A kanë fund koncesionet ndaj nacionalizmit serb?

Gjatë periudhës tranzitore nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt e deri në fuqizimin e saj më 15 qershor, Serbisë iu lejua mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale edhe në Kosovë. Si konsekuencë e kësaj, Serbia tashmë ka konstituuar organe paralele komunale dhe për datën 28 qershor, ka paralajmëruar edhe krijimin e "Kuvendit të Kosovës e të Metohisë". Këto sajesa pushteti paralel, synojnë të riinstalojnë sistemin kushtetues të Serbisë në Kosovë. Edhe nëse nuk e arrijnë këtë objektiv, ato do të arrijnë ta minojnë shtrirjen e pushtetit të organeve legjitime të Kosovës në pjesën veriore dhe në enklavat serbe në brendi të vendit.
Për ta evituar konfrontimin, qeverisë së Kosovës i duhet të zmbrapset nga zbatimi i Kushtetutës dhe i ligjeve të vendit e të lërë në duart e UNMIK-ut përgjegjësitë për pjesën veriore dhe për enklavat.
Në këtë rast, Kushtetuta nuk do të mund ta zbatohet në tërë Kosovën dhe qeveria e Prishtinës nuk do të ketë pushtetin mbi një pjesë të territorit të vendit. Prandaj, është e qartë se lejimi i zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës ka qenë një projekt për ta minuar pavarësinë e saj, sipas rekomandimeve të Beogradit dhe të Moskës. OKB-ja dhe sekretari i saj, Ban Ki Muni, kanë bërë lëshime të rënda në favor të pretendimeve të Beogradit e të ambicieve gjeopolitike të Moskës. Letra e Ban Ki Munit i ka drejtuar kryetarit të Serbisë, me gjithë ato stisje hipokrite, e zbulon pafuqinë e kreut të organizatës botërore.
Por jo vetëm OKB-ja dhe jo vetëm Ban Ki Muni kanë bërë lëshime të palejueshme dhe të pamoralshme. Mospranimi i shtetit të ri të Kosovës nga disa shtete të Bashkimit Evropian, ka krijuar plasaritje edhe në politikat e kësaj organizate në Kosovë e në drejtim të Kosovës. Bashkimi Europian u detyrua të pranojë rikonfigurimin e UNMIK-ut, në dëm të mandatit që i ka parashikuar EULEX-it, si i vetmi organ mbikëqyrës që do të duhej të vepronte në Kosovës pas 15 qershorit. I preokupuar deri në një fiksim psikologjik pas "Serbisë evropiane", si një kundërpeshë ndaj një Serbie realisht dhe efektivisht nacionaliste dhe pro ruse, Bashkimi Evropian, ka bërë lëshime në parime dhe në veprime ndaj Serbisë. Dhënia e marrëveshjes së stabilizim- asocimit për Serbinë, në kulmin e fushatës elektorale që zhvillohej në atë vend, vlerësimi se Partia Socialiste e Serbisë mund të jetë përbërëse e një "qeverie pro evropiane" në Serbi, e kanë bërë Bashkimin Evropian të flashkët e të pamotivuar në Kosovë dhe pa parime në raport me Serbinë.
Këtë dobësi dhe hipokrizi të Bashkimit Evropian, Serbia dhe Rusia janë duke e shfrytëzuar në maksimum. Dështimi i aktivizimit të EULEX-it në kohën e duhur dhe me mandatin e plotë, është disfatë serioze e Bashkimit Evropian në këto lojëra politike e gjeopolitike. Prandaj, moszbatimi i Kushtetutës së Kosovës dhe i mandatit të EULEX-it, duhet të shikohen si dobësi e përbashkët e jo vetëm si dobësi e institucioneve të Kosovës.
Por, nuk është puna se kush ka faj më shumë e kush më pak në këtë situatë. Puna është si të frenohet nacionalizmi agresiv që vjen nga Serbia në drejtim të Kosovës dhe që po nxitë sërish urrejtjet ndër etnike dhe dezintegrimin e një shteti të ri, i cili që në ditën e parë të jetës së vet është dëshmuar si faktor i stabilitetit në rajonin e trazuar.
Ky nacionalizëm serb mund të frenohet vetëm nëse Kushtetuta e Kosovës zbatohet në tërë territorin e saj, duke e filluar integrimin e komunitetit serb në shtetin e ri. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të riciklohen krizat dhe konflikti vetëm sa mund të konsiderohet i ngrirë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme