Mjerimi i historicizmit të inteligjencës shqiptare

Gjithashtu, debati ka shërbyer edhe për të kuptuar raportin e kësaj inteligjence me të vërtetën, për të njohur nivelin etik dhe të objektivitetit të saj. Ajo që karakterizon këtë debat, i cili vijon të shpaloset pa asnjë urë të ndërmjetme komunikimi është shurdhëria e protagonistëve, të cilët, të deliruar nga vepra, e zhvillojnë të gjithë retorikën e tyre në një garë të kordave të fytit, ku vlera e argumentit nuk vjen nga ndonjë rigorozitet racional, por thjesht nga volumi me të cilin ato shqiptohen apo nga shpeshtësia e përsëritëjes së ideve, me anë të së cilës forma asgjëson thelbin, duke bërë që frazat e përsëritura të tingëllojnë si argumente. Përsëritja pa fund e fjalive të tilla si psh. “vepra duhet lexuar në mënyrë letrare”, të ngjan më tepër si një ushtrim didaktik, i cili synon të aftësojë publikun për të përvetësuar në mënyrë refleksive për mendësh, sesa si një përpjekje për ta kanalizuar debatin mbi arsyetimet e duhura. Fraza të tilla shqiptohen në një mënyrë të atillë që bën të duket sikur debati përfundon këtu, a thua se letërsia të ofron privilegjin të shkruash gjithçka që të vjen për mbarë, pa asnjë lloj kufizimi, rregulli, etike, parimi apo stili. Në këtë mënyrë, debati është i destinuar të mos sjellë frytet e duhura. Që nga dita e parë e deri më tani, duket se, përveç një kategorie të caktuar, e cila ka marrë mundimin ti qaset objektivisht dhe profesionalisht veprës, asnjë argument i ri nuk është hedhur në tavolinë. Po kështu, asnjë përgjigje nuk është ofruar për një sërë kritikash të bëra nga autorë të ndryshëm ndaj veprës. Amatorizmi dhe shpërfillja e argumenteve duket se e kanë shtyrë debatin larg një gjuhe serioze dhe konstruktive, duke na ofruar më tepër korre kaotike fishkëllimash, të denja vetëm për shkallë stadiumesh, ku i gjithë interesimi është të mbysësh me të shara tifozët e skuadrës (ar)mike dhe aspak për të shijuar lojën në fushë.
Ndërhyrja e Fatos Lubonjës ishte nga të paktat iniciativa serioze për të vënë sadopak rend në këtë anarki që ndot akustikisht hapësirën publike mediatike në Shqipëri që prej daljes së romanit në shtyp. Pas një shkrimi të tillë, ndoshta gjithkush ka pritur me dëshirë dhe kuriozitet përgjigjen përkatëse të palës mbrojtëse, gjë e cila do të mund të sillte ndoshta vërtetë vlera në këtë debat. Por, çuditërisht gjithçka vijoji sikur asgjë të mos kish ndodhur. Skenari reklamues vijoji të shpalosej shpërfillshëm, me të njëjtin ritualitet, pa u ngushtuar aspak nga argumentet që godasin fort thelbin e veprës. Çani tek “Zonë e lirë”, vijonte të fluturonte librin e Blushit nga njëri cep i panelit në tjetrin, duke ofruar me zell dhuratat publike apo publicitare ndaj të ftuarve të tij të premten e rradhës, njerëz të tjerë nga fusha e politikës dhe e medias vijuan të shprehnin nëpër shtyp kënaqësitë që romani u kishte dhuruar gjatë orëve të leximit, si dhe akuzat për fanatizëm apo prapambetje vijuan të derdheshin me të njëjtin cinizëm ndaj të gjithë atyre që nuk kishin përjetuar të njëjtin afeksion si dhe të njëjtin admirim për vlerat anonime letrare apo erudite të autorit. Nuk mund të mos mungonte edhe Arbën Xhaferri, i cili në një intervistë për një të përditshme nxitoi të shprehte mrekullimin e tij për erudicionin e papritur të shfaqur prej Blushit në gjysmën e veprës (pasi, siç shprehej vetë, deri tani kishte arritur të lexonte vetëm gjysmën e romanit). Si të mos mjaftonte kjo, megjithë moshën e tij aspak të re, biologjike, politike apo edhe publicistike, Xhaferri nuk ngurroi të shprehte madje edhe se si, romani kishte arritur ta ndihmonte të njihte më mirë vetveten, duke e bërë pësojë një katarsis për tu çliruar nga paragjykimet dhe stereotipet etnocentriste, të cilat e bënin ta shihte me sy jo të mirë ortodoksinë e variantit sllav. Falë Blushit, pas kaq vitesh lider i shqiptarëve në një shtet multietnik si Maqedonia, Xhaferri paska arritur të kuptojë se paska qenë i infektuar me pikëpamje jo të drejta për fqinjët tanë ballkanikë, për tu çliruar më në fund nga skemat paragjykuese qe e kanë bërë t’i shohë ata me sy jo të mirë.
Ndërkaq, deputeti socialist Andis Harasani, nuk nguroi të zhvillonte polemikën e tij mbi ato që ai i quante tezat e kundërshtarëve të Blushit, të cilat, sipas tij, ishin asgjë më pak se disa teza mjerave konspirative ku përfshiheshin akuza për komplote kolektive socialiste antishqiptare. Mund ta marrim lehtësisht me mend se autori i ka shpartalluar krejtësisht teza të tilla për të çuar në vend nderin dhe vlerat e romanit, si dhe të klasës politike ku autori bën pjesë, por ajo që nuk kuptohet në këtë mes, është se kush i ka shtruar këto teza në debatin publik! Askund, në asnjë faqe gazete nuk kemi parë të derdhet ndonjë akuzë konspirative kundër Blushit. Edhe nëse këto ekzistojnë, vepra nuk mund të mbrohet duke hedhur poshtë pikëpamje të tilla periferike të kritikës së bërë ndaj saj. Të krijohet ideja se polemika në mbrojtje të romanit, zhvillohet më tepër me kundërshtarë imagjinarë, të cilët rrjedhimisht, në mënyrë gjithashtu imagjinare, parashtrojnë teza që nuk i përkasin askujt në opinionin publik. Një mënyrë vërtetë interesante kjo, për tu ekspozuar si fitimtar përballë publikut, pas një beteje të tillë virtuale, ku ke patur privilegjin që kundërshtarin ta zgjedhësh vetë, si dhe kujdesin që ai të jetë sa më i dobët, në mënyrë që edhe fitorja sa më spektakolare.
Në këtë mënyrë, debati vijon të zhvillohet me gishta në veshë. Dikush i përgjigjet tezave konspirative të një debutuesi anonim, dikush tjetër përsërit në vijimsi se romani është artistik dhe jo historik, të tjerë godasin në ajër armiq anonimë kundër fjalës lirë dhe krijimtarisë letrare, në mbrojtje të artit, ndërkohë që zërat e vërtetë kritikë kanë mbetur pa përgjigje, për një sërë argumentesh serioze për të cilat ia vlen vërtetë të diskutohet.
Duke u nisur nga mendimi i një prej polemistëve dhe epistemologëve më të mëdhenj të shek XX, Karl Poper, logjika e një debati serioz kërkon që, për të mbrojtur një tezë, të marrësh në analizë argumentet më të forta të kundërshtarit. Sipas metodës së Poperit kritika fillon me ndërtimin e tezës së kundërt duke mbledhur të gjithë argumentet e mundshme, më mënyrë që fillimisht teza që do të kritikohet të mbrohet sa më fort. Më pas, polemika ndërton kritikën e saj, e cila fillon analizën e saj vetëm pasi teza të ketë ofruar të gjitha argumentet e mundshme. Sipas tij, sa më fuqishëm të mbrohet mendimi i kundërt, aq më e fortë dhe serioze bëhet kritika që e pason. Ndërsa metoda e pjesëmarrësve në këtë debat merret me tezën më të dobët, si dhe me argumentet më të dobëta të saj. Ajo që bëjnë mbrojtësit e Blushit, është kujdesi për të amplifikuar teza të stisura, periferike, të pavlera, duke i sjellë në kontekste të gabuara, për të krijuar përshtypjen sikur zhurma kundër veprës bëhet thjesht nga zëra të tillë periferikë dhe fanatikë që nisen nga mendime të verbërta, si dhe nga inate personale. Kjo logjikë është dëshmi e një botëkuptimi të kundërt me atë shkencor, duke synuar të ofrojë më tepër një debat mediatik sesa objektiv. Kjo metodë, është pikërisht ajo që Poperi ka thërrmuar në “Mjerimi i historicizmit”, ku teoritë historiciste (si marksizmi dhe frojdizmi) shfaqen të interesuara të shkojnë drejt përgjithësimeve të patestueshme dhe jo drejt përfundimeve të qarta të mbetura të hapura ndaj kritikës dhe testueshmërisë. Pikërisht, këto forma të të menduarit janë të kundërta me ato që karakterizojnë “shoqëritë e hapura” të Poperit, duke mbjellë vetëm ndrydhjen e mendimit brenda kornizave të ngurta të skemave ideologjike, të cilat pjellin vetëm modele shoqërore totalitare.
Mënyra se si zhvillohet ky debat, dëshmon për mbetjet ideologjike historiciste, të trashëguara nga utopitë e rrënuara të së kaluarës, të cilat ushtrojnë ende gravitetin e tyre në rrënjët e mendimit të elitave kulturore në këtë vend. Prandaj ky debat, më tepër se për gjithçka tjetër, ka shërbyer si një test për identifikimin e rrënjëve të tilla, të cilat mbajnë ende të paralizuar mënyrën e të menduarit të elitave shqiptare. Kjo përbën edhe arsyen se përse zhvillimi i mendimit në shoqërinë shqiptare shfaq herë pas here, mutacione të tilla deformuese, duke dëshmuar ngërçin kulturor dhe ideor që vazhdon të pësojë ky vend.

M. Gysi

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme