Kali e gomari - Opinion

Zgjedhjet e vetme të parakohshme në Maqedoni porsa mbaruan, çfarë ishin ato dhe në çfarë atmosfere kaluan është shumë e qartë dhe nuk do shumë koment. Tash jemi në prag të pritjes së formimit të qeverisë së re. Po përsëriten fotografitë e njëjta të 2006-ës kur para selisë së VMRO-së, hynin e dilnin rishtazi Aliu e Menduhi. Të hënën ndodhi e njëjta: Gruevski porsa mori mandatin nga kryetari Cërvenkovski, caktoi takim me kreun e PDSH-së, e pastaj edhe me atë të BDI-së. Një ditë më parë për agjencinë MIA, tashmë mandatari, deklaroi se do të marrë në koalicionin e tij atë parti shqiptare e cila do të pajtohet me “prerodbën” e tij të famshme. Ai me këtë deklaratë ia bën me dije opinionit se për çka do të bisedojë me liderët shqiptarë, d.m.th. nuk bëhet fjalë për asnjë çështje me interes për shqiptarët, e mbetur nga Marrëveshja e Ohrit. Nënçmimi e poshtërimi që Gruevski filloi t’ua bëjë liderëve shqiptarë, njëkohësisht edhe shqiptarëve në përgjithësi, nuk ka të ndalur. Nënshkroi dy marrëveshje, atë të Majit dhe atë të Marsit me dy subjekte të ndryshme me përmbajtje gati identike dhe asnjërën nuk e realizoi. Ky lloj i injorimit total ndaj shqiptarëve nuk është parë asnjëherë në këtë nënqiell. Politikë përplot me intriga e mashtrime që i çoi shqiptarët deri në vëllavrasje. Ai po i përdor të gjithë mekanizmat shtetërorë maqedonas dhe ato të akademisë serbe që të arrijë deri te ky qëllim dhe deri tash po i shkon puna shkëlqyeshëm. Por assesi nuk dua të konstatoj se kjo është meritë vetëm e tij dhe i shërbimeve të tij, ngase atij gjithsesi ndihmë e madhe i vjen edhe nga vetë ne shqiptarët. Po të vazhdoj të shkruaj për qëllimet e tij destruktive ndaj kombit tonë fundi s’do i shihej këtij shkrimi, por qëllimi im është të shkruaj për mënyrën se si duhet të veprohet në këtë situatë, kur karshi ke një politikan si Gruevski me gjithë makinerinë e tij serbo-maqedonase.
Liderët shqiptarë nuk janë në situatë as të palakmueshme dhe as inferiore në bisedimet për formimin e qeverisë, ani pse Gruevski i ka 63 deputetë – ai pa shqiptarët s’do të mund të funksionojë. Formula është e thjeshtë: PDSH-ja tërhiqet (pasi zyrtarisht ka më pak deputetë), ndërsa BDI-ja ia dorëzon Gruevskit listën e kërkesave të mbetura nga Marrëveshja e Ohrit dhe pret në selinë e saj derisa ai ta nënshkruajë këtë platformë dhe të deklarohet publikisht se ka pranuar t’i plotësojë këto kërkesa. Por, kur të dyja partitë vrapojnë pas Gruevskit, ashtu si ia filluan bisedimet dhe si i zhvilluan në vitin 2006, kuptohet se pozita e tyre negociuese dobësohet shumë, aq shumë sa do të hyjë në qeveri ajo parti politike shqiptare e cila do ta zbresë pazarin në minimum ose do të hyjnë pa asnjë platformë e kërkesë dhe, si duket, ky variant është me i prituri. Nuk e kuptoj deri ku shkon dëshira për të qenë në qeveri me çdo kusht. Si do që të jetë, njëra parti shqiptare do të jetë pjesë e qeverisë. Madje edhe nëse vazhdojnë kështu bisedimet, prapëseprapë liderët shqiptarë kanë një xhoker mjaft të çmueshëm përkundër palës maqedonase, as Aliu dhe as Menduhi nuk guxojnë t’i japin bllanko përkrahje Gruevskit për emrin e shtetit. Kjo çështje jo që duhet të shfrytëzohet si bazë për pozita më të mira negociuese për formim të qeverisë, por kjo është e rëndësishme për integrimet euroatlantike të shtetit tonë. Nuk kam asgjë kundër popullit maqedonas, kjo nuk është ksenofobi, por nuk duhet t’i jepet përkrahje një populli tjetër në dëm të popullit tënd – kjo është patriotizëm.
Në këtë kohë kur kokat ende janë të nxehta nga temperaturat e larta të 1 e 15 qershorit, zor se dikush e merr e analizon këtë që e kam shkruar unë, sidomos jo ata që u është dedikuar ky shkrim.
Sidoqoftë qeveria e re e Maqedonisë brenda 20 ditëve duhet të formohet dhe kjo punë disi do të përfundojë, keq se keq, këtë e dimë shumë mirë, por s’ke ç’të bësh, helbete mos po gabojnë e po bëhet mirë se me keq jemi mësuar ne. Njëra ose të dyja partitë politike shqiptare do të jenë pjesë e qeverisë, kjo gjithsesi do të ndodhë. Të gjithë duhet të përgatitemi me befasitë që do na i sjellin liderët shqiptarë duke emëruar ministra e zëvendësministra, drejtorë e shefa dhe, në përgatitje e sipër, në këtë temë m’u kujtua një mesele që ma tregoi një mik i imi.
Na ishte njëherë një bujk i cili kishte një kalë e një gomar. Kalin e përdorte shumë, për të gjitha punët e rënda e ngarkonte atë, ndërsa për punët më të lehta e përdorte edhe gomarin. Nejse. Kur po i afrohej vdekja kalit, bujku shkon në ahur për të marrë hallallëk me kalin e tij. I kujtohet se kalin e kishte munduar shumë, andaj edhe i drejtohet tij për ta marrë hallallëkun e fundit. I afrohet kalit të tij dhe fillon t’i rendit të gjitha që ia ka bërë derisa e kishte në shërbim të tij: Kali im, të kam munduar shumë, të kam ngarkuar shpesh më tepër se që mund të mbaje barrë, ndonjëherë të kam shtyrë të ecësh tepër, të vraposh e të lëvrosh, të gjitha t’i kam bërë andaj ma bën hallall se unë po vdes. Kali, pasi e dëgjoi pronarin e tij, ia ktheu: Pronari im, të gjitha këto që i the janë të vërteta, edhe unë e di që shpesh më ke munduar më tepër se që mund të duroja, por unë të gjitha po t’i falë. Vetëm një gjë s’mund të ta bëj hallall – të gjitha i duroja por, kur ndonjëherë merrnim rrugë e ti e nxirrje gomarin para meje t’i printe rrugës, këtë nuk e duroja dot, andaj këtë s’mund të ta bëj hallall.
Në këtë kontekst, unë me bashkëmendimtarët e mi ndihemi si ky kali i kësaj meseleje, krejt do ua bëjmë hallall, por ju lutemi gomarët mos na i nxirrni përpara se këtë s’ua bëjmë dot hallall. KURRË!!!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme