Zoti nuk është i madh, por është më i madhi…

”Nëse nuk është e drejtë mos e bën, nëse nuk është e vërtetë mos e thuaj.” M. Aureli

Këtë e bëri, këtë e tha, autori ateist, britaniko-amerikan, Christopher Hitchins…
Nuk më shqetësoj vështrimi i ateistit për Zotin dhe religjionin, por vlerësimi i gabuar që i bëhej Zotit dhe religjionit…

Ç’është religjioni?

Religjioni ose feja, sipas enciklopedistëve anglo-amerikanë, është faktor kryesor përcaktues për jetë a vdekje, qoftë si individ apo si shoqëri dhe në gjirin e saj ajo përfshinë gjërat më themelore: rregullin dhe domethënien e jetës.
Autori britaniko-amerikan, Christopher Hitchins, në shkrimin e tij hokatar, hajgare, dëshmon papjekurin e tij fetare…
Papjekuria fetare, siç thoshte Kant-i (1724-1805) është jo vetëm më e dëmshmja, por edhe më e pandershmja nga të gjitha.
Të dëmshëm dhe të pandershëm janë edhe ata që dinë pak për fe e pak për shkencë e grinden.
Millikan-i (1868-1953), fitues i çmimit nobel për fizikë, për këtë, thoshte: ”Kur të grinden njerëzit që dinë pak për fenë dhe ata që dinë pak për shkencën, ndokush mund të mendoj se aty ka vend mosmarrëveshja ndërmjet fesë dhe shkencës, ndërsa aty kanë vend, në të vërtetë, dy lloje injorancash”
Me dy lloje injorancash nuk zbulohet e vërteta.
E vërteta, sipas Bekonit (1561-1626), themelues i shkencës moderne, gjendet në filozofi, por njohja më e thellë e filozofisë, thoshte Bekoni, na kthen sërish te religjioni.
“Religjioni helmon gjithçka” shkruan autori britaniko-amerikan, Christopher Hitchins, në librin: “God is Not Great”, (Zoti nuk është i madh), këto janë mite dhe paragjykime, pra nuk janë të vërteta.
E vërteta, siç shkruan në Enciklopedinë Amerikane, është shpesh e papëlqyeshme, pasi ajo nuk i mbështet paragjykimet e mitet…
Për të kuptuar Zotin, nuk duhet të nisemi nga njeriu, po nga Zoti dhe nga Zbulesa e Tij, Fjala e Tij, atëherë kemi rregull, siguri…
Dramaturgu më i njohur amerikan, Eugene O’Neill, shpesh e kishte zakon, shprehi, të thoshte:
“Shumica e dramaturgëve, shkrimtarëve modernë shqetësohen për marrëdhëniet ndërnjerëzore, por kjo mua nuk më intereson aspak. Unë jam i interesuar vetëm për marrëdhëniet ndërmjet njeriut e Zotit.”
Një nga filozofët më të njohur anglez, George Berkly (1684-1753) këshillonte: ”Ajo që meriton vendin e parë në studimet tona është mendimi për Zotin…”
Mendimi për Zotin, mendimi për religjionin, i shkrimtarit britaniko-amerikan, Christopher Hitchens, se: “Zoti nuk është i madh” dhe “Religjioni helmon gjithçka” ajo që ju vlerësoni, në të vërtetë është ajo që ju mungon, jo ajo që keni… Ajo që keni është e dukshme…
Viktimizoje të dukshmen, këshillonte Ajnshtajni, për ta kuptuar të padukshmen…
Atyre, që e pyesnin për fshehtësinë e sukseseve të tija, Louis Pasteri, iu përgjigjej: ”Unë kam qenë një nxënës i vogël, të cilin Zoti e ka udhëhequr me dorë që të zbulojë ndonjë fshehtësi që Ai e ka fshehur në natyrë.”
Në natyrë ka shumë fshehtësi, ka shumë mrekulli…
Më duket e pamundur, thoshte Pascal-i, t’i njohë pjesët pa e njohur tërësinë, po aq sa edhe ta njoh tërësinë pa njohur veç e veç pjesët…
Pjesët duken kudo, për hulumtuesit ato janë gjurmët e Krijuesit…
Për Krijuesin nuk mjafton të flasësh, përveç nëse thua të vërtetën.
Të vërtetën e tha Demokriti, që nderohej si më i madhi i filozofëve të lashtë, i cili tha: “Unë nuk di asgjë me siguri..”
Parmenidi, që konsiderohet si Ati i metafizikës europiane, besonte se: ”Njohuria e vërtetë është e paarritshme…”
Sokrati, më i nderuari prej të gjithëve tha: ”Gjithçka që dinte, ishte se asgjë nuk dinte”
Mbi tempullin e Delfit qëndronte një mbishkrim i njohur: Njih vetveten! Kush njeh vetveten, thoshte, Muhammedi (a.s.) ai e njeh Zotin. Zoti është e Vërteta.
Do ta njihni të Vërtetën, thoshte Krishti, (hazreti Isai a.s.) dhe e Vërteta do t’ju bëj të lirë.

E Vërteta është Një, por njerëzit e quajnë me emra të ndryshëm.
Të ndryshëm jemi edhe ne, por nëse nuk e thua dot të vërtetën, kjo nuk do të thotë që për këtë arsye të pa arsyeshme të thuash gënjeshtra si: Zoti nuk është i madh, feja helmoN gjithçka…!
Jeta ku nuk njihet e Vërteta dhe e Drejta nuk mund t’i sjellë njeriut lumturi…
Lumturi nuk është kur thuani se Zoti nuk është i madh, por kur thuani se Zoti është më i madhi.
Lumturi është kur beson, kur e përjeton se feja nuk helmon, por na shpëton….
Shpëton gjithçka njerëzore, sepse Feja është lulja më e bukur Hyjnore…

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme