
Vendosja e përqindjeve për sa i përket rolit të gruas në shoqëri, në një farë mënyre e margjinalizon vetë këtë rol. Vetë përqindja duket si një asistencë sociale që u jepet gjinisë tjetër, për të dalë në mënyrë të imponuar nga një nivel inferior social i nënkuptuar.
Së pari vetë mentaliteti i përqindjes së pjesëmarrjes së gruas jo vetëm në politikë por edhe në fusha të tjera të jetës, është një farë legjitimiteti inferioriteti i sanksionuar me ligj, dhe nga ana tjetër është jo e drejtë për vetë gjininë femërore, e cila do të duhet të përfaqësohet nga një 30 përqindësh, i cili do të jetë po subjekt i përzgjedhjes së një “bande” partiake burrash. Nëse kjo përzgjedhje nuk do të jetë, dhe nuk ka gjasa të jetë, bazuar mbi performancën, kontributin apo meritën individuale, atëherë grumbulli i grave në parlament do të shëmbëllente jashtë rolit të vërtetë duke dëmtuar imazhin e saj.
Përqindjet e imponuara për sa i përket pjesëmarrjes së gruas në shoqëri, kanë pasur kulmin e tyre gjatë diktaturës, ku gruaja pothuaj në masën 50 për qind ishte pranë burrit, që nga Kuvendi Popullor e deri tek gratë krenare në furrën e çeliqeve, gratë montatore në majën e oxhaqeve, gra që lugën dhe pirunin e kishin ndërruar me kazmën dhe lopatën, gra që korrnin misrin më shpejt se autokombajna, me krahë e muskuj bodybuilding-u ato realizonin prodhimin gjatë turnit të tretë, natën.
Pra, nëse do të mendonim se përqindjet janë mjeti më efikas i së ashtuquajturës barazi gjinore, eksperienca jonë socialiste na tregoi të kundërtën. Nuk mjaftuan gjithë ato integrime të sforcuara të gruas në shoqëri për të barazuar rolin e gjinive në mbarëvajtjen kolektive. Kjo për arsyen më të thjeshtë. Për sa kohë që meritokracia apo performanca individuale qoftë e burrit apo e gruas të matet me përqindje, atëherë rezultati do të jetë i deformuar.
Mendoj se thelbi i problemit qëndron tek qasja që i bëhet rolit të gjinive në shoqëri. Është e vërtetë se në Perëndim ka tentativa për të përcaktuar influenca gjinore në bazë kalkulimesh, por, eksperienca ka treguar se ato kanë dështuar dhe se roli i gjinive si burrë dhe grua janë kthyer na shtratin e natyrshëm duke lënë përqindjet jetime dhe joefikase.
Në të vërtetë i gjithë spektri i marrëdhënieve burrë grua, si në familje dhe jashtë saj në shoqëri, është i profilizuar në dy qëndrime kryesore në atë sekularist dhe ateist dhe në qëndrimin tjetër teist apo religjioz, ku këta të fundit, nuk mohojnë rolin e krijimit të gjinive njerëzore.
Për sa i përket grupit të parë, duke qenë se është një grup, i cili e konsideron qenien njerëzore si një prodhim i shkakësisë duke përjashtuar rolin e krijimit të një krijuesi mbi qeniet njerëzore, e konsideron ndarjen gjinore si luftë apo sfidë për dominimin e shoqërisë, ku përparësia shekullore e burrit duhet luftuar me çdo kusht. Pra, duke qenë qenie rastësore, mundësisht me prejardhje majmunore, dy gjinitë e qenies njerëzore edhe pse janë të dënuara të jetojnë bashkërisht, duhet t’i tregojnë njëri-tjetrit se janë të aftë të dominojnë rolet e ndërsjella. Ky botëkuptim sekularist mbi gjinitë ka sjellë deformime të jashtëzakonshme në praktikën jetësore si dhe në mënyrën e të konceptuarit të rolit të gjinive duke i nxjerrë dhunshëm nga shtrati i natyrshmërisë së vet.
Prandaj në botën propagandistike nuk habitesh tek sheh femra që përdorin armët më mirë se burrat, apo nga ato që me dy lëvizje shtrijnë në tokë për vdekje dhjetë sosh. Ekzaltimi i gruas agjente, vrasëse me pagesë, boksiere apo shkatërruese, janë forma të cilat me gjithë përpjekjet, pak kanë ndikuar në ndryshimin substancial të rolit të gjinive.
Ndërsa grupi i dytë, është ai që beson se qenia njerëzore si pasojë edhe gjinitë, janë vepër arti të krijuara nga një krijues posedues i një inteligjence superiore, i cili me gjinitë ka pleksur edhe rolet, prirjet e secilës palë, duke krijuar jo një gjini superiore dhe një tjetër inferiore, por, duke krijuar dy gjini lider secili në kompetencat dhe aftësitë e veta.
Natyra e burrit dhe e gruas është aq e ndryshme nga njëri-tjetri sa do të ishte fatale dhe e pamundur të përpiqeshim të ndërronim rolet. Prandaj qasja më e drejtë në opinionin tim, është qasja ku secila gjini është lidere në kompetencat e veta të cilat janë pjesë e një mandati hyjnor dhënë secilit.
Kjo nuk përjashton aspak që një grua të jetë politikane, të drejtojë biznese, apo edhe inciativa të tjera, po ashtu nuk është përjashtues fakti që burrat të jenë kuzhinierë të mirë, por e gjitha kjo brenda kufizimeve të veta që secila gjini dashje pa dashje i ka pjesë të vetën.
Në këtë kontekst përqindja në pjesëmarrje është si një trup i huaj, një mjet i dhunshëm, për të prishur ekuilibrat e pozicioneve. Ka fusha ku gratë mund të jenë më të afta se 30 për qind ashtu siç ka fusha ku burrat janë më pak. Pra merita, aftësia, kontributi janë treguesit e vërtetë që përcaktojnë realisht rolet në shoqëri, kjo për sa kohë nuk ekziston një diskriminim i hapur.
Kontributet reale të secilës gjini janë përqindja më e mirë dhe tagri më kuptimplotë për pozicionet e ndërsjella në shoqëri.