“LIDERI I MADH” I MAZOHIZMIT POLITIK

Pasojat e vërteta të zgjedhjeve parlamentare të dhunuara nga bandat e organizuara të dy partive politike shqiptare në Maqedoni, veçmas të asaj që është pjesë e koalicionit qeveritar, do të ndihen dhe do të shihen në të ardhmen. Njëra nga pasojat më direkte do të jetë defaktorizimi i shqiptarëve në atë republikë dhe perceptimi i tyre si shkaktar i ngadalësimit të integrimit të Maqedonsië në strukturat europiane dhe atlantike. Në këtë kontekst, shpejt mund të harrohet obstruksioni i Greqisë ndaj Maqedonsië dhe të mbahet mend vetëm se shqiptarët me primitivizmin dhe me banditizmin e tyre politik, u bënë shkaktarë të mbetjes së Maqedonsië jashtë procesit integrues euro-atlantik. Ky perceptim mund ta rritë armiqësinë e maqedonasve ndaj shqiptarëve, mund t’i nxitë disa politika edhe më restriktive ndaj bizneseve të tyre dhe mund të rikthejë idenë e para vitit 2001, se shteti funksionon shumë më mirë pa shqiptarët.
Nëse këto gjëra ndodhin, atëherë shqiptarët në Maqedoni do të kenë vetëm dy rrugë: ose rebelimin e sërishëm, ose nënshtrimin e pakthyeshëm ndaj dominimit të popullit shumicë. Pra, që të dyja opcionet, do të jenë të rrezikshme dhe të dëmshme.
Ndërsa, në kontekstin mbarëshqiptar, shqiptarët e Maqedonisë do të mund të shikohen si “dele e zezë”, që nuk është aftësuar për të respektuar një standard elementar të demokracisë: respektimin e votës së lirë.
Nga reagimet e shpejta të faktorëve ndërkombëtar, ndaj dhunimit të votës së qytetarëve në viset shqiptare në Maqedoni, bëhet e qartë se nuk do të pritet gjatë për të parë pasojat e këtij banditizmi politik. Deklarata shokuese e ambasadores amerikane në Shkup, Xhili Milovanoviq, se u evituar lufta civile, me siguri që do të shoqërohet edhe me masa të shpejta të identifikimit të fajtorëve. Nëse shqiptaët e Maqedonisë e sollën veten në prag të konfliktit civil, përgjegjësit duhet të identifikohen dhe të mirren në përgjegjësi urgjente, në mënyyrë që të mos kenë mundësi të vazhdojnë planet e tyre shkatërrimtare. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, kanë kapacitete të mjaftueshme diplomatike për t’i detyruar rebelët që të dorëzojnë armët. Ndoshta fillimisht, ato armë që u shkrepën për të kremtuar fitoren e rreme, sepse fitoren e shpall komisioni shtetëror i zgjedhjeve, e jo bandat e armatosura, sespe shpallja e fitores në atë mënyrë dhe me ato breshëri, është element i grushtit të shtetit.
Edhe reagimet e zyrtarëve nga Kosova dhe nga Shqipëria, nuk lënë dilema, sa i takon distancimit nga banditizmi politik që përshkoi zgjedhjet parlamentare në viset shqiptare në Maqedoni. Por, në këtë mes, duhet të shikohet se a ka pasur motivime nga segmente të caktuara politike e parapolitike nga Kosova ose nga Shqipëria, për atë egërsim politik të Partisë Demokratike Shqiptare. Bile edhe më shumë: a mos ka forca në këto dy vende, që presin ta aplikojë modelin e PDSH-së, nëse ai kalon pa ferrë në këmbë?
Megjithatë, një faktor mbetet që ta thotë fjalën e vet në këtë situatë: qytetarët shqiptarë në Maqedoni. Ata duhet ta mposhtin frikën dhe duhet ta marrin përgjegjësinë për zgjedhjen e përfaqësuesve të vet. Për faktin se vullneti i tyre politik është dhunuar në mënyrë sistematike, tash sa vite, ata janë edhe vetë fajtorë. Dhënia e votës për politikanë që flasin e veprojnë kundër vlerave të atij komuniteti, është një hipokrizi morale e vetë atyre. Nëse dikush të fyen e të pështyn në fytyrë, ta shan besimin fetar e historinë dhe prapë e voton, faji nuk është vetëm i atij si dhunues, po edhe i të dhunuarit, që manifeston prirje mazohiste. Këtë prirje të një pjese të elektoratit shqiptar në Maqedoni e kam identifikuar dhe e kam denoncuar para disa viteve, në vorbullën e një polemike me liderin e tashëm të PDSH-së. Frikën që e kam parë në atë kohë në sytë e shumë miqve të mi në Maqeoni, për faktin që isha ngatërruar në polemikë me Menduh Thaçin, ma ka bërë të qartë se potencialet e dhunës së tij e të partisë së tij janë shumë më largvajtëse. Kam pasur raste që miqtë e mi në Maqedoni, nuk kanë guxuar as ta marrin në dorë librin tim, “E vërteta e Islamit ndër shqiptarë”, ku i pata botuar polemikat e mia me liderin e PDSH-së dhe me kollankusurin e “intelektualëve”- komesarë të partisë së tij, përfshirë edhe pseudoideologun tinëzar, Arbën Xhaferin. Instalimi i frikës në përmasa të gjera dhe mbyllja e gojës kundërshtarëve politikë me tytën e armës, është elementi i parë i një ideologjie fashiste, gjithmonë dhe gjithkund. Përshëndetjet në stilin fashist, si ajo që u pa në billbordat impozant të Menduh Thaçit, vijnë menjëherë, si hap logjik i promovimit të “liderit të madh”.
Nëse në rastin e përsëritjes së zgjedhjeve në vendvotimet e dhunuara, nuk sigurohet respektimi i vullnetit të qytetarëve dhe nëse ata nuk lirohen nga frika dhe nga terrori, atëherë Maqedonia do të mund të bëhet “vrimë e zezë” në rajon, sa i përket dhunimit të demokracisë. Nëse edhe njëherë përsëritet dhuna, atëherë pasojat që u evidencuan në fillim të këtij teksti, do të jenë shumëfish më të rënda. Jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, po edhe për Kosovën dhe për Shqipërinë.

3 qershor 2008

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme