëshirueshme për vetë popullsinë autoktone shqiptare, ndaj edhe pasoi ftesa e shumë fiseve e prijësave shqiptarë, por edhe e popullit të asaj kohe që të mbroheshin nga fiset rivale pikërisht nëpërmjet osmanlinjve. Kjo ndodhi atëherë, siç na ndodhi neve sot kur kërkuam mbrojtjen e botës kundër gjenocidit serb e ortodoks. Mojsi Golemi, sipas shpjegimit zyrtar (shtetëror) të historisë dhe në sytë e shumë njerëzve tradhtar, ishte pjesë e shumicës shqiptare dhe aleat i osmanlinjve, kurse Gjergj Kastrioti, sipas shpjegimit zyrtar të historisë dhe të shumicës shqiptare patriot, ishte pjesë e pakicës shqiptare dhe aleat i pakicës serbe. Nuk di a do të duhej menduar Kadareja për këto raporte me një sy më kritik, apo do të vazhdojë t’iu hedh hi syve të lexuesve në stilin e tij prej shkrimtarit më të madh shqiptar.
Kadareja alenacën e një grushti shqiptarësh dhe serbësh e sheh si element që edhe sot do të duhej t’i bashkonte shqiptarët dhe serbët, por ai, si mosnjohës apo më mirë me thënë, si falsifikues i historisë, nga pasperdja, nga prapaskena, luftërat shqiptaro-serbe të së kaluarës i sheh të gabueshme, sepse aleatët e vjetër nuk do të duhej luftuar mes veti. Edhe për luftën e fundit shqiptaro-serbe propozon të ketë qenë element për aleancë të re shqiptaro-serbe që të luftohet armiku i përbashkët: Islami dhe muslimanët, e jo luftë e re.
E qartë, kush do të pësonte nga kjo aleancë? Natyrisht, shqiptarët e fesë muslimane dhe tkurja e vazhdueshme e territoreve shqiptare. Rirreshtimi i forcave duhet të ndodh, por jo si propozon Kadare (në aleancë me serbët) apo Paskal Milo (në aleancë me grekët), por me aleatët natyrorë dhe me të gjithë ata që na duan ashtu si jemi, ashtu çfarë jemi. Duhet të mësojmë nga pësimet e shumta dhe miqë rë bëjmë nga Lindja në Perëndim, nga Veriu në Jug. Rishkrimi i historisë duhet të jetë reflektim dhe përfaqësim i interesave popullore e jo të interesave ideologjike të huaja dhe të dëmshme për kombin tonë dhe për fenë e popujve në Kosovë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme