
Terma të tilla si integrimi, procesi i integrimit, vlerat integruese, kushtet e integrimit, janë shndërruar në kryefjalë, që dëgjohen edhe nëpër mëhallë…
Përse ndodh një gjë e tillë? Mbi të gjitha, Bashkimi Evropian, Integrimet Euro-Atlantike, për shqiptarët në trojet etnike, janë shndërruar në idhull, në “tokë e premtuar”, një vend i ëndërruar, për çështje, kryesisht, ekonomike-politike…
Por, sa për fillim, çdo të thotë fjala apo termi Integrim?
Fjalori i Shqipes së Sotme, botuar në Tiranë, 2002, hartuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, në faqen 509, fjalën Integrim, e shpjegon kështu:
“Lidhje e ngushtë me të tërën, bashkim a shkrirje në njësi të vetme…”
Ky ishte shpjegimi. Por, si duhet kuptuar integrimi?
Këtë e ka shpjeguar bukur Aleksandër Bayer-i, shef i Zyrës Austriake në Prishtinë, i cili ka deklaruar, në Ditën e Evropës, me 9 maj 2006 se: “Integrimi duhet kuptuar si rezultat i mençurisë së njerëzve, jo kokëfortësisë.”
Dëshirat e shumicës së shqiptarëve në trojet etnike për integrimet Euro-Atlanike a duhet kuptuar si rezultat i mençurisë apo i kokëfortësisë? Kjo është pyetja. Pyetjet nuk vdesin, thoshte Neruda.
Në proceset integruese n’Evropë, këtu me konceptin “Evropë” përfshihet Perëndimi, Aleanca Atlantike dhe Shtetet e Bashkuara, ka parashikime që pas pesëdhjetë vjetësh të shkrihen popujt e vegjël dhe të dalin prej përdorimit gjuhët e tyre. Duket se ne, shqiptarët, siç i kemi punët, ndoshta do të jemi të parët… Zoti na ruejt!
“E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian”, kështu është theksuar në Samitin e Selanikut më 2003. Kjo është konfirmuar vazhdimisht nga institucionet dhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian.
Në një seancë plenare treditëshe në Bruksel, nëntor 2005, Komisioni i Konferencave Ipeshkvore të Shteteve të BE-së, që thonë se përfaqësojnë mbi 65% të qytetarëve të Bashkimit Evropian, krerët e klerit katolik janë shprehur se: ”Vendet si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Ballkani në tërësi duhet të lidhen me Evropën Perëndimore, sepse kanë vuajtur duke qenë 450-të vjet nën sundimin otoman e pastaj në komunizëm.”
Këto kërkesa, këto dëshira të mira, të krerëve të Kishës Katolike, Evropa kurrë s’i muar parasysh… Pse?
Sepse,: “Në krizë është “Evropa Politike” jo “Evropa qytetare”. Bashkimi Evropian nuk është vetëm çështje politike, janë shprehur krerët e Kishës Katolike….”
Të alarmuar me rezultatet e referendumit në Francë dhe Holandë rreth ratifikimit të Kushtetutës së Bashkimit Evropian, liderët e BE-së janë zmbrapsur në politikat, të cilat, në vend të transformimit të Ballkanit, propozojnë vetëm menaxhimin e status quo-së.
Në Takimin e Salzburg-ut, mars 2006, Bashkimi Evropian dështoi që të sigurojë njerëzit e Ballkanit Perëndimor se është pakthyeshëm e përkushtuar në integrimin e tyre…
Takimi i Salzburg-ut dërgoi një mesazh, porosi, se BE-ja as nuk është e gatshme e as e vullnetshme që të ofrojë perspektivë për anëtarësim. Pse? Sepse, popullata e vendeve të vogla të Ballkanit është rreth 4 për qind e popullatës së BE-së sot. Kosova ka banorë sa ka Bruksel-i. Sfida nuk është tek “kapaciteti absorbues”, por te kapaciteti moral i Bashkimit Evropian…
Cili është kapaciteti moral i Bashkimit Evropian? Cila është gjendja shpirtërore e morale e Evropës? Mbi gjendjen shpirtërore dhe morale të Evropës, ka shkruar në numrin e qershorit 2004 të revistës gjermane “Cicero” Kardinali Ratzinger, i cili u zgjodh Papë, me 19 prill 2005, Papa Benedikti i XVI-të, i cili, ndër të tjera, shkruan:
“Perëndimi vuan nga një vetëurrejtje e çuditshme, e cila s’mund të quhet ndryshe përpos patologjike…Për të mbijetuar, Evropa duhet ta pranojë veten në një mënyrë të re, natyrisht kritike dhe modeste… Një botë pa Zot nuk ka ardhmëri… Evropa është e sëmurë…Nuk e dimë se si do të zhvillohen gjërat në Evropë në të ardhmen….”
Për derisa Papa shprehet kështu për Evropën, duke thënë se edhe e di se nuk e di se si do të zhvillohen gjërat n’Evropë në të ardhmen, atëherë duken qesharake çfarëdo deklaratash që bëjnë shqiptarët, në të gjitha trojet etnike, për integrimet Euro-Atlantike…!
Sa i përket integrimeve Evro-Atlanike, ne, shqiptarët, në trojet etnike, jetojmë në dy jetë, një jetë reale dhe një virtuale. Shpresën për një jetë më të mirë shqiptarët e mbajnë tek e ardhmja evropiane. Por, shpresa është shpresë, ajo thonë se e fundit vdesë, por a është kjo shpresë reale apo virtuale?
Sipas hulumtimeve të fundit të “Eurobarometrit” të Komisionit Europian (mars-maj, 2006,) më shumë mbështetet, përkrahet, Maqedonia 49%, Bosna e Hercegovina 48% dhe Serbia 47% nga evropianët se Shqipëria me 33%, kurse kundër janë 44%...
Qe dy shembuj, që dëshmojnë se çka mendojnë qytetarët evropianë për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe qytetarët e Kosovës për integrimin në Bashkimin Evropian: Agjencia e Komisionit Evropian për Hulumtimin e Opinionit dëshmon se vetëm 33% e qytetarëve evropianë e përkrahin pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian… (Rexhep Mejdani, “Eurobarometri dhe barometri shqiptar”, “Panorama”, Tiranë, 11 janar 2005). Pra, kaq e vogël është përkrahja dhe kaq e madhe është mos përkrahja e pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sipas një hulumtimi të opinionit në Kosovë, në mars 2006, të zhvilluar nga grupi “KOHA” si partner implementues i SOFRECO-s, në kuadër të Fushatës Informative Multimediale për ngritjen e Vetëdijes në Kosovë rreth Integrimeve Evropiane, nga aspekti i kombësisë shqiptarët zënë vendin e parë pro anëtarësimit në BE-së me 97.O7 për qind…
Por, cilat janë mundësit e integrimit të Kosovës?
Lidhur me mundësitë e integrimit të Kosovës, i dërguari i sekretarit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana, diplomati suedez për Kosovë, Torbjorn Sohistrom, në një intervistë për KosovaLive, me 20 maj 2006, tha se: ”Mungesa e statusit të definuar politik e ka penguar Kosovën që t’i gëzojë të gjitha mundësitë e integrimit, mirëpo, koha e saktë se kur Kosova do të ecë drejt Bashkimit Evropian do të varet shumë nga përparimi i reformave.
Kosova, tani, me pavarësi të mbikëqyrur, me misione ndërkombëtare, që me ne po bëjnë hajgare, e thonë ashiqare: "UNMIK" "EULEX" do të qëndrojnë në Kosovë deri sa Kosova të hyjë n'Europë...
Asgjë nuk mund të kuptohet pa të kundërtën e saj…Pa besim, fe, nuk mund të ketë përparim n’Atdhe… Besimi, feja, ka qenë historikisht gjuha më e dobishme për njerëzit, për të folur për gjërat më të rëndësishme…
Besimi përfshin në vetvete identitetin e njerëzve, vendos rregull dhe parime vlerash morale në çdo shtëpi, për të cilat ka shumë nevojë kjo shoqëri…
Si në të kaluarën, ashtu edhe sot, në kohën moderne, bashkëkohore, vetëm metoda shkencore kurrë nuk do të jetë e mjaftueshme, sidomos kur jemi duke u përpjekur të kuptojmë se kush jemi, të kuptojmë se si duhet të jetojmë këtu dhe atje ku po synojmë të shkojmë…
Dekart-i thoshte: ”Nuk është e mjaftueshme të kesh dije, është më e rëndësishme që atë ta shfrytëzosh si duhet”. A jemi duke e shfrytëzuar si duhet dijen? Duke qenë se është paragjykimi, mendje-ngushtësia-, kokë-fortësia, lakmia nga të cilat ne vuajmë më shpesh, më shumë.
Dëshira kaq e madhe e shqiptarëve, kaq e pakufi, për integrim, për anëtarësim, nga njëra anë dhe realitetet shoqërore, shpirtërore, arsimore, kulturore, ekonomike, politike ku jetojmë në trojet etnike, janë shpesh shumë kundërthënëse, janë shumë marramendëse…
Shqiptarët po kalojnë në një periudhë të vështirë. Ndryshku moral, gjuhësor, kulturor, shpirtëror, fetar e kombëtar po përhapet me shpejtësi ndër shqiptarë. Me çdo çmim, me çdo kusht dëshirojmë Integrimet Euro-Atlantike, duke mos menduar fare për interesa kombëtare, etnike. Me çdo çmim, me çdo kusht dëshirojmë Integrimet Euro-Atlantike, pa menduar, pa vepruar aspak, së pari, për Integrimet Shqiptare brenda trojeve tona etnike…
Aspiratat e djeshme demokratike, po mbyten sot nga iluzionet e Integrimeve Euro-Atlantike. Aspiratat e djeshme kombëtare, po shkelen sot nga politikanët tonë për interesa ndërkombëtare…
Në Zagreb, në Kuvendin Kroat, korrik, 2003, Kryetari i Komisionit Evropian, Romano Prodi, mbajti një Fjalim, ku, ndër të tjera, tha: “Mbajini sytë tuaj fort tek interesi i vendit tuaj dhe aspiratat e tij për t’ju bashkëngjitur familjes së madhe evropiane të kombeve.”
Edhe ne, si komb, si shqiptarë, duhet t’i mbajmë sytë fort tek interesi kombëtar. Por, interesi kombëtar pa udhëzim fetar, për ne, në veçanti si shqiptarë, është shkatërrimtar… Edhe nëse një ditë do të integrohemi n’Evropë, s’duhet harruar se përfundimi i të gjithëve është në gropë… Në gropë, ku do të bëhemi pluhur, hi, të gjithë do të japin llogari…Secili do të japin llogari për shpirtin e tij, do të japin llogari për jetën e tij, çka bëri për Kosovë, për Çamëri, për Shqipëri…
Gjakovë, qershor 2008