Në këtë mënyrë, Kryesia e „Kuvendit Popullor“ të Serbisë më 3 shtator 1945 nxori ligjin, për formimin e „Rajonit Autonom të Kosovë-Metohisë“, duke deklaruar se ajo ishte „pjesë përbërëse“ e Serbisë. (Noel Malcolm „Kosova një ...“ fq. 329. )
Një shenjë e kësaj politike, më 1950 ishte edhe shtimi i opsesionit për kërkimin e armëve nga shqiptarët e Kosovës. Fshatra të tëra më parë rrethoheshin nga kordone policësh, më pas banorët merreshin në biseda në polici dhe rraheshin. (N. Malcolm, fq. 334.) Në fund ata ishin të detyruar të dorëzonin diç, prandaj e blenin një armë për ta dorëzuar në polici.
Mirëpo, më 1953, kur Jugosllavia kishte nënshkruar traktatin e ri, si me Turqinë, ashtu edhe me Greqinë dhe pikërisht atëherë filloi shpërngulja e përmasave të mëdha për në Turqi. (Noel Malcolm , fq. 336)
Shembulli më dramatik – dhe më misterioz – i kësaj politike ishte i ashtuquajturi „Procesi i Prizrenit“. Më 1956, shefat e „UDB–së“ në Kosovë, shpallën se kishin zbuluar një rrjet agjentësh dhe spiunësh, të cilët kishin qenë të infiltruar nga Shqipëria në Krahinë që nga viti 1950. (N. Malcolm , fq. 334. )
Ky ishte një pretendim i pabazë, ku UDB-ja nuk interesohej për agjentët por për shqiptarët e Kosovës. Burgosi shumë prej tyre, ku dymbëdhjetë vjet më vonë ky proces u shpall i montuar dhe inskenuar.
Synim i këtyre akteve ishte ngulfatja e jetës shoqërore, politike, religjioze e deri te akti përfundimtar i suprimimit të tërësishëm të autonomisë në mars të vitit 1989. Brutaliteti dhe hegjemonizmi serb nuk mbaroi me kaq. Entuziazmin që tregoi Millosheviqi në celebrimin e 600 vjetorit të Betejës së Kosovës në Gazimestan ishte një sinjal i rrezikut që i kanosej jo vetëm Kosovës por edhe tërë Jugosllavisë. Në qershor të vitit 1990 u shpall një valë dekretesh në rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme, që do të përfshijnë: a) suspendimin e gazetës „Rilindja“, b) mbylljen e Akademisë së Arteve e të Shkencave të Kosovës dhe c) dëbimin nga puna të disa mijëra nëpunësve të shtetit. Pyetja që u shtrohej shqiptarëve, së këndejmi, ishte: edhe sa do të jenë në gjendje të durojnë dhe sa duhet të vuajnë ndërkohë?
Me shpalljen e luftës së Serbisë për eksploatimin territorial kundër ish-republikave Jugosllave, pozita e shqiptarëve të Kosovës u keqësua edhe më tepër. Por, edhe përfundimi i luftës në Kroaci dhe në Bosnjë nuk solli edhe përfundimin e krizës në Kosovë. Zgjidhja e paraqitur nga amerikanët në Dejton i la shqiptarët e Kosovës pikërisht aty ku ishin. Ky ishte grushti më i rëndë politikës së Rugovës, i cili ishte përpjekur për ta qetësuar popullatën, derisa të gjendet një zgjidhje përfundimtare për tërë Jugosllavinë. Jo vetëm kjo, ai bëri negociata me Millosheviqin për shkollat, marrëveshje e cila kurrë nuk u zbatua. Prandaj, si rezultat i zhgënjimit dhe lodhjes të popullatës ndaj joangazhimit serioz të politikanëve të kohës për një dalje të re në skenën botërore dhe për të siguruar një njohje të interesave të Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar ishte dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me format e tyre të veprimit të drejtpërdrejtë. Kjo solli deri te përballja direkte me ushtrinë dhe interesat serbe.
Pra, me luftërat brutale dhe hegjemoniste të Serbisë në ish-republikat Jugosllave dhe përfundimisht në Kosovë, duke filluar me masakrën ndaj jasharajve në Prekaz, po krijoheshin premisat për një rrugë te pakthim të shqiptarëve të Kosovës për një shtet të mëvetësishëm.
Kjo sakrificë është e veçantë në historinë moderne të Evropës. Ishte kjo sakrificë që vendosi bazat e vendosjes dhe zgjerimit të lirisë në Kosovë, e cila ndonëse ende jo e plotë, ka krijuar kushte për zhvillimin e saj. Deri më tani kam përshtypjen se nuk kemi ditur ta prezantojmë brenda vetë kulturës dhe historisë sonë kombëtare këtë figurë dhe këtë ngjarje, e lëre më ta prezantojmë si vlerë universale. Për të ndodhur kjo, figura e Adem Jasharit dhe sakrifica e familjes së tij, duhet të modernizohet dhe të dal nga kornizat në të cilat shqiptarët e kanë trajtuar deri tash. Brenda këtyre kornizave, kjo figurë dhe kjo ngjarje trajtohet përmes këngëve të dobëta folklorike, veprave skematike letrare, dhe miteve të panevojshme politike e ushtarake. Këtë figurë shqiptarët përfundimisht duhet ta nxjerrin nga këto korniza dhe t’ia dhurojnë Evropës dhe tërë njerëzimit me vlerën dhe fuqinë e vet të vërtetë. Kjo vlerë duhet të bëhet pjesë e vlerave botërore, pjesë e opusit të sakrificës njerëzore për lirinë. Liria për të cilën është sakrifikuar Ademi Jashari dhe familja e tij, pretendohet nga evropianët se është ndër shtyllat themelore të qytetërimit të saj. (Valon Murati “Qytetërimi evropian dhe ro li i fesë në lëvizjen politike shqiptare në Kosovë”)
Aktet makabre të së kaluarës jo fort të largët, ato të viteve të tetëdhjeta, nëntëdhjeta janë një prezantim i veçantë dhe shumë i dhembshëm për botën demokratike, që në fakt ishte para një realiteti të ri.
Identiteti multietnik kosovar
Me identitet kuptojmë tërësinë e tipareve religjioze, kulturore, gjuhësore dhe qytetare që ka një komb i caktuar, e të cilët e dallojnë nga kombet e tjera.
Ekziston një pafundësi identitetesh në brendi të një individi; çdo person e ka identitetin e vet familjar, profesional, religjioz, nacional etj. Erik Erikson, një teoricien i mirënjohur, e definoi identitetin si zhvillim i harmonishëm i pikëpamjeve të brendshme personale të një individi dhe pikëpamjeve të tija të influencuara nga të tjerët. (Morton A. Kaplan. „September 11, 2001“, World and I, Vol. 16, November 2001.) Si i tillë, identiteti mund të konsiderohet kategori dinamike dhe gjithnjë e hapur. (Isuf Berisha. Identiteti dhe Konfrontimi: Shqipëtarët dhe Serbët, Nga reader-i)
Rrjedha e formësimit të identiteteve politike e kulturore të popujve të Ballkanit është e cilësuar me konflikte të ndërsjella në projektin e tyre që të sajojnë shtete, kufijtë e të cilëve do të përputheshin me banorët që do të kishin një identitet homogjen kombëtar. (Muhamedin Kullashi, “Identiteti në sprovë”. Simpoziumi ndërkombëtar, i mbajtur më 26 dhe 27 Qershor 2007 në Prishtinë.). Ndërsa, në çështjen e identitetit kombëtar një rol të rëndësishëm ka edhe qytetaria, respektivisht shteti i cili u mundëson ose imponon në një masë të madhe pjesëtarëve të vet identitetin politik dhe atë kombëtar. (Ibrahim Gashi „A po krijohet identiteti Kosovar”. Simpoziumi ndërkombëtar, i mbajtur më 26 dhe 27 Qershor 2007 në Prishtinë.)
Definimi i identitetit nacional në shoqëritë multikulturore, rasti i Kosovës (Na.I), është një veprim skajshmërisht i vështirë. Ai nuk mund dhe nuk duhet të jetë neutral në kuptimin etnik dhe kulturor, sepse atëherë nuk do të kënaqte askënd dhe do të pamundësonte mbështetjen mbi një memorie historike. (Ibrahim Gashi) Ai nuk mund të jetë i njëjtë dhe neutral edhe në kuptimin religjioz, duke mos ua mohuar asnjë të drejtë dhe liri fetare komuniteteve pakicë. Në këtë drejtim nuk duhet shkuar aq larg saqë komunitetet të diskriminohen pozitivisht në raport me shumicën islame në Kosovë. Derisa në Opojë-Sharr asnjëherë nuk ka pasur përveçse shqiptarë musliman, duhet t`i festojnë krishtlindjet sikurse edhe në Beograd, Moskë e Athinë. Në këtë drejtim, definimi i identitetit si nacional ashtu edhe religjioz të një komuniteti-pakicë nuk duhet të jetë i drejtuar kah diskriminimi i të tjerëve.
Në shoqëritë multikulturore komuniteti shumicë është i disponuar të ruaj më shumë të drejta për anëtarët e tij dhe fillon të bëhet më i ndjeshëm lidhur me vendin e tij dhe e bën këtë siç thuhet për arsye demokratike dhe historike. Për shembull derisa thuhet se garantohen të drejtat e të gjithë qytetarëve, kushtetuta e vitit 1990 e Kroacisë e definon Kroacinë si “shtetin nacional të popullit kroat”. Ngjashëm edhe kushtetuta e Maqedonisë promovon “shtetin nacional të popullit maqedon”. Në Malejzi janë tri shtyllat kryesore të definimit të identitetit nacional: “bahsa” (gjuha ose Malay), “agma” (religjioni ose Islami) dhe “danraja”(monarkia). Në Tajlandë tri shtyllat qendrore të identitetit janë: sasana (religjioni ose Budizmi), mahakasat (monarkia) dhe chat (kombi). Pra, e para përfshinë religjionin e shumicës, e dyta dinastinë e shumicës. Edhe Izraeli është definuar më kushtetutë si shtet i shumicës çifute. Emri, simbolet nacionale janë çifute. Ligjet i rikthejnë privilegjet e çifutëve. (Ibrahim Gashi).
Kosova nuk është “shtet nacional i shqiptarëve të Kosovës”, edhe pse me mbi nëntëdhjetë përqind të saj e përbëjnë shqiptarët dhe më homogjenja në rajon, megjithatë ajo është e definuar si multietnike. Në fakt, e të gjithëve nga pak por e askujt në realitet. Ky është një kompromis i hidhur ...
Por, derisa nuk kemi zgjidhje tjetër na mbetet të shpresojmë që nëse shteti kosovar në perspektivë do të jetë i suksesshëm, dhe ofron një kornizë solide ku qytetarët e saj mund të shpresojnë për realizimin e ëndrrave dhe aspiratave të tyre, identiteti i shtetit dhe qytetarët e tij ‘kosovarët’ do të vazhdojnë të fuqizohen dhe me kalimin e kohës do të mund të shprehen se janë kosovarë. Pra, shteti i suksesshëm dhe jeta solide e qytetarëve mos shpirtërisht bile formalisht do ta arsyetonte identitetin multietnik kosovar.
Për t`u përgjigjur në këtë çështje do t`i referohesha gjyshit tim i cili me urtësinë e tij prej njeriu në moshë të shtyrë dhe dëshirës për ta mbjellë atdhedashurinë dhe islamin tek gjeneratat e reja më thoshte: Nëse të pyet ndonjëri: çfarë kombi dhe feje ke? Do të përgjigjesh: „Unë jam shqiptar dhe feja ime është Islami“. Ashtu edhe le të mbetet. All-llahu xh. sh. e shpërbleftë gjyshin tim me xhennet.
Ndërrimi i ideologjisë – strategjisë politike
Njerëzit munden relativisht lehtë ta ndërrojnë ideologjinë e tyre politike. Komunistët u shndërruan në antikomunistë kurse socialistët në kapitalistë. Komunistët e përbetuar shndërrohen brenda natës në antikomunistë të qartur.” Në vitin 2000 mund të takoje njerëz mbi të tetëdhjetave që në rininë e tyre ishin nazistë të përbetuar, pastaj u shndërruan në komunistë të përbetuar dhe pas 1989 demokratë të përbetuar. ( Huntington Who are we? Fq. 424.) Raste të tilla kemi me të madhe në të gjitha shtetet e bllokut lindor – komunistë. Kështu në vitet e nëntëdhjeta shohim elitën komuniste në vende dhe pozita kyqe të shoqërisë apo shkurt të themi në të gjitha fushat si në ekonomi, politikë, medicinë, arsim. Si strukturë i kishin të gjitha parapërgatitjet për të udhëhequr edhe më tutje por me forma dhe modele të reja. Mbizotëronin me oratorinë, stilin e të hecurit, veshje – mbathjet e bukura për lakmi. Edhe më tutje, pas të gjitha disfatave të sistemit që me vite e lartësuan aq shumë, shumë shpejt u integruan dhe u mishëruan me sistemin dhe pozitën e tyre në shoqërinë e re.
Rrethanat kanë ndryshuar dhe normalisht që shteti i ri dhe i sapoformuar i Kosovës kërkon kuadro të përgatitura për t`iu bërë ballë sfidave që i kërkon koha. Kuadro pa ngarkesa dhe të hapur ndaj diturive të shëndosha dhe trendeve të reja.
Është menduar se të gjitha vlerat qytetëruese si zhvillimi industrial, teknologjik, ekonomik, intelektual, janë meritë e oksidentit. Evropianët arritën që të arriturat shkencore të të gjitha lëmenjve, jo vetëm të vetat por edhe ato që u takonin qytetërimeve të tjera, t`i absorbojnë, dhe t`i integrojnë në sistem.(Valon Murati). Por, nëse i vështrojmë ngjarjet nga këndi historik, civilizimi arab dhe osman së bashku me fenë Islame kanë pjesën e vetë në shkencën, kulturën, civilizimin apo qytetërimin evropian. Kontributi i madh i dijetarëve muslimanë ndër shekuj është i pamohueshëm si në Lindje ashtu edhe në Perëndim.
Prandaj, nëse deri tani jemi arsyetuar në emër të sistemit dhe mënyrës së njëanshme të edukimit dhe shkollimit, tani nuk duhet të sillemi në mënyrë inferiore ndaj të kaluarës sonë të bujshme. Nuk duhet të sillemi në mënyrë inferiore ndaj shteteve islame sepse ato përbëjnë një pjesë të madhe të botës. Pastaj të mos flasim se një pjesë e madhe e evropianëve sot i takojnë fesë islame, dhe duke qenë evropian njëkohësisht janë urë në mes të feve të ndryshme por edhe kontribues të kultivimit të kulturës të larmishme evropiane.
Nëse sot kërkohet një njohje ndëkombëtare e Republikës së Kosovës nga shtetet islame duhet parë shkaqet pse ajo nuk po ndodh. Ndoshta është në pyetje strategjia dhe pritet ndonjë moment më i volitshëm, apo nuk është punuar mjaft në këtë drejtim. Më mirë të themi nuk është lobuar seriozisht dhe në nivele serioze. Sigurisht që amerikanët nuk do të na hidhëroheshin nëse në Konferencën Islamike do të prezentonim në nivelet më të larta shtetërore, kur kemi parasysh se me shtetet arabe vetë amerikanët kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme.